More
    KreuLetërsiBibliotekëOrin Maxhari: Edhe unë po prisja Godonë tim…

    Orin Maxhari: Edhe unë po prisja Godonë tim…

    I.

    Jashtë, nëpër korridoret e shkollës kishte nisur sërish ajo zhurma e përditshme e rrëmujës pranë orarit të daljes. I shpërqëndruar nga ora e mësimit, unë gjithashtu fillova të ktheja sytë e mi nga porta e shkollës pa shumë rezistencë. Kjo do të ishte dita e parë në të gjithë vitin, kur mua do të më duhej të kthehesha në shtëpi pa të. E gjitha kjo falë një grindje e cila mund ose mund të mos ketë qenë faji im.

    Në kthesën time të parë djathtas nga dera e klasës, spikata fytyrën mospërfillëse të saj. U përpoqa ti flas, por me sukses të paktë. Në fund,  duke nxjerr prej saj vetëm një “Mirupafshim!” të ftohtë përpara se ta humbisja përsëri. Gjithësesi kjo tani nuk vlente shumë. Unë nuk mund ta ktheja dot më pas kohën e ta rregulloja atë që kishte ndodhur më parë. Prandaj vendosa të largohem sa më shpejt nga shkolla, e të bëja të paimagjinueshmen: të kthehesha herët në shtëpi.

    Kthimi herët nuk ka qenë kurrë as i lehtë, as i rehatshëm, sidomos me autobusat e mesditës së Tiranës. Megjithatë, kjo ditë që në fillim kishte nisur keq dhe s´kisha arsye përse ta ndryshoja rrjedhën e saj kaq vonë. Duhet thënë, se edhe atmosfera brenda autobusit ishte e tmerrshme. Kjo madje vihej re që pa shkelur këmbë brenda tij. Ende e kam të vështirë të shpjegoj si mund të jetë e mundur që rrethimi me njerëz e zhurma të vazhdueshme, ndjell më shumë vetmi te njeriu sesa shoqëria me një person të vetëm (mbase ajo mund të ketë qenë për mua e vetmja shoqëri e dëshiruar në botë). Kisha ftohtë, por balli më shndrinte nga djersa.

    Tashmë kishte vajtur ora dy, dhe me hapin e parë jashtë autobusit, më pushtoi një lodhje e papërshkrueshme.

    II.

    Tanimë nuk kisha durim për asgjë, dhe detyrat e ditës së nesërme po më dukeshin si gjëja më e hidhur e mundshme. Nuk kisha as dëshirën më të vogël për tu kujtuar për to. Me sforcë hapa telefonin, dhe i dërgova asaj një zemër të kuqe. Shpresoj që ajo ta kuptojë këtë shenjë e të më shkruajë mbrapsht. Gjithësesi, deri atëherë më duhet të gjej një mënyrë për të shtyrë kohën.

    ***

    Pa dashur ti largohem të zakonshmes, vendosa të hedh një sy nga raftet e librave. Nuk kam lexuar ende as gjysmën e tyre, kështu që kisha mjaft gjëra për të parë. Gjithmonë librat më janë dukur çështje estetike, jo praktike.

    Për çudi, sot më tërhoqi vëmendjen “Duke pritur Godonë”. E kisha blerë fundjavën e kaluar. Dukuri vërtet e rrallë që unë të lexoja një libër të blerë kaq shpejt. Zakonisht jam mësuar tu dhuroj pak kohë të zënë pluhur përpara se ti prek me dorë.

    III.

    Me të mbaruar aktin e parë, përplasa me forcë lapsin mbi tavolinë. E gjithë pjesa mu duk e kotë. Estragoni dhe Vladimiri a s´thua se janë i njëjti person me ato që thonë. Sa dështak paskan qenë këta njerëz, duke pritur në të njëjtin vend për ditë me rradhë për një person i cili nuk ka për tu shfaqur kurrë. Tani po më duket e kotë edhe të ankohem për të.

    Nga mërzia (të paktën kështu mendoj), hapa sërish telefonin. Nuk shoh asgjë të re. Ende nuk kisha marrë një mesazh prej saj. Me sa dukej, ajo thjesht e kishte parë atë, dhe kishte zgjedhur ta injoronte. Kjo më dhemb. Nuk po mundem ti heq dot më sytë prej mesazheve tona.

    ***

    I shkruajta për herë të dytë. Pas njëfarë kohe pa marrë përgjigje vendosa ta telefonoja. Provova dy herë. Herën e dytë më njoftuan se ajo mund ta ketë fikur telefonin e saj. Tani ne do ishim duke ndarë me njëri- tjetrin ditët dhe detyrat tona. Dalëngadalë fillova të ndjeja më shumë mungesën e saj. Mbase ajo nuk dëshironte të flisja me mua pasi s´kisha bërë asgjë dhe ende nuk i kisha nisur as detyrat e mia. Si rrjedhojë s´do kishim se për çfarë të flisnim.

    Bëra disa herë ti mbledh librat e orarit të nesërm por pa sukses. Nuk po ngrihesha dot. Vendosa të lexoja deri në fund “Duke pritur Godonë.”

    IV.

    Nuk kishte ndryshuar asgjë. Gjatë gjithë kohës mu duk sikur po lexoja edhe një herë aktin e parë. Akoma nuk bëj dot dallimin mes Estragonit dhe Vladimirit. Madje, duke hequr problemet e shikimit që pëson Poco dhe mungesën e monologut të Lukit (për të thënë të vërtetën mu dukën tepër të parëndësishëm për tu marrë parasysh), të dy aktet ishin e njëjta gjë. Me sa duket edhe unë po filloj të përsëris veten time tani. Ç´sëmundje ngjitëse paska qënë!

    ***

    I mbylla të gjitha. S´kisha më durim. Ma kishte tretur të gjithin ai libër i tmerrshëm. Hapa edhe një herë mesazhet tona. Sërish e njëjta gjë. Vendosa edhe një herë të fundit ti bie në telefon. Këtë herë ajo ma mbylli vetë. E gjithë dita, me sa dukej, po më shkonte dëm. Në fund, përfundova edhe unë duke pritur për një person i cili nuk kishte për të më parë kurrë.

    Tani që po e mendoj, mbase “Duke pritur Godonë” mund të ketë pasur një kuptim më të thellë se prisja.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË