Lajmi se data 28 janar 2025 u kremtua në shtetin e Ilinoit Dita e Lirisë në përkujtim të datës së lirimit nga burgu të Visar Zhitit u bë i njohur për publikun, mes të tjerash edhe në ExLibris. Ceremonia e këtij rasti u shenua prej dy çasteve shumë të ve çanta. I pari qe leximi në gjuhën angleze i pesë prej poezive të autorit dhe i dyti, njoftimi se njëzet vjet pas botimit të parë, përmbledhja poetike e Zhitit “Molla e ndaluar” (The Condemned Apple), përkthyer në anglisht nga Robert Elsie, u ribotua prej shtëpisë botuese “Green Integer”.
Ky ribotim vjen i shoqëruar edhe me një shënim të botuesit që është njëkohësisht poet. Ai madje, Zhitit i kushton një poezi.
Botuesi dhe poeti amerikan Douglas Messerli ka shkruar një poezi që s’iç thotë, “ia kushton poetit shqiptar,-të burgosur gjatë dhe të mbijetuarit, të shquarit, Visar Zhiti. Kjo është një si formë lehtësue, – sipas tij, – që s’ka të krahësuar me burgosjen e tij, që dukej e pafundme në qelitë e errëta të Enver Hoxhës, ku Zhiti për të mbijetuar krijoi poezi, të cilat, duke mos patur shpesh letër ku t’i shkruante, ai dhe shokët e tij të burgosur i mësonin përmendësh për të mbajtur gjallë edhe poezinë, edhe veten e tyre.
Ne, – e perfundon shënimin e tij Douglas Messerli, bashkë me – Pablo Capra jemi të zënë me një ribotim të poezië së Visar nga botimet tona të “Green Integer”.
Poezia kushtuar Visarit, e ngritur mbi fakte të jetës së tij, por dhe me vargje të tij, që duhet të jenë të ditura, për t’u kapur më lehtë poezia, ka krijuar një si monolog, sipas metodës së “përroit psikik të ndërgjegjes” dhe së shpejti ajo do të jetë në një përmbledhje të re të autorit.
KEQKUPTIMET
nga Douglas Messerli –
Bie shi, bie shi, bie shi, shumë e më shumë sesa lotët
e atij gladiatorit në Kolose që lufton dëshpërimisht
të mos bjerë mbi baltë. Ai gjithmonë
humbet. Kjo është loja, e paracaktuar me duartrokitje.
Njerëzit i duan të dielat, mbase janë si një arratisje
nga burgu. Është e ndaluar me ligj të qash
edhe të shtunave, kur ndodh që shitoret presin
etjen e blerjeve. Nuk është çudi që i doja ditët e shkollës,
me aq mirëkuptim dhe mbrojtje.
Mësuesit e mi nuk ishin shumë të zgjuar, më predikonin
një vend ku të shkoja, por ku s’e kisha ndërmend
të shkoja kurrë. Prandaj arsimi nuk është aq i thellë.
Rojet nuk janë prindër, e derdhin supën, që s’është bekim,
A mund të quhet kjo pendesa e të qenit i lindur
nga ata që ishim, ku na kërkohet të mos tundemi,
fis i ndalimeve dhe i kundështive të të menduarit?
Shikova në pasqyrë dhe më doli një tjetër
të më kqyrte me sy dashurie që s’i kisha hasur kurrë
më parë. Narcisi, fatkeqësisht, nuk ishte,
asnjë bukuri liqenore. Por të paktën u lehtësova
nga vetmia e pafundme e luftës së egër.
Nuk isha Spartaku, as Gnaeus Cornelius Lentulus.
As edhe Kirk Douglas. Vetëm një Douglas që shikonte
me bisht të syrit një tjetër mundësi të vetes.
Kjo mjaftonte për të më mbajtur në lëvizje. Burgu
është thjesht një qeli ku isha i detyruar të kaloja
përjetësinë, doja ta braktisja kur të vinte dita e duhur.
Edhe muret kanë numra. Ajo ditë erdhi dhe iku
dhe unë eca i lire, para më vështronte mjerimi,
Megjithatë, isha i lumtur, kur flladi më përkëdheli
ballin dhe ti vure buzët po aty. Madje qeshëm pak,
të ngecur në fije tërmetesh. Putha të dielat, u shtriva
mbi mërzinë e së shtunës, u përplasa sërish me të hënat
e punës së çmendur, që s’imagjinohet dot. Dhe pastaj,
sërish në Kolose, ishte fudi, po përballesha
me kundërshtarin tim plot djersë – vdekjen.
Sytë e dashurisë janë një tmerr, kur kthehen në urrejtje
apo edhe në pajtim. Këtu edhe bari vdes çdo ditë,
pemët rrëzohen si skulptura dhimbjeje dhe ndëshkimi.
Burrat rrënohen bashkë me qëndrimet e tyre heroike.
Kur u ktheva dhe u pashë sërish në pasqyrë,
ishte një shenjtor që më buzëqeshte, duke më falur
për keqkuptimet e mia.
Los Anxhelos, data…
Ndërkohë, Pesë Poezitë e Lirisë që u lexuan gjatë ceremonisë nga aktori James Belushi e të tjerë:
KETRAT NË WASHINGTON
S’besoja të gjeja dhe ketra në Washington!
Zbrisnin nga pemët, losnin në barin e parqeve.
Si nuk kanë frike? Kjo më befason,
mes njerëzve dhe natyrës të këtë kaq shumë paqe?
Ketra prapë, të vërtetë, ndalin tek këmbët e mia,
gjë s’ kërkojnë, por diçka u duhet dhuruar.
Duart i kam të zbrazeta si uria,
ata më dhanë mua mirëbesimin e harruar.
Ketra në kryeqytetin modern të një vendi të madh,
të florinjtë, me bishtin e bukur si gëzimi.
Të isha dhe unë ketër, vetëm një çast,
të ndikoja në zbutjen e njerëzimit.
DHE PO PRES
Jam kthyer me fytyrë andej nga duhet të vish ti
dhe, po pres…
Rrugën e kam kapur me dy duart
si një litar që e tërheqim
nga një pus harrese
Dhe të nxjerr ty
të mbytur
Jo, s’ke vdekur!
Frymën time me buzë e fus në buzët e tua.
Ngjallu dhe folmë…
(Burgu i Qafë Barit, 20.02.1985)

DIELLI I DYTË
Shumë gjak
është derdhur mbi këtë botë,
por akoma s‘e kemi krijuar diellin e gjakut.
Dëgjo, miku im,
këto fjalë që dridhen:
një diell i dytë do të lindë
nga gjaku ynë
në formën e zemrës
SI SHK-OH-ET NË KOSOVË
Ti, kalë i bardhë, Pegasi im,
si shkohet në Kosovë, tregomë!
Malli më ka marrë pa qenë kurrë.
Përtej varrit të atit tënd
varret e tjerë u rritën dhe u bënë male.
Pas maleve ka varre prapë si retë nëpër luginë.
Shtegtojnë varret në qiejt e ulët
dhe ta ngatërrojnë udhën.
Avionët kthehen pas të hutuar nëpër mjegull nate.
Karvanët e veturave janë kthyer në shkëmbinj
si kuajt e krushqve në mallkimin e lashtë.
O Zot! Dardhat dimërore dhe mëllenjat
janë bërë fushë me ofshama të gjuhës sime! Ti, yll blu i fatit mbi ballë të Atdheut,
si shkohet në Kosovë, tregomë!
Kur të kesh një plagë tjetër të re në trup,
ndiq udhën e rrëkesë së gjakut,
që gjithmonë arrin para meje
dhe më pret atje gurgullimë jete.
Marr dy pishtarë të shuar dardanë,
i ngjyej në gjakun tim
dhe ndriçoj udhën. Ndizen krahët,
flakët bëhen flatra,
unë bëhem shqiponjë prej dheu
dhe ndiej ciklonet e stepave
si duan të ma brejnë emrin prej guri.
(Tiranë, 18.01.1995)