Ekspozita: “Shpëtim Garuci: Shëmbëllyesi i dritëshkrueseve[1] bardhezi të Marubëve në pikturë”, vjen si një qasje tejet e rëndësishme për artin pamor shqiptar bashkëkohor. Frymëzimin për realizimin e dyzet e tre pikturave me teknikën e vajit mbi kanavacë, piktori shkodran Shpëtim Garuci e ka përftuar duke parë fotografitë e fondit të artë të Dinastisë Marubi, fotografive të Shan Picit, Kolë Idromenos dhe Pjetër Rraboshtës të cilat janë pjesë e koleksionit të Muzeut Kombëtar të Fotografisë “Marubi” në Shkodër, si edhe të Nikolin Babas dhe Grace Medina-s.
Kjo ekspozitë nuk është thjesht dhe vetëm shëmbëllimi i disa fotografive historike, por shumë më shumë se sa kaq, sepse falë tyre, piktori Garuci na fton të bëhemi bashkëudhëtar në udhëtimin e tij imagjinar, ndjesor e shpirtëror për t’i dhënë ngjyra e jetë të shkuarës së përjetësuar mbi celuloid.
Ai nëpërmjet magjisë së pikturës tonale me frymë midis romanticizmit oriental dhe hiperrealizmit mishërues mbi kanavacë, na shpie në një kohë të pajetuar, por që falë këtyre tablove të cilat kanë shëmbëllyer fotografi nga Marubët, Pici, Rraboshta, Idromeno, Baba dhe Medina duket sikur jemi pjesë përbërëse të tyre. Një udhëtim sa ndjesor, aq edhe mbresëlënës, që na udhëheq heshtur nëpër shtigjet e një Shqipërie tjetër, por të “rijetëzuar” përmes pikturës.

Falë cilësisë së lartë artistike dhe interpretimit pamor, kjo ekspozitë ka frymëzuar edhe shkrimin e një monografie të mirëfilltë shkencor, me autor Ph.D. Oltsen Gripshi. Një studim shkencor që analizon kodet stiliste-estetike dhe rrëmon proceset krijuese të artistit, që tejshkojnë: kohë, koncepte, gjendje psikoshpirtërore dhe qasje filozofike. Krijimatria e Shpëtim Garucit hulumton marrëdhënien e kahershme të tij në raport me Marubët, Picin, Rraboshtën, Idromenon, Baban dhe Medina-n. Ekspozita ngrihet në tjetër stad përmbajtësor, pasi ndërthur krijimin artistik të frymëzuar nga dritëshkruesja e Marubëve, Picit, Rraboshtës Idromenos, Babas dhe Medina-s me hulumtimin shkencor, duke përligjur marrëdhënien e ngushtë e të pandashme midis krijimit të artistit, që buron nga nënvetëdija e piktorit Garuci dhe dokumentimit të procesit krijues të tij nga historia dhe kritika e artit, nëpërmjet kësaj monografie shkencore.
Ekspozita “Shpëtim garuci: shëmbëllyesi i dritëshkrueseve bardhezi të marubëve në pikturë”, mbështetet në të dhëna historike dhe thellohet në teza filozofike gjatë procesit krijues për shndërrimin e imazheve bardhezi nga e kaluara në ato me ngjyra vibruese mbi kanavacë në bashkëkohësinë tonë. Proces, që shëmbëllen dritëshkruesetbardhezi të Marubëve, Picit, Rraboshtës, Idromenos, por edhe të atyre me ngjyra të Babas dhe Medina-s në imazhe të “ringjallura” në pikturë, duke i ofruar publikut jo vetëm një fushëpamje të gjerë për rëndësinë e madhe të pionierëve të fotografisë shqiptare, por edhe përjetimet ndjesore të vetë piktorit, që falë këtyre dyzet e tre tablove duket sikur prek “indet” e kujtesës së përbashkët të një kohe të dokumentuar magjishëm në celuloid.
Një ekspozitë dhe monografi shkencore që dritësojnë marrëdhënien antropike midis fotografisë si riprodhim i së vërtetës fizike, ashtu siç është dhe pikturës së Shpëtim Garucit, që dritëshkrueseve bardhezi të Marubëve, Picit, Rrraboshtës, Idromenos e atyre me ngjyra të Babas dhe Medina-s u jep shpirt nga shpirti i tij mbi kanavacë, për t’i bërë ato të pavdekshme në kohë të kohëve.
Garuci nuk ka bërë thjesht riprodhimin e disa prej fotografie më ikonike ikonike të këtyre fotografëve; ai ka ndërtuar një urë mes të shkuarës dhe të tashmes, duke përdorur pikturën për të kthyer një imazh të ngrirë në kohë në një kujtim të gjallë e poetik në pikturë mbi sipërfaqen e bardhë të kanavacës. Ndërsa fotografët janë kronikanët e heshtur të realitetit, Garuci është tregimtari që i jep shpirt figurës.
Ndaj tablot e realizuar nga Shpëtim Garuci janë kujtesë e rikrijuar, që nuk ka më funksion dokumentues, por rikrijues. Piktori shton elementë poetikë, si peizazhe reale nga Shkodra, duke i dhënë imazhve një të vërtetë reale, të prekshme dhe emocionale. Në vend të studios me sfonde falso, kemi natyrën — çka nënkupton një lidhje të re me rrënjët dhe tokën, një idealizim i jetës tradicionale që në realitet mund të ketë qenë më e ashpër në kohën kur Pjetër Marubi shkrepi fotografitë e para. Me shndërrimin e fotografive bardhezi në pikturë nga Garuci, e shkuara nuk shihet më si e “burgosur në kujtesë”, por si një burim frymëzimi që mund të përqafohet dhe ripërjetohet në mënyrë estetike.
Në këtë dialog pamor mes Marubëve, Picit, Rraboshtës, Babas, Medina-s dhe piktorit Garuci, nuk kemi vetëm një ndryshim mediumi (fotografi kundrjetë pikturës), por një ndryshim mënyre të të parëit:
Marubi arkivon realitetin;
Garuci interpreton kujtesën.
Kjo është një bisedë mes së shkuarës dhe së tashmes — mes dokumentit historik dhe pikturës si përfaqësim i brendisë psikoshpirtërore dhe interpretimit semiotic nga ana e artistit Shpëtim Garuci.
[1] Dritëshkruese – fotografi.