More
    KreuLetërsiShënime mbi libraOana Glasu: Kujtesa, masa e dashurisë për të afërmin

    Oana Glasu: Kujtesa, masa e dashurisë për të afërmin

    Mbi romanin “Mos harro të më kujtosh” të Liridon Mulajt

    Isha bërë admiruese e Liridonit duke lexuar poezitë e tij, pastaj pjesë nga shkrimet e tij të ndryshme, të botuara në revista letrare, kurse tani, ai arriti të më pushtojë tërësisht me romanin e tij të fundit „Mos harro të më kujtosh”, si nga shkrimi: i rrjedhshëm, elegant, i mbushur me melankoli kumbuese, ashtu dhe nga tematika. Megjithëse mund të krijojë përshtypjen e një ditari që në rreshtat e parë, duke pasur parasysh përdorimin e vetës së parë, por sidomos përshkrimin e vetë qenies së tij, në fakt kemi të bëjmë me një roman. Autori i ri ndërton një histori shqetësuese, emocionuese dhe aktuale për vetminë e njeriut, një i burgosur në vetveten e tij, peng në trupin e tij dhe thellësitë e dashurisë. Një epikë që me shikimin e parë mund të duket e thjeshtë: Tadori, personazhi kryesor, personazhi narrator i bllokuar brenda vëzhgon atë që po ndodh jashtë, kujton të kaluarën, kërkon të shkëpusë kuptimet e asaj që ka ndodhur, por veçanërisht për të rirregulluar këto fakte në mënyrë që të gjejë një kuptim, duke qenë i dënuar në një kombinim i gjendjeve, të cilat Liridoni i riprodhon, i rrëfen shkëlqyeshëm, të fuqisë absolute dhe të pamundësisë absolute. Sigurisht, një ndërtim plot monolog dhe retorikë të brendshme, e cila në fund më dha përshtypjen e letrës më të bukur të hapur, gati testamentale, që Tadori – personazhi apo në realitet, autori – mund ta lërë. Gjërat natyrore, të cilat ndodhin në jetën e përditshme të gjithsecilit dhe mbi të cilat autori përqendrohet në nivelin e rrëfimit dhe jo të mësimeve të zhvillimit personal, duken si grimca të shkëputura nga e tëra dhe që bien si thërrime nga festa e një dite të pasur. Të cilën shumë prej nesh e jetojmë të shkujdesur, plot ngjarje që nuk u kemi kushtuar vëmendje në kohën e duhur. Më vonë, gjërat për të cilat nuk na intereson hakmerren, duke u kthyer nga ne me një efekt delikat bumerang, duke dashur të na tregojnë se kemi gabuar, se kemi gënjyer veten kur kemi zgjedhur të jemi sipërfaqësorë ose të përkëdhelur nga jeta. Nga një shportë me fruta të ndryshme, ne zgjedhim atë që na pëlqen, megjithëse disa prej tyre, duke qenë më të këqija, më të dobëta rrezikojnë të prishen. Pra, ne zgjedhim të tashmen. Por prishja e jetës del përmes kujtesës dhe na tregon se ajo që dikur e quanim lëvozhgë ishte në të vërtetë thelbi. Një lojë e vjetër midis dukjes dhe esencës, midis parëndësisë dhe domethënies. Për Tadorin, gëzimi dhe vuajtja janë argumente për kujtesën dhe prandaj i lejon asaj memories për ta sulmuar, kjo duke qenë dhe spiranca e vetme që e lidh atë në bregun e jetës. Ky lajtmotiv i nevojës për të mbajtur mend fiton, përmes aftësisë së ndërtimit ose përshkrimit në lidhje me imazhet ose personazhet e paktë të romanit, rolin e një subjekti, i një personazhi ne vetvete, i cili nga ana tjetër krijon imazhe unike, të papërsëritshme dhe të pathyeshme.

    Specialiteti i Liridonit është ekzistenca e brishtë nga e cila ai arrin të ndërtojë fytyra të jashtëzakonshme. Jam absolutisht e bindur se përtej artit të trajtimit të elementeve të krijimit të trillimeve në roman, me qëllim largimin nga imazhet tepër personale që lënë një përshtypje autobiografike librit, ka shumë përvojë personale, të paktën në kushtet e përshkrimeve të hapësirave, ngjyrave, ndjenjave, ose si rrëfyes ose si vëzhgues. Gjurmët e këmbëve që i shkel në një moment sepse jeta të çon në hapësira të caktuara të përbashkëta si sprova, suksese ose dështime, janë aq të prekshme për autorin sa më jep përshtypjen se ky lloj libri i esencave të jetës mund të përfshihet në radhë të librave që na lexojnë neve, na lexojnë biografinë tonë, dhe jo ne ata. Prandaj kunji i këtij romani është më i thellë. Rrobat e hedhura andej-këndej në një fushë të gjerë kanë akoma ngjyrë, mbase edhe erë, për sa kohë që autori përpiqet me imagjinatë të rindërtojë disa prej fytyrave të brishta për të cilat po flisnim dhe që, natyrisht, dikush do të duhet t’i kujtojë edhe këto.

    Veçanërisht më bëri përshtypje ndërhyrja e vetës së dytë në rrjedhën e monologut dhe rindërtimin e portretit të të dashurës, nënës së mundshme të ardhshme të një djali të palindur, nga kapitulli i pestë. Është, në fakt, deklarata më e bukur e dashurisë, e pathënë drejtpërdrejt dhe me kohë, por që më magjepsi nga thjeshtësia e paraqitjes së portretit femëror. Karakter i përbërë nga hezitime, heshtje dhe gjeste, heqje dorë ose mjegulla të shpirtit, pa qëndrueshmëri psikologjike dhe për këtë arsye është dhe tërheqëse. Në vetvete, kapitulli i pestë na ofron një meditim për dashurinë, por veçanërisht për lirinë. Në kuptimin e të mos varurit, të mos qenit i shtrënguar, të qenit në gjendje të zgjedhësh. Të paktën, në nivelin e kalimit të vijës imagjinare të konceptit.

    Një roman i shkurtër, por i koncentruar, në kuptimin konciz, të cilit nuk i mungojnë temat kryesore të shoqërisë së sotme, të cilën Liridoni nuk e paraqet aspak në një letërsi eksperimentale, por si një projekt shumë më ambicioz. Gjerësisht, autori ndjek gjatë gjithë rrëfimit se si fantazitë vetëshkatërruese shndërrohen në forca krijuese të tekstit rrëfyes. I cili, në fund të fundit, si vdekja, ky tekst mbetet i heshtur. Origjinaliteti e veçon Liridonin nga shumë shkrimtarë të moshës së tij dhe, guxoj ta them, e diferencon nga ata edhe më me përvojë, të themi. Befasia e parë që ka lexuesi i këtij rrëfimi është pikërisht mungesa e tij e paramenduar si spektakël, si zhurmë. Narracion i thjeshtë, pa fishekzjarrë, shumë pak detaje intime (erotike), gjë që na tregon që nga fillimi se shënjestra e mesazhit është diku tjetër. Personazhi kryesor i këtij rrëfimi tërhiqet nga përvojat, ai i kërkon ato, hidhet në to për të parë kufijtë e imagjinatës. Vetë jeta e tij është përvoja themelore e rizbulimit të njeriut ose, ndoshta një ditë, e rigjenerimit të tij (Donald). Titujt e kapitujve janë, jo rastësisht, etapa në rrugën e jetës, piketa të një rruge hyrëse, fatkeqësisht e ndërprerë papritmas nga ajo që shoqëria përmes të metave ose indiferencës krijon në nivel të brendshëm tek individi, duke e rrëzuar atë, dhe këtu gjeta një indeksi stilistik i matur. Me një fjalë, në fillim të çdo kapitulli, kur diçka e re do të shfaqet, megjithëse foljet përdoren në kohën e shkuar, kujtesa shndërron çdo ndjenjë në të tashmen. Që më vonë të ndërhyjnë: një dashuri, një takim me fat, një bamirësi, një ribashkim, një propozim për një punë. Duket sikur këto intervale, përmes tensionit të papritur që përfshijnë, azhornohen gjithmonë në historinë rrëfyese. Një aspekt shumë i rëndësishëm dhe i ndërtuar mirë i romanit është mungesa e ajrit justifikues (vetëjustifikues). Autori i jep personazhit mundësinë për të marr përsipër suksese ose dështime, njësoj domethënëse, si mundësi për reflektim për ne, lexuesit.

    Fjalët kryesore, fjalët çelës të librit janë: harresa dhe kujtesa (në pasqyrë apo antagonizëm, antitezë), por mendoj se tema kryesore është faji. Faji i Tadorit për të qenit i ndryshëm, për besimin ose ndjekjen e ëndrrave të tij, për dashurinë, për dëshirën për t’u bërë baba, për leximin, për ndihmën, për shpëtimin apo mbështetjen, natyrisht në polin e kundërt, fajin për heqjen dorë, për të rënë në pasione, pastaj të vdesë në fund, i vrarë, por jo nga sëmundja, e cila, sado që do ta kishte gjunjëzuar ose përkulur shpinën, arrin të qëndrojë me ndërgjegjen e tij të drejtë deri në fund. Ky është një faj individual, por theksohet shumë mirë, megjithëse me shumë delikatesë, faji kolektiv. Ai i sistemit. Mesazhi testamentar, më pëlqen ta quaj, i autorit ka të bëjë me zgjimin e ndërgjegjes tonë dhe të atyre që na rrethojnë, me rritjen e vëmendjes ndaj problemeve të dikujt përreth nesh, me dozimin e ndjenjës së dashurisë për të afërmin, me zëvendësimin e ndjenjës së fajësimit me atë të altruizmit. Sigurisht, këto ndryshime të brendshme të njeriut duhet të përfitojnë nga mbështetja edukative që shoqëria, pjesë e së cilës jemi, mund ta ofrojë.

    Libri është gjithashtu një mbrojtje, një mbështetje për depresionin, e konsideruar si sëmundja e shekullit, por që nuk ka të bëjë me sëmundjen si një patologji dhe trajtimet e saj mjekësore, por për gjendjen që mund të kalojë çdokush, por nga e cila mund të shpëtohet në kohë. Ata që lexojnë librin nuk do të harrojnë që tani e tutje të jenë të kujdesshëm rreth tyre. Ose, nëse hasin raste, ata do të kujtojnë se lexuan diku për këtë thirrje për njerëzimin, për të treguar dashuri të afërmit të tyre në situata të tilla, dashuri që shpëton para se të arrihet në degradim të gjendjes dhe për të cilën shpesh ndërhyn: „qe shumë vonë ”. Në të njëjtën kohë, romani është një thirrje për jetën, e cila nuk është gjithmonë ajo që duam, e cila është e destinuar, e shkruar për ne që nga lindja ose shumë para se të lindesh, e cila ka ulje dhe ngritje, e cila të pengon të gëzosh dashurinë prindërore, të gëzosh qetësi, mirëqenie,  mure të pastra dhe të thata, apo shëndet, por që ia vlen të jetosh, sepse në të gjitha këto relativitete, në fakt, mëson se siguria e saj e vetme është Vdekja! Dhe ajo mbetet e pandryshueshme! Asgjë nuk mungon, siç mund ta shihni, nga romani.

    Duhet theksuar gjithashtu se romani imponon kadencën e tij. Duhet të futemi në ritmin specifik të kësaj frymëmarrje të ngadaltë të gjërave për të kuptuar. Kemi të bëjmë me një  slow novel, nga ky këndvështrim, i cili përpiqet të edukojë shqisat tona, por edhe të gjejë një rrugëdalje nga agjitacioni pa horizont për të lexuar ngadaltë kuptimet e njerëzimit, gjërave, shpirtrave. Një ushtrim që e mëson lexuesin të akordojë zemrën dhe mendimet e tij. Harresa intensifikon esencat, aromat e fshehura të gjërave. Por kjo botë e zhytur në harresë është e shpëtuar sepse mund të tregohet, të rrëfehet. Këtë botë e shpëton bukuria.

    Nëse kujdeseni për shokun tuaj, mos harroni ta kujtoni atë! Nëse vlerësoni njerëzit, pavarësisht nga shkalla e rezervave të fshehura në lidhje me vlerën e tyre, përpiquni t’i ndihmoni ata të kthjellojnë mendjen e tyre, edhe nëse nuk tregojnë entuziazëm, edhe nëse ndonjëherë ata do të rezistonin përmes përtacisë, vetë-braktisjes, vetëvlerësimit të ulët, injoranca ose mosbesimi i tyre. Pasi të jenë të qartë në mendjen e tyre ( të trazuar nga pakënaqësia, alkooli ose depresioni) ata do të jenë në gjendje të vlerësojnë përkushtimin, kujdesin, vëmendjen tuaj. Gjëra të thjeshta që duhet të ndodhin në çdo shoqëri, madje edhe në ato që bien në duart e mendjeve fatale. Fatkeqësisht, ka shoqëri që kanë nevojë për terapeutë socialë dhe për më shumë kohë shërimi, por edhe kështu, në nivelin e secilës prej tyre ekziston një kategori e çuditshme e njerëzve që mund të sjellin ndryshime. Të ndryshojnë mendime, paradigma, dogma. Këta njerëz janë ndoshta më të urryerit, ata adhurojnë një Zot të vetëm me shumë fytyra, dhe ai quhet Ide. Ata gjithmonë duket se vijnë nga një kohë tjetër ose paralajmërojnë kohë të tjera dhe nëse janë të rinj, madje ngjallin dhe pak zili. Ato janë speciet më të brishta të shoqërive, ende në tranzicion dhe quhen Intelektualë. E them këtë në përgjithësi, por njëri prej këtyre intelektualëve modernë është Liridoni, për të cilin kënaqësia e të menduarit, e të ndjerit të funksionimit të mendjes është një dehje e lehtë, pa pasoja fiziologjike. Dhe kush e jeton këtë dehje superiore nuk mund të ndahet më prej saj.

    Më në fund, duke lexuar Liridonin, doja të dija jo vetëm kush ishte ai, por të zbuloja, duke e shikuar, kush isha unë.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË