More
    KreuForumi mbi përkthiminPërkthimi – heqje dorë nga ëndrra e përsosmërisë

    Përkthimi – heqje dorë nga ëndrra e përsosmërisë

    Nga Mimoza Hysa

    Paqja e gjumit të zhegut nën hijen e manit apo të ullirit është një ndjesi që kuptohet qartazi në të gjitha vendet e Mesdheut, në të gjitha ato vende ku kjo situatë është e jetuar dhe e njohur. Po si mund ta përcjellësh po njëlloj këtë ndjesi për një finlandez apo rus të Siberisë? A përjetojnë ata të njëjtën ndjesi të gjumit të vapës e aq më tepër nën hije mani a ulliri? Sigurisht, mund të gjendet një krahasim përafrues për prehjen dhe gjumin e drekës, por kurrsesi të zhegut që nënkupton dhe ligështimin ndaj vapës, ashtu siç mund të gjenden pemë të tjera nën të cilat mund të koten, por jo mani a ulliri. Çfarë ndodh në këto raste me përkthimin? A është kjo situatë që kërkon shpjegim kur në rrëfim është përmendur thjesht për ndjesinë e qetësisë që të fal? Përkthimi atëherë do të duhet të jetë një shpjegues, nënkuptuar si interpretim, apo një përkthim besnik, pa nevojën e shpjegimit? Po nëse synojmë të përcjellim vetëm ndjesinë, atmosferën e krijuar, a mund ta zëvendësojmë këtë situatë me një të përngjashme të kulturës së atij vendi, duke bërë një përshtatje? Në këtë rast do të përftonim një tekst të lokalizuar dhe të tjetërsuar, edhe pse mund të përcillet ndjesia e duhur. Mëdyshjet mbi mënyrën e përkthimit dhe sidomos teorizimi mbi përkthyeshmërinë vjen pas krijimit të përvojës përkthimore. Në kulturën shqiptare ky debat është i vonë, sepse është dashur të krijojmë më parë një përvojë të gjatë përkthimi për të arsyetuar pastaj mbi të. Si në të gjitha kulturat, përvojat e para të përkthimit kanë qenë përshtatje dhe rikrijime deri në tjetërsime, me një prirje të theksuar për ta shqiptarizuar më shumë sesa shqipëruar veprën. Kultura e shkrimit në gjuhën tonë është kulturë e përkthimit si përshtatje: kështu ka nisur shkrimi i gjuhës shqipe me Buzukun, Budin apo Bogdanin. Madje duke mos u ndarë qartazi ideja e shkrimit të veprës autoriale nga përshtatja.

    Mjeshtëria e përshtatjes apo shqipërimit, pra e një përkthimi që qëndron më afër gjuhës pritëse se asaj burimore, që kujdeset veçanërisht për lexuesin e vet më shumë se për autorin, u arrit me përkthimet e Nolit. Ishte një hap i madh dhe i rëndësishëm për kohën kur u ndërmor dhe për nivelin e arritur, por sot ripërkthimi i veprave të Shekspirit të përkthyera nga Noli përbën një domosdoshmëri, edhe pse ngjan si përballje me një legjendë.

    Janë të kaluara tashmë dhe përcaktimet antonimike për përkthimin të Benedetto Croce-s në fillimshekullin e kaluar, si femra “besnike e shëmtuar/ tradhtare e bukur”. Përkthimi nuk mund të jetë as përkthim i fjalëpërfjalshëm, pra “besnike e shëmtuar” dhe as përshtatje, pra “tradhtare e bukur”. Është një ndërmjetësi e zhdërvjellët që përpiqet për përsosmërinë, me vetëdijen e plotë se nuk është e mundur. Puna e përkthyesit është pakësimi i humbjeve të pashmangshme, duke sakrifikuar pjesën për të tërën. Përkthyesi kështu është gjithnjë në provë, duke nënkuptuar të gjitha shtresëzimet e kësaj fjale: është në provë në kuptimin e eksperimentit ku asnjëherë nuk dihet se si do të jetë përfundimi. Në provë, në kuptimin e mundimit, vështirësisë apo vuajtjes. Në provë, në gjetjen e rrugëve të pashkelura, të shtigjeve të reja për të shpërngulur kuptimin e stilin, tërësinë e veprës nga një gjuhë në tjetrën. Në provë, edhe në kuptimin e gabimit, keqkuptimit e moskuptimit.

    Një përkthim i mirë, së pari, respekton autorin, duke ruajtur frymën apo ritmin e brendshëm të tekstit, përpos kuptueshmërisë, përmes një pune përkthimore të padukshme. Sa më pak të duken gjurmët e përkthyesit në tekst aq më i mirë është përkthimi. Më ndodh të lexoj përkthime të vlerësuara ku bie në sy puna kërkimore e përkthyesit për të pasuruar gjuhën me fjalë pak të lëvruara të gjuhës pritëse ose, për më tepër, të krijuara nga vetë përkthyesi. Kur kjo prirje nuk përbën një kërkim të autorit në gjuhën burimore, por kthehet në qëllim në vetvete të përkthyesit, e dëmton tekstin: nëse kërkojmë përcjellje sa më afër përsosmërisë, do të duhet të zgjedhim jo vetëm fjalë apo shprehje që mbulojnë anën semantike, por edhe të barasvlefshme po njëlloj në përdorim, si nga folësit apo lëvruesit e gjuhës burimore ashtu dhe asaj pritëse. Kjo për të thënë se nuk kemi stil përkthyesi, por stil autori dhe merita kryesore e një përkthyesi është pikërisht ruajtja me besnikëri e stilit të autorit.

    Të përkthesh do të thotë edhe të kuptosh, edhe të respektosh tjetrin, të ndryshmin prej teje, pa e tjetërsuar dhe pa e njëjtësuar me veten. Në përkthimin e veprës së Claudio Magris-it “Udhëtim pa mbarim”, për shembull, përplasja e përqasja me tjetrin, të ndryshmin prej teje, përbënte dhe filozofinë dhe thelbin e tërë veprës. Kështu që në mëdyshjen time si përkthyese, nëse duhet të ruaja fjalë apo shprehje nga një gjuhë e tretë që vetë autori i kishte sjellë pa përkthim, nëse duhet të ruaja dhe të shkruaja siç i kishte dhënë autori emërtime nga gjuhë të tjera që gëlonin në tekst, zgjodha të respektoj frymën dhe qëllimin e veprës. Për vetë Magris-in, i cili është shprehur gjerësisht dhe për teoritë e përkthimit, përkthyesi nuk duhet të bëjë rolin e ciceronit apo mësuesit që e merr për dore lexuesin, që i shpjegon gjithçka duke ia thjeshtëzuar e duke i rënë kështu ndesh ritmit të rrëfimit, por duhet ta lërë të përballet vetë me vështirësitë e të kuptuarit. Edhe lexuesi në një vepër në gjuhën amtare has vështirësi për të kuptuar tekstin, që kanë të bëjnë me nivelin e tij të nxënies apo nivelin e shkrimit. Leximi në vetvete duhet kuptuar si akt kërkimi drejt dijes dhe si i tillë ka vështirësitë e veta që tejkalohen përmes thellimit në një fjalë apo shprehje, në lexime plotësuese e kështu me radhë.

    Një përkthyes i mirë i hyn në lëkurë autorit: pa e njohur thellësisht, e ka të vështirë ta sjellë besnikërisht. Mua më janë dukur të parakohshme përkthimet e disa poezive të Montale-s që kam botuar në rini. Më pas m’u desh kohë e gjatë për ta studiuar dhe për ta kuptuar derisa e ndjeva se mund të sillja të plotë një vepër të tij: e ndërmora me sigurinë që në përkthim nuk do të kishte së paku keqkuptime për kurthet që ngre poezia montaliane. Ndryshe nga filozofia që përcjell vepra e Magris-it me përballjen me tjetrin, poezia e Montale-s kërkonte një njohje të thellë të trashëgimisë së poezisë italiane, si dhe njohje të rrymave bashkëkohëse me poezinë e Montale-s.

    Nëse do të diskutonim se çfarë e bën të mirë një përkthyes, do të rreshtonim së pari prirjen për të njohur dhe mësuar gjatë gjithë kohës. Brezat që po vijnë, falë edhe hapjes me botën dhe lëvizjes, janë shumë më të aftë të mësojnë rrjedhshëm gjuhë të huaja, por për fat të keq çalojnë gjithnjë e më tepër në lëvrimin e gjuhës amtare. Njohja e dy gjuhëve me të cilat punohet është vetëm një e dhënë, është hapi i parë. Përkthyesi duhet të ketë kureshtjen për të qëmtuar në kultura të tjera: ajo çka mbart si ndërmjetës nuk është thjesht gjuha, por një kulturë e tërë. Nëse nuk je një lexues i mirë, një dashnor librash, është e vështirë të bëhesh përkthyes i mirë. Në kohët e sotme përbën përparësi dhe mundësia e përballjes dhe komunikimit me autorin, gjë që ka qenë pak e mundur para viteve nëntëdhjetë. Për një përkthyes është ndonjëherë fat nëse autori është gjallë dhe ka mundësinë për të zgjidhur problemet e përkthimit në diskutim me autorin. Po kjo çështje do të përbënte një diskutim më vete.

    Një tjetër diskutim që bëhet shpesh për përkthimin është dhe krahasimi i brezave të përkthyesve, me një mbivlerësim të përkthyesve të para viteve nëntëdhjetë. Për mendimin tim krahasimi është i gabuar dhe i ngjan një tifozërie pa baza shkencore. Ne kemi trashë-guar përkthime virtuoze të shumë kryeveprave të klasikëve. Po përkthimi asokohe anonte nga përshtatja shpjegimore e tekstit duke mbivlerësuar dhe lehtësuar punën e lexuesit. Kështu për arsye të ndryshimit të qasjes ndaj përkthyeshmërisë, të ndryshimeve të natyrshme të gjuhës shqipe, si dhe në disa raste të ndryshimit të qasjes ndaj veprës së autorit, shumë prej klasikëve duhen ripërkthyer. Edhe pse një sipërmarrje e vështirë për arsye shpesh edhe jashtëletrare, kam bindjen se tashmë janë formuar përkthyes të aftë për ta përballuar këtë sfidë.

    Në përmbyllje mbështes parashikimin e disa studiuesve të sotëm të fushës që parashikojnë se ardhmëria e përkthimit do të jetë një shtysë drejt një uniteti kulturor shumëgjuhësor, në të cilin sinkronia do të mbizotërojë ndaj diakronisë, mendimi babelik kulturor ndaj atij linear e të njëtrajtshëm.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË