More
    KreuIntervistaNurie Emrullai dhe Andreas Dushi: Letërsia është ajo që i heq të...

    Nurie Emrullai dhe Andreas Dushi: Letërsia është ajo që i heq të gjithë kufijtë

    A. D.: Nurie, së pari shumë urime për çmimin. Një vlerësim për ty, po aq sa është vlerësim edhe për brezin e ri të poetëve shqiptarë, mes të cilëve, për mendimin tim, vargu yt meriton një vend të veçantë. Me ç’emocion e përcolle atë moment?

    N. E.: Faleminderit për urimin Andreas! Është fat për mua që e ndajmë të njëjtën kohë krijuese dhe po e zhvillojmë këtë bashkëbisedim. Si studiues dhe krijues i ri që je, më gëzon fakti që je kaq i përkushtuar ndaj letërsisë dhe je njohës i mirë i saj. Sa i përket kritikës letrare dhe çmimeve në letërsi, them se janë mjaft me rëndësi, si për autorin, gjithashtu dhe për lexuesin. Përmes kritikës letrare vëmendja e një pjese të mirë të lexuesve orientohet drejt veprës e cila tërheq vëmendje dhe vlerësohet. Përndryshe, përveç entuziazmit që vjen si ndjenjë e parë kur të përcillet një lajm i mirë, midis gëzimeve dhe urimeve të shumta që kam marrë, shtohet dhe përgjegjësia ndaj asaj që krijon, ndonëse kjo kthjelltësi duhet të jetë gjithmonë shoqëruesja e parë e krijuesit.

    Po ti, duke e parë nga një sy si të thuash i jashtëm, si i sheh çmimet letrare në përgjithësi?

    A. D.: Vërej të jenë intensifikuar ndjeshëm! Vepra, kur e merr një çmim, sikur fiton mbi kokë një aureolë të cilën, veç kohët e fundit ndjej ta meritojë vërtetë. Kjo është edhe arsyeja pse ajo ndriçon më shumë, pasi vjen si rezultat i një vlerësimi serioz bazuar veç mbi parime estetike të qarta, që sigurisht, duhet thënë se e ruajnë në vete një dozë subjektiviteti, por në tërësinë e tyre i përgjigjen koncepteve themelore të shijes. E për më tepër, kur pasaporta me të cilën bëhesh pjesë e konkurseve apo e vendos emrin në kontekst diskutimi mbi një çmim është vetëm gjuha e jo nënshtetësia, ndihesh më mirë, si kur e sheh nga jashtë, sikurse thua ti, por besoj edhe kur je laureat.

    Ndërkohë, muaji i shkuar besoj do të mbetet në kujtesën tënde për shumë kohë, kjo pasi ishe në Tiranë ku, edhe me mua si me shumë miq e kolegë të tjerë të librave, u takove, ballëpërballë, për të parën herë. Është një ndjenjë krejt e veçantë ajo që përjeton kur dikujt i njeh veç poezinë: të duket sikur vendos një lidhje direkte me shpirtin. Prandaj, të të takoja, të të takonim, qe përplotësimi i një gëzimi që së pari na u lind prej vargjeve tuaja. Nuk e di, po për ty? Si ishin ato dy ditë? Të gëzoi, besoj dashamirësia e treguar nga shqiptarët e kësaj ane të kufirit?

    N. E.: Fundjava në Tiranë, ishte takim shumë i pritur. Ardhja ime atje ishte një lloj befasie e një mikëpritje shumë e veçantë dhe në të njëjtën kohë shumë e zakonshme, siç presim në shtëpi një mik të mirë… Shtëpia Botuese është shtëpia e dytë e shkrimtarit, këtë gjë ma ka thënë z.Hudhri dhe që është një nga shprehjet më të bukura që do çdo shkrimtar do të kishte dëshirë ta dëgjonte. Që siç the dhe ti Andreas, pjesa më e madhe e njohjes ishte bërë përmes shkëmbimit të ideve mbi shkrimet tona letrare, prandaj kjo ishte ajo çka e bëri këtë takim më të mirëpritur. Pastaj mbrëmja letrare që u organizua te libraria “Onufri” qe gjithashtu një event mjaft i rëndësishëm për mua, sepse për herë të parë isha midis njerëzish që unë i njihja vetëm përmes veprave të tyre. Nuk mund të mos e lë pa përmendur dhe takimin që pata me shkrimtarin Ismail Kadare. Një ditë e shënuar dhe një përmbledhje e bukur e gjithë këtij takimi.

    Dashamirësia dhe vlerësimi që më bëhen nga njerëzit e mi, unë i çmoj jashtëzakonisht shumë. Por, nuk do të doja të përdornim fjalën kufi. Në fakt nuk e di cilën fjalë mund të përdorim këtu, por nuk më pëlqen kjo fjalë, sepse është si të theksojmë një lloj ndarjeje. Dashuria që ushqejmë për gjuhën dhe për Shqipërinë, na ka bërë ta shohim si një vend që s’ka kufinj. Mbase këto fjalë tingëllojnë si fjalët e një njeriu shumë ëndërrimtar, por besoj tek ato ëndrra, thelbi i të cilave është i krijuar prej realiteti; Sidomos te letërsia; Letërsia është ajo që i heq të gjithë kufijtë dhe na mban të lidhur kaq sigurt në nyjet që kemi krjuar nëpër gjithë këta shekuj. Që fati jonë ka qenë kështu, tani historia nuk zhbëhet më, por mendoj se arti është një prej elementeve më me rëndësi që na mban lidhur kaq fort. Andaj i gëzohem shumë gjithë kësaj.

    Po ti si i ke imagjinuar njerëzit nga kjo anë e kufirit? Cila ka qenë lidhja e parë, apo ndjesia e parë kur je njoftuar me letërsinë e kësaj ane?

    A. D.: Letërsia shqipe zë fill në mallin e shqiptarëve për Shqipërinë. Sikur edhe vetëm shkrimtarët arbëreshë do të mjaftonin si argument në mbështetje të kësaj teze. Dhe besoj se shpeshherë, shqiptarët matanë kufrit, dikur në Itali e sot në Kosovë a Maqedoni, janë pararendës të një fryme a poetike që më vonë arrin këtej. Në Shkodër, nga lloji i erës, e ftohtë apo e ngrohtë, e lagësht apo e thatë e kupton se prej ku po vjen ajo. Edhe në rastin tonë, ndonëse është analogji e dobët, era që fryn nga ajo anë e kufirit, sikur e qartëson dhe pasuron ambientin kulturor e letrar shqiptar dhe i ofron risitë e andejme që sjell me vete këndej. Ndoshta këtu mund të zërë vend një tjetër pyetje (shumë më e thjeshtë të pyesësh se të përgjigjesh!). A e kujton si dhe kur të lindi nevoja për të shkruar poezi?

    N.E.: Po e kujtoj një rast që ka lënë gjurmë në jetën time dhe po dua ta tregoj. Është ndodhi e jetuar para 13- të viteve. Sapo kisha nisur gjimnazin, secili prej nesh vinte nga fshatra të largët e shikohej me dyshim. Jeta në provincë është e rëndë për atë që ushqehet ndryshe. Kur mua më pyetën dhe salla ishte e mbushur me moshatarë të mi se: “Çfarë duam të bëhemi në të ardhmen?” Shumica prej tyre mbase nuk e kishin menduar deri në atë çast se çfarë duan të bëhen, disa prej tyre nuk kishin idenë e qartë, të tjerët nuk flisnin, mbase kishin turp për ëndrrat e tyre (sepse atë ide na kishin mbjellë në kokë, apo dhe mosha bënte punën e saj), ndërsa kur erdhi radha tek unë, një vajzë me një buzëqeshje të ndrojtur dhe me një fytyrë të skuqur nga vështrimet e të tjerëve, thashë që: “Ëndrra ime është të bëhem poete.” Atëherë kishte disa vite që shkruaja, apo merrja fjalë nga poezitë që lexoja dhe i krijoja sipas mendjes sime, por nuk guxonte t’i lexonte askush. Madje, askush nuk guxonte të dinte se unë shkruaja, letrat e mia ndodheshin gjithnjë midis librash, fletoresh, apo brenda një ditari të vogël që hapej me çelës dhe çelësin e mbaja gjithnjë me vete. Gazetari ishte prej një organizate të huaj, me sa e mbaj mend, ai më pyeti për herë të dytë se u bë sikur nuk e kuptoi se çfarë doja të thoja… Unë përsëri iu përgjigja se dua të bëhem poete. Shumica prej fytyrave që sot as nuk i kujtoj qartë, por dëgjoj akoma të qeshurën e tyre tallëse, “se çfarë i ka shkrepur në mendje kësaj vajze, e cila mezi i nxjerrë dy fjalë nga goja.” Tani dhe për punën e poetes, unë nuk deklarohem asnjëherë që jam poete, sepse mbase nuk ka definim të saktë a mbase nuk jam. Jam një njeri që më shijon poezia dhe më shijon të lexoj e të shoh botën e ta shpreh përmes fjalës… Nga ai çast që ata shokë e ato shoqe qeshën me mua, më bënë që të mendoj se mbase unë duhet të jem si të gjithë, që unë duhet ta ndrydh zërin tim që ishte aq i gjallë brenda meje duke më folur për fluturat, shiun, gjethet, tokën dhe dashurinë (kujtoni adoleshencën)… Ka pasur raste që dhe më vonë kam pasur tallje e krahasime me njerëz që i tallnin. Por mua nuk më krijonin përshtypje sepse isha mësuar që Poeti këtu do të shikohej si një njeri, që njerëzit fitojnë të drejtën të luajnë mbi ndjeshmërinë e tij. Por unë e dija që do të vinte koha kur ata tinëzisht do të hynin nëpër vargjet e mia për të gjetur pakëz prehje shpirti. Vazhdoi kjo gjë, derisa një ditë, duke u munduar aq shumë të jem si ata që rrethohesha, papritmas bota ime u përmbys dhe unë isha vetëm midis të gjithëve. U humba në jetë. Koha kalonte dhe zërin tim e kisha shtypur aq shumë sa mendoja që unë s’kam qenë ajo vajza që i ka thënë ato fjalë, se ka ëndërruar ndonjëherë. Sado e vështirë, unë gjeta kthimin në vete sepse ajo ishte, unë kisha qenë në kërkim të vetes dhe atë çast kuptova se: Unë dëgjoja, shikoja, dhe dashuroja, vuaja më fort nga të gjithë (ashtu mendon secili nga ne), por unë gjithashtu kuptova se e kisha zërin për ta thënë, unë mund ta thoja atë që ndieja. Dhe një ditë e thashë. Një ditë fola dhe shpirti im gjeti qetësinë, gjeti heshtjen që e kishte humbur prej ditës kur unë provova të jem si të tjerët. Dhe e di çfarë ndodhi? Kam parë njerëz, para syve të mi që kanë qeshur e kanë qarë. Kanë qarë duke lexuar poezitë e mia, kanë qarë para meje duke kujtuar nënën, motrën, babain, të dashurin apo në fund janë kujtuar për veten. Dhe unë s’kisha ç’të bëja përballë tyre përveç se t’u thoja që: “ti nuk je vetëm!” Unë të kuptoj, unë dëgjoj zemrën tënde, unë mund të dëgjoj shpirtin tënd, unë të dua dhe dua të të shpëtoj sepse në këtë rrugë jemi bashkë sepse unë jam poete apo çfarëdo që ta ketë emrin, por mbi të gjitha unë jam njësoj si ty. Sepse unë isha në kërkim të vetes dhe unë e gjeta atë.

    Po ti, a i kujton fillimet tuaja në letërsi?

    Nurie Emrullai

    A. D.: Lidhet me një çast jo aq të qartë në rininë time të hershme, fazën e parë të adoleshencës e po të duash, e quaj edhe dashurinë e parë, kur akoma nuk e dija as ç’ishte dashuria, as ç’ishte “e para”. Ngase ditët, para asaj thyerje të beftë ishin të njëjta, më frikësonte idea se pas thyerjes do të riktheheshin po ashtu, mediokre e boshe. Prandaj nuk doja t’i harroja këto ditë e vendosa t’i shkruaj, jo në trajtë ditari por si skica, pa pretendimin as për t’i quajtur letrare.

    Më vonë, kur thyerja u ngjit dhe ditët vërtetë iu rikthyen zymtësisë së tyre, i lexova dhe më pëlqyen. Ndaj, i shkrova ndonjë reviste që nuk m’i pranoi. Konkurova për t’i bërë pjesë në antologji dhe prap nuk u pranuan. Për më tepër, njërën prej tyre e ktheva në esse në vit të dytë, gjimnaz dhe mësuesja deklaroi para klasës se Andreasi nuk ka stil!, ndaj më vuri tetë.

    S’u zhgënjeva! Një vetëbesim idiot që do ta kërkoja vazhdimisht më pas më bëri të besoj se sikurse ajo e kishte gabim, edhe botuesit e kishin gabim. Pas tyre, sigurisht edhe pedagogët e letërsisë që më thonin mëso – e çfarë të mësoja, dallkaudllëqet e tyre! – dhe lëre letërsinë për më vonë se nuk hahet bukë me libra, kur një pjesë tyrja hanin bukë duke na shitur dallkaudllëqet si dispenca mësimore. Dhe shkrova e shkrova pa ndalur, i bindur se dikur do t’i botoja, por asnjëherë s’e kisha imagjinuar se 21 vjeç do të kisha një botues serioz, të vërtetë dhe unë, krejt i bjerrun, s’do të kisha diçka për të botuar!

    Nejse, e thashë, më mirë të pyes se të përgjigjem, pasi vërej një sinqeritet për të cilin më vonë do të pendohem. Prandaj, më lejo të të bëj një tjetër pyetje.

    Të jetosh në një vend me dy gjuhë zyrtare dhe t’i mësosh e flasësh të dyja njëkohësisht, qysh në fëmijëri, ka ndikuar ndopak në poezinë tënde?

    N. E.: Të jetuarit në një vend me dy gjuhë zyrtare (edhe pse gjuha shqipe shumë vonë llogaritet si e tillë) ka ndikuar në formësimin tonë si individë dhe si shoqëri në këtë anë të Maqedonisë, por e di në cilin aspekt? Na ka bërë më të ndjeshëm në raportin e gjuhës që e flasim në shtëpi, pra të gjuhës shqipe, të trashëguar e të ruajtur nga të parët tanë. Përrallat dhe këngët e para m’u rrëfyen nga gjyshi, i cili e dinte dhe këndonte një version të legjendës së Konstandinit dhe Doruntinës, por të konvertuar në një titull tjetër. Ai dhe gjenerata e tij, i thoshin Motra me nëntë vëllazën, ndryshe nuk e njihnin. Më vonë, në shkollë mësuam dhe për versionin tjetër të kësaj legjende, atëherë unë arrita të bëj lidhjen midis gjuhës që e flisnim dhe asaj që e dëgjonim në shkollë, gjë që pasoi pastaj me një kureshtje të shtuar për gjuhën dhe elementet e tjera. Prej atij çasti, që unë kuptova se përkas diku, vazhdon të më ndjekë po e njëjta ndjesi, që e gjithë lidhja jonë e këtushme dhe e atjeshme më duket e mrekullueshme. E di pse? Sepse, pavarësisht ndarjeve që kemi pësuar, pavarësisht se na është mohuar e drejta e shkollimit, ne kemi funksionuar dhe vazhdojmë të funksionojmë si një shpirt i vetëm. Folklori, tradita, letërsia aq pastër e trashëgojnë kujtesën tonë…

     Dua të them, që gjuhën maqedone e kemi përdorur vetëm në anën praktike të gjërave, prandaj dhe nuk them dot që ka pasur ndonjë ndikim te krijimtaria ime. E në këtë vazhdë pyetjeje, po në krijimtarinë tënde a ka ndikuar ndonjë dyzim apo dallim?

    A. D.: Shkodra është vend i çuditshëm, plot me dallime, nga më të voglat si për shembull radhitja e luleve në parvaz, deri te më të mëdhatë, përfshirë edhe mënyrën e të folurit. Unë thoja Lulekrisht, ndërsa shoqet e shokët e pallatit, Lulesahat; unë thoja kotull ndërsa ata havër e sa e sa të tjera si këto. Për të qartësuar veten në raport me to u shkrua edhe Marrja e gjakut, edhe pse idea lindi krejt tjetër kund. Por, më shumë se gjithçka, edhe pse jam rritur mes ndryshimeve, më bën përshtypje kur tani në Tiranë them Të du fort! dhe marr si përgjigje Edhe unë të dua shumë! Kur thashë një natë se është hera e parë që dikush më thotë Të dua!, u krijua një situatë e këndshme dhe me humor: ngjante sikur po përjetoja të parën lidhje. Në këtë mënyrë sendërtohet letërsia ime, por nuk lind këtu e kështu. Ndërsa në rastin tënd, nuk e di, poezia brenda teje, si lind e mandej, në ç’shteg kalon për t’u konkretizuar? Çfarë mund të thuash për procesin tënd krijues?

    N. E.: Procesi krijues. Është i magjishëm, i trazuar, i vërtetë, i egër, ngushëllues. i pranishëm në çdo veprim. Tani ditët lidhen me krijimin dhe vice versa. Poezia është gjithkund te secili prej nesh, është e lindur dhe e trashëguar bashkë me përjetimet e tjera që na bëhet se i kemi jetuar dikur. Është kjo shprehja e Cioran që çdo herë ma trondit fort qenien, thotë kështu: Kur jemi me mijëra kilometra larg poezisë, ne akoma e përdorim atë, atëherë kur na vjen një dëshirë e papritur për të bërtitur – si faza e fundit e lirikës. Poezia është është lum në të cilin ne pastrohemi. A e ke vënë re se sa të pastër janë gurët të cilët janë nën rrjedhë? Ashtu pastrohet dhe lahet shpirti me anë të artit. Poezia është proces që kërkon kohën, vetminë dhe kthjelltësinë e të jetuarit me të tashmen. E tashmja i ka të gjitha kohët brenda.

    Me sa kam vënë re, nuk ke folur asnjëherë as ti për procesin tënd krijues. Jam vërtetë kureshtare të di ç’mund të thuash…

    A. D.: Ndoshta sepse nuk kam çfarë të them, nuk e di. Rregulli dhe disiplina s’kanë asnjë lidhje as me procesin tim krijues, as me mua përtej punës. Kështu që, shkruaj pa asnjë kriter, darkave kryesisht dhe ndaloj veç kur më mbaron alkooli apo cigaret, çka kohët e fundit po ndodh shpesh. Ime ëmë më tha një mëngjes “Sa mirë që shkrun natën!” “E pse?” e pyeta. “Po të ishte ditën, kishe me ik e me ble prap cigare e alkool, kshu’që do të pishe ma shumë. Ndërsa naten, dyqanet janë mbyll!” S’e di nana që këtu në Tiranë, ngjitur me shtëpinë kam një Tabacco Shop  hapur 24 orë! Por nuk është kaq e thjeshtë. Të rifutem edhe një herë, pasi të kthehem nga dyqani në hullinë krijuese nga ku me vështirësi dal, si prej një marrëdhënieje shumë të bukur që thjesht e ndjen, i ka ardhur çasti të marrë fund, të ndahesh për t’u takuar sërish, në rastin më të mirë të nesërmen. Dhe veç tash që e rilexoj përgjigjen, po vë re sa shumë mohime paskam bërë. Të lidhet kjo me faktin se vetë procesi krijues është një mohim i madh?!

     Por të lutem, t’i rikthehemi poezisë tënde, të rikthehemi te ti. Sepse ka elementë dhe vargje që dua t’i diskutojmë bashkë, të ndalemi pak më gjatë.

    Përmbledhja poetike Vargmale nën dhé (Onufri, 2020) ndahet në diku midis reve qëndron një zog, një dimër dhe një mall për kthim, Koha para kujtimeve, Plakje pa stinë, Në ç’çast lind ai diell?, Zgjimi midis dekadash, Prekja për të kujtuar, Muzës së heshtur, Fundi s’njeh veten, Vargmale nën dhé dhe Histori për ardhmërinë. A ka diçka që i bashkon të gjitha këto pjesë?

    N. E.: Në lexim të parë, të gjithë këto ndarje duken shumë poetike, por përveç pjesës poetike, janë dhe shumë të përfytyrueshme për lexuesin. Ndarja e cikleve te Vargmale nën dhé është bërë si rrjedhojë e jetës sonë në përditshmëri, e udhëhequr nga ndjeshmëria dhe prekshmëria e shpirtit, e kohës dhe sidomos e natyrës. Kohë e cila krijohet nga elementet konkrete dhe abstrakte në të cilat qullet dhe kullohet jeta. Sigurisht përdorim gjithçka për të arritur atë formë që e dëshirojmë, sa më afër imazhit tonë për të përsosurën. Këto cikle ndahen midis kohës hapësinore dhe kohës biologjike të njeriut, por fillon e përmbysur. Është lindja e hënës. Çarja e errësirës, paralajmërimi për diçka të re, pritet dita e re, që është jeta e re. Dhe kështu përshkruhen dhe proceset e tjera. Poezia është thellimi brenda vetes. Sa më thellë vetes, aq më thellë tokës, aq më pranë qenies. Është procesi i krijimit të njeriut dhe gjithë përjetimet që lëmë këtu si një dëshmi për të ardhmen.

    A. D.: Po për librin Lëre dashurinë të vijë si të dojë me të cilin u vlerësove nga Qendra Kombëtare e Librit dhe e Leximit, çfarë mund të thuash?

    N. E.: Libri, Lëre dashurinë të vijë si të dojë, është gjithashtu përmbledhje poetike, i cili pati fatin të vlerësohet sipas motivacionit të jurisë për theksin e fortë bashkëkohor, të përpunuar mbi parime të kthjellëta estetike, spontane në figuracion dhe e strukturuar qartë në narracionin e vet. Janë poezi që janë krijuar në periudha të ndryshme të jetës sime dhe flënë shumë pranë shpirtit, shumë pranë ndjeshmërisë, mendoj se mbajnë të gjithë emocionin tim që kam dashur të përcjellë te lexuesi. Ndjenja pa të cilat nuk krijohet asnjë jetë, dhe që na duhen për të vazhduar të ëndërrojmë. Pavarësisht sa larg duam t’i ikim ndjeshmërisë njerëzore, me të gjithë këto shpikje të fundit njerëzore, me intelegjencën artificiale, nuk i ikim dot qenësores, nuk u ikim dot ëndërrimeve, qofshin ato edhe më qesharaket, përjetimit të ndjenjave, njohjes së sendeve më bazike njerëzore që janë thelbësore dhe themelore për vazhdimin dhe trashëgimin e jetës sonë. Do të parafrazoj një pjesë nga eseja e Virginia Woolf Një dhomë më vete, “…poetët e poezisë moderne shprehin ndjenja të cilat sapo krijohen edhe shuhen,  prandaj dhe harrohen shumë shpejt poezitë të cilat lexohen në këtë kohë.” Pra, poezitë moderne për dallim nga poezitë e kohës që i kanë folur njeriut për ndjenjat dhe realitetin me të cilin përballej ai. Për fat të mirë letërsia jonë ka pasur poetë të cilët qëndruan shumë pranë njeriut të tyre, mund të përmendim këtu: Migjenin, Nolin, Camajn, Rreshpjen… Pra, poeti nuk është “njeriu i përzgjedhur” që jeton midis qiellit dhe vështron teksa “njeriu vdekatar” lufton me jetën. Poeti është po ai njeriu i zakonshëm që nuk dallohet midis njerëzve të tjerë, që vuan dhe dashuron njësoj si ata dhe beson si ata, prandaj dhe i takon të flasë për veten e tij.

    Po, poezia ime nuk dua të jetë e veshur dhe ajo do të qëndrojë pa “asnjë rrobë” përballë lexuesit, e thjeshtë, por sendet e thjeshta, madje dhe mënyra se si hamë bukën apo lëvizim këmbët nëpër rrugë, sjellin  komplikimet më të mëdha te mendjes sonë.

    A. D.: Cilat janë dy ose tri poezi të tij që mund t’i botojmë paraprakisht, si pjesë të kësaj interviste, për të grishur e ngacmuar lehtë lexuesin?

    N. E.:

    Lërë dashurinë

    Lëre dashurinë të vijë si të dojë.

    Si diçka që vjen.

    Lëre dashurinë të ikë si të dojë.

    Si diçka që ik.

    Mos e shtyj kur s’ka çfarë të të thotë,

    secilës kohë i duhet një tjetër prekje.

    Lëre të të kundrojë pak më gjatë,

    mos ia hiq duart nga koka jote.

    Se dashuria vjen si të dojë,

    se asaj gjithmonë i japin një adresë të gabuar.

    Por ja që ajo vjen ashtu e hutuar,

    si ai që çon lule në adresë të padëgjuar,

    kushdo që i merr ato lule nuk kërkon llogari

    sepse ti thjesht ke shkruar një pusullë:

    “Më fal që kam munguar”


    Këtu përket vetmia ime

    Ja një vend pa të ardhme,

    pa të ardhmen njerëzore,

    atëherë, përse nuk e zëvendësojmë

    kohën me një kohë tjetër,

    të tjerë njerëz të pushtojnë vendin, të hanë bukën?

    Po përse këta fërkojnë sytë,

    dhe u vjen mërzi të përdorin gjuhën,

    e ata që e përdorin shkatërrohen.

    A nuk jetojmë në të shkuarën,

    a nuk jetoj unë vetë atje?

    A do ta dimë ndonjëherë përse

    na pëlqen të duam çka kishim,

    dhe çka kemi s’na bën përshtypje?

    A nuk tregon historia për dikë si unë,

    që Erdhi, Pa dhe Dashuroi?

    Ç‘dëshmi tjetër kemi të vdekatarëve,

    ku do të përkasë ndjenja ime,

    vetmia ime që unë e bart si lurek?

    Sa male m’u deshën të kapërcej që të jem këtu,

    në sa lumenj mbyta egon, hijet, trupin?

    Kurrkund fytyra ime nuk gjeti një vend,

    një vend perëndimesh të çlodhet shpirti im,

    një fushë t’i mbjell gurët që m’i gjuajti jeta.

    Ja, kjo mund të jetë gjeografia njerëzore.

    Sa herë qava që s’kuptoja kush jam,

    se ku jam as dija të pyes,

    se as nuk gjeta dikë që t’i dëgjojë thirrjet e mia.

    Sa herë i ika atdheut për t’u mbrojtur,

    dhe sa herë marrëzisë i vendosa kufinj mendor…

    Ja, kjo mund të jetë historia njerëzore.

    Ç‘punë na hynë faktet historike?

    Faktet biologjike le të rrinë, që të duam veten.

    Mirë e kishin fëmijët e mi,

    ç’punë na hynë formulat kimike,

    Ose format e pashtjelluara të foljes?

    Përse nuk mësohemi të dimë

    çfarë fshihet pas fjalës:

    ‒ mirë

    Dhe çfarë pas fjalëve:

    ‒ nuk di.

    ‒ nuk mundem.

    ‒ harroje!

    Sa herë shpeshtohen rrahjet e zemrës nga frika,

    dhe a janë rrahjet e njëjta kur dashurohemi?

    Ja, për këto gjëra do të ligjëroja.

    Se unë do kisha dashur dikush të më mësonte,

    sa isha pa gjeografi njerëzore,

    sa isha pa histori njerëzore,

    atëherë mbase do të mund të mbaja mend,

    se tani pasi të gjitha i provova në lëkurë,

    nuk ia vlen të flitet më.

    Fërkoj sytë që t’i pushoj pak nga koha, e them:

    ‒ ja, një vend pa histori njerëzore,

    ‒ këtu është e rëndësishme të flitet

       për kohët e pashtjelluara të foljes.


    Mbamendje

    Lëngun e ditëve të mërzisë e pimë në gota uji.

    Nuk zbrazet asnjëherë.

    Jemi mësuar të themi: mjafton! pas dy-tri gllënjkave.

    Pastaj hamë në tasa të krijuar për njerëz – verbuar me mungesa.

    Luga fluturon sa në njërin skaj, në tjetrin.

    Pas buke duhet të pimë barnat e harresës.

    A. D.: Malli, humbja, vetmia… Tematikat e poezisë tënde, edhe kur janë të trishta, të japin mundësinë ta zbërthesh dhe kuptosh jetën, në secilin moment të saj. Për ty, a janë poezitë që shkruan copëza të një mozaiku që kur bashkohen, paraqesin brendinë e Nuries?

    N. E.: Siç thotë Jorgos Seferis në veprën e tij Monolog mbi poezinë dhe ese të tjera, se “poeti nuk mund të ndahet hermetikisht nga personaliteti i tij, dhe funksionimin e poetit e ushqen një ecejake e pandërprerë midis unit të brendshëm dhe atij sipërfaqësor.” Pra,vetmia është një ndjenjë universale, po e fus pa hezitim te ndjenjat, sepse është një dëshirë e pakontestueshme dhe një pajtim fati që e shoqëron njeriun e kohës sonë. Poezitë nuk janë vetëm përjetime personale, janë dhe përvoja, fenomene të ditëve të mia, të njerëzve të mi, në realitet e të gjithë njerëzimit. Këto ndjenja nuk janë shpikur sot. Vetmia është shoqëruese e njeriut, sado që secili e mbush atë hapësirë me veprime që ta mbajë sa më larg vetes.Ndjeshmëritë tona janë krijuar nga përvoja dhe shpesh janë dhe paralajmëruese të një përvoje që sigurisht e mohojmë, siç janë: humbja, frika për të panjohurën, mosdija… Këtu po e kujtoj dhe Sabaton si cili te Shkrimatri dhe fantazmat e tij shprehet “Shkrimtarët e sotëm akuzohen për pesimizmin e tyre. Nuk kuptohet se janë pesimistë ngaqë janë plot besim, ngaqë janë idealistë. Për t’u akuzuar janë të tjerët, që bëjnë letërsi të lehtë: janë cinikë dhe skeptikë. Krejt e kundërta e pesimizmit.”

    Gjithsesi, duhet ta them se as ti nuk je ndonjë shkrimtar i tematikave të gëzimeve të mëdha…

    A. D.: Po, ke të drejtë. Dostojevski thotë “Më jep një dhimbje, të të jap një kryevepër!” dhe ralisht, e kam menduar me veten se s’kam ç’i dua kryeveprat kur vinë si pasojë e dhimbjes. Pra, kam menduar më mirë mos të shkruaj sesa të vuaj për të shkruar.

    Jam i sigurt se po të shkruaja gjëra që tejçojnë një ndjesi pozitive, vepra ime do të ishte shumë më e hollë. Pastaj ndoshta, meqë librat të cilët e kanë përshkuar me gjithë forcën e tyre qenien time janë Krim dhe Ndëshkim, I huaji, Lehtësia e padurueshme e qenies, 100 vjet vetmi, Portreti i artistit në rini, Pallati i Ëndrrave e pak të tjerë, historitë e gëzuara i kisha zët qysh në krye të herës. Nuk janë të rrallë as skandalet e krijuara në promovime, për të cilët nuk jam aspak krenar, kur kam thënë fjalë nga më të papërshtatshmet pasi autori e kryesisht autorja deklaronte se qe frymëzuar nga Daniel Steel apo Nicola Sparks.

    Por, gjithsesi, rikthehemi sërish te ti, te vargjet tuaja.

    poeti nuk sheh nga e ardhmja,/ bëhet bishë e egër për hir të së shkuarës/ prandaj, hapë sytë dhe si panter i zi i kacavirret kohës shkruan ti në poezinë Fati i Poetit. Si shkrimtar, herë pas here mendoj me vete mos ndoshta do të kishte qenë shumë më mirë të mos isha i tillë, për të qenë normal në raport me gjërat që më rrethojnë, për të mos parë Nëpër shirat e vdekur peshqit fluturonin drejt/ Çerdheve, te yjet., sikurse shkruan Rreshpja. E mendon ndonjëherë me veten se fati i poetit apo i artistit në përgjithësi nuk është ndonjë fat edhe aq i mirë?

    N. E.: Secili nga ne mendon se një tjetër botë do të ishte më e mirë, se një vend tjetër do të ishte më i mirë, se një dashuri tjetër do të ishte më e mirë… mund të aludojmë pafund me këto zgjedhje të cilat e dimë se nuk i ndryshojmë më, por kur vjen puna te mënyra e jetesës, saktësisht te zgjedhja e fatit… historia ka shënuar shumë dëshmi në kalendarin e saj, shumë fakte dhe shumë fatkeqësi që përcjellin jetën e shkrimtarit. Se përse gjithmonë shkrimtarin e ka përndjekur një fat i tillë, aty kanë ndikuar shumë faktorë, të cilët gjithmonë rrinë në hije. Mendoj se artisti ka vetëm një përparësi në fatin e fatkeqësisë së tij krahasuar me të tjerët, e gëzon të drejtën e përjetësimit.

    A. D.: Jam e shuar; jam njeriu – fëmijë; jam pemë; jam asgjë… Në shumë poezi tregon pikërisht gjendjen e unit lirik, duke përdorur foljen jam. Mes tyre, dalloj Vajzës që i kërkohej të rritej, për shembull. Pse? Pse kaq shumë gjendje?

    N. E.: Vetë jeta është gjendje e lëngshme, e rrëshqitshme. Vetë njeriu është i tillë, një fëmijë që kërkon të mësohet, të rritet. Unë jam ti dhe unë jam ne. Dhe ndërsa koha kalon, ai asnjëherë nuk është i sigurt nëse ajo është rritja për të cilën të gjithë flasin. Rritja nuk është gjë tjetër, përveçse përshtatje. Përshtatjet në jetë, herë – herë vijnë natyrshëm, herë janë të dhimbshme. Dhe mu aty në dhimbje ndodh krijimi i një gjendjeje, e cila ose kalon pa u vënë re, ose rri gjithmonë e paprekshme dhe gjithë jeta jonë rrotullohet rreth atij çasti, që herë duket se ka ndodhur në ne, herë duket e largët dhe jashtë nesh.

    A. D.: Kërkoj gjithkund për një njeri,/ Jo më të mirë se vetja,/ As ndryshe,/ Dhe takoj çdo natë hijen time/ Varur nën degët e një lisi. Si është të takohesh me veten?

    N. E.: Tani që po u përgjigjem këtyre pyetjeve, po e vë re se sa shumë i kam theksuar fjalët jetë dhe njeri. Dy elemente kryesore të cilat në dhimbje bashkohen dhe në dhimbje ndahen. Sigurisht se jeta e njeriut përbëhet dhe përcaktohet nga vetëdija e tij personale, duke pasur përballë vetëdijen kolektive. Duhet të ekzistojë një pasqyrë ku të shohim veten. Nga këto përballje që shpesh përfundojnë në konflikte, njeriut i ndodh që në jetë të zgjohet disa herë. Aty ndodh dhe takimi me veten. Edhe pse shpesh tenton t’i ikë kësaj përballje dhe kërkon që t’i ngjajë dikujt tjetër, pa pranuar dhe pa njohur unin e tij fillimisht. Por, në momentin që ne e pranojmë veçantinë tonë me të gjitha virtytet dhe boshllëqet që mund të kemi, ndalemi së kërkuari dhe admiruari tjetrin, që për fat të mirë kurrë s’mund t’i ngjajmë.

    Po për ty Andreas, kur ka qenë takimi i parë me veten dhe si ke reaguar?

    A. D.: Kjo është pyetja më e vështirë që mund të më bëje! Ndërkohë që e shtyj bisedën pasi s’di si t’i përgjigjem, ndjej se kryeredaktori e do materialin sepse po vonohet përgatitja e gazetës. Pikërisht këtij “presioni” dua t’ja mvesh secilin boshllëk që kjo përgjigje mund të lërë.

    Deri pak kohë më parë, kisha përshtypjen se veten e kisha takuar veç  të fragmentuar, të ndarë në copa, asnjëherë të plotë. Por e gjitha ndryshoi kur mora si dhuratë një kopje të Lehtësia e padurueshme e qenies, të cilin kushedi sa herë e kam lexuar. Në faqen e parë, ishte një dedikim shkruar Për Andrean, që e ka bërë lehtësisht të durueshme qenien time. Me shumë dashuri, Ç’kisha bërë unë që të meritoja diçka të tillë? Në ç’mënyrë e kam bërë lehtësisht të durueshme gjënë më të padurueshme në botë për një njeri, qenien e vet? Dhe si ka mundësi që unë, i angazhuar seriozisht me letërsinë, të mos kisha lexuar diçka më të bukur se kjo?! Dreqi e mori, kush isha? Ku mund ta takoja veten?

    U ktheva pas, hipur mbi një re të vogël, si ajo e Gokut te Dragon Ball (mjaft folëm vetëm për letërsi!) dhe pashë veten mbyllur brenda dy syve që po më shihnin. Sy të vegjël, të bukur, shumë të bukur! Krejt sinqerisht e them, i fola vetes. Përgjigjen e mora nga e zonja e syve. Aty, brenda syve të saj, te fjalët e saj e njoha veten, në gjithë plotninë që një qenie njerëzore mund të shfaqet. Asnjëherë s’do ja dal ta përshkruaj si duhet atë çast, e di, por ky qe takimi im i parë me veten.

    Tani, sa herë të më marrë malli ta ritakoj Andreasin, takohem me atë, ndonëse për të më merr malli shumë më shumë se për vetveten!

    Edhe xixëllonja e fundit/ Fiku dritën dhe u kthye në insekt të zakonshëm. Nuk kam pyetje, këto dy vargje thonë gjithçka e as nuk e di nëse ke diçka për të shtuar. Nëse jo, kalojmë te e radhës.

    N. E.: Poetit nuk i ngelet asgjë pas kësaj.

    A. D.: Nurie, duke parë volumin e librave të tu, kam përshtypjen se shkruan shumë. Po procesit të përzgjedhjes dhe të redaktimit, sa kohë i kushton?

    N. E.: Kur e zbulova poezinë, shkruaja shumë. Faza kur shkruan gjithçka dhe befasohesh me çdo fjalë, është një filtër nëpër të cilin supozoj se çdo artist kalon në ato fillimet e tij, një lloj pastrimi derisa të arrijmë te kullimi i pastër i fjalës sonë. Sot, pasi krijimtaria ka kaluar nëpër shumë filtra dhe e kupton çfarë duhet të kishe botuar dhe çfarë duhej të mbahej veç për vete, ndjesia për të shkruar vazhdon të jetë njësoj… Pjesa e redaktimit është pjesë mjaft e rëndësishme në krijimtari, që duhet t’i kushtohet vëmendje. Unë i kushtoj aq kohë sa mendoj se është e nevojshme. Përzgjedhja pastaj është me e lehtë. Çdo krijues e ndjen se kur ka shkruar diçka të mirë, dhe kur ka shkruar një gjë që nuk është niveli që ai priret ta arrijë. Kështu, shkrimtari duhet të jetë kritiku i parë dhe më i afërt ndaj vetes.

    A. D.: Përveçse poete, je edhe studiuese e së fundmi, ke përfunduar temën tënde rreth Kunderës. Këto dy realitete, e poetes dhe studiueses, si bashkëjetojnë në ty?

    N. E.: Një poet nuk jeton dot pa lexim dhe pa muzikë të mirë (te muzika e mirë do të fus klasiken).

    Është e jashtëzakonshme kjo që të pasurit shije për letërsi të njëjtë na ofron dhe krijon rrethe me të cilat ndan të njëjtat bindje, siç po na ndodh ne të dyve. Nëse për ty ka qenë një përballje a njohje me veten Lehtësia e padurueshme e qenies, per mua ishte Shakaja. Shakanë e lexova pa pasur asnjë informacion mbi atë vepër, vetëm Kunderën e kisha të dëgjuar se shkruan mirë. Nuk e dija që aq fuqishmë do të reagojë në thellësitë e mia. Sepse kur arrin nëj moshë, apo një lloj pjekurie dhe letrare, është pak e vështirë për të të bërë përshtypje letërisa që lexon. Dhe Kundera qe ai që më forcoi atë shije dhe më bindi për t’i shkuar pas letërsisë së mirë. Sigurisht se, leximi të mundëson në thellimin e mendimit dhe të studimit. Tema e ekzilit dhe identitetit lidhet kryesisht dhe me letërsinë tonë. Janë terme të cilët shoqërojnë njeriun e ditëve tona. Pra, krizat identitare, çfarë duhet të merret dhe çfarë duhet të shmanget nga vendi ku përket. A mund që njeriu të përshtatet krejtësisht në një vend ku shkon? Apo të jetë i pashkëputur nga e shkuara e tij, njeriu që përjeton ekzilin, një prej formave të shumta të ikjes. Por nuk është vetëm ikja nga vendi yt, është edhe ikja nga vetja një lloj proteste dhe ekzili i brendshëm që ekziston. Këto tema sociale dhe psikologjike që kanë në qendër njeriun, ngjallin kureshtje te unë si studiuese e letërsisë. E shikoj se studimet e mia kanë të bëjnë me ato tema të cilat unë i trajtoj gjithashtu nëpër poezi. Pra, e kanë gjetur mënyrën se si të bashkëjetojnë në mua, duke dhënë dhe marrë nga njëra – tjetra në të njëjtën kohë.

    A.D.: Sapo u shpallën READ Residency Program dhe t’i ishe e përzgjedhur, si do të jetë procesi i gjithë kësaj?

    N.E.: Po ka pak javë që u shpallën rezultatet e këtij projekti, që unë e quaj një përvojë mjaft të nevojshme për krijimtarinë time. Jam e perzgjedhur dhe po përfaqësoj Maqedoninë e Veriut në Turqi. Qëndrimi im atje do të jetë për një muaj. Një muaj i mbushur me takime dhe aktivitete që do të jenë të organizuara nga ana e tyre. Përveç këtyre pjesa kryesore është pjesa e shkrimit që sigurisht është pjesa kryesore.

    A. D.: Po në prozë, e ke sprovuar veten ndonjëherë?

    N. E.: Vazhdoj dhe provoj të shkruaj edhe në prozë, por nuk e di në është pikërisht tani ajo që dua të them përmes saj, prandaj e mbaj larg meje. Proza është krejtësisht e ndryshme nga poezia. Ka tjetër mënyrë se si përshkruan momentin dhe kërkon të tjera fjalë. Ndjesia është krejtësisht ndryshe, një realizëm magjik që jeton brenda meje dhe ngjallet pikërisht kur jam duke shkruar prozë. Prandaj po i jap kohë që të flejë në mua edhe pak, por që gjithsesi të shohim…

    E ti në poezi, ke provuar ndonjëherë?

    A. D.: Unë kam një libër me poezi, për fatin tim të mirë krejt të panjohur! Botuar në pak kopje, kur isha shtatëmbëdhjetë vjeç. Pas tij, kam botuar shumë rrallë poezi, aq sa mund të numërohen me gishtat e njërës dorë. Ndërsa tani, për t’ju rikthyer një pyetjeje të mëparshme, pasi takova veten në sytë e saj, po shkruaj shumë, vërtetë shumë, si asnjëherë. I mbaj me një fanatizëm e xhelozi të sëmurë, janë të miat, s’mund të jenë të dikujt tjetër (ose kështu justifikoj frikën mos nuk janë të mira sa duhet për t’u botuar!).

    Dhe në mbyllje, një pyetje që mund të ishte edhe si fillim, kryesisht për ata të cilët artin e kanë mjet e jo qëllim, por meqë ne jemi ndryshe, e lëmë të fundit. Fakti që kritika është shprehur mirë për ty, madje edhe me entuziazëm, ka pasur ndonjë lloj ndikimi në ty, të të ndryshojë mënyrën se si e sheh poezinë apo edhe veten tënde?

    N. E.: Mendoj se kritika gjithmonë ka qenë e rëndësishme për letërsinë, ne që e kemi studiuar këtë e dimë më mirë. Sigurisht se ajo i jep shumë peshë poezisë që udhëheq lexuesin dhe adhuruesin e fjalës drejt një vepre. Ka mjaft rëndësi kur vlerësimi vjen nga studiues dhe profesorë të cilët kanë një përvojë të gjatë në fushën e letërsisë. Pastaj, e gjithë kjo kërkon të kalojë nëpër një proces që quhet kohë. Letërsia nuk e ka asnjëherë ndjenjën e entuziazmit, përveç në momentin e krijimit. Koha është treguesi më i mirë ndaj çdo arti. Por, poezia për mua gjithmonë mbetet njësoj, siç e kam parë dhe ndjerë që në ditën e parë, si diçka që është krejtësisht e brendshme, si një mekanizëm për të shpëtuar, si një lloj gjetjeje e paqes brenda vetes, si një lloj lirizmi, si një ikje e realitetit, apo ngushëllim i ngjarjeve që nuk zhbëhen, si një lutje në të cilën besoj…

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË