More
    KreuUncategorisedPashk Përvathi: Gjeografia e pikturës sime

    Pashk Përvathi: Gjeografia e pikturës sime

    Ka qenë fillimi i vitit 1978, kur nisa të pikturoj peizazhe direkt nga natyra. U fokusova në zonën e Lezhës e kryesisht nga Manatia, që është dhe vendlindja ime. Këtu kam dhe suksesin tim të parë në skenën e artit. Mora pjesë në Ekspozitën Kombëtare të vitit 1979 në Galerinë Kombëtare të Arteve me peizazhin “Vjeshtë në Manati”. Isha 21 vjeç. Kjo pjesëmarrje më lidhi e më bindi të merrem me këtë gjini arti. Me Lezhën kam vazhduar deri në vitin 1986, kohë kur u shkëputa me vajtjen për studime në Akademinë e Arteve.

    Vajtja në Tiranë dhe praktikat mësimore gjatë katër viteve të studimeve e zgjeruan gjeografinë e peizazhit tim. Në Tiranë kam pikturuar në lagjen e vjetër, sheshin “Avni Rustemi”, kodrat e Saukut, parkun e liqenit, në Dajt e plot vende të tjera. Një peizazh titulluar “Kodrina”, realizuar në Sauk u ekspozua në ekspozitën e piktorëve të Tiranës në vitin 1987 dhe në mbyllje të ekspozitës, u bë pronë e Galerisë Kombëtare. Surpriza të bukura e kohës së studimeve patën qenë praktikat mësimore, ku patëm mundësi të lëvrojmë gjininë e peizazhit në vende të bukura, si: Himara, Pogradeci dhe Valbona. Meqenëse përmenda Valbonën, rrugëtimin tim po e nis prej këtu për të mbërritur në jug të vendit.

    Valbona ka mbetur gjithnjë frymëzimi im. Për herë të parë kam pikturuar atje në vitin 1987, ku realizova 7 peizazhe. Vite më vonë, prej vitit 2010, kam shkuar atje në çdo vit kalendarik, si në vjeshtë, dimër dhe pranverë. Maja e thatë është shpeshherë prezente në pikturat e mia, vetë lumi i Valbonës nën efektin e dritës së mëngjesit, Dragobia, lagjja “Metaliaj” e plot kënde të tjera të zonës së Valbonës.

     Vermoshi dhe Lëpusha janë në skajin verior të vendit. Në Vermosh kam disa realizime në kohën e vjeshtës. Ndërsa Lëpusha është një vend magjik rrëzë Bjeshkëve të Namuna. Shkoj atje prej vitit 2015 thuajse rregullisht. Propozimin për të shkuar aty, i pari ma pati bërë piktori Leon Çika në vitin 2010. “Është vend për ty, Pashk” më tha. Nga ky vend kam një seri peizazhesh që i vlerësoj. Poshtë Lëpushës është Selca ku kam realizuar 4 peizazhe. Në vijim është Tamara. Aty pëlqej transparencën e lumit Cem, me lojën e gurëve të rrumbullakët në fundin e ujit. Edhe Luginën e Hotit që shtrihet deri tek liqeni i Shkodrës e kam pikturuar. Kopliku më ka tërhequr në pranverë me lulet e shumëllojta e fushat e thara në verë. Magjia e këtij vendi janë Gështenjat e Reçit. Kam shkuar për herë të parë në vitin 2009 për të vazhduar disa vite me radhë në vjeshtë. Syri i Sheganit ishte zbulim i viteve të fundit me rekomandimin e mikut tim, Tom Therçaj.

     Thethi më ka mbajtur gjatë, të lidhur me këtë vend në verë dhe në vjeshtë. Poshtë Thethit është Ura e Ndërlysës, pa dyshim një ndër 5 vendet më të bukura që kam pasur përballë kavaletës, në vjeshtë. Qafë-Thorë, Boga dhe Gryka e Lugjeve po ashtu janë perla të peizazhit shqiptar. Kam rreth 20 vepra të realizuara në këto zona e përsëri do të jem në tetorin e këtij viti.

     Shkodrën e kam vrojtuar në çdo stinë të vitit, duke filluar me Rozafatin, rrugët në lagjen katolike, Urën e Mesit, liqenin, Bunën, Shirokën, Vaun e Dejës, Bërdicë, Velipojë etj. Nga Shkodra kam një koleksion punimesh me borë.

     Kam dalë edhe në Pukë. Fillimisht kam pikturuar në vitin 2016 për t’u rikthyer në vitin 2021 dhe 2023. Iballa si pjesë e Pukës, është një vend me një shtrirje panoramike buzë maleve të larta. Vend i rrallë.

    Lezhën më shumë e pikturova në rininë time. Ardhja e banorëve të rinj dhe ndërtimet kuturu, e prishën gjeografinë e peizazhit. Motive tërheqëse mbeten për mua lagunat, ku më shumë i pikturoj në fund të dimrit. I kthehem herë pas here edhe Shëngjinit me detin në momente të ndryshme të ditës dhe portit me barkat e peshkimit. Në vjeshtë dal periferisë së qytetit, në Troshan, Kallmet, Kolsh, Manati etj. Për Velën kam realizuar tre vepra.

     Kukësi është pak i përfshirë në pikturat e mia. Kam pikturuar dy herë Kukësin rrëzë Gjallicës në vitin 2021 dhe fshatin Resk në vitin 2023.

     Peshkopinë e sodita në një rrugëtim 10-ditor në vitin 2023. Realizova 8 peizazhe njëri prej tyre me mjaft vlera. Ishte Rrabdishta, një fshat karakteristik. Por edhe fusha e Peshkopisë më ka dhënë plot emocion.

     Bulqiza me malin ngjyrë bakri të ngrohtë në sfond më ka drithëruar kur e kam parë për herë të parë. Jam i lumtur që kam dy peizazhe nga ky vend.

    Me Burrelin u ndesha për herë të parë në vitin 2016 për të shkuar dhe dy-tri herë të tjera atje. Vend me peizazhe mbresëlënëse, kodrina të bukura e shtëpi të mëdha. Ravijëzimi i lumit të Matit veç ia shton vlerën këtyre peizazheve. Duke zbritur poshtë në Ulze, Shkopet e Skuraj, kam realizuar në vjeshtë disa peizazhe. Janë vende ku ke mundësi të zbulosh kënde pikturimi, të vjeshtës rrëzë lumit të Matit.

    Në Mirditë kam pikturuar disa herë. Fillimisht në vitin 2008 në hyrje të Rrëshenit, tek Ura e Fanit, e vite më vonë edhe Prosekun, Perlatin, Kurbneshin, kishën e Rubikut. Përroin e Kryezezit e kam pikturuar në vjeshtë disa herë.

    Me Laçin jam në borxh, por i vetmi vend ku pikturohet është laguna e Patokut. Aty kam qenë vetëm një herë.

     Kruja më ka tërhequr për vetë vendndodhjen, por edhe për historinë që mbart mbi shpinë. E kam pikturuar disa herë edhe kalanë, por edhe pazarin e vjetër.

    Tiranën e kam pikturuar që nga viti 1986 për t’iu rikthyer përsëri në vite të ndryshme. Përveç pjesës në brendësi me çati të vjetra tiranase, kam pikturuar sheshin “Avni Rustemi”, Baldushkun në vjeshtë disa herë, Përtallen, Pezën, pyllin në Malin e Dajtit, Shëngjergjin, kodrinat mbas Kasharit. Në tre vitet e fundit jam përqendruar në sheshin “Skënderbej”. Kam kërkuar gjendje të ndryshme të tij nën dritat e mbrëmjes e reflektimin e ndërtesave në shesh mbas shiut.

    Durrësi zë mjaft vend tek unë. Në vitin 1989 pikturova në portin e peshkimit dhe të mallrave. Jam rikthyer në vite të ndryshme disa herë, kryesisht nga Currilat, porti i anijeve të peshkimit. Kam pikturuar Durrësin e vjetër nga Vila, dhe në fshatrat me ullishte mbrapa Shkëmbit të Kavajës në thellësi drejt Ndroqit.

    Në Kavajë kam pikturuar vetëm një herë në fshatin Sterbeg por mbetet opsion për të ardhmen. Kodrinat me ullishte e ara të vogla i ka me mjaft interes. Elbasani hyri tek unë mbas vitit 2015. Kryesisht lugina drejt Librazhdit, me Shkumbinin e rrapet gjithë ngjyrë në vjeshtë. Por edhe qytetin e vjetër brenda kalasë e kam pikturuar në disa tablo gjatë vitit 2024.

     Belshi me liqenet e luleve mbetet atraktiv si peizazh, kryesisht në pranverë, rreth muajit maj. Kam qenë disa herë mbas vitit 2015 për të pikturuar në këto bukuri të natyrës që vetëm në Belsh rreth liqeneve i gjen.

     Librazhdi është tërheqës në vjeshtë. Kam pikturuar disa herë në periferi të Librazhdit përgjatë luginës së Shkumbinit e në drejtimin drejt Peshkopisë. Në Përrenjas kam pikturuar fushën e Torviollit në vitin 1989 e parë nga Qafë-Thana.

    Pogradeci është dashuri e hershme. Pikturova disa peizazhe në praktikën e vitit 1989. E kam vendosur kavaletin pranë liqenit në hyrje të qytetit, në Drilon, në Lin të cilit i jam kthyer disa herë në vitet e mëvonshme. Pogradeci është piktorik në të gjitha stinët e vitit. Volorekën e kam pikturuar shumë herë në vjeshtë. Edhe nga Qafë-Plloça kam një peizazh të vitit 1989 ku shihet Pogradeci i asaj kohe, buzë liqenit.

     Berati është muza ime. Edhe këtu për herë të parë pikturova në vitin 1988 ku realizova gjashtë peizazhe. Njëri prej tyre është në fondin tim të zgjedhur. Kam shkuar atje disa herë në vitet e mëvonshme. Mangalemi ka qenë gjithnjë tërheqja ime e parë. Kam piktruar edhe rrugicat në kala, Urën e Osumit, Goricën dhe Malin e Tomorrit.

    Në Skrapar te kanionet, qeshë në vitet 2016, 2018. Kam katër peizazhe nga ai vend. Gramshi paksa i shmangur, por kam qenë dy herë atje. Kam pikturuar në dalje të Gramshit lumin dhe Tomorrin në sfond. Pamje mbresëlënëse kjo.

     Lushnja përfaqësohet tek unë me Divjakën, të cilën e kam pikturuar disa herë. Njërën prej tyre në shoqëri me profesor Kujtim Buzën.

    Fier kam pikturuar kishën e Shën Sofisë brenda Apolonisë. Një peizazh me gjendje prej dritës së asaj dite me re e diell përnjëherësh. Por kam pikturuar edhe në Ballsh, fshatin Klos.

    Vlora mbetet e rëndësishme për mua. Kam shumë realizime në bregun e Vlorës, kryesisht në Jonufër. Një breg më gurë natyralë, fatkeqësisht të rrafshuar nga fadromat në vitin 2024, prej zullumqareve të kohës. Këtu kam realizuar mbi 50 vepra. Por kam pikturuar edhe në Kaninë, Zvërnec, pyllin e Sodës, Lumin e Vlorës, Kuç e fshatrat përbri, Dukat, Llogara.

     Himara me Potamin më magjepsi që në vitin 1988. Asokohe realizova 7 peizazhe për t’u rikthyer në vitin 1990 ku realizova një ndër veprat më të rëndësishme të miat: “Mozaik në Bregun e Himarës”. Kam shkuar mbas vitit 2010 disa herë atje. Përherë kam dëshirë të pikturoj në këtë vend.

     Dhërmiu ka mbizotëruar tek unë. Kam pikturuar fillimisht në vitin 1990, por këto vitet e fundit kam zbuluar një pjesë shkëmbore në breg që në harmoni me smeraldin e detit krijojnë variacione piktorike tërheqëse për t’u pikturuar. Edhe vetë fshatin Dhërmi e kam pikturuar në ikjen dhe lindjen e diellit. Nga ky vend, mund të kem realizuar mbi 50 vepra.

    Delvinën e pikturova në vitin 2024, në një tur në jugun e Shqipërisë. Doja ta kisha dhe Delvinën.

      Sarandë pikturova për herë të parë në vitin 1990. Jam rikthyer në vitin 2012, kryesisht në zonën e Butrintit. Lukovën e pikturova në vitin 2024. Kam nostalgji për këtë vend. Kisha qenë aksionist në vitin 1975 dhe 1986.

     Edhe takimi me Gjirokastrën i përket vitit 1989. Realizova ato ditë prilli, 4 peizazhe njëri prej të cilëve u ekspozua në ekspozitë e pranverës të vitit 1989 në Galerinë Kombëtare. Më vonë e kryesisht mbas vitit 2015 i jam rikthyer disa herë Gjirokastrës më një serë realizimesh kushtuar qytetit të vjetër dhe vetë kalasë.

     Tepelena nuk mbetet jashtë. Kam dy realizime që i përkasin luginës së Vjosës në rrëzë të malit që vjen nga Këlcyra.

     Në Përmet isha matur disa herë të shkoja. Mbërrita për herë të parë në vitin 2018. Doja të pikturoja Nemërçkën. Para viteve ’90 e kishte pikturuar bukur Minella Tanellari. Kam kaluar një ditë të bukur para Nemërçkës madhështore. Krijova një vepër që i përket fondit tim të zgjedhur. U riktheva bashkë me kolegët e mi Jorgo Mici e Agron Polovina edhe në vitin 2023, por jo aq suksesshëm sa në vitin 2018.

    Leskoviku është dashuria e babait tim. Ka kryer shërbimin ushtarak aty. Në dëshirë të babait të sëmurë, shkova në Leskovik në vitin 2016. Pikturova duke kryer edhe një amanet kundrejt babait.

     Erseka i përket vitit 2016 si herë e parë, por i jam kthyer disa herë. Më magjeps mali i Gramozit. Është shumë vëllimësh, si një skulpturë e madhe në natyrë. Kam disa realizime kushtuar Gramozit në gjendje të ndryshme të stinëve. Por edhe vjeshta me barin e argjendtë, është mjaft tërheqëse. Rehova mbetet një vlerë e shtuar. Do ta vazhdoj rrugëtimin në Ersekë.

     Bilishti hyri vonë tek unë, më i fundit në këtë gjeografi udhëtuese. Ishte viti 2024. Sapo mora vesh që ishte bërë rruga për në Qytezë, Sinicë e Arrëz, vrapova në vjeshtë për atje. Ftova mikun e rinisë, shokun e klasës Arben Priftin, e cili erdhi nga Follorina. Nga këto fshatra kam katër peizazhe.

     Korçën jo më kot e lashë në fund. Është dhe mbetet qyteti im i artit. Herët, në vitin 1988, udhëtova në Korçë e në respekt të Vangjush Mios, shkova të pikturoj Drenovën me malin e Moravës në sfond. Në vitin 1990 realizova një cikël nga pazari i vjetër i Korçës bashkë me “Ciganen e Vogël”, që mbetet ndër më përfaqësueset e atyre viteve. U riktheva në Korçë në vitin 2007. Prej asaj kohe, shkoj çdo vit për të pikturuar vjeshtën, e cila është më e spikatura në Shqipëri. Vithkuqi mbetet në krye të vendit. Kam 18 vjet që shkoj atje dhe mund të kem mbi 150 piktura kushtuar vjeshtës së Vithkuqit dhe zonës së Korçës. Por kam pikturuar edhe në Polenë, Floç, Boboshticë, Drenovë, Dardhë, Voskopojë, Prespë, Fushën e Korçës. I jam rikthyer edhe qytetit të vjetër gjatë ditës dhe netëve me dëborë.

     Ky është vetëm një përshkrim vizual ku kam shkuar me kavaletën time nga Veriu në Jugun e Shqipërisë. Por si për ta kompletuar gjeografinë gjithëshqiptare, kam pikturuar disa herë edhe në Ulqin, Tuz e Tivar, Plavë e Guci, Prizren e Prishtinë, Shkup (Çarshia e Madhe) e Gostivar. Kam rrugëtuar në udhëtime piktorike edhe në Itali, në disa vende duke filluar me Cinque Terre dhe Romë në vitin 2012, Kalabri tek arbëreshët në vitin 2015. Në vitin 2018-19, isha në Venecia, Firence, Siena, San Gieminiano. Në vitin 1998 pikturova në Granada të Spanjës Alhambran, për t’ju rikthyer edhe në vitin 2016. Kam pikturuar në Janinë e Parga të Greqisë, por edhe në Rothenburg të Gjermanisë, Budapest, Paris e Detroit, për të përfunduar në Kinën e largët në një udhëtim 20-ditor në Guayang, në vitin 2016.

    Kjo është gjeografia e vendosjes së kavaletës sime në natyrë.

    Rrugëtimi vazhdon…

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË