Nga Anisa Trifoni
NATSUO KIRINO lindi në vitin 1951 në Kanazawa. Ajo ishte një fëmijë shumë i gjallë dhe që herët shfaqi grimca të talentit të saj si shkrimtare. Kirino u diplomua për drejtësi megjithatë punën si shkrimtare e nisi rreth moshës 30-vjeçare, kur filloi të shkruante romane në zhanrin romantik. Por meqenëse ky zhanër nuk ishte fort i pëlqyer në Japoni, ajo u përqendrua veçanërisht në trillerat psikologjikë, ku pothuajse menjëherë vendosi reputacionin e saj si një ndër shkrimtaret e pakta të këtij zhanri, veprat e të cilave shkojnë përtej romaneve konvencionale të krimit. Fakt ky që pasqyrohet në çmimet e shumta që i janë akorduar, të tillë si: “Çmimi i Madh në Letërsinë e Krimit” për romanin “Përtej”, Çmimi Naoki për “romanin “Soft Cheeks ”, Çmimi Izumi Kyoka për romanin “Grotesque” etj. Veprat e saj janë botuar në njëzet e tetë gjuhë në mbarë botën madje një pjesë e tyre edhe janë ekranizuar. Që nga ajo kohë, Kirino ka shkruar shumë romane si dhe vëllime me tregime, të cilat janë tepër të vlerësuara për portretizimin e personazheve por veçanërisht për këndvështrimin unik mbi shoqërinë japoneze pas kolapsit ekonomik.
Fokusi i saj tek gratë dhe lidhja e tyre me krimin ka frymëzuar dhe motivuar zhanrin e misterit që nga fillimet e 1990-ës. Duke i bërë gratë personazhe kryesore në historitë e krimit, ajo na sjell përvoja dhe këndvështrime të reja mbi zhanrin në fjalë. Romanet e saj vënë theksin në demaskimin e pamëshirshëm dhe të vazhdueshëm të anës së errët të shoqërisë moderne japoneze. Një tjetër synim i Kirinos është edhe zbulimi i aspektit social dhe psikologjik i të huajve që jetojnë në Japoni. Rrëfimi i autores favorizon dykuptimësinë, me ato nuancat e veta lakonike e të errëta, ku e keqja merr hov në atë sfondin gri të një Japonie moderne, e mbërthyer nga stanjacioni ekonomik dhe tjetërsimi shoqëror. Një temë qëndrore që përshkon tejpërtej romanet e saj është vetmia e thellë e përsonazheve, që buron nga vështirësitë ekonomike, mungesa e vlerësimit nga familja dhe nga shoqëria, mungesa e një familje të fortë etj. Po ashtu, ideja e parasë që shkatërron familjen dhe romanticizmin është një tjetër temë e hasur gjerësisht në trillerat e Kirinos. Në mungesë të dashurisë në marrëdhëniet njerëzore, paraja mbetet mjeti i vetëm nëpërmjet të cilit personazhet kërkojnë të përcaktojnë statusin e tyre në marrëdhënie me njëri-tjetrin. Stili i Kirinos vjen i ftohtë, i shkëputur, por gjithsesi i vëmendshëm dhe tejet i drejtpërdrejtë në të njëjtën kohë.
Një nga romanet e saj më të vlerësuara është romani “Përtej”. I konsideruar si një kryevepër e suspansës letrare “Përtej” evokon presionin dhe paragjykimet e shumta që i shtyjnë gratë në ekstrem. Autorja na e servir këtë me një ndjenjë empatie dhe humanizmi duke na lënë të kuptojmë se personazheve nuk mund ti vemë thjesht një etiketë të tipit i mirë apo i keq pasi kanë shumë më tepër nuanca se aq; janë natyra shumë komplekse. Një tjetër element që spikat dukshëm është edhe diskriminimi i ashpër gjinor që përshkon thuajse të gjithë romanin duke u shfaqur ku më pak e ku më shumë në jetët e personazheve kryesore.
Më konkretisht, ky roman trajton jetën e katër grave të zakonshme që punojnë në turnin e natës në një fabrikë të paketimit të ushqimit. Të rënduara nga borxhet e shumta dhe pa dashurinë dhe mbështetjen e bashkëshortëve apo fëmijëve të gjitha thellë-thellë brenda vetes ëndërrojnë të gjejnë një rrugëdalje. Jeta e tyre ndryshon në mënyrë drastike pas një incidenti të dhunshëm. Njëra prej grave, Jajoi, vret bashkëshortin e saj abuziv, kumarxhi e imoral. Dhe duke mos dashur që incidenti të dalë në dritë, ajo kërkon ndihmë nga shoqja e saj Masako për të hequr qafe trupin. Kjo e fundit pranon (e ndihmuar edhe nga dy të tjerat), veçanërisht e shtyrë nga keqardhja për Jajoin, e cila ka edhe dy fëmijë të mitur. Mbulimi i krimit bëhet shkaku kryesor i shkatërrimit të miqësisë dhe jetëve të këtyre katër grave, të cilat tani i frikësohen jo aq policisë se sa vetë Jakuzës që i është vënë pas. E ndërkohë që përballen me kaq shumë vështirësi secila prej tyre zbulon tek vetja një anë të errët që nuk e dinin se ekzistonte. “Përtej” pasqyron një qasje të drejtpërdrejtë e të paepur në kthinat më të errëta të shpirtit njerëzor, duke u kthyer në një paralajmërim shqetësues se dëshira e dëshpëruar për liri mund të shtyjë edhe personin më të zakonshëm të bëjë të paimagjinueshmen.