Lirika e Robert Hajden (1930-1980) reflekton jetën e Afrikano Amerikaneve si eksperiencë njerëzore, pa etnocentrizëm. Mjeshtër i madh i teknikave formale, Hayden shquhet veçanrisht për poezinë me shumë zëra duke berë kombinuar historiken me personalen. Në vitin 1976 u përzgjodh Poet Laureat i SHBA-së.
Përktheu nga anglishtja Gëzim Basha
Ato të Diela Dimri
Edhe të dielave im atë ngrihej herët,
Vishej në terrin blu, në të ftohtë,
Pastaj me duart e çara që i dhimbnin
Nga puna e përditshme dhe moti ai ndizte
Zjarrin brambullues. Kërkush nuk ja diti.
I zgjuar mbaja vesh si thërmohej ftoma, se si thyhej…
Kur dhomat ngroheshin, ai më bënte zë,
At’herë unë ngrihesha ngadalë, vishja rrobat
Tërë frikë nga inatet kronike të shtëpisë.
I flisja fare ftohtë atij që jo vetëm
kish përzënë të ftohtit
Por edhe kish lustruar këpucët e mia tê mira
Çfarë dija unë, çfarë dija unë?
Nga zyrat pa dekor e plot vetmi të dashurisë.
O Dedalus, Fluturo Drejt Shtëpisë
Përhapin aromë pishat e Xhorxhias,
Trumpeta lëkure, banxho jubilesh,
Matildë e bukur kërce me mua.
Nata është xhuba, nata është Kongo,
Matildë e bukur, kërce me mua.
Nata, një shaman Afrikan,
Mpleks një dëshirë me një ankth,
Të endë dy flatra.
Oh fluturo për shtëpi, fluturo.
A e kujton Afrikën?
Oh çaje ajrin dhe fluturo!
Unë ja njoh gjithë yjet Afrikës.
Hap flatrat e mia dhe çaj në erë.
Im gjysh fluturoi për në Afrike
Thjesht hapi krahet dhe iku drejt shtëpisë.
Nata po bie mbi pishat në erë,
Nata, një e qeshur, nata, një dëshirë.
Zambakët e Ujit nga Moneti
Teksa lajmet e fundit nga Selma dhe Saigoni
Helmojnë sot ajrin si pluhur radioaktiv,
Unë vij sërish ta shoh
Kryeveprën serene, tablonë që dua.
Këtu hapsira dhe koha egzistojnë si dritë
Syri, si syri i të devotshmit, beson.
E ndeshura më parë, e njohura
Ndron ngjyrë nga kënd’ i vështrimit, bëhet
Ind iluziv i dritës
që nuk ishte, ishte, përherë do të jetë.
O dritë që vjen si e përthyer lotëve
Ti na fal breroren e një bote
që kushdo e ka humbur së paku njëherë
Hijen e haresë së saj sjell këtu.
Frederik Dagllas
Kur bëhet më në fund e jona, kjo liri, ky çlirim, kjo bukuri
e llahtarshme, jetike për njeriun si ajri,
e dobishme si toka; kur ju përket, më në fund, të gjithëve,
kur është vërtet instikt; punë për mendjen, venë dhe aortë,
akt refleksiv; kur më në fund fitohet; kur eshte më shumë
se sa lustër fjalimesh nga politikanë fanfarash; ky burrë,
ky Dagllas, ky ish-skllav, ky Negro
i rrahur në gjunjë, i përzënë, me vizionin e një bote
ku askush nuk ndihet i vetmuar, i huaj, askush nuk përndiqet,
ky burrë, superb në dashuri dhe logjikë, ky burrë
do të mbahet mend gjatë. Oh, jo me retorikë lapidarësh,
as me legjenda, poema dhe kurora mbi bronx,
por me jetët e shpërthyera prej jetës së tij, jetëve që leshojnë
reflekset e ëndrës për atë gjënë e mrekullueshme, jetike.
Rabini
Ende fëmijë e shihja përherë
Rabinin e lagjes, të zbehtë e serioz,
Me rrobat fetare të lutjeve
Nxitonte për Sinagogë.
S’e di në pahitej me hi dhe a qante
E hidhte mbi supe vallë shallin e dhirtë?
Ai kurë nuk më la as të shihja
Mbajtësen e artë ku digjte qirinjtë.
Mezuza, Peisak, Hanuka
Mësova ti them me timbër
Shumë gjëra i kapa me sy,
Mësova të them dhe Schuarce.
Lumi i alkolit të blerë me kredi
Nga Schwarcet tek Xhu Bejbi,
Gajaste ironikët që thoshnin,
Ky shitës do t’ja kalojë dhe Rotshildit,
Nga kjo zdërhallje të Shtunash.
Ndërkohe Hirshell, Molli dhe unë
Ndanim hallvën dhe farat, luanim
Kukamfshehtas dhe Fu Mançu. .
Tani Sinagoga s’ është më
Në kishën, Kalvari i Ri, u kthye
Rabini iku, mi mori dhe shokët
Në bohçen e bërë me shallin e lutjeve.
Soledad
(Dhe unë, unë nuk jam më i asaj bote)
I zhveshur ai shtrihet në dhomën grillambyllur
Pi cigare, përkunded nga droga, nga xhazi
Siç s’e përkundi kurrë ndonjë kurm dashurie.
Mail Deivis këndon vetëm për të
Bluzin flamingo, O Peña negra
Myshk i kuq, i shndritshëm zëri i Zonjës Ditë.
(Zonja e manjolave puro të zeza)
Vajton zinë e humbjes, i lë lamtumirën
Qan pa lot dhimbjen, gardianët e pabesë
E lanë të lirë por veç për pak kohë.
Frikrat dhe vetja e tij e paarrirë
E presin pa ngut në rrugë ngado.
U fsheh nga ana e errët e hënës
Mërgoi në qelinë me xham të lyer,
Në atdhe kristalesh pa sahate, fluturoi.
Hija e Zonjës Ditë ja di vendndodhjen. Vetëm
Ajo, dhe vetëm muzika. Ai po kërcen
Ah si kërcen! Matanë tani krejt i pavdekshëm.