More
    KreuLetërsiBibliotekë"Padashur e lëndova gomarin", tregimi nga Luan Rama

    “Padashur e lëndova gomarin”, tregimi nga Luan Rama

    Trokëllima e fjalëve derdhur rrëmujshëm si gurë të formësuar në një tru idioti qe aq e beftë për mua, sa për një çast m’u duk se gjendesha në Përroin e Marrëzisë e jo në atë zyrë, ku njeriu në të djathtën time gjendej paradoksalisht prej një rastësie të habitshme dhe të pakuptimtë.

    Po prisja të heshtëte që të mund t’i arsyetoja se isha aty prej ftesës së tij, siç kishte ndodhur rëndom që prej kur ai ishte në atë detyrë, por derdhja e fjalëve e kishte rrëmbyer aq pavetëdijshëm sa po e shtynte në një rrokullimë të pakthim.

    Fati e solli qe ai të ndjente nevojën për të pirë ujë që të mund të ndërhyja.

    -Vërtet më vjen keq, më vjen shumë keq për veten, – i thashë qetë e ngadalë, duke ia artikuluar fjalët germë për germë e të rrokëzuara që të mund t’i dëgjonte të plota e ta kuptonte se çfarë po i thoja.

    Syzgurdulluar e me ballin që iu rrudh edhe më tepër me një zgjatim jo fort anatomik, pyeti si i sapozgjuar:

    -Pse?!

    -Sepse nuk e paskam ditur që kam patur për mik një gomar, iu përgjigja menjëherë, duke pritur se çfarë do të thoshte. Por heshti. Mbase nuk e kuptoi se çfarë i thashë. Ose e kuptoi dhe i pëlqeu. Nuk e di e nuk do të kem më asnjë mundësi ta mësoj se çfarë ndjesie i provokoi atij njeriu ajo që i thashë.

    Pas shungëllimës së fjalëve të shqiptuara përgjysmë që nxorri nga goja e për të cilat vura se se as skuqej e as zverdhej, e ndjeva se kjo qe fjalia e vetme që mund të thoja. Të vazhdoja e të qëndroja ende aty përballë tij ishte e pamundur. Jo se prisja të thoshte ndonjë fjalë të mençur, por të paktë mendova t’ia kursej vetes praninë aty ku ai po shfaqej aq i pacipë. Edhe aq kisha duruar më shumë nga sa ja lejoj vetes. Për të mos ia hedhur më sytë e zhvendosa vështrimin tek personi i tretë, por vura re se i bezdisur ndjehej edhe tjetri, personi përballë meje e në të djathtën e atij, i cili u ndodh në një skenë ku me siguri nuk do të donte të ishte i pranishëm. Sepse nga njëra anë ishte shefi i tij e përballë unë.

    M’u desh të ngrihesha e të ikja me vërtik nga ajo zyrë, duke lënë pas shpine shëmtinë e një njeriu mosmirënjohës.

    Mbase nuk ishim miq. Nuk ishim as shokë, edhe pse unë e nderova dhe e besova sa një mik.

    Ai më quante vëlla. Kështu më shkruante sa herë më ftonte t’i shkoja në zyrë apo në vilën në periferinë e qytetit ku banonte prej pak kohësh. Shkoja me dëshirë. Donte ta ndihmoja dhe unë e bëja me kënaqësi. Jo ngaqë më quante vëlla, por sepse realisht doja t’i ecte puna mbarë. Pse ta fsheh, ndjehesha e gjendesha mirë në cilësimin vëlla. Më miklonte ajo fjalë sa herë e lexoja apo e dëgjoja. Sepse ndjeja se më sillte prej tij njeriun. E me veten mendoja se i ofroj padyshim diçka të mirë, diçka prej vëllai. Ndryshe pse do ta ndjente nevojën të më quante vëlla? Mund të më drejtohej edhe thjeshtë në emër. Unë njësoj do të të nderoja. Për njeriun që mendoja se ishte. Doja të besoja se ishte njeri i mire dhe se detyra e re e shumë e rëndësishme do ta bënte edhe më të mirë.

    Sa e sa herë i kam thënë; duaje njeriun që je dhe bëji edhe të tjerët të të ngjajnë në mirësinë që unë mendoja se e ke. Sepse e doja sa një mik. Dhe miku duhet mirë.

    Mirëpo jeta është e çuditshme. Shpesh e pamëshirshme në befasitë e veta. Ajo është si një vorbull e madhe. Na rrëmben e përfshin, na përplas, na rrëzon. Na vë në sprovë.

    Jo të gjithë ia dalin. Por ama të gjithë mësojnë prej saj. Herët apo vonë të gjithë mësojnë.

    Unë jam i bindur se edhe ai do të mësojë një ditë. Paçka se prej pamjes gjithaq të pafajshme në dukje, më shumë prej antropologjisë së kafkës se sa prej të qeshurës së stampuar shëmtuar nuk shfaq asnjë premisë e nuk jep ndonjë shenjë se mund të mësojë, unë prapë shpresoj. Do të jetë ca vonë, por kjo nuk është më në dorën time. Nuk është as në dorën e tij.

    “Rrugës për n’theqafje këtej pari i ranë…”. Ky varg i Migjenit më erdhe nëpër mend ndërsa po zbrisja shkallët e daljes nga ajo ndërtesë, ku për më shumë se tri dekada kisha hyrë e dalë aq shpesh, por kurrë me pezmin dhe dhimbjen që më shkaktoi biseda me frymorin që vetëm pak çaste më parë, teksa vendosa të ikja, gabimisht e kisha krahasuar me një gomar!

    Jeta është e çuditshme.

    Është e pamëshirshme, por e drejtë. Edhe zhgënjimi është pjesë e saj. Ai tashmë për mua nuk është zhgënjim. Ai është i vërtetë. Është i vërtetë dhe i vetmjaftueshëm.

    “Unë e pranoj këtë zhgënjim se edhe zhgënjime ka në jetë”, kam shkruar dikur në një poezi.

    Por, ndërsa rri e sjell nëpër mend atë ditë e gjithë sa ndodhi në zyrën ku lashë një njeri të bjerrë, ndjej se një barrë faji më ka kapluar të gjithin që e lëshova gojën në atë mënyrë dhe e quajta gomar!

    Ai nuk bëzani. Nuk tha asnjë fjalë. Mbase i ishin mbaruar fjalët. Ose nuk pati kohë t’i formësonte e t’i artikulonte, ngaqë unë përmenda gomarin dhe ika. Ndërkaq, ai shtangu. U mundua t’i japë fytyrës një tis të qeshure, e madje në përpjekje për ta bërë sa më të dukshme këtë, hoqi edhe syzet si për të më dhënë mundësinë të shquaja për herë të fundit brenda atyre syve budallain e kollarisur, si për ironi të të gjithës, me kravatën që ia pata çuar vetë dhuratë.

    Pse duhej ta përmendja gomarin përballë atij njeriu? E për më tepër pse duhej ta krahasoja gomarin me të?… Këtë nuk ia fal vetes.

    Edhe pse jam munduar të shfajësohem, pengu i asaj që i thashë pa u menduar më ka kapluar shpirtin. Pesha e fajit më rëndon si një barrë e lagme. Pse duhej ta fyeja e lëndoja aq shumë gomarin e mirë? Pse duhej ta përmendja në atë zyrë ku shëmtia jo vetëm si nocion estetik shfaqej përballë meje, përkundruall murit ku dominonte piktura e bukur, vepër e një piktori të famshëm, të cilën, në një nga ditët e shumta që kalonim bashkë, ia pata sugjeruar ta vendoste m’u aty, edhe pse e dija që sytë nuk i shquajnë dot asnjë kontur të saj, përveç një morie bojërash që në trurin e tij mbërrijnë si pllanga të pakuptimta?

    Unë i dua shumë kafshët. Janë të mira kafshët. Edhe gomari është i mirë. Padashur e lëndova gomarin atë ditë vjeshte…

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË