More
    KreuIn memoriamPandi Bello: Kultura popullore si ideal i shkencës (Kushtuar akademikes Andromaqi Gjergji)

    Pandi Bello: Kultura popullore si ideal i shkencës (Kushtuar akademikes Andromaqi Gjergji)

    Prej vitit 1949 kur Andromaqi Gjergji u angazhua në sektorin e Etnografisë pranë Institutit të Shkencave të Shqipërisë (sektor i cili më vonë u bë pjesë e Institutit të Folklorit e më pas e Institutit të Kulturës Popullore) dhe deri rreth vitit 2010 ajo nuk rreshti së bërë kërkime shkencore mbi trashëgiminë materiale tradicionale të shqiptarëve.

     Vepra shkencore e Andromaqi Gjergjit është voluminoze dhe analitike, solide dhe pararendëse, në se mbajmë parasysh gjëndjen e studimeve në fushën përkatëse, më përpara, por edhe gjatë 6 dekadave të veprimtarisë së saj. Studimet e saj karakterizohen nga pasuria e tematikës dhe thellësia e gjykimit dhe e argumentimit.

     Kryetemë e krijimtarisë së saj shkencore kanë qënë veshjet popullore.

    Vepra: “Veshjet shqiptare në shekuj. Origjina, Tipologjia. Zhvillimi)”, e botuar në vitin 1988 është jo vetëm studimi i një eruditi, por edhe një pikë referimi për studimet e fushës. Ezaurimi i tematikës nga autorja u krye me punimin: “Vendi i veshjeve shqiptare në kontekst Ballkanik”, punim i botuar në revistën Kultura Popullore, numur 1 dhe 2 të vitit 1998.

     Përveç kësaj, arti i zbatuar popullor, me variacionet e formave, ngjyrave dhe shprehjeve, që vibroi ndjenjat e saj elegante që në moshë të vogël, zgjoi tek studjuesja një interes të tillë, sa që përmes botimeve pioniere ajo të pranohet si themeluese e kërkimeve shkencore edhe në këtë sferë.

    Përmbajtja e pasur e këtij arti, lënda me të cilën aplikohej, karakteristikat e përdorimit të objekteve të zbukuruara, si dhe krahësimet e tyre me objektet e tjera ballkanase të llojit shtjellohen gjatë në botimin përmbledhës “Arti i zbatuar popullor”, i botuar në Tiranë në vitin 2006.

     Ndërkohë, banesat fshatare, hapësirat e saj dhe ndërtimet ndihmëse, nivelet e banimit në fshatrat e Fushës së Korçës, por edhe në zonën e Shpatit (rajoni i Elbasanit) dhe të Semanit (rajoni i Fierit), madje edhe në rrafshin e Dukagjinit (zona e Kosovës) ishin objekt i trajtesave të hollësishme të etnologes së shquar. Kërkimet dhe klasifikimi i të dhënave nga kjo sferë në punimet e saj alternohen me analizën dhe konkluzionet për jetën familjare dhe shoqërore, me informacionet për ushqimin, mënyrën e të ushqyerit, mjeshtëritë e prodhimit të objekteve të përdorimit, proçesin e realizimit të tyre etj.

     Këto dhe subjekte të tjera interesante si: “Kodiku i kishave të fshatit Rëmbec”, ”Kujtime mërgimtarësh të fshatit Rëmbec”, apo “Kultura popullore dhe krishtërimi” përbëjnë materialin e pasur të një tjetër punimi imponues të etnologes, me titull: “Mënyra e jetesës në shekujt XIII-XX “, i botuar në shtypshkronjën Kotti, në Korçë, në vitin 2002. Në këtë vëllim përfshihet edhe studimi i guximshëm: “Tiparet e jetesës të pasqyruara në epikën legjendare”, i referuar në Konferencën Kombëtare mbi Epikën Legjendare dhe i botuar me titullin: “Etnosi ynë në epikën heroike legjendare”, në Kultura Popullore, numur 2 e vitit 1983.

     Paraqitja e Shënimeve të ekspeditës etnografike të vitit 1972 në Rrafshin e Dukagjinit në revistën Kultura Popullore1-2/1998 dhe Bibliografia e etnografisë shqiptare për periudhën 1945-1979 flasin për një tipar tjetër të seriozitetit shkencor, në këtë rast vazhdueshmëria.

     Angazhimin e plotë të saj në kërkimin shkencor e dëshmojnë edhe botimet kritike dhe popullarizuese, diskutimet dhe reçensionet të botuara në organet e përditshhme dhe periodike (brenda dhe jashtë vendit), si dhe udhëheqja dhe ndihma që ka dhënë për organizimin e ekspozitave, muzeve etj.

     Në veprën e Andromaqi Gjergjit dallojmë mikrokozmosin e fshatit shqiptar tradicional. Ajo i është drejtuar me të drejtë së pari këtij mjedisi sepse ndikimet e mundshme nuk mund të tjetërsonin origjinalitetin etnik të trashëgimisë popullore. Nga ana tjetër autorja vrojton marrëdhëniet komplekse të bashkëveprimit të kulturave, duke mbajtur parasysh se Shqipëria ndodhet në pjesën qëndrore të Mesdheut, ndërsa shqiptarët, shumë herë gjatë historisë, janë gjendur midis Lindjes dhe Perëndimit.

     Pjesmarrja e saj në konferenca dhe simpoziume, madje edhe në kuadër të programeve të tilla të UNESKO-s, botimet enciklopedike, referimet në katedra universitare, përfshirja e studimeve të saj në botime prestigjoze, në Perëndim apo në Lindje, nuk përbëjnë vetëm fakte numerike. Studjuesit, vendas dhe të huaj ka qënë të interesuar për vlerat e punimeve të Andromaqit si në aspektin krahësues por edhe për kuriozitetin shkencor që zgjon vepra e saj në tërësi.

     Cilësi e punës së studjueses rigoroze, e lidhur fort me dokumentimin e plotë, bazohet në një element me rëndësi, siç është mbledhja e të dhënave. Ajo i mblidhte të dhënat në terren, përmes njohjes konkrete, bisedave me bartës të fenomenit, respektivisht objektit që asaj i interesonte, shënimeve, skedimeve dhe anketimeve.

     Mbledhjen e të dhënave, madje grumbullimin e objekteve, ajo e kryente jo vetëm të lidhur me fushën e vet të studimeve, por edhe në shërbim të krijimit dhe pasurimit të vazhdueshëm të Arkivit të Institutit të Kulturës Popullore të kohës. Kështu në vitin1969 ajo shkruante: “Ne kemi mundur të sigurojmë deri tashti veglat e plota të punës të më shumë se 25 zejeve të ndryshme”. Shih: Andromaqi Gjergji: “Ligjëratë për etnologjinë shqiptare”, viti 2004, faqe 8.

     Ekspeditat e shumta ku studjuesja ka marrë pjesë i a mundësuan lirinë e veprimit në një realitet që ajo e ka prekur gjatë dhe në imtësi. Çdo studjues është i vetëdijshëm për rëndësinë e një hulumtimi të tillë, teksa ne duam të rikujtojmë vështirësitë e punës në terren. Dhe këtu është fjala jo vetëm për lodhjen fizike që kjo zonjë (megjithë shëndetin delikat) e përballoi si një “e pamposhtur”, por edhe për konsumin intelektual dhe emocional të rastit, në se mbajmë parasysh intesitetin që i ka karakterizuar ekspeditat e dikurshme kërkimore të punonjësve të Institutit të Kulturës Popullore.

     Do mjaftonte të gjykojmë mbi informacionin që ofron autorja nga ekspeditat në fshatrat e zonës së Shpatit, apo rubrikën e pasur për referime të ndryshme nga ekspedita në fshatrat e zonës etnografike të Rrafshit të Dukagjinit, për të nënvizuar edhe një herë përparësitë që krijon njohja e dukurive në realitetin konkret.

     Arkivat, muzetë dhe bibliotekat janë, gjithashtu, burime të pazvendësueshme informimi. Bibliografia e zgjedhur në këto raste shtrihet në kohë deri te pragu i dokumentimit të fillesës së elementit shqiptar. Zotërimi i të dhënave nga kjo sferë, por edhe i dorëshkrimeve të vjetra, pastaj i kronikave të udhëtarëve të huaj, zotërimi i botimeve albanologjike perëndimore e bënin Andromaqin një njohëse “par exellance” të asaj çfarë është shkruar për shqiptarët, veçanërisht në periudhat kur ata nuk kanë mundur ta realizojnë një mision si ky, esencial për veten.

     Ajo vërren me kujdes se: “Këta të huaj, që në pjesën më të madhe kanë qënë diplomatë, agjentë tregëtarë dhe politikë, i përdorën shumë herë materialet etnografike për interesat politike dhe ekonomike të vendeve që përfaqësonin ”Ligjërata për etnologjinë shqiptare”, faqe 6. Po këtu autorja shënon, lidhur me Kanunin e Lekë Dukagjinit të mbledhur nga At Shtjefën Gjeçovi dhe i botuar në vitin 1933 “Kjo është vepra më e rëndësishme etnografike e botuar në Shqipëri para çlirimit”.

     Përkrah ideve të Pashko Vasës, A. Budës, E. Çabejt, M. Krasniqit, Z. Shkodrës,

    R. Zojsit etj, ajo citon si argumente mbështetëse në sttudimet e saj edhe mendimet e studjuesve të huaj: F. Babinger, A. Boue, E. Durham, H. Hecquard, G. Hahn, F. Pukëvil, M. Shuflai etj.

     Kjo bibliografi e pasur shtohet me të dhëna nga arkeologjia (autorja gjendet shpesh në një hapësirë që do ta quanim arheoetnologji), piktura murale e kishave, afresku, gravurat e shumta, vizatimet, skicat etj. Për shembull veshjet ajo i qëmton edhe në tabllonë: Bajroni me veshje shqiptare(viti 1809), vepër që ruhet në Galerinë Kombëtare të Portretit, në Londër, në pikturat e Kolë Idromenos, Spiro Xegës, Zef Kolombit e Simon Rrotës, tek statuja e Luftëtarit Kombëtar, në Korçë, vepër e Odhise Paskalit, apo tek riprodhimet e punuara me besnikëri nga Dhimitër Mborja në librin Arti Popullor në Shqipëri (viti 1959).

     Ndërsa burimet që vijnë nga arbëreshët, përveç vlerës sentimentale, janë parë si një identitet i një epoke që evoloi në një kontekst jo tërësisht autokton, por në kuadër të kulturës italiane.

    Njohja e thellë e veshjeve popullore krijoi një ndjenjë të thellë të dijetares për këtë trashëgimi. Ajo i përcaktoi me dashuri tipet dhe variantet e kostumeve popullore, saktësoi limitet e përhapjes së tyre dhe bëri klasifikimin shkencor. Ky proçes u krye në kuadër të analizave me karater disiplinor dhe interdisiplinor, ku të dhënat nga fushat e tjera lidhin etnologjinë me gjuhësinë (respektivisht-etimologjinë), arkeologjinë, historinë etj. Ligjëratat e saj për implikimet e historianëve të shquar Aleks Buda dhe Selami Pulaha në studimet etnografike flasin jo vetëm për lidhjen gjenuine midis dy shkencave dhe aftësinë e këtyre personaliteteve për ta vertetuar këtë lidhje, por edhe për vëmendjen e Andromaqit ndaj këtij fenomeni. Principi i historizmit përbënte shpesh themelin e subjekteve që ajo trajtonte.

     Këmisha dalmatike, Kapela e lartë shqiptare të para në Europë në shekujt XV – XVI, veshja shqiptare në Vllahi dhe Moldavi, Fustanella Xhubleta etj, janë analizuar prej saj duke kërkuar proçesin e lindjes, zhvillimit dhe të përhapjes së tyre. Pasi e vendoste këtë analizë në një hapësirë të determinuar ajo ballafaqohej me tezën ilire, trake, marrëdhëniet me grekët, romakët, rumunët, arumunët, sllavët dhe bizantinët në tërësi. Ajo ka theksuar se “Veshjet shqiptare kanë ditur të përfitojnë nga kontaktet me veshjet e kulturave fqinje, por edhe kanë ushtruar tek ato një ndikim pozitiv. Zhvillimi i tyre ka ecur me kohën, por pa e humbur origjinalitetin. . . Veshje si xhubleta e fustanella kanë origjinë shumë më të hershme se dalmatika antike ilire, e cila është paraardhësja e qartë e këmishës së grave në gjithë Balkanin Perëndimor”. Shih: Andromaqi Gjergji: “Vendi i veshjeve shqiptare në kontekst ballkanik”, revista Kultura Popullore 1-2 1998, faqe 57.

     Në mënyrë të vazhdueshme ajo kërkoi të gjejë çdo domethënie të veshjeve popullore. Në këtë prirje përfshihen dhe përcaktimet e funksioneve të veshjeve:  (për punë, për të dalë), e dallimeve socio-kulturore në veshje, e përmbajtjes etnike të tyre, e veçorive të prodhimit, të mjeshtërisë së prodhimit etj.

     Në botimet e saj materiali sqarues është shumë efikas. Një numur impresionant fotografish, gravurash, skicash, tabelat statistikore, vizatimet, planet urbanistike etj janë pjesë e atij laboratori që do ta quanim, në mënyrë simbolike: “Laboratori i durimit”. Sipas poetit të lashtësisë Saadi: “ Ai që s’ka durim nuk bart asnjë lloj filosofie”.

     Fshati, kufijtë e tij, pjesët përbërëse të territorit të fshatit, pronësia mbi tokën, toponimet, veglat e punës, cikli i punëve bujqësore të studjuara veçmas apo në lidhje me mënyrën e jetesës dhe jetën në fshat përcaktohen nga ndikimi i gjëndjes ekonomike, madje të nuancuara nga tradita fetare dhe progresioni i nxitur prej zhvillimeve politike. Objektet dhe fenomenet në këtë rast kanë jetën e vet historike, për ç’shkak analiza përkatëse kryhet me tendencën për kapjen e kohës së dukjes etnike të shqiptarit.

     Kur flet për mënyrën e të ngrënit autorja relaton: “Një dëshmi interesante është vendimi i marrë nga komuniteti i krishterë i qytetit të Gjirokastrës në vitin 1769 sipas të cilit personi i ftuar në gostinë e një dasme duhet të merrte me vete “pirunin, thikën dhe picetën e vet”, gjë që flet shumë për nivelin e paisjeve të tavolinës në këtë qytet”. Shih:“ Ligjërata për etnologjinë shqiptare”, faqe 137.

     Lokalizimi i territorrit të formimit të ciklit të kreshnikëve për etnologen Andromaqi Gjergji nuk ishte çështje vetëm e folklorit gojor ose muzikor, por ai reflekton edhe ide të etologjisë:

    Deka ma e amël s’asht se n’luft’ me u pre

    N’luft me u pre pa i lanë marre vedit

    dhe ide të etnografisë:

    Edhe nusen ma t’mir na merrni

    Edhe kullën ma t’mir ma bani

    Andromaqi Gjergji: “Etnosi ynë në epikën heroike legjendare”, në Kultura Popullore 2/1983, faqe 53-54.

     Pamja e qyteteve historike pas shpalljes së pavarsisë të vendit, jeta qytetare në këtë periudhë, por edhe gjatë viteve 1839-1912, ndikimi i qytetit mbi jetën e fshatit ishin tema të tjera tërheqëse për këtë studjuese.

     Prania e elementeve urbane, veçanërisht në fshatrat e rajonit të Korçës, nënvizon karakteristikat zonale të jetës në fshat, ndërsa fshati si territor banimi dhe si bashkësi shoqërore, jetesa, madje risitë e natyrshme apo më pak të natyrshme shihen si dukuri thelbësore dhe tipike në gjëndjen ekzistente si dhe në dinamikën e transformimit të tyre. Argumentet e bollshme vijnë nga fusha e ndërtimit, zejtarisë, prodhimit dhe ekonomisë bujqësore, ushqimit që përdorej (e kushtëzuar kjo nga stina, gjëndja ekonomike, por edhe nga njohja apo mosnjohja në kohë) etj.

     Numurimi i pasurisë në tokë bagëti dhe pyje, kategorizimi i shtëpive në përdhese apo me kate dhe hollësitë e subjekteve të tilla janë një arsenal lëvizës që përdor autorja kur trajtonte temën “Mënyra e jetesës në shekujt XIII-XX”.

    Në analizat ajo synonte dhe identifikimin e dukurive që kishin ndryshuar. Për shembull, lidhur me ekspeditën në zonën e Oparit në vitin 1951 ajo shkruante:

    “Gërmadha lagjesh, fshatra të braktisura, gjurmë kishash të vjetra, të dhëna të toponomastikës dhe onomastikës, dëshmojnë, ndër të tjera edhe për një lëvizje banorësh . . . ”. Shih: Ali Muka “Fshati dhe ndërtimet fshatare në vëmendjen e etnologes”, në Kultura Popullore, 1-2/1998, faqe 34.

     Një interes të veçantë zgjon botimi i kodikut të fshatit Rëmbec. Siç dëshmon studjuesja në veprën e mësipërme në faqen 3 ; “Ky kodik ose më plotë”Katastik i të hyrave dhe të dalave të Kishës së Shënjtë të Tërëshënjtës perëndilindëse, të Fjetjes dhe kishave të tjera të fshatit Rëmbec” është një regjistër ku parashtrohet llogaria e përvitshme e epitropëve që kanë qeverisur gjatë kohës pasurinë, domethënë arat, të cilat u falën, kohë më kohë, nga pleqtë e lumtur të këtij fshati dhe ato që u blenë me të hollat e kishave”. Kjo është e vërtetë, sikurse mund të ndihet se përtej këtij informacioni atje dallojmë kodin e një jetese të tretur në mister dhe të mbuluar me një tis poetik baladesk. Ky kodik është një lloj “guide” e rrallë e kohës me personazhe të denjë për një piktor si Bruegel (Pieter Bruegel – piktor flamand 1525-1569) që sillen dhe përsiaten në një truall që e njohin dhe që i u përket.

     Prej kohësh është pranuar se Andromaqi Gjergji është nismëtarja e studimit shkencor të artit të zbatuar popullor. Ky art, i qytetit apo i fshatit, si dhe zejtaritë, janë trajtuar prej saj me kujdes dhe sensibilitet tipik për njërëzit me ndjenja intesive. Ajo i ka vëzhguar me hollësi këto “bizhuteri” dhe ka zgjuar tek lexuesit interesin për perspektivën e krijimeve të tilla. Studimet e saj janë plot me krijimet popullore me fizionomi të spikatur etnike dhe kombëtare që vijnë nga trashëgimia e Voskopojës, Korçës, Beratit, Elbasanit, Shkodrës dhe Prizrenit.

    Ajo i ka bërë të njohura këto vlera edhe për opinionim e huaj shkencor, siç ka qënë rasti në Simpoziumin Ndërkombëtar të Folklorit Ballkanik, në Ohër, më 7-8 Korrik 1988.

     Punimet me daltë, kapakët e ungjijve të gdhendur në argjend, ikonostaset e kishave, pushkët e gjata të zbukuruara apo arnautkat (që mbaheshin nga rojet shqiptare në shërbim të princëve dhe bojerëve në principatat rumune Vllahi dhe Moldavi, gjatë shekullit të XVIII, prej nga vjen dhe emri i tyre), pastaj furkat, krrabat, djepat, arkat, qëndisjet, traistat, velenxat dhe ornamentet në tërësi janë vrojtuar nga etnologja në mënyrën më rigoroze që mund të imagjinohet. Po ashtu vlejnë edhe analizat mbi prodhimet qeramikës (në krahina të ndryshme), për filigranet e Shkodrës dhe Prizrenit, oxhakët, kapitelet prej guri dhe kangjellat e Korçës, gjithë pasuria e këtij zhanri me kaq larmi krahinore. Shpjegimet e studjueses kërkojnë të zbulojnë karakterin utilitar të këtyre prodhimeve, teknikat e pasura të zbatimit, karakterin kolektiv improvizues, kur ato i gjykojmë si vepra arti etj.

     Dëshmohet edhe në këtë rast energjia e habitshme e shkencëtares, aftësia polemizuese dhe përgjithësuese si dhe konseguenca tipike e saj.

     Po të mbajmë parasysh gjëndjen e zejeve dhe të artit fshatar sot tek ne e kuptojmë më thellë rëndësinë e veprës së Andromaqit.

     Rëndësia e veprës së saj mund të shihet edhe në kuadrin e bashkëveprimit të kulturave, kur kemi parasysh jehonën e Kapeles së lartë shqiptare në Europë Perëndimore, faktin që për shkak të tipizimit të shqiptarit (përmes kostumit dhe armës) në principatat rumune, pas këtij tipizimi çdo roje (pavarsisht nga përkatësia etnike) ishte arnaut. Ky emërtim shfaqet si mbiemër edhe sot në Rumani dhe në Francë. Një shembull me përmbajtje të njëjtë është, bie fjala: mundja e duarve, apo mundja e këmbës me këmbë, një lojë popullore e cila nga Rumania deri në Angli quhet: Skanderbeg.

     Vëllimi i madh e veprës së akademikes Andromaqi Gjergji, sinteza e studimeve mbi fshatin si burim origjinar i makrokozmosit shqiptar, e bën atë jo vetëm njohëse të rrallë të kulturës materiale popullore, të aspektit funksional dhe artistik të kësaj kulture, por do të nënvizonim se: duke depërtuar në fshehtësinë e spiritualitetit shqiptar, ajo është në të vërtetë një dokumentuese “sui generis” e psikologjisë krijuese të popullit. Vizioni i saj i gjërë i ka mundësuar që kërkimet të përshkojnë kurbën që nis nga lindja drejt kulmit të zhvillimit e deri tek aktualiteti, Ndërsa dashuria dhe ngrohtësia e saj i ka dhënë frymë kësaj pasurie.

     Rezultatet e punës së saj janë origjinale dhe kanë karakter praktik dhe aktiv.

    Siç dëshmonin kolegët e saj, por edhe pjesmarrësit e Festivalit Folklorik të Gjirokastrës(prej tyre jam edhe unë si drejtues i ansamblit të Kukësit në vitin 1983, dhe i Korçës në vitin 2000 dhe 2004 dhe si gazetar i gazetës së festivalit në vitin1988) vrulli i saj patriotik për rruajtjen e identitetit kombëtar e niste mes artistëve popullorë, dhe bisedonte me ta në mënyrë që ata të kuptonin plotësisht qënien e tyre të vërtetë. Jo më kot thuhet: “Më trego si vishesh të të them kush je”. Ja se si tërheq vëmendjen e lexuesit studjuesja: ‘Faik Konica, ky bej i kulturuar dhe i rafinuar në sjelljet dhe shijet e tij, mondan dhe sqimatar i madh në veshje dhe në tërë paraqitjen e jashtme të tij e kuptonte fort mirë se ç’efekt mund të bënte një veshje shqiptare, aq e admiruar nga të huaj të rangut të poetit të mirënjohur George Byron e të tjerë, si ishte veshja me fustanellë dhe nuk hezitonte aspak ta vishte këtë kostum në raste pritjesh zyrtare”. ”Ligjërata për etnologjinë shqiptare”, faqe 45. Më tej, në faqen 50 ajo shkruan: “Faik Konica mund të merret si shëmbull tipik për të treguar se njeriu mund të jetë qytetar i botës, me një horizont kulturor të tillë sa ta ndjejë veten mirë në çdo rreth intelektual ku ndodhet dhe njëkohësisht thellësisht shqiptar e jo vetëm të mos e humbasë vetëdijen e tij etnike, por edhe ta manifestojë atë natyrshëm, madje dhe me krenari, kur është rasti”. Kjo është e vertetë, sikurse është e vërtetë se ky përcaktim e karakterizonte së pari autoren e cila, pikërisht për shkak të vlerave që ajo i përmend, ka qënë e mirëpritur në rrethet intelektuale jashtë Shqipërisë.

     Thjeshtësia dhe korrektësia që e karakterizonin këtë dijetare, ndihet në çdo faqe të shkruar prej saj. Ajo përdorte një stil komunikimi të thjeshtë dhe të natyrshëm, që adoptohet pa vështirësi si nga lexuesi i zakonshëm ashtu edhe prej profesionistit. Por ajo ç’ka i jepet kaq qartë lexuesit vjen pas një pune të rëndë e të mundimshme që të kujton shprehjen e Eskilit: “Zeusi i udhëheq njerëzit në rrugën e urtësisë dhe ai ka vendosur se ata do ta zotërojnë shkencën përmes dhimbjes”. Shoqëria shqiptare sot ka nevojë që pikërisht personalitete shkencore dhe humane të përmasave të tilla ti shndrrojë në modele për të tjerët.

     Padyshim korçarët mund të demostrojnë një sentiment afektiv ndaj Qytetares të Nderit të Korçës, pra Andromaqit, e cila kur zbriste nga rruga Budi (në Tiranë) drejt Institutit të Kulturës Popullore apo Akademisë së Shkencave, apo kur kthehej në banesën e saj në këtë rrugë, çonte dhe sillte me vete ajrin e edukatës të një familjeje të pasur me vlera civilizuese si dhe frymën e humanizmit të përqafuar edhe në gjimnazin që pasoi Liceun Francez të Korçës, gjimnazin Raqi Qirinxhi. Këto përzjesheshin mes tyre së bashku me kujtimet e dashura të vendlindjes. I kujtoheshin ndoshta nëna Persefoni e merakosur për udhëtimet e saj, njëra prej informatoreve bazë për prodhimet e shtëpisë, babai Llambi – anëtar i Gardës Civile dhe kronist i vullnetarëve të Federatës “Vatra” që erdhën nga SHBA për të marë pjesë në luftën e Vlorës në vitin 1920 etj. Përveç të tjerash besojmë se Andromaqi ka qënë e lumtur kur gjuhën latine e mësoi në shkollë me profesor Stefan Priftin, artet figurative me Piktorin e Popullit Vangjush Mio, ose muzikën me Artistin e Popullit Kristo Kono, teksa profesorët Petraq Pepo, Kristaq Fundo, inxhinier Petraq Vasili, studjuesi Dhori Fallo dhe shumë personalitete të mëvonshme ishin shokët e saj të klasës. E rritur pra në atmosferën e kulturës së vërtetë që trashëgonte gjithçka të mirë nga periudha midis dy luftrave botërore, ajo që në vitet e gjimnazit zotëronte gjuhët ndërkombëtare dhe ato europeane dhe kjo gjë ia bëri të lehtë kontaktin intesiv me trashëgiminë botërore dhe atë përreth nesh.

     Dëshirojmë t’i përfundojmë këto shënime me një fragment nga fjala e saj në Seminarin e 17 –të Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, të mbajtur në Tiranë, më 24 Gusht 1995: “Pas kësaj vale shpërthimi që po kalojmë me kërkesa të gjithanshme për tu hapur sa më shumë ndaj kulturës së huaj, gjë që deri dje ishte një dëshirë fort e ndrydhur, kultura popullore duket se ka humbur shumë terren. Por traditat nuk shuhen lehtë. . . S’ka dyshim se shpejt ato do të gjejnë shprehje në shumë drejtime, ndoshta edhe me një shkëlqim të ri”.

     Bashkohemi dhe ne me një kredo të tillë, duke uruar edhe më tej prosperitet në fushën e studimeve etnologjike në Shqipëri. Padyshim zhvillimet e reja do të kenë në veprën e Andromaqi Gjergjit një burim të rëndësishëm informacioni, metode dhe pasioni.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË