More
    KreuOpinionPaul Auster: Si u takova me Samuel Beckett-in

    Paul Auster: Si u takova me Samuel Beckett-in

    Në Paris u shpërngula në shkurt të vitit 1971, disa javë pas ditëlindjes sime të 24-t. Atëherë kisha ca kohë që shkruaja poezi dhe rruga që më çoi drejt takimit tim të parë me Beckett-in, nisi me Jacques Dupin-in, një poet të cilit ia përktheja veprat që kur isha student në New York. Ne u bëmë miq të ngushtë në Paris, dhe meqenëse Jacques punonte si drejtor i botimeve në Galerinë Maeght, u takova me Jean-Paul Riopelle, piktorin franko-kanadez që ishte një nga artistët në galeri. Prej Jean-Paul takova dhe Joan Mitchell-in, piktoren amerikane me të cilën ndante një shtëpi që dikur e zotëronte Monet, në qytetin Vétheuil. Vite më parë, Joan ishte e martuar me Barney Rosset, themeluesin dhe botuesin e Grove Press, ndaj ajo njihej mirë me Beckett-in. Një mbrëmje, rastisi që bashkë me të po diskutonim për veprat e Beckett-it, dhe kur ajo kuptoi se sa rëndësi kishte për mua, ngriti sytë dhe tha, “A dëshiron ta takosh”?

    “Po”, iu përgjigja. “Sigurisht që po”.

    “Atëherë thjesht shkruaji një letër”, më tregoi ajo, “dhe thuaji që ishte ideja ime”.

    U ktheva në shtëpi, shkrova letrën dhe tri ditë më vonë mora një përgjigje nga Beckett-i, ku më informonte që ta takoja javën tjetër te La Closerie des Lilas.

     Nuk e mbaj mend se ç’vit ka qenë. Ndoshta 1972 ose 1974. Por le të marrim mesataren dhe të themi se ka qenë viti 1973.

    Pas këtij takimi e pashë vetëm një herë tjetër – në një vizitë të radhës në Paris, në vitin 1979 – dhe përgjatë viteve kemi këmbyer një duzinë shënimesh dhe letrash. Vështirë ta quaje miqësi, megjithatë duke marrë parasysh admirimin që ndieja për veprën e tij (kur isha i ri kjo ndjenjë gati shkonte në idhujtari), takimet me të dhe korrespondenca sporadike, për mua ishin jashtëzakonisht të çmuara. Mes grumbullit të kujtimeve, do të përmendja ndihmën bujare që më dha kur po bëja përmbledhjen e Random House Book of Twentieth-Century French Poetry (për të cilën kontribuoi me përkthime të Apollinaire, Breton dhe Éluard); fjalimin prekës që mbajti një pasdite në një kafene në Paris mbi dashurinë e tij për Francën dhe se sa me fat ndihej që e kishte kaluar jetën e tij si i rritur aty; letrat miqësore dhe inkurajuese që më dërgonte sa herë që i çoja diçka që kisha botuar: libra, përkthime, artikuj mbi veprën e tij. Kishte edhe momente me humor: një rrëfim pa kurrfarë emocioni i vizitës së tij të vetme në New York,(“Ishte   tmerrësisht vapë,  u vara te parmakët”), të mos të flasim pastaj për fjalinë e paharrueshme nga takimi ynë i parë kur, teksa i bënte shenjë kamarierit, pa arritur t’ia tërheqë dot vëmendjen, u kthye nga unë dhe tha, me atë theksin e tij të butë irlandez, “Nuk ka në botë sy, aq të vështirë për t’i kapur, sesa sytë e kamarierit.”

    Paul Aster

    Atë pasdite te La Closerie des Lilas, një koment do të veçoja më shumë se të tjerët dhe jo vetëm sepse na zbulon shumë Beckett-in si njeri, por flet për dilemën me të cilën duhet të jetojnë të gjithë shkrimtarët: dyshim i përjetshëm, paaftësi për të çmuar atë që ke krijuar”.

    Gjatë bisedës, më tha se sapo kishte përfunduar përkthimin e librit Mercier dhe Camier, romani i tij i parë në frëngjisht, të cilin e kishte shkruar në mes të viteve ’40. Unë e kisha lexuar librin në frëngjisht dhe e shfaqa entuziazmin për të pa u rezervuar. “Një libër i mrekullueshëm”, i thashë. Por Beckett-i tundi kokën dhe tha, “Oh jo, jo, nuk është shumë i mirë. Në fakt, kam hequr rreth 25 për qind nga origjinali. Versioni anglisht do të jetë goxha më i shkurtër sesa ai frëngjisht”. Dhe unë i thashë, “Përse do ta bënit një gjë të tillë? Është një libër i mrekullueshëm. Nuk duhet të kishit hequr asgjë”. Sërish, Beckett-i tundi kokën. “Jo, Jo, nuk është shumë i mirë, nuk është shumë i mirë”.

    Pas kësaj, nisëm të diskutonim për gjëra të tjera. Pesë apo dhjetë minuta më vonë, krejt papritur, u zgjat drejt meje, më shikoi në sy dhe foli: “Të paska pëlqyer vërtet? Mendove vërtet se ishte i mirë”?

    Mos harroni se ky ishte Samuel Beckett-i dhe as ai nuk e rrokte dot vlerën e veprës së tij. Asnjë shkrimtar nuk e di, kurrë, madje edhe ata më të mirët.

    “Po”, i thashë. “Mendova vërtet se ishte i mirë”.

    Përktheu nga anglishtja: David Hudhri

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË