More
    KreuArte pamoreOltsen Gripshi: Virtuoziteti koloristik në peizazhet e Agron Polovinës

    Oltsen Gripshi: Virtuoziteti koloristik në peizazhet e Agron Polovinës

    “Ka nga ata piktorë të cilët pikturojnë diellin si një njollë të verdhë, por ka disa të tjerë, që falë artit dhe zgjuarsisë së tyre, tjetërsojnë një njollë të verdhë në diell dhe ato blu e jeshile në qiell dhe hapësira të blerta.” P. Picasso. 

    Ngacmuar nga kjo thënie, mbërrij për të lexuar pastozitetin dhe trashësinë e penelatave në peizazhet e Agron Polovinës, i cili shpërbën rregullat “klasike” të të pikturuarit të peizazheve dhe i rindërton ato nëpërmjet një gjuhe sa ekspresive, po aq edhe origjinale-stilizuese.

    Nocioni i estetikës vjen edhe më fuqishëm e kuptimplotë në peizazhet e stilizuara plot dinamikë, ekspresivitet, gjallëri dhe kolorit të ndezur të piktorit beratas Agron Polovina. Në krahasim me stilet dhe frymën e peizazheve të artistëve të tjerë, ky piktor ka energji “kozmike”. Ai nëpërmjet botës së tij interpretuese e shndërron peizazhin në pikturën shqiptare në një gjendje tjetër shpirtërore.

    Peizazhi për të nuk është thjesht një ekzistencë e natyrës, sesa një përmasë kuptimplote nga ku ai gjen vetveten. Peizazhi është hapësira nga ku piktori përthith thelbin e ekzistencës së jetës dhe kënaqësisë të të qenit në mesin e saj. Piktori Polovina në peizazhet që realizon shpërfaq vetveten, të vërtetën e tij në raport me natyrën, duke e interpretuar atë si në aspektin estetik pamor, ashtu dhe në atë stilistik.

    Harta e peizazheve në krijimtarinë e Polovinës shtrihet skajeve të Shqipërisë, nga “Rrugicë në Gjirokastër”, “Amifiteatri” në Durrës, “Radhimë”, “Valbona mitike”, “Vlora”, “Lëpusha”, “Kalaja e Shkodrës”, Pogradeci”, “Butrinti” e shumë qytete të tjera. Por kjo nuk është gjithçka, pasi në këto peizazhe gjejmë të fiksuar acarin e dimrit me borë, flladin e pranverës që fëshfërinë flokët, ngjyrat e arta plot dritë të vjeshtës dhe zhegun përvëlues të verës të cilat janë pjesë e fondit të krijimtarisë së piktorit Polovina dhe dëshmojnë kryekput talentin e pakrahasueshëm të këtij artisti fisnik, i cili mirësinë dhe shpirtin e tij ekspresiv e shfaq edhe në veprat që realizon […]. 

    – Artisti Polovina natyrën e sheh, e vrojton dhe e vëzhgon si “muzën” e tij të përjetshme dhe me të arrin të shpërthej e të jetë vetvetja. Paharruar një aspekt tjetër në analizimin e peizazheve të tij, atë të teknikës së përdorur mbi kanavacë, sepse trashësia e njollave të ngjeshura të ngjyrave, dendësia e penelatave, si dhe stilizimi që ai i bën natyrës na tregon se ky artist është një shpirt antikonformist. Një shpirt, i cili udhëhiqet nga parimet e lirisë interpretuese, duke e modeluar natyrën mbi kanavacë me shumë nerv dhe ndërthurje penelatash të fuqishme, të cilat materializojnë çdo gjë që sheh syri dhe percepton mendja. Peizazhet e piktorit Polovina nxjerrin në pah lirshmërinë e interpretimit, duke kapur emocionin e spektrit të ngjyrave, vlerësuar çastin me lojën e dritëhijeve dhe bukurin e dritës.

    Në këtë ekspozitë vetjake hapur rishtas në Galerinë e Arteve Pamore të Vlorës, Agron Polovina i paraqitet publikut me një larmi të madhe peizazhesh. Vepra që shpërfaqin një pjekuri artistike të shtuar të piktorit, ku ai nuk rendet për të pikturuar me besnikëri të verbër natyrën që ka përballë, por shkon përtej, duke i mbivendosur asaj shpirtëroren, që është thelbi i artit dhe i krijimit artistik. Artisti në këtë ekspozitë na e paraqet natyrën të thjeshtuar, të pastër nga ngarkesa të tepërta elementësh të panevojshëm dhe të ngjyrtë, duke e pikturuar atë njëfrymësh.

    Ka një vetëdije të plotë të artistit për ta zbuluar natyrën në të gjithë madhështinë e saj. Ndjesi kjo, e cila përçohet me mënyrën se si ai i qaset asaj dhe se si ai përhumbet ndërkohë që e pikturon atë. Një marrëdhënie, ku duket qartë simbioza mes të dyve, aq sa herë është natyra që zotëron piktorin e herë është ai që zotëron natyrën mbi kanavacë. “Kisha e Shën Andout në Kepin e Rodonit”, në Durrës është dëshmia e kësaj marrëdhënie të heshtur, por të ndjerë nga artisti. Një vepër plot dritë, me një shtrirje të peizazhit përreth kishës që të bën të perceptosh hapësirën, të ndjesh ajrin e lagësht të bregdetit dhe aromën e barit të gjelbër. Në këtë rast peizazhi nuk është identik me atë që gjejmë në realitet, kjo, sepse piktori kërkon të zotëroj natyrën, duke e pikturuar atë ashtu siç e shikon syri i atij dhe jo se si ajo është në të vërtetë.

    Njëjtë ndodh edhe me peizazhet nga Radhima, të shtrira në perspektivë të thellë në horizont, me plane të ndara mirë dhe me një modelim të vëllimeve falë ngjeshjes fort të ngjyrave mbi kanavacë. Tablo me një kënd të gjerë shikimi, ku ndërthuren bashkë në mënyrë harmonike planet e mëdha me ato të vogla e deri tek ato më të imta. Të gjitha këto janë tregues të njohjes mirë të kompozimit, hapësirës, ngjyrave të vajit, harmonisë dhe plastikës nga artisti Polovina. Kapja e dritës së atij çasti, gjendjes atmosferike dhe lojës së dritëhijeve u vesh këtyre peizazheve një hirësi magjie misterioze. 

    Agron Polovina është një virtuoz i ngjyrës, i një pikture sa ekspresive aq dhe tonale në “portretizimin” e natyrës mbi kanavacë.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË