More
    KreuÇmimePajtim Statovci fitues i çmimit më prestigjoz në Finlandë për letërsi,...

    Pajtim Statovci fitues i çmimit më prestigjoz në Finlandë për letërsi, “Finlandia”

    Çmimet më prestigjioze të librit në Finlandë për letërsinë, jo-letërsinë dhe letërsinë për fëmijë u dhanë më 27 nëntor nga Fondacioni Finlandez i Librit (Suomen Kirjasäätiö) në Sallën Bio Rex, në Helsinki.

    Çmimi për letërsi iu dha Pajtim Statovcit për librin Bolla (Otava), të cilin juria e quajti “një roman tronditës dhe prekës që të magjeps me fuqinë e shprehjes”.

    Ngjarjet në libër zhvillohen pjesërisht në Kosovë, vendlindjen e Statovcit. Shkrimtari shkoi në Finlandë kur ishte dy vjeç.

    Fituesi u zgjodh nga CEO-ja e kompanisë Yle, Merja Ylä-Anttila. Statovci ka marrë vlerësime anembanë botës për veprën e tij, përfshi një kandidim të fundit për Çmimin Kombëtar të Librit për romanin e tij të dytë, The Crossing.

    Çmimi për jo-letërsinë u përzgjodh nga ekonomisti dhe shkrimtari Sixten Korkman. Ky çmim iu dha librit Metsä meidän jälkeemme (“Pylli pas nesh”), i cili u botua nga Like dhe u shkrua nga gazetarët Anssi Jokiranta, Pekka Juntti, Anna Ruohonen dhe Jenni Räinä.

    Juria e vlerësoi librin kështu: “Një libër aktual, aspak paragjykues dhe gjithëpërfshirës, për gjendjen e pyjeve finlandeze dhe ndryshimin klimatik, ku perceptimet e natyrshme të njerëzve, përvojat, emocionet e tyre, si dhe njohuritë nga ekspertë, shkrihen vetvetiu me njëra-tjetrën”.

    Çmimi Letrar Finlandia për të rinjtë, përzgjedhur nga këngëtari Olavi Uusivirta, iu dha shkrimtares Marisha Rasi-Koskinen për librin Auringon pimeä puoli (“Ana e errët e diellit”) botuar nga WSOY. Juria e quajti librin që synonte lexuesin e ri në moshë “një roman ambicioz dhe gjithëpërfshirës, që e çon lexuesin në një udhëtim përmes kohës dhe të sfidon të pyesësh veten nëse koha lineare është e vetmja mënyrë për të perceptuar jetën”.

    Secili çmim shoqërohet me një shpërblim prej 30,000 Eurosh, dhe fitimi i tij mund të nxisë gjithashtu shitjet e librave me afrimin e Krishtlindjeve.

    Pajtim Statovci (lindur në vitin 1990) është një romancier kosovar i rritur në Finlandë. Ai u shpërngul nga Kosova drejt Finlandës me familjen e tij kur ishte vetëm dy vjeç. Jeton në Helsinki dhe mban diplomë masteri për letërsi krahasuese nga Universiteti i Helsinkit. Si fitues i Çmimit Shkrimtari i Vitit në Helsinki për vitin 2018, momentalisht ai është edhe kandidat për doktoraturë në Universitetin e Helsinkit. Romani i tij i parë, “Macja ime Jugosllavia”, botuar në vitin 2014, mori vlerësim të gjerë, si nga kritikët, ashtu dhe nga lexuesit. Ky roman i dha atij çmimin prestigjioz të letërsisë, Helsingin Sanomat. Juria vlerësoi aftësinë e shkrimtarit, i cili në atë kohë ishte ende 24 vjeç, për të kombinuar jorealen me realen, dhe për t’u dhënë simboleve të vjetra një kuptim dhe fuqi të re.

    “Macja ime Jugosllavia” u botua në anglisht në vitin 2017 nga shtëpia botuese amerikane Pantheon Books dhe shtëpia botuese angleze Pushkin Press. Romani ishte në listën e gjatë për Çmimin Ndërkombëtar Letrar të Dublinit. Romani i dytë i Statovcit, “Crossing”, botuar në vitin 2016, u vlerësua gjithashtu për prozën e qëndisur bukur dhe për trajtimin origjinal të motiveve. Në vitin 2016, Statovci fitoi Çmimin Toisinkoinen të Letërsisë. Botuar në anglisht në vitin 2019 nga shtëpia botuese amerikane Pantheon Books dhe ajo angleze Pushkin Press, “Crossing” është një libër finalist për National Book Award. Ndërsa romani i tretë i tij, “Bolla”, u botua në gusht të vitit 2019 dhe mori vlerësime të shumta nga mediat kryesore në Finlandë. Romani do të botohet në anglisht në vitin 2021 nga shtëpia botuese amerikane Pantheon Books, dhe nga ajo angleze Faber & Faber.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË