More
    KreuÇmimePanairi Kombëtar i Librit në Fier

    Panairi Kombëtar i Librit në Fier

    Një tjetër ngjarje për librin dhe nderimi për autorët shqiptarë është shënuar javën që shkoi në Fier… Fatos Kongoli, Kim Mehmeti, Adrian Civici, Skënder Buçpapaj e Çun Lajçi kanë triumfuar në edicionin e gjashtë të Panairit Kombëtar të Librit që u mbajt në Fier, nga data 9-12 maj. Dhjetëra aktivitete në një agjendë maratonë janë kurorëzuar me ceremoninë e dhënies së çmimeve për më të mirët e këtij edicioni.
    Nga 132 libra konkurrentë, në gjini të ndryshme, juria e panairit, e përbërë nga akademiku Ali Aliu (kryetar) dhe Flutura Açka e Erenestina Halili (anëtare), arriti të përzgjedhë më të mirët. Kryetari i jurisë, ndër të tjera, shprehu konsideratën për rritjen e besimit të shkrimtarëve në konkurse të tilla dhe siguroi se përzgjedhja ka qenë e vështirë, për vetë faktin se në garë kanë qenë shumë libra të cilët ishin afër e afër njëri-tjetrit si vlerë artistike e letrare dhe kjo, sipas tij, e bën të vështirë përzgjedhjen.
    “Nga 132 libra të paraqitur nga autorë e botues në këtë edicion, ne mbërritëm të afrohemi te veprat më të mira, derisa erdhëm në fazën e fundit të seleksionimit. Unanimisht, vendosëm që të japim çmim për prozë të gjatë, prozë të shkurtër, poezi, publicistikë dhe letërsi për fëmijë. Por ajo që unë vura re ishin prurjet cilësore nga shkrimtarët e rinj, për të cilët i propozoj organizatorit që vitin tjetër të japë edhe çmim për debutantin më të mirë”, – ka thënë akademiku Aliu.

    Fier-Fatos Kongoli
    Çmimi për romanin më të mirë shkoi për shkrimtarin Fatos Kongoli

    Çmimi për romanin më të mirë shkoi për shkrimtarin Fatos Kongoli, me motivacion: “Për romanin Gënjeshtarë të vegjël (Botimet Toena) i cili, me një origjinalitet të përsosur, sjell kode unike ligjërimi, ngjarje të ndërthurura mjeshtërisht dhe një narracion të rrjedhshëm.”
    Çmimi për prozën tregimtare më të mirë u akordua për shkrimtarin Kim Mehmeti me motivacion: “Për librin Lutjet e mesnatës (Botimet Agora) – me shije të hollë letrare, gjuhë të pastër dhe mjeshtëri në pleksjen dhe ndërtimin e subjektit. Libër që pasuron prozën e shkurtër shqipe.”
    Libri publicistikë më i mirë rezultoi të jetë ai i Adrian Civicit, me motivacion: “Për librin Udhëtim në tri kohë – dialog me Alda Bardhylin (Botimet Onufri), i cili vjen me origjinalitet të spikatur dhe sjell një rrëfim krejt ndryshe mbi komunizmin, tranzicionin dhe kapitalizmin.”

    Fier-Ardian Civici
    Libri publicistikë më i mirë rezultoi të jetë ai i Adrian Civicit

    Çmimi libri poetik më i mirë iu dha poetit Skënder Buçpapaj, me motivacion: “Për librin Imgur (Botimet Onufri) – simbiozë e imagjinatës poetike dhe perceptimit filozofik, duke sjellë një kostelacion të gjerë në kozmosin e letrave shqipe.”
    Çmimi për librin poetik më të mirë elegjiak shkoi në Kosovë tek artisti Çun Lajçi, me motivacionin: “Për librin Bubulina, ti letër e pashkrueme (Botimet Buzuku), nëpërmjet të cilit autori spikat mjeshtëri krijuese në paraqitjen e imazhit elegjiak.”
    Çmimi i letërsisë për fëmijë u rrëmbye nga Rudina Çupi, me motivacion: “Për librin Një elefant elegant (Botimet Botart), ku bien në sy gjetjet interesante, harmonizimi i bukur i ritmit dhe mendimit.”

    Fier-Çun Lajçi
    Çmimi për librin poetik më të mirë elegjiak shkoi në Kosovë tek artisti Çun Lajçi

    Jashtë konkurrimit, për shkrimtarin Fatos Kongoli kryetari i Bashkisë Fier, Armando Subashi, akordoi një certifikatë mirënjohjeje. Edhe në këtë edicion u ekspozuan 5 mijë tituj librash, nga të cilët 1.200 ishin të rinj. Rreth 100 shtëpi botuese sollën për publikun e gjerë autorë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia dhe trevat e tjera shqipfolëse.

    Fier-Kim Mehmeti
    Çmimi për prozën tregimtare më të mirë u akordua për shkrimtarin Kim Mehmeti

    Në mbyllje të këtij edicioni drejtoresha e panairit, drejtuese edhe e Fondacionit “Harpa”, u shpreh se edhe ky edicion i arriti pritshmëritë, duke u bërë urë lidhëse mes disa aktorëve të librit dhe lexuesit. “Qëllimi ynë është të sjellim librin te lexuesi, jo vetëm që ai të ketë mundësi të blejë libra, por edhe të njihet me disa prej tyre, duke u bërë pjesë e debateve, tryezave të diskutimit, promovimeve, konferencave shkencore, takimeve me shkrimtarë e studiues etj. Ajo që vihet re është interesimi i madh i të rinjve dhe nxënësve të shkollave. Mijëra të tillë kanë vizituar stendat e panairit dhe shumë prej tyre janë bërë pjesë e tryezave tona. Kjo është mrekullia që i ndodh librit: të vejë tek të rinjtë”, – ka vijuar ajo. U zhvilluan tryeza për shumë çështje të librit si dhe për emra të veçantë, si: Lasgush Poradeci, Ali Aliu, Nasho Jorgaqi, Fatos Kongoli, Kim Mehmeti, Namik Dokle, Adrian Civici, Çun Lajçi, Klara Kodra e shumë të tjerë. Panairi Kombëtar i Librit në Fier organizohet nga fondacioni “Harpa” dhe mbështetet çdo vit nga Bashkia e Fierit dhe Ministria e Kulturës.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË