More
    KreuPanairPër herë të parë, Shqipëria e ftuar si vend mik në Sallonin...

    Për herë të parë, Shqipëria e ftuar si vend mik në Sallonin e Librit të Torinos

    Në edicionin e XXXV të tij, Salloni i Librit në Torino, një ndër ngjarjet eltrare më të rëndësishme jo veç në Itali por edhe në Europë, mirëpret si të ftuar nderi Shqipërinë. Në vijim një bisedë me Kryetarin e Shoqatës së Botuesve Shqiptarë, Petrit Ymeri dhe disa mendime, ide e mejtime për këtë aktivitet nga drejtoresha e QKLL Alda Bardhyli dhe Shkrimtarët Lea Ypi, Bashkim Shehu, Besnik Mustafaj, Ylljet Aliçka dhe Liridon Mulaj.

    Në Sallonin e Librit të Torinos, Shqipëria si e ftuar nderi përfaqësohet nga disa shkrimtarë të sugjeruar si nga autoritetet brenda Shqipërisë, ashtu edhe nga botuesit e pranishëm aty. Mes tyre ka emra si Besnik Mustafaj, Fatos Kongoli, Ylljet Aliçka, Lea Ypi, Ornela Vorpsi, Gëzim Hajdari, Artur Spanjolli, Durim Taçi, Stefan Çapaliku, Ardian Ndreca, Bashkim Shehu, Virgjil Muçi, Liridon Mulaj, Andreas Dushi e të tjerë. Kalendari i plotë i aktiviteteve gjendet online në faqen zyrtare të Sallonit.

    Disa nga këto të ftuar si dhe nga organizatorët shqiptarë vijnë në këtë shkrim me mendimet e tyre, idetë e ndjesitë për këtë çast jo të parëndësishëm për letërsinë tonë.


    Petrit Ymeri: Me librin ne tashmë jemi në Europë

    Sivjet Shqipëria është vendi i ftuar në Sallonin e Librit të Torinos. Nga ju si kryetar i Shoqatës së Botuesve Shqiptarë, si është pritur kjo ftesë?

    Është hera e parë në historinë kulturore të Shqipërisë që ne jemi të ftuar në një aktivitet ndërkombëtar të librit, si Paese Ospite, pra vend mik. Salloni i Librit në Torino është ndër dy-tre ngjarjet librore më të mëdha në nivel europian. Sigurisht kjo është një gjë entuziaste për të gjithë ne botuesit, autorët, edhe për institucionet shtetërore pa dyshim, sepse në fund të fundit është një vlerësim i punës sonë shumëvjeçare. Pa dyshim që edhe Shoqata e Botuesve Shqiptarë, në krah të Ministrisë së Kulturës dhe të Qendrës Kombëtare të Librit, është e angazhuar në punën për paraqitjen e Shqipërisë në Torino. Janë gati 10 shtëpi botuese që do të marrin pjesë në ditët e Sallonit, do ta vizitojnë atë dhe do të jenë sigurisht edhe në pavijonin shqiptar. Do të jenë edhe një grup i madh autorësh që do marrin pjesë në aktivitetet e programuara dhe do të kenë mundësi të shkëmbejnë mendime e përvoja edhe me botues apo kolegë të huaj. Pra mendoj se pjesëmarrja jonë e organizuar atje do të jetë një përvojë shumë e mirë dhe entuziaste.

    Çfarë do të thotë për letërsinë shqipe prania e saj në një ngjarje të përmasave të tilla? Mos ndoshta nëpërmjet saj, edhe Shqipëria po i afrohet Europës përherë e më tepër?

    Për letërsinë shqipe mendoj se është një konfirmim i punës së mirë që bëjmë të gjithë bashkë, krijuesit dhe botuesit, por edhe institucionet në përgjithësi. Tashmë janë të shumtë autorët shqiptarë që përkthehen e botohen nëpër Europë.  Pra në një kuptim, Shqipëria edhe me këtë pjesëmarrje, edhe me këtë njohje të vlerave krijuese dhe botuese, po bëhet gjithnjë e më shumë pjesë e Europës. Faktikisht, Shqipëria, Shoqata e Botuesve, shtëpi botuese të veçanta dhe autorë, prej shumë e shumë vitesh marrin pjesë në të gjitha aktivitetet ndërkombëtare të librit. Pjesëmarrja e parë e Shoqatës së Botuesve Shqiptarë në Frankfurt që është panairi më i madh botëror, është 30 vjet më parë. Më pas kemi pasur shumë e shumë pjesëmarrje si shoqatë, të shtëpive botuese në panairet ndërkombëtare edhe në Fankfurt, në Bolonjë, në Paris, në Gjenevë, në Selanik, në Leipzig për 7-8 vjet me radhë etj. Kjo rrugë bashkëpunimi dhe përvoje dëshmon që nëpërmjet librit ne jemi bërë pjesë e Europës, ashtu sikurse jemi bërë pjesë e Europës nëpërmjet bashkëpunimeve të shumta që ka Shoqata e Botuesve dhe shumë shtëpi botuese në projekte të mëdha europiane. Është shumë i rëndësishëm fakti që botuesit shqiptarë, autorët, përkthyesit janë pjesë e bashkëpunimeve të shumta me institucionet europiane që mbështesin botimet, përkthimet, kualifikimet e autorëve dhe përkthyesve, pra pa hyrë në detaje libri shqip dhe institucionet shqiptar të librit, në radhë të parë shtëpitë botuese, janë në Europë gjithnjë e më shumë. Edhe pjesëmarrja në Sallonin e Torinos është një dëshmi e re dhe shumë domethënëse e faktit që me librin ne tashmë jemi në Europë.

    Mos ndoshta është edhe rasti të sqarohet, sado pak, lista e shkrimtarëve shqiptarë? Shumë shpesh, përherë në fakt, çdo listë shkrimtarësh që përfaqëson Shqipërinë në një ngjarje ndërkombëtare kontestohet dhe sulmohet, me justifikimin se nuk po shkojnë të duhurit. A ka një përgjigje nga ju për këtë?

    Tek ne, sidomos në ambientet krijuese, haset shpesh kundërshtia, përfolja, diskutimi me të drejtë ose jo i shumë zgjedhjeve që bëhen. Mendoj se është normale që gjërat edhe të diskutohen e të thuhen, sepse kjo sigurisht që ndihmon. Për t’u kthyer tek autorët që do të jenë në Torino, unë mund të jap një përgjigje për sa jam në dijeni, pra që ShBSh ka propozuar disa autorë, edhe fituesit e çmimit europian të letërsisë, edhe dy shkrimtarë të rinj Andreas Dushi dhe Liridon Mulaj. Propozimet tona në përgjithësi janë pranuar. Ka edhe shumë autorë të tjerë që do të jenë atje, shkrimtarë të mirë, të njohur, të botuar edhe në gjuhë të tjera. Në dijeninë time, përgjithësisht propozime janë bërë nga Ministria e Kulturës dhe Qendra Kombëtare e Librit dhe botues të ndryshëm. Më duhet të them që ftesa për pjesëmarrje dhe propozime ka qenë për të gjithë botuesit. Patjetër që mund të ishin edhe të tjerë autorë, por ndofta edhe një situatë nxitimi (sepse përgatitjet u bënë vetëm brenda tre muajve), u bë shkak për vërejtje dhe ndofta kanë të drejtë edhe disa autorë që mund të ishin aty, por çdo gjë është subjektive, është relative.

    Panairet ndërkombëtare janë një mundësi shumë e mirë për autorët: të krijojnë ura të reja komunikimi në gjuhë të tjera nëpërmjet botuesve të huaj si dhe për botuesit: të shërbejnë si ura të reja komunikimi nga autorë ndërkombëtarë. Pa botuesin, autori do ta mbante për vete artin e tij, apo jo? Në kontekstin e Sallonit të Torinos dhe jo vetëm, si një ndër pak botuesit më me eksperiencë dhe histori në Shqipëri, si do ta vlerësonit këtë raport?

    Pa dyshim që panairet e librit ashtu sikurse aktivitetet ndërkombëtare janë ura lidhëse dhe komunikimi me kultura të tjera, me vende të tjera, autorë dhe botues të huaj. Dhe është shumë e rëndësishme një gjë që unë e them gjithmonë, botuesit dhe sidomos autorët, duhet të dalin jashtë kuadratit ku rrojnë zakonisht. Për fat të keq: kuadratit të vogël. Edhe botuesit mësojnë e përfitojnë shumë nga pjesëmarrjet në panairet e mëdha të librit, nga takimet me kolegët, me shkrimtarët, nga vizitat në stendat e shtëpive të mëdha dhe të vogla botuese, nga marrja pjesë në aktivitetet që bëhen nëpër botë. Pa dyshim, edhe për autorët është e rëndësishme që të kenë pika të tjera kontakti dhe mundësi për të mësuar duke u bërë pjesë apo duke ndjekur aktivitete dhe diskutime të ndryshme. Autorët tanë, përkthyesit, sidomos të rinjtë, duhet të njohin përvoja të reja, edhe të mësojnë në kuptimin e vërtetë të fjalës. Kur të kenë mundësi të ndjekin shkolla apo kurse krijimi, kurse shkrimtarie, që janë kudo nëpër botë. Shkrimtarët apo përkthyesit nuk bëhen dot vetëm me talent, por me shumë punë, por edhe me përgatitje teorike, përgatitje të tjera studimore. Panairet e librit janë ngjarje ku edhe shkrimtari e ndien akoma në fort aromën e krijimtarisë në kulturat e tjera dhe gjuhë të tjera. Edhe nga kjo pikëpamje është shumë e rëndësishme prania atje.

    Dhe në fund, meqë jemi te komunikimi ndërmjet letërsive, kulturave dhe gjuhëve, mendoni se është në nivelin e duhur komunikimi ndërkulturor Shqipëri – Botë dhe Botë – Shqipëri? Kemi mbetur peng i dëshirës për simbiozë me perëndrimin në kurriz të lindjes duke e lënë këtë të fundit në heshtje? Apo nga pikëvështrimi juaj çështja është ndryshe?

    Më duket se tashmë ne jemi të përgatitur, kultura jonë, institucionet tona kulturore, ku futen dhe shtëpitë botuese, janë gjithnjë e më shumë të përgatitur dhe të aftë për këtë që ju e quani komunikim ndërkulturor me botën, me atë botë të madhe jashtë nesh.  Është shumë e rëndësishme që edhe autorët ta kenë më shumë përgjegjësinë ndaj vetes, ndaj krijimtarisë së tyre, ndaj lexuesit të tyre. Është e rëndësishme që me sa duket edhe bota ka filluar të njohë gjithnjë e më shumë këtë realitet të vogël letrar shqiptar. Sigurisht ne duhet të jemi të hapur për të gjitha kulturat dhe qytetërimet, por vështrimi ynë duhet të jetë gjithnjë e më shumë realizimi i dëshirës drejt perëndimit aty ku janë edhe aspiratat tona, jo vetëm kulturore.


    Bashkim Shehu: Në Torino nuk po perfaqësohet letërsia e një kombi, po e një shteti

    Është pa dyshim një ngjarje e rëndësishme për letërsinë e Shqipërisë, ashtu sikurse do ishte për letërsinë e çdo vendi, po të kemi parasysh prestigjin e Sallonit të Librit të Torinos. Por më duket letrarisht e papërshtatshme që është marrë si kriter shtetësia, apo vendlindja e autorëve, e jo gjuha shqipe, duke lënë jashtë kësisoj autorë me vlerë nga treva të tjera gjuhësore të shqipes. Pra, nuk perfaqësohet letërsia e një kombi, po e një shteti. Ndërkaq, për mua si autor, afermendsh që ka rëndësi prania në këtë Sallon të Librit, sepse është një rast i mirë për t’i dhënë një impuls komunikimit me lexuesit italianë, aq më tepër ngase vitet e fundit kam botuar dy romane në Itali. Kam qenë edhe vjet, po përveç dëshires, kam edhe kureshtje të shoh si do jetë këtë vit, në kontekstin kolektiv të letërsisë së një vendi. Sigurisht, varet edhe nga organizimi, dhe nuk është gjë e lehtë. Kam qenë para njëzet e pesë vjetësh në një event analog në Francë, por të organizuar nga shteti francez.


    Lea Ypi: Iniciativa të tilla mënyra më e mirë për të zhvilluar një identitet kulturor që tejkalon ndarjen gjuhësore dhe gjeografike

    Marrëdhëniet historike mes Shqipërisë dhe Italisë janë të thella dhe kanë luajtur një rol të rëndësishëm në letërsinë shqiptare, si nga pikëpamja e temave ashtu edhe në formimin e shumë shkrimtarëve, disa prej të cilëve kanë zgjedhur të studiojnë në Itali ose të shkruajnë në gjuhën italiane. Është një lidhje e ndërtuar mbi ideale, dashuri dhe frymëzim, por gjithashtu e rëndësishme është edhe e kaluara e largët e pushtimit kolonial dhe ajo më e afërta e armiqësisë, dyshimit dhe ksenofobisë. Periudha ime e studimeve në Itali ishte thelbësore për formimin tim intelektual: ishte në Sapienza që zbulova shkrimet e Benedetto Croce-s dhe Antonio Gramsci-t. Unë besoj se iniciativat si Salone, që synojnë të thellojnë njohjen reciproke nëpërmjet letërsisë, janë mënyra më e mirë për të zhvilluar një identitet kulturor që tejkalon ndarjen gjuhësore dhe gjeografike dhe i shtyn të dy popujt të përballojnë më mirë sfidat e përbashkëta.


    Besnik Mustafaj: Vendosja e letërsisë shqipe në qendër të vëmendjes së Sallonit është një konfirmim i vlerave universale që përmban kjo letërsi

    Salloni i Torinos është njëra nga dy – tri ngjarjet europiane më të mëdha në sherbim të librit. Aty mblidhen botues, autorë, agjentë letrarë nga e gjithë bota. Po ashtu edhe lexues italianë.

    Vendosja e letërsisë së një vendi në qendër të vëmendjes së kësaj bote profesionistësh të letërsisë, në këtë rast Shqipëria, është pa dyshim një konfirmim i vlerave universale që përmban kjo letërsi. Në këtë kuptim, drejtuesit e Sallonit të Librit  të Torinos 2023 i kanë bërë një “dhuratë” shumë të çmuar kulturës tonë kombëtare nga e cila përfitojnë të gjithë autorët shqiptarë klasikë e bashkëkohorë.

    Për mua si njëri nga autorët e pranishëm është një rast i mirë për të folur para një publiku të huaj për kontekstin historik, shoqëror e kulturor prej nga buron letërsia ime. Po ashtu është një rast i mirë për të folur edhe për veprën time brenda dhe jashtë sallonit e për të takuar botuesit italianë të kësaj vepre.


    Ylljet Aliçka: Suksesi nga dështimi janë shumë pranë

    Është rast i rrallë, madje  mund të rezultojë dhe unik si ftesë, pra qënia e të ftuarit special  nga një Panair i përmasave të tilla si ky i Torinos. Eshtë rasti për të përshëndetur atë apo ata që e bënë të mundur këtë gjë.

    Rrjedhimisht  mënyra e shfrytëzimit apo menaxhimit të kësaj hapësire, ashtu siç mund të sjellë shpalosje  reale të vlerave e arritjeve cilësore të letrave shqipe, shumë lehtë mund të shndrrohet dhe  në një  prezantim klientelist, klisheist që jo rrallë herë ka karakterizuar  prezantimet tona kulturore jashtë vendit.

    Thënë ndryshe, dhe në këtë  manifestim kulturor, suksesi nga dështimi janë shumë pranë, pasur parasysh këtu dhe faktin e një pjesmarrjeje të konsiderueshëm shkrimtarësh nga e gjithë bota, me disa nobelistë apo kandidatë të tillë, gjë që dikton për një ndërgjegjësim apo relativizim  të pritshmërive që mund të ëndërrojë secili prej nesh me mundësitë reale që ofron ky event .

    Në nivele individuale, natyrisht për secilin nga ne, është një mundësi apo hapësirë  joshëse për të promovuar veten dhe letërsinë që bëjmë, ku krahas përgjegjësive tona kolektive kombëtare (sadoqë nuk jam shumë partizan i termit letërsi shqipe,  apo taxhikistanase, për mua letërsia është sa universale aq dhe individuale), pra secili do përpiqet të luftojë me mjetet apo taktikat e tija për tu promovuar apo kapur ndonjë vëmendje.


    Liridon Mulaj: Shkrimtarët shqiptarë që jetojnë në itali mbase e kanë bërë më të lehtë rrugën per ne të rinjtë që aspirojmë të jemi në një të ardhme pjesë e një tregu letrar italian.

    Fakti që Shqipëria këte vit ështe vend i ftuar në panairin ndërkombëtar të Torinos mendoj se përbën një ngjarje në jetën publikë dhe kulturore shqiptare si fillim dhe më pas në atë italiane. Duke parë emrat që do të jenë panelistë të diskutimeve të shumta para lexuesit italian vërej një lloj përfshirjeje zhanresh, emrash, brezash dhe institucionesh. Ështe gjë e mirë pjesmarrja dhe hapësira që i dedikohet botimeve arbëreshe si pararojë e marrëdhënieve tona kulturore prej shekujsh dhe sigurisht botuesve të cilët uroj ta kenë mision promovimin e autorëvë të tyre shqiptare në tregun dhe editorinë italiane. Nevoja për të lidhur ura të forta bashkëpunimi është e rëndesishme. Besoj se ky ështe dhe qëllimi i këtij panairi dhe ftesës qe i është bëre Shqipërisë.

    Sigurisht e prita me shumë kenaqesi ftesën për vetë faktin se Italia mbetet një nga kryeqendrat botërore të artit e për rrjedhojë dhë të letërsisë por krahas kesaj ndiej dhe një lloj pergjegjesie sepse nisesh te prezantosh letërsine e një vendi te vogël si Shqiperia në një tokë të letersisë së madhe, në atdheun e Dantes, Calvinos, Ungaretit, Montales , Magrisit e deri te Cogneti.

    Mbas renies së komunizmit, Italia u bë shtepia e dytë e qindra mijëra emigrantëve shqiptarë të cilët ndërtuan jetën e tyre atje e për rrjedhoje dhe profesionet dhe aspiratat e tyre. Keshtu kryesisht lexuesi Italian është njohur me letersinë shqipe dhe realitetin tonë nëpermjet subjekteve të shumta, kryesisht me ato lloj subjektesh që dëshmojne periudhen komuniste në Shqipëri. Kjo le të themi ka qëne dhe një lloj atraksioni ekzotik letrar me të cilin shkrimtarët shqiptarë dhe lexuesit italianë kanë ndërtuar një simbiozë interesante

    Në Itali jetojnë dhe shkruajnë disa emra të mirë të letërsisë të cilët mund të përcaktohen si shkrimtarë shqiptarë por edhe italianë referuar gjuhës në të cilen shkruajnë dhe bazuar në faktin e gjuhës si atdhe i shkrimtarit (shumë prej ketyre shkrimtareve shkruajne ne dy gjuhe).

    Prezenca e shkrimtarëve dhe poetëve tane atje si Anilda Ibrahimi, Elvira Dones, Gëzim Hajdari etj e kanë bërë më të lehtë mbase rrugën per ne të rinjtë që aspirojmë të jemi në një të ardhme pjesë e një tregu letrar italian.

    Edhe pse jam koshient se lexuesi italian është nje lexues i kultivuar me shije estetike të larta  jam gjithashtu i vetëdijshem se ne shkrimtarët e rinj shqiptarë të pranishëm në panairin e Torinos ( dhe jo vetëm) kemi historitë dhe dëshmitë tona për të rrëfyer. Mbase kjo mbetet dhe sfida jonë në raport me letërsinë e huaj.


    Andreas Dushi: Është bukur të flasësh në Itali për letërsinë tënde

    Ftesa për të marrë pjesë në Sallonin e Torinos më kujtoi vitin 2019, kur në një rezidencë artistike në Campobasso të Molises, diku thellë brenda jugut të Italisë, qytet pa as edhe një turist të vetëm, më pyeti një shitës kartolinash të bëra vetë se nga isha. “Shqipëria,” i thashë. Ai buzëqeshi e, pasi më dhuroi kartolinën që doja të blija, më tregoi gjerë e gjatë origjinën e tij arbëreshe në italisht dhe me dy-tre fjalë më përshëndeti në arbërisht. Po ato ditë, i ftuar në universitetin e atyshëm (salla Euklid, e mbaj mend mirë), mes të pranishëmve ngrihet dora e dikujt që më bëri një pyetje shqip. Ishte studente nga Durrësi, e ardhur me projektin Erasmus atë vit aty. Pasi mbaroi takimi, u ndalëm e më tregoi historinë e saj.

    Po ato ditë, lëviza për në Romë ku takova një komunitet shqiptarësh që priste priftin, mikun tim dom Markun për të kremtuar meshë. Edhe ata, në bisedën pas meshe më treguan historitë e tyre. Dhe si përfundim, secila histori ishte ndryshe, nga ajo e arbëreshëve, te ajo e studentes me në mes atë të dhjetra, në mos qindra emigrantëve. Dhe sigurisht, secili syresh atë histori që ma tregoi mua e kishte treguar kushedi sa e sa herë në rrethe me miqtë e vet italian.

    Ne tani, disa shkrimtarë me një gjuhë amë  që flitet nga pak njerëz, po shkojmë në Torino të flasim për letërsinë tonë, të tregojmë historinë e saj, jo të letërsisë shqipe por të letërsisë tonë individuale, ndoshta duke e kontekstualizuar në suaza kombëtare. Mes gjithë këtyre historive të jashtëzakonshme – tërësisht të vërteta – treguar publikut italian ditë për ditë nga bashkëkombasit tanë, është bukur të flasësh për letërsinë tënde, ndoshta t’u ngjallësh kureshtje se si ajo paraqet realitetet e njohura prej tyre, apo t’u thuash se përposë tyre ka edhe të tjerë. Pra, e përmbledh në një fjali shumë kollaj: Është bukur të flasësh në Itali për letërsinë tënde.


    Alda Bardhyli: Përgjatë ditëve të Panairit, gjuha shqipe do të dominojë përmes prezantimeve që do të jenë në të gjitha hapësirat kryesore.

    Prezantimi i letërsisë shqipe në edicionin e 35-të të Panairit të Librit në Torino, është një ngjarje e rëndësishme për kulturën shqipe. Për vetë kontekstin historik në të cilën letërsia shqipe u zhvillua për më shumë se gjysëm shekulli, përshfaqja përpara një audience të madhe ndërkombëtare e një historie aspak të ngjashme jo vetëm me vendin fqinj (ftues), por me shumë vende të tjera evropiane, e bën këtë pjesëmarrje të marrë përmasa gati historike. 

    Historikisht bota kulturore shqiptare dhe latine kanë qenë simboli i europianizmit. Kjo zonë është zona tipike e europianizmit , e vetmja hapësirë ku botohej letërsi artistike që në mesjetë. Dy gjuhët kanë qënë herët pjesë e një filozofie të përbashkët, si pjesë e kulturës së parë europianiste. Mos harrojmë që përkthimi i letërsisë antike të autorëve italianë të mesjetës kanë pasur një rol të rëndësishëm orientimi në rilindjen tonë kombëtare. Kanë qënë e vijojnë të jenë frymëzim për breza e breza të tërë shkrimtarësh, të cilët kanë reflektuar në veprat e tyre vlerat më të mira të këtyre leximeve.

    Ministria e Kulturës së Shqipërisë, ka ndërtuar një program të pasur me më shumë se 30 aktivitete të cilat do të rrëfejnë Shqipërinë përmes librit. Nga diskutimet mbi temat e ndjeshme të letërsisë sot, por dhe tek etapa të rëndësishme të letërsisë shqipe të cilat grishin kureshtjen e çdo kritiku apo lexuesi të huaj. Përgjatë katër ditëve të Panairit, gjuha shqipe do të dominojë përmes prezantimeve që do të jenë në të gjitha hapësirat kryesore të panairit.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË