More
    KreuLetërsiBibliotekë"Përgjithmonë sipëran", tregim nga David Foster Wallace

    “Përgjithmonë sipëran”, tregim nga David Foster Wallace

    Përktheu Ballsor Hoxha

    Urime ditëlindja. Trembëdhjetshi yt është i rëndësishëm. Ndoshta dita yte e parë me të vërtetë publike. Trembëdhjetshi yt është rasti që njerëzit të kuptojnë që gjëra të rëndësishme janë duke të ndodhur.

    Të kanë ndodhur gjëra gjatë gjysmës së vitit të kaluar. Tani ke parë lesh në nënsqetullën tënde. Dymbëdhjetë qime në të djathtën tënde. Spirale të forta të rrezikshme të qimeve të brishta të zeza. Lesh kafshësh, kërcitës. Tani ka më shumë lesh të dredhur të fortë rreth organeve tua gjenitale se sa që mund të numërosh pa e humbur gjurmën. Gjëra të tjera. Zëri yt është i pasur dhe gërrithës dhe lëviz në mes të oktavave pa ndonjë paralajmërim. Fytyra yte ka filluar të jetë shndritëse kur nuk e pastron. Dhe dy javë të një dhembjeje të thellë dhe frikësuese këtë pranverë të ka lënë me diçka të lëshuar prej së brendshmi: stomaku yt është tani i plotë dhe i cënueshëm, gjë që duhet të jetë i mbrojtur. Rënduar dhe lidhur në llastikë të ngushtë të cilët lënë vija në mollaqet e tua. Tani je rritur në një brishtësi të re.

    Dhe ëndrrat. Për muaj me radhë ke pasur ëndrra si kurrë më parë: të lagështa, të ngarkuara dhe të largëta, përplot kthesa të nënshtruara, pistonë të çmendur, ngrohtësi dhe një rënie e madhe; dhe ti je zgjuar në mes të qepallave duke u dridhur në një ankth dhe jermi dhe një shkundjeje nga një ndjenjë gisht-mbledhëse skalp-kërcitëse nga brenda në thellësi më të madhe se që mund të kishte për ty, gulçe të dhembjes së thellë të ëmbël, dritat e rrugëve duke hyrë përmes roletave dhe duke shpërthyer në yje të mprehta përgjatë tavanit të zi të dhomës së fjetjes, dhe në ty një xhem i dendur i bardhë që fëshfërinë në mes të këmbëve, rrjedh dhe ngjitet, ftohet në ty, forcohet dhe pastrohet derisa nuk mbetet asgjë përpos nyje të gungëzuara të leshit solid të kafshës në dushin e mëngjesit, dhe në lëmshin e lagësht një aromë e ëmbël që nuk mund të besosh se vjen nga çkado që ke bërë brenda teje.

    * * *

    Aroma është, më shumë se çkado tjetër, sikur kjo pishinë bazeni: kripë e zbardhur e ëmbël, lule me petale kimike. Pishina ka një aromë të fortë të kaltër, edhepse e din se aroma kurrë nuk është aq e fortë se sa kur ti je brenda ujit të kaltër, sikur që je tani, i tëri i këputur së notuari, duke pushuar në fundin e cekët, sipërfaqja e ujit duke u përplasur aty ku ndërrohet i tëri. Rreth dyshemesë përreth pishinës së kësaj shkolle të vjetër publike në fundin perëndimor të Tucson-it është një gardh ciklon me ngjyrë të kallajit, dekoruar me një rrëmujë të ndritshme të biçikletave të bllokuara. Prapa kësaj një parking i nxehtë i zi përplot linja të bardha dhe vetura shkëlqyese. Një fushë e mërzitshme bari të thatë dhe e barojave të forta, kokat me push të luleradhiqeve të vjetra duke eksploduar dhe duke reshur në erën që është duke u ngritur. Dhe kaluar tërë kësaj, skuqur nga dielli i ngadalshëm i rrumbullakët i shtatorit, janë malet, dhëmbëzuar, majat e tyre kënde të mprehta duke u errësuar në kufizim përkundër një drite të thellë të kuqe dhe të lodhur. Përkundër majave të kuqe të lidhura formojnë një linjë thumbuese, një EKG të ditës në vdekje.

    Retë janë duke marrë ngjyrën në buzë të qiellit. Uji është xhingla të kaltre të butë, i ngrohtë i orës pesë, dhe aroma e pishinës, sikur aroma tjetër, lidhet me një mjegullim kimikë brenda teje, një turbullirë e brendshme që lakon dritën në fundet e saj, zbutë dallimin në mes të asaj që gjethet e shuajnë dhe asaj që fillon. Ndeja yte është sonte. Këtë pasdite, në ditëlindjen tënde ti ke kërkuar të vish në pishinë. Ke dashur të vish vetë, por një ditëlindje është ditë familjare, familja jote do të jetë me ty. Kjo është mirë, dhe ti nuk mund të flasësh pse ke dashur të vije vetë, dhe me të vërtetë realisht ti nuk ke dashur të vije vetë, kështu që ata janë këtu. Duke u rrezitur. Të dy prindërit e tu po rreziten. Karriget e tyre kanë shënuar kohën tërë pasditen, duke u rrotulluar, duke përcjellë lakesën e diellit përgjatë qiellit shkret nxehur si në filmat ku pjekin ve në asfalt. Motra jote luan Marko Polo afër teje me një grup të vajzave të holla të klasës së saj. Tani ajo është symbyllur, Markoja e saj është duke u Polluar. Ajo është symbyllur dhe duke u sjellë rreth thirrjeve të ndryshme, duke u rrotulluar në një rrotë të të çjerrave të vajzave në kësula për notim. Kësula e saj ka lule të ngritura të gomës. Ka petale të squllura të vjetra që shkunden derisa ajo hidhet në zërin e verbët. Atje në fundin tjetër të pishinës është pishina për kërcim dhe kulla e dërrasës së lartë për kërcim. Prapa në dyshemenë e pishinës është BARI PËR NGRËNIE, dhe në të dy anët, ngjitur mbi hyrjet e cementuara për në dushet dhe kabinat e errëta të lagështa, janë zëruesit e hirtë të metalit të cilët dërgojnë jashtë në pishinë muzikën nga radio, zhurma e rrafshët dhe e hollë e vogël.

    Familja jote të do. Je i ndritur dhe i qetë, me respekt ndaj të vjetërve – por ti nuk je pa kurriz.

    Je në masë të madhe i mirë. Ti kujdesesh për motrën tënde të vogël. Ti je aleati i saj. Ti ke qenë gjashtë kur ajo ka qenë zero dhe ti ke pasur shytat kur e patën sjellë atë në shtëpi në një qebe shumë të butë të verdhë; e ke puthur për mirëseardhje në shputat e saj për shkak të kujdesit që ajo të mos i merrte shytat. Prindërit e tu thonë se kjo ndjellte mirësi. Që kishte caktuar tonin. Ata tani e ndjejnë se kishin të drejtë. Në të gjitha gjërat ata janë të mburrur me ty, të kënaqur, dhe janë larguar në distancën e ngrohtë nga e cila krenaria dhe kënaqësia udhëtojnë. Të gjithë kaloni mirë mes vete.

    Urime ditëlindjen. Është ditë e madhe, e madhe sa kulmi i tërë qiellit të jug-perëndimit. E ke menduar të tërën. Aty është dërrasa për kërcim. Ata do të duan të shkojnë së shpejti. Ngjitu dhe bëje.

    Shkunde të kaltrën e pastër. Ti je gjysmë i zbardhur, i lëshuar dhe i butë, i zbutur, ngjitjet mes gishtave të rrudhura. Tisi i aromës tepër të pastër të pishinës është në sytë e tu; thyen dritën në ngjyrë të butë. Godite kokën me të pasmen e dorës. Njëra anë ka një eho të squllur. Nxirre kokën anash dhe kërce – një nxehtësi e beftë në veshin tënd, e shijshme, dhe uji i ngrohur nga truri bëhet i ftohtë në anën e jashtme të moluskut të veshit tënd. Mund të dëgjosh muzikë më të thellë më të imtë, thirrje të afërta, lëvizje të shumta në ujë të shumtë.

    Pishina është më e mbushur për këtë pasdite. Këtu janë fëmijët e hollë, njerëz kafshëror leshatuk. Djem joproporcional, të gjithë qafa dhe këmbë dhe kyçe të dalura, me gjokse të cekët, disi si zogj. Sikur ti. Këtu janë të moshuarit duke lëvizur nëpër cekëtinë në shkopinj, duke ndjerë ujin me duart e tyre, jashtë çdo elementi në të njëjtën kohë. Dhe vajzat – gra, gratë, lakuar si instrumente të pemëve, lëkurën kafe të ndritur të fërkuar, të lartat e kostumeve mbajtur nga nyje delikate të lidhëseve me ngjyrë të brishtë shtrënguar ndaj peshave misterioze, të poshtmet e kostumeve duke rënë poshtë mbi të dalat e buta të ijeve totalisht të ndryshme prej të tuave, enjtje dhe toptha që shkrihen në dritë në hapësirën rrethuese që mbledhë dhe akomodon lakesat si gjëra të çmueshme. Ti gati se e kupton.

    Pishina është sistem i lëvizjes. Këtu tani janë: llokoçitjet, përleshjet, zhytjet, ndjekjet në kënd, gjylet, Peshkaqenët, rëniet e larta, Marko Pollo (motra jote ende është ai, gati në lot, tepër i gjatë që ajo mund të jetë ai, loja duke u lëkundur në teh të ligësisë, por nuk është puna jote të përzihesh apo të turpërosh). Dy djem të vegjël të bardhë të ndritshme mbuluar me peshqir të pambuktë vrapojnë përgjatë anës së pishinës derisa roja nuk i ndalë me një bërtimë nga amplifikuesi i zërit. Roja është po aq kafe sa një lis, qime bionde në një linjë vertikale në stomakun e tij, koka e tij në një kapelë të eksploruesit të xhunglës, hunda e tij trekëndësh i bardhë ngjyrë krem. Një vajzë ka një krahë rreth një këmbe të kullës së tij të vogël. Është i mërzitur.

    Dil tani dhe kaloj prindërit e tu, të cilët janë duke u rrezitur dhe duke lexuar, dhe duke mos shikuar lartë. Harroje peshqirin tënd. Të ndalosh për peshqir do të thotë të flasësh dhe të folurit do të thotë të menduar. Ke vendosur se të qenit i frikësuar shkaktohet në të shumtën nga të menduarit. Kalo drejt pranë tyre, drejt fundit të thellë të pishinës. Mbi pishinë është një kullë e madhe e hekurt të bardhë e ndytë. Një dërrasë zgjatet nga maja e kullës sikur gjuhë. Dyshemeja e betontë e pishinës është e vrazhdët dhe e nxehtë përkundër këmbëve tua të zbardhëlluara. Secila nga gjurmët e tua është më e hollë dhe më e zbehtë. Secila zvogëlohet prapa teje në gurin e nxehtë dhe zhduket.

    Linja të suxhukëve të plastikës pluskojnë rreth pishinës, që është tërësisht gjë në vete, e zbrazët nga pjesa tjetër e baletit të vrullshëm të kokave dhe krahëve. Pishina është e kaltër si energjia, e vogël dhe e thellë dhe përkryer katror, rrethuar nga linjat e shtigjeve për notim dhe BARI për USHQIME dhe dyshemeja e vrazhdët dhe e nxehtë dhe hija e vonshme e lakuar e kullës dhe dërrasës. Pishina është e qetë dhe e palëvizëshme dhe e mbyllur e patrazuar në mes të hapësirave.

    Ka një ritëm me atë. Sikur frymëmarrja. Sikur makinë. Linja për dërrasën lakohet prapa nga shkalla e kullës. Rendi për në dërrasë lakohet prapa nga shkalla e kullës. Një nga një, njerëz, arrijnë shkallën dhe ngjiten. Një nga një, të ndarë nga ritmet e zemrave, ata arrijnë gjuhën e dërrasës në maje. Dhe pasi të dalin në dërrasë, ata pauzojnë, secili saktësisht të njëjtën pauzë të vogël të rrahjes së zemrës. Dhe këmbët i çojnë drejt fundit, ku të gjithë japin të njëjtin lloj të kërcimit hedhës, duart duke iu lakuar sikur të përshkruanin diçka qarkore, totale; vijnë rëndë në teh të dërrasës dhe e bëjnë atë të hidhet lartë dhe jashtë saj. Është makinë zbritëse, linjat e lëvizjes së përsëritur në një tis të vonshëm të zbardhur. Mund të shikosh nga dyshemeja derisa përplasen në sipërfaqen e ftohtë të kaltër të ujit të bazenit. Secila rënie krijon një të bardhë që ngjitet dhe bie në veten e saj dhe shkumëzohet. Pastaj vjen e pastra e kaltër në mes të bardhës dhe përhapet sikur puding, duke e bërë tërësisht të re. Uji e shëron veten. Tri herë derisa kalon pranë.

    Ti je në radhë. Shiko përreth. Duku i mërzitur. Pak bisedë në radhë. Çdokush duket vetvetja. Shumica shikojnë shkallën, duken të mërzitur. Gati të gjithë keni kryqëzuar krahët, freskuar nga një erë e vonshme e thatë në konstelacionet e klorinës së kaltër-të pastër që mbulojnë shpinët dhe supet e juaja. Duket e pamundshme se dikush mundet të jetë kaq i mërzitur. Pranë teje është tehu i hijes së kullës, gjuha e pjerrtësuar e zezë e imazhit të dërrasës. Sistemi i hijes është i stërmadh, i gjatë, i dalë jashtë, bashkëngjitur me bazën e kullës në një kënd të mprehtë të vonshëm. Gati se të gjithë në rend për dërrasën shikojnë shkallën. Djemtë më të moshuar shikojnë prapanicat e vajzave më të moshuara derisa ato ngjiten. Prapanicat janë në materiale të holla të buta, streq i ngushtë najlloni. Prapanicat e mira lëvizin lartë drejt shkallës sikur lavjerrës në likuid, kod i butë i pathyeshëm. Këmbët e vajzave të bëjnë të mendosh për drerët. Duku u mërzitur. Duku si po bënë një gjë të tejkaluar. Shiko përgjatë. Ti mund të shohësh aq mirë. Nëna jote është në karrigen e saj portative, duke lexuar, duke i hedhur sytë revistës, fytyra e saj e tërhequr lartë për të marrë dritën në faqet e saj. Nuk të ka kërkuar me shikim. Ajo pi diçka të ëmbël nga një kanaçe e ndritshme. Babi yt është në stomakun e tij të madh, linja a prapme sikur kuka e xhungës së balenës, supet duke u mbledhur me spirale kafshërore, lëkura e vajosur dhe tharë e kuqe-e kaftë me tepër shumë diell. Peshqiri jot është i varur në karrigen tënde dhe një kënd i materialit, tani lëvizë-nëna jote, e ka goditur derisa largonte një bletë të cilës i pëlqen ajo që gjendet në kanaçen e saj. Bleta kthehet menjëherë, duke u dukur sikur varet e palëvizshme mbi kanaqe në një njollë të ëmbël. Peshqiri jot është një fytyrë e madhe e Ariut Yogi. Në një pikë do të ketë më shumë rend prapa se para teje. Tash përpara teje askush përpos tre veta në shkallën e hollë. Gruaja menjëherë para teje është në shkallët e ulëta, duke shikuar lartë, veshur një kostum të ngushtë të zi najloni që është një e vetmja copë. Ajo ngjitet. Nga lartë është një gjëmim, pastaj një rënie e madhe, dhe një shtëllungë dhe uji rishërohet. Tani dy në shkallë. Rregullat thonë një në shkallë për njëherë, por roja kurrë nuk bërtet për këtë.

    Kjo grua mbi ty nuk duhet të vesh kostum aq të ngushtë sikur kostumi që e ka të veshur. Ajo është po aq e vjetër sa nëna jote, dhe po aq e madhe. Ajo është tepër e madhe dhe tepër e bardhë. Kostumi i saj është i mbushur me atë. Anët e prapme të kofshëve të saj janë të ndrydhura nga kostumi dhe duken sikur djathi. Këmbët e saj kanë shenja të vogla të përdredhura të venave të ftohta të kaltra nën lëkurën e bardhë, sikur diçka të ishte e thyer, lënduar, në këmbët e saj. Këmbët e saj duken sikur vuajnë të jenë të ndrydhura, përplot linja arabike të të kaltrës së ftohtë të thyer. Këmbët e saj të bëjnë të ndjehesh sikur të dhembin vetë këmbët e tua.

    Shkallët janë shumë të holla. Është e papritur. Shkallë të holla të mbërthyera të hekurit lidhur në të sigurt. Ti shijon aromën e metalit nga aroma e lagur e hekurit në hije. Secila shkallë shtyp në fund të shputave tua dhe ti i lë gjurmët e tua. Gjurmët janë të thella dhe ato dhembin. Ti ndjehesh i rëndë. Sa e madhe i duket vetja gruas para teje. Parmakët përgjatë shkallëve janë gjithashtu shumë të hollë. Është sikur nuk do të mund të mbahesh. Duhet të shpresosh, se edhe gruaja do të mbahet për ato. Dhe sigurisht është dukur që ka më pak shkallë nga larg. Ti nuk je i marrë. Ngjitu deri në gjysmë, lartë në të hapur, gruaja e vendosur mbi ty, një njeri i fortë muskuloz në shkallë nën këmbët e tua. Dërrasa është ende lartë mbi kokë, e padukshme nga këtu. Por buçet dhe krijon një zë të rëndë dhe përplasjeje, dhe një djalë që mund ta shohësh nga disa metra nga shkallët e holla bie brenda një momenti, gjurin duke mbajtur për gjoksi, duke bërë një ‘spërkatës’. Në fushën e pamjes tënde është një pikë e stërmadhe thirrëse e shkumës, pastaj përplasje të shpërndara në shkumbëzim të gjerë. Pastaj zëri i qetë i ujit duke u shëruar në të kaltër të re prapë. Shkallë të tjera të holla. Mbahu fort. Në këtë pikë radioja është më e zhurmshmja, njëri zërues në nivel të veshit vendosur mbi kabinën e betontë. Një erë e lagshtë e kabinës brenda. Kapi parmakët e hekurt shtrëngueshëm dhe kthehu dhe shiko poshtë prapa teje dhe mund të shohësh njerëz duke blerë ushqime dhe pije freskuese poshtë. Mund të shikosh prej së larti: maja e pastër e bardhë e kapelës së punëtorit, kazanët e akulloreve, ngrirësit avullues të tunxhit, tankset me sirup të pijeve të buta, gjarpërinjtë e tubave me ujë të gazuar, kutitë e fryra të palagaçeve të kriposura që rrinë të nxehta në diell. Tani që je sipër mund ta shohësh të tërën.

    Ka frymë. Është më me frymë sa më lartë që arrin. Fryma është e hollë; përmes hijes është ftohët në lëkurën tënde të lagur. Në shkallën në hije lëkura jote duket shumë e bardhë. Fryma krijon një fishkëllimë të hollë në veshët e tu. Edhe katër shkallë deri në maje të kullës. Shkallët lëndojnë shputat tua. Ato janë të holla dhe të lejojnë të kuptosh sa je i rëndë. Ke peshë të vërtetë mbi shkallë. Toka të kërkon të kthehesh.

    Tani mund të shohësh mbi majën e shkallës. Mund ta shohësh dërrasën. Gruaja është aty. Janë dy zhubra të kallove të kuqe me pamje të dhembjes në anët e prapme të nyejve të këmbëve të saj. Tani je mbi hijen e kullës. Njeriu i fortë poshtë teje është duke shikuar përmes shkallëve në hapësirën e kufizuar të rënies së gruas nëpër të cilën do të kaloj ajo.

    Ajo pauzon për vetëm një moment të pauzës. Nuk ka asgjë të ngadalshme rreth asaj, aspak. Të bën të ftohët. Për një moment është në fund të dërrasës, lart, poshtë në të, ajo lakohet poshtë sikur të mos e dojë gruan. Pastaj tundet dhe e përplas dhe gjuan atë me dhunë lartë dhe jashtë, krahët e saj duke u hapur për të përshkuar atë hark, dhe shkon. Ajo zhduket në një kapsitje të errët. Dhe kalon kohë para se të dëgjosh goditjen poshtë.

    Dëgjo. Nuk duket mirë, mënyra se si zhduket për një kohë para se të bëjë zhurmë. Sikur një guri në një pus. Por ti mendon se ajo nuk ka menduar kështu. Ajo ishte pjesë e një ritmi që përjashton të menduarit. Dhe tani e ke bërë veten pjesë të saj, gjithashtu. Ritmi duket i verbër. Sikur buburrecat. Sikur makinë. Ti vendos se kjo ka nevojë të mendohet. Mund të jetë mirë, në fund të fundit, të bësh diçka të frikshme pa menduar, por jo kur frika është të mos menduarit vet. Jo kur të mos menduarit duket i gabuar. Në një pikë gabueshmëria është bërë pirg i verbër: shtirje-mërzi, peshë, shkallë të holla, shputa të lënduara, hapësirë e ndarë në pjesë të shkallëzuar të cilat shkrihen së bashku vetëm në një zhdukje që merr kohë. Era në shkallë nuk është ajo që çdokush do ta kishte pritur. Mënyra se si dërrasa zgjatet nga hija në dritë dhe ti nuk mund ta shohësh fundin. Kur e tëra duket të bëhet si e ndryshuar ti duhet të fillosh të mendosh. Duhet të kërkohet. Shkalla është përplot përfund teje. E mbërthyer, çdonjëri disa shkallë i ndarë prej tjetrit. Shkalla kalon nga një linjë e fortë e cila zgjatet prapa dhe lakohet në të errëtën e hijes së rrëzuar të kullës. Duart e njerëzve janë të kryqëzuara në vijë. Ata në këmbët e shkallës të lënduar dhe të gjithë janë duke shikuar lart. Është makinë që lëviz vetëm përpara. Ngjitu në gjuhën e kullës. Dërrasa del të jetë e gjatë. Për aq kohë sa qëndron aty. Koha ngadalësohet. Trashet përreth teje derisa zemra jote nxjerrë më shumë rrahje nga çdo sekondë, çdo lëvizje në sistemin e pishinës përfund. Dërrasa është e gjatë. Prej aty ku qëndron duket të zgjatet në asgjë. Do të dërgoj në një vend gjatësia e të cilës nuk të lejon ta shohësh, i cili duket i gabuar për t’iu dorëzuar as pa menduar. Shikuar nga një anë tjetër, e njëjta dërrasë është vetëm një gjë e gjatë e hollë e mbuluar me gjë të bardhë plastike. Sipërfaqja e bardhë është shumë e vrazhdët dhe është me prenka dhe e vijëzuar me të kuqe të zbehtë që është ende e kuqe dhe ende jo rozë—pika të ujit të vjetër të pishinës që janë duke kapur dritën e diellit të vonshëm mbi malet e mprehta. Gjëja e bardhë e vrazhdët e dërrasës është e lagur. Dhe e ftohtë. Shputat tua janë të lënduara nga shkallët e holla dhe kanë aftësi të madhe për të ndjerë. Ato ndjejnë peshën tënde. Ka parmak që shkojnë deri mbi fillimin e dërrasës. Nuk janë sikur parmakët e shkallës. Janë të trashë dhe të vendosur shumë poshtë, kështu që gati të duhet të lakohesh mbi ‘to. Ato janë vetëm për shfaqje, askush nuk i kap. Të mbajturit merr kohë dhe ndërron ritmin e makinës.

    Është plastikë e gjatë e ftohët e vrazhdët apo dërrasë leshi xhami, vijëzuar me ngjyrë të përafërt me të rozës çokollate të keqe.

    Por në fund të dërrasës së bardhë, tehut, aty ku do të vishë me peshën tënde për ta bërë të të hedhë, aty janë dy hapësira të errësirës. Dy hije të rrafshta në dritë të hapur. Dy ovale të zeza. Fundi i dërrasës ka dy njolla të pista.

    Ato janë nga të gjithë njerëzit që kanë kaluar para teje. Shputat e tua derisa ti qëndron këtu janë të buta dhe të shtypura, lënduar nga sipërfaqja e vrazhdët dhe e lagur, dhe ti e sheh se dy njollat e errëta janë nga lëkura e njerëzve. Ato janë lëkurë e fërkuar nga shputa prej forcës së zhdukjes së njerëzve me peshë të vërtetë. Më shumë njerëz se që mund të numërosh pa e humbur gjurmën. Pesha dhe fërkimi i zhdukjes së tyre lë pjesë të këmbëve të buta prapa, pjesë dhe cifla dhe dredhje të lëkurës që përlyejnë dhe errësojnë dhe rreziten derisa shtrihen të holla dhe të njollosuara në diell në fund të dërrasës. Ato grumbullohen dhe njollosen dhe përzihen së bashku. Ato errësohen në dy rrumbullakë.

    Nuk kalon fare kohë jashtë teje. Është e çuditshme. Baleti i vonshëm poshtë është xhirim i ngadalësuar, lëvizjet e sipërme prej xhelatinës së kaltër. Nëse do mund të rrish këtu përgjithmonë, duke vibruar brenda aq shpejtë ti pluskon i palëvizshëm në kohë, sikur bletë mbi diçka të ëmbël.

    Por ata do të duhej ta pastronin dërrasën. Kushdo që ka menduar për këtë qoftë edhe për një sekondë do të shihte se duhet pastruar fundin e dërrasës nga lëkura e njerëzve, të dy grumbujve të zi të asaj që ka mbetur nga më parë, njolla që nga këtu prapa duken sikur sy, sikur sy të verbër.

    Aty ku ti je tani është ende qetë dhe pa zhurmë. Radio duke u dëgjuar por jo këtu. Pa kohë dhe pa zë të vërtetë përpos gjakut tënd duke angulluar në veshët e tu.

    Sipër këtu nënkupton pamje dhe aromë. Aromat janë intime, të pastra. Aroma e lules speciale të zbardhuesit, por prej saj gjëra të tjera ngrihen tek ti sikur borë e mbjellë e barit. Ti ndjenë palagaçe të thella të verdha. Vaj të ëmbël për rrezitje sikur kokos i nxehtë. Ose hot-dog. Aromë të hollë të ligë të Pepsit shumë të errët në gota të letrës. Dhe aromë speciale të tonelatave të ujit duke ardhur nga tonelata të lëkurës, duke u ngritur sikur avull nga një banjë e re. Nxehtësi kafshërore. Nga sipër është më reale se çka do tjetër. Shiko në ‘të. Mund ta shohësh tërë gjënë e komplikuar, kaltër dhe bardh dhe kafe dhe bardh, lagur në xhingël uji të të kuqes së thellë. Të gjithë. Kjo është ajo që njerëzit e quajnë pamje. Dhe e ke ditur se nga poshtë nuk do të dukeshe aq lartë sipër. Tani e sheh sa sipër je. E dije se nga aty poshtë askush nuk mund ta thotë.

    Ai prapa teje e thotë, sytë e tij në nyell, njeriu i fortë, Hej djalosh. Ata duan ta dinë. Nëse planet e tua këtu lartë përfshijnë tërë ditën apo çka në të vërtetë është ndodhia. Hej djalosh a je mirë.

    Ka pasur kohë gjatë tërë kësaj kohe. Nuk mund ta mbysësh kohën me zemrën tënde. Çdo gjë merr kohë, bletët lëvizin shumë shpejtë për të qenë të qeta.

    Hej djalosh thotë ai. Hej djalosh a je mirë. Lule metali çelin në gjuhën tënde. Nuk ka më kohë për të menduar. Tani që ka kohë ti më nuk ke kohë.

    Hej.

    Ngadalë tani, përgjatë çdo gjëje, ka një të shikuar që përhapet sikur unazat e goditura të ujit. Shikoje duke u përhapur nga shkalla. Motra jote e vërejtur dhe grupi i saj i hollë i bardhë, duke shënjuar. Nëna jote shikon në cekëtinë aty ku ishe, pastaj bënë një strehë me dorën e saj. Balena lëviz dhe tundet. Roja shikon lartë, vajza përreth këmbëve të tij shikon lartë, ai merr altoparlatin e tij. Përherë poshtë është dyshemeja e vrazhdët, ushqimet, muzika e hollë metalike, poshtë aty ku ke qenë njëherë; linja është solide dhe nuk ka shpejtësi të kthimit prapa; dhe uji, natyrisht, është i butë vetëm kur je brenda tij. Shiko poshtë. Tani lëviz në diell, përplot monedha të forta të dritës të cilat shndrisin derisa zgjaten në mjegull që është kripa jote e ëmbël. Monedhat zbërthehen në hëna të reja, cifla të gjata të dritës nga zemrat e yjeve të pikëlluara. Uji i pishinës i rrafshët është një mbulesë e ftohët e kaltër. Të ftohtit është vetë një lloj i fortësisë. Një lloj i verbërisë. Je nxënë i pambrojtur. Urime ditëlindjen. A e kishe menduar më herët. Po dhe jo. Hej djalosh.

    Dy njolla të zeza, forcë, dhe zhduku në një pus të kohës. Lartësia nuk është problem. E tëra ndryshon kur kthehesh poshtë. Kur godet me peshën tënde.

    Pra cila është gënjeshtra? Fortë apo butë? Qetësia apo koha?

    Rrena është se ose është njëra ose tjetra. Bletë e qetë, pluskuese është duke lëvizur më shpejt se që mund të mendoj. Nga sipër ëmbëlsia e çmend atë.

    Dërrasa do të lëkundet dhe ti do të kërcesh, dhe sytë e lëkurës mund të verbërohen në një qiell të njollosur me re, drita e shpuar duke zbrazur prapa guri të mprehtë që është përgjithmonë. Kjo është përgjithmonë. Shkel në lëkurë dhe zhduku.

    Tungjatjeta.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË