More
    KreuLetërsiBibliotekë“Njeriu që ndihej fajtor”, tregim nga Sali Bytyçi

    “Njeriu që ndihej fajtor”, tregim nga Sali Bytyçi

    (Qemalit)

    Në thellësi të ndërgjegjes sikur i rëndonte një faj shumë i madh, sa e kërrus, dhe ka nevojë të rrëfehet. Kjo ishte përshtypja ime kur e pashë N-në. E gjithë kjo gjendje atij i ishte krijuar pasi ishte takuar, njëzet vjet pas, me një bashkëvuajtës të viteve ’98-‘99.

    Atë e kishte takuar rastësisht në një kafene të qytezës, ku një ditë kishte shkuar në një aktivitet kulturor që po mbahej atje. Aq gjatë kishte pa e parë bashkëvuajtësin sa kishte filluar t’ia harronte edhe pamjen e fytyrës, po jo edhe vuajtjet që i kishin përjetuar bashkë me të për muaj të tërë në të njëjtën qeli.

    Bashkëvuajtësi, pa u lëshuar në biseda të tjera, kishte hyrë menjëherë në temë: Të kujtohet mëngjesi i hershëm i 22 majit 1999?

    Po kujt prej atyre që ishin aty, nuk i kujtohet ai mëngjes, ia kishte kthyer, dhe bashkëvuajtësi i kishte thënë atë të cilën ai nuk e kishte ditur deri në atë moment.

    Pak a shumë, kjo që është më poshtë, është rrëfimi që dëgjova prej N-së, rrëfim me të cilin ai sikur donte të çlirohej nga pesha e fajit që po e bartte mbi vete, kudo që shkonte, e cila e kishte vënë nën vete dhe sikur donte t’ia zinte frymën.

    Rrëfimin, për të qenë më autentik, po e jap me fjalët e vetë N-së, në veten e parë.

    *

    Kur po më fliste për atë mëngjes të hershëm, në të cilin dielli sikur nuk donte të shfaqej nga tymi që kishte lënë bombardimi i një dite më parë, bashkëvuajtësi më tha:

    – Të kujtohet kur na rreshtuan herët në mëngjes?

    – Po, si s’më më kujtohet!

    – Unë isha afër teje, Agimi ishte në krahun e majtë timin.

    Kjo e fundit nuk më kujtohej, sepse në ato momente unë isha i përqendruar në ato që po na i thoshte gardiani nga karakolli përballë nesh.

    – Po si ndodhi që Agimi, në momentin tragjik, ishte afër meje?! – e pyeta.

    – Ai më kërkoi t’ia lëshoja vendin tim. Dhe unë ia lëshova. Thjesht, ndërruam vendet, – ma ktheu.

    Fjalët e tij keq më goditën sa, në ato çaste çdo gjë para meje filloi të lëvizë në formë rrethore, derisa u përmbys. Më nuk dija çfarë të flas. Ato fjalë që nisën të më dilnin nga goja, u kthyen pas, po edhe mendja nisi rrugëtimin e saj, duke u kthyer edhe ajo pas, derisa shkoi larg, aq larg, sa kapërceu dekadat, në fillimet e jetëve tona.

    *

    Agimi ishte djali i tretë i xhaxhait tim. Edhe unë isha djali i tretë i xhaxhait të tij.

    Edhe pse ishte dy vjet më i ri se unë, që në fillime të jetëve tona ishim bashkë, ndarjet ishin të përkohshme. Por, gjatë rrugëtimit tonë, ndodhte të vinin rrethana në të cilat rrugët tona ndaheshin, aq larg shkonte kjo ndarje sa dukej që kurrë më nuk do të bëheshin bashkë, por vinte edhe një moment i cili këto rrugë i bashkonte. Pra, rrethanat na ndanin, po ishte diçka përtej tyre që na bënte bashkë. Kur nuk ishim bashkë në një klasë, bëheshim bashkë në një shkollë, kur nuk ishim bashkë në një shkollë, bëheshim bashkë në një banesë; kur nuk ishim bashkë në të njëjtën shkollë apo në të njëjtën banesë, pasi kryenim mësimin bëheshim bashkë në autobus. Ndonjëherë ndodhte të mos ishim të një mendjeje, prapë fatin e kishim të përbashkët, si në vitin ’81.

    Edhe pse në mëngjes shkonim në vende të ndryshme e në punë të ndryshme, kur ktheheshim, në mbrëmje, edhe pse ishim nisur në kohë të ndryshme, prapë bëheshim bashkë në të njëjtën kohë në të njëjtin vend.

    *

    Kemi lindur në të njëjtën shtëpi, në atë që e kishte ndërtuar gjyshi e të cilën, kur ishin ndarë babai me xhaxhain, e kishin ndarë përgjysmë. Këtë shtëpi, që ishte mjaft e madhe, një ditë babai im dhe xhaxhai, që i binte të ishte babai i Agimit, në vitet e para të lindjes sonë, pra simes dhe të Agimit, e prishën dhe, krah njëra-tjetrës, me qerpiçë i ndërtuan dy shtëpi më të vogla. Dhe, jo pak material të shtëpisë së vjetër, sikur të mos donin t’i shkëpusnin lidhjen me kohën e shkuar, e përdorën për ndërtimin e këtyre dy shtëpive të reja.

    Oborret tona herë ishin një oborr, herë bëheshin dy, sidomos kur babai e xhaxhai ziheshin për ndonjë cikërrimë dhe, për një kohë thurnin gardhin në mes. Po edhe pse gardhi hynte në mes e mbi të ferrat, unë e Agimi, duke gjendur ndonjë mënyrë, bëheshim bashkë.

    Babai im dhe babai i tij, si dy djem të një babai, po nga nëna të ndryshme, ishin aq të ndryshëm sa, jo që nuk ngjanin si vëllezër, po sikur të ishin të anëve të tjera, të largëta, nga vende që nuk kanë njohuri fare për njëra-tjetrën. Ata zakonisht nuk e kalonin mirë mesvete, ndodhte të ziheshin pa ndonjë arsye dhe edhe të ndërprisnin marrëdhëniet, që do të thotë leçiteshin, po unë me Agimin asnjëherë nuk ka ndodhur të ndaheshim.

    Agimi kishte dy vëllezër më të mëdhenj: vëllai i dytë ishte pesë vjet më i madh se ai, i madhi nëntë, ndërkaq një motër që kishte lindur vitin që linda unë, sikur edhe disa fëmijë tjerë të lagjes, djem e vajza, kishte vdekur nga fruthi. Mosha më e afërt me mua sesa me vëllezërit dhe motrat e tij, ishte ajo që na kishte bërë bashkë që në fillim. Por, edhe pse unë kisha një vëlla më të ri, moshatar me Agimin, Agimi prapëseprapë më i lidhur ishte me mua.

    Unë isha më i madh, dhe ai më respektonte që isha më i madhi, po edhe ai ishte më i vogël, dhe unë e respektoja që ishte më i vogli.

    Si fëmijë, përherë luanim bashkë. Kuptohet, edhe me fëmijët tjerë të lagjes, të cilët ishin më të largët.

    Nga ajo kohë, më kujtohet një ditë e largët vere…

    Ne po luanim zbathur nëpër oborre, duke u fshehur prapa gardhiqeve e mullarëve të sanës, kur erdhën disa njerëz në lagjen tonë. Ata ishin të veshur ndryshe dhe për ne ishte hera e parë që po shihnim njerëz me komplete e me kollare. Pasi u afruam, na thanë se ishin mësues dhe ne, unë, Agimi, Ismajli, Besimi, ashtu të mbushur frymë, u afruam rreth tyre. Na bëri përshtypje vesha e tyre, fytyrat e rruara, të folurit ndryshe nga ai që e dëgjonim në shtëpi.

    – Doni të vini në shkollë?

    Në kor u përgjigjëm me një “Po” të përbashkët. Edhe Agimi tha “Po”. Në ato momente unë isha afër mësuesit Ibërhan, ndërsa Agimi ishte afër mësuesit Mark, i treti afër mësuesit Idriz, i katërti afër një mësuesi tjetër.

    Ata na i kishin vënë duart në kokë, po na i lëmonin flokët e larë rrallë.

    Në katundin tonë ende nuk kishte shkollë dhe ne duhej të shkonim në katundin fqinj, nja tri kilometra e gjysmë larg nga katundi ynë.

    Në shtator, në të njëjtën ditë i filluam mësimet, po në paralele të ndryshme: unë në klasën e mësuesit Ibërhan, Agimi në klasën e mësuesit Mark.

    Gjatë dimrit, në shkollë shkonim nëpër hekurudhë, sepse xhadeja ishte krejt gropa-gropa dhe me baltë. Ne që ishim më të pjekur, me vështirësi, por arrinim të vinim këmbët në drurët e hekurudhës, ndërsa Agimi nuk arrinte, por ecte duke vënë njërën këmbë në dru e tjetrën në mes të dy drurëve, në gurët e hekurudhës. Por aq i vendosur ishte Agimi, edhe pse rruga ishte e gjatë dhe dimrat në atë kohë ishin të ashpër, e vesha jonë jo pak e hollë.

    Megjithëse kishim rënë në klasë të ndryshme, ishte Agimi ai që, me t’iu dhënë rasti, po pas tre vjetësh, kaloi në klasën time. Dhe duhet të them se, derisa ishim në klasë të ndryshme, Agimi kishte qenë një nxënës mesatar, ndërkaq me daljen në një klasë me mua, filloi të mësonte më shumë dhe, ndërsa unë po bija nën nivel, ai kaloi te nxënësit e shkëlqyeshëm.

    Në shkollën e mesme, përkundër fillores gjatë së cilës mësimet i filluam në paralele të ndryshme, dy vitet e para të gjimnazit të përgjithshëm i kaluam bashkë, ndërsa dy të fundit, mësim të orientuar siç i thoshin asokohe, unë ndoqa drejtimin gjuhësor, ai kaloi tek shkencat e natyrës. Po në vitin e parë të këtyre dy viteve, pasi u detyruam të banonim në qytezë, sepse nuk kishte linjë autobusi për t’u kthyer në shtëpi, banuam së bashku në një shtëpi të mbuluar me rrasa, ndërkaq në vitin e fundit, mësonim në paralele të ndryshme e në shkolla të ndryshme, po bashkë udhëtonim në një autobus, pasi u hap linja e autobusit për nxënës,

    Edhe në gjimnaz, ndërsa unë mezi kaloja vitin, Agimi ishte tek të shummirët e të shkëlqyeshmit, po unë asnjëherë nuk e xhelozoja. Mua më tepër më interesonte të lexoja libra nga letërsia, ndërsa mësimet nuk më pëlqenin fare. Pastaj më interesonte të lexoja lloj-lloj librash, që nga librat religjiozë e deri tek ato të ndaluarat. Edhe Agimi e donte letërsinë, po jo edhe librat e ndaluar. Megjithatë, unë nuk mbaja asnjë të fshehtë nga Agimi.

    Edhe në vitin e fundit të gjimnazit rrugët tona ishin ndarë (mësimet i mbanim në shkolla të ndryshme, unë në shkollën e vjetër, që ishte në krye të Qytezës, ai në shkollën e re, që ishte në hyrje të Qytezës), në fund, ato u bashkuan. Kur shpërthyen demonstratat e vitit 1981, Agimi me disa shokë dhe shoqe, pa më njoftuar mua, e unë isha kundër që të organizoheshin demonstrata në Qytezë, kishte shkuar te Varrezat mbi Qytezë, ku kishin biseduar për të bërë demonstratë edhe këtu sikur në çdo qytet tjetër të Kosovës. Po të nesërmen, në vend që të bënin demonstratën, të gjithë ishin arrestuar nga policia.

    U tha se i kishte spiunuar një person i moshës sonë, i cili nuk ishte nxënës, po kjo mbeti mister, pasi asnjëherë e vërteta e këtij arrestimi nuk u zbulua. Edhe unë, pa marrë parasysh që në këtë kohë u bëra shumë i kujdesshëm në sjellje, u përjashtova një javë para se të përfundonte viti shkollor.

    Thënë të drejtën, unë kisha rënë në sy më herët: një vit më parë më kishin përjashtuar nga aksioni i rinisë socialiste dhe djali i drejtorit, që ishte aktivist politik, më kishte thënë se, nëse është gjallë ai, nuk do të arrija ta përfundoja vitin e tretë; po kështu, edhe në shkurt të vitit 1981, një muaj para demonstratave, në një bisedë që kisha bërë me profesorin e Marksizmit, sipas mendimit tim, të lirë, sepse kisha shprehur vetëm mendimin tim, po ky mendim imi i shprehur në orën e mësimit, ishte diskutuar nga Këshilli i Arsimtarëve, të cilët kishin propozuar të më përjashtonin nga shkolla. Më vonë më ndodhën edhe disa incidente të tjera dhe, ishte mbushur kupa, më përjashtuan.

    Gjatë asaj vere, pasi kishin filluar të mbilleshin vreshta të reja në Rrihne, mbi Tyrben e Dërvish Ibrahimit, të dy u bëmë bashkë dhe punuam me mëditje në mbjelljen e fidanëve të rinj të hardhive. Mbikëqyrës e kishim një komunist plak. Ato kohë u hapën fjalë se gjithë ato kodrina komunisti po i hapte vetëm e vetëm për ta punësuar djalin e vet, i cili tani ishte në klasën e fundit të Shkollës së mesme bujqësore në Pejë.

    Me bel i hapnim gropat, të cilat duhej të ishin goxha të thella; i futnim fidanët dhe i mbulonim me dhe. Agimi, në shenjë proteste, disa hardhi i fuste me rrënjë lart dhe i mbulonte me dhe, e, herë pas here, kur e shihte mbikëqyrësin që ishte afruar, bërtiste në kupë të qiellit:

    – O zot, kaja nënën të keqit!

    Komunisti i thinjur, edhe pse e dinte se e shara e Agimit ishte për të, pasi për ne komunistët ishin të këqijtë, sepse ata na kishin përjashtuar nga shkolla, pa e prishur gjakun, na kthente:

    – Po, po, ashtu është!

    Me një fjalë, komunisti na thoshte se zoti të keqit ia kishte kajtë nënën, do të thotë, neve; sipas tij, ne ishim të këqijtë mbi të cilët kishte rënë dënimi i zotit, sepse na kishin përjashtuar. Dënim më të madh, atëbotë, nuk kishte për ne.

    Të dy të përjashtuar nga shkolla, edhe një herë u bëmë bashkë.

    Vitin vijues, pas demonstratave, Agimi shkoi në shërbimin ushtarak, për ta hequr qafe, ndërsa mua, dy javë para vit të ri, më arrestuan. Tani, as Agimi nuk e dinte çfarë bëja unë, si kaloja, as unë nuk dija çfarë bënte dhe si kalonte Agimi. 

    Pas dy vjetësh arritëm të regjistroheshim në fakultet; unë regjistrova Letërsinë, ai Bujqësinë, në vitin e parë ai i rregullt, unë me korrespondencë.

    Verën dhe vjeshtën pas vitit të parë që përfunduam, pra edhe gjatë semestrit të parë të vitit të dytë, unë qëndrova në burg, sepse deri në këtë kohë isha mbrojtur në liri, po në semestrin e këtij viti të dy u bëmë bashkë në Prishtinë si studentë të rregullt. Nga kjo kohë e derisa i kryem studimet qëndruam në të njëjtën banesë, në një dhomë e cila ishte në shtëpizën ngjitur me shtëpinë e të zotit të shtëpisë, me derë në oborr dhe pa pullaz.

    Ishte Agimi ai që më mori në këtë banesë.

    Mua, zakonisht, ashtu të mbuluar me jorgan, afër orës 12:00 të natës më zinte gjumi, ndërsa kur pas dy-tri orësh ndodhte të më dilte, shihja Agimin duke lexuar, edhe ai i mbështjellë me jorgan:

    – Fli, mjaft lexove! – thosha.

    – Edhe pak! – ma kthente dhe vazhdonte të lexonte, ndërsa mua më zinte gjumi përsëri.

    Aq e ftohtë ishte dhoma në të cilën banonim, sa deri në maj nuk mund të hiqnim palltot gjatë ditës, derisa binim, në mbrëmje, e mbuloheshim me jorgan. Në konviktet e studentëve nuk kishim të drejtë të banonim. Po ishim të rinj dhe ftohtësisë që vinte nga jashtë i bënim ballë me ngrohtësinë që kishim brenda në shpirt. Pastaj kishim edhe plot shpresa dhe ëndërrime për të ardhmen.

    Si dukeshin ato shpresa, as vetë nuk e kishim të qartë. Po nuk mendonim shumë, jetonim me shpresën se një ditë do të bëhej mirë…

    *

    Në vitet ‘90, edhe një herë na u ndanë rrugët: unë fillova të punoj në arsim, ndërkaq Agimi, edhe pse specializoi Bujqësinë, punoi në firmën private, të cilën e kishin hapur vëllezërit e tij që me rënien e sistemit socialist.

    Aty para fundit të kësaj dekade, dhe të këtij mileniumi, më 12 maj të vitit 1998, në mëngjes herët, si zakonisht, ai shkoi në punën e tij, në ndërtimet që po i bënin në një fshat përmbi qytezë, unë, si edhe çdo ditë tjetër, shkova në shkollën ku mbaja mësim.

    Atë mëngjes as që jemi parë fare mesveti.

    Unë kreva punën në ora 12:00, dola tek autobusi, por pasi autobusi nuk në ishte në stacion, mora rrugën drejt qytezës. Pa i kaluar as shtatë minuta, mu te kryqëzimi i rrugës, ndoshta as pesë-gjashtë hapa për të kaluar në kthesën djathtas, me ç’rast nuk do të takoheshim, kur furgoni i punëtorëve, të cilin po e voziste Agimi, m’u ndal para këmbëve:

    – Ku po shkon?

    I tregova ku po shkoja. Nuk kishte autobus dhe, në vend që të shkoja në shtëpi, tani më duhej të hyja në brendi të qytezës, të ulem diku e të pres edhe tri orë derisa të vijë autobusi tjetër.

    – Hip!

    Hipa. U bëmë bashkë. Në furgon kishte edhe disa të tjerë me të, që po udhëtonin për në fshat. Sa mirë, thashë me vete. Kryesisht në udhëtim kam pasur fat. Këtë e dëshmoi edhe dita e sotme. Këtë po e mendoja, por ende pa i bërë 15 minuta udhëtim, një grup prej rreth 30 policësh, afër të të cilëve ishte edhe një tank i policisë, na ndali, na zbriti nga furgoni, pasi secili prej tyre na ra për qejf të vetin aq sa deshi, na lidhën, na shtrinë përdhe, ku qëndruam ashtu më shumë se dy orë, pastaj na hipën në furgonin prej të cilit na zbritën (furgonin e voziti një polic, dy të tjerë, me kallashnikovë në duar, na ruanin) dhe, prapaktheu, na dërguan në Stacionin e policisë të Prizrenit.

    Edhe aty, me të hyrë, na dhanë edhe një rend rrahjesh, na mbajtën dy net lidhur në një sallë dhe, pasi na morën në pyetje, me ç’rast na torturuan derisa u lodhën, na dërguan në burg, në qeli të ndryshme. Prapë na ndanë dhe, kur po mbanim shpresë të na lëshonin në liri, na qitën në gjyq, na dënuan dhe në vjeshtë na transferuan në një burg tjetër. Aty qëndruam deri më 30 prill të vitit tjetër, prapë në qeli të ndryshme, kur na transferuan në Burgun e Dubravës.

    Më 19 maj, avionët e NATO-s goditën godinat e burgut. Të burgosurit, të frikësuar se bombardimi do të vazhdonte edhe më tej, i thyen hekurat dhe dolën jashtë qelive, në oborr.

    Pas kaq kohësh, një vit e një javë pasi na ndanë, edhe një herë u bëmë bashkë me Agimin.

    Në mbrëmje, nga frika e bombardimeve, të burgosurit e katit të parë vendosën të zbritnin për të fjetur në përdhes, sipas mendjes së tyre, më sigurt ishte këtu. Agimi, i cili ishte në përdhes, nuk kishte nevojë të lëvizte, ndërkaq unë, pasi pashë tollovinë që u bë poshtë dhe shtyrjet, jo unë dua të fle këtu, jo unë këtu, paksa i nervozuar, u ngjita në katin e parë e drejt tek vendi im u shtrina. Pasi më kishte zënë gjumi, aty pas gjysmës së natës më doli. Përreth burgut dëgjoheshin lëvizje makinash ushtarake, dhe ndonjë zë i largët. Të tilla lëvizjesh, po të një intensiteti më të lartë, i kisha dëgjuar aty nga fundi i tetorit të vitit të kaluar, kur NATO-ja i kishte dhënë ultimatum Millosheviqit ta kthente makinerinë e rëndë ushtarake në kazerma. Atëbotë, kur erdhi makineria ushtarake afër burgut, aq e shumtë dhe e rëndë ishte, sa filluan të dridheshin themelet e pavijonit ku ishim. Një zhurmë e tillë, që prapë i lëkundi muret e pavijoneve të burgut, u dëgjua edhe më 23 mars 1999, kur Millosheviqi e nxori edhe një herë makinerinë e rëndë ushtarake nga kazermat, për t’u përballur me NATO-n. Me siguri po largohen forcat serbe, pasi nuk arrijnë t’i bëjnë balla NATO-s, më shkoi mendja. Mezi po prisja të zbardhte mëngjesi dhe kur zbardhi, pasi kisha rënë ashtu veshur, u ngrita nga dyshekët dhe zbrita poshtë e drejt e në dhomën e Agimit. Agimi ende po flinte në një gjumë të qetë. Rrezet e diellit që po i binin, fytyrës së tij i kishin dhënë një ngjyrë të trëndafiltë.

    Mua nuk më pritej derisa të zgjohej:

    – Zgjohu Agim, zgjohu se, me sa i kam dëgjuar lëvizjet natën, forcat serbe e kanë thyer qafën!

    Agimi i hapi sytë, buzëqeshi, po kjo ishte një buzëqeshje që më bëri një përshtypje të veçantë. U zgjua, u vesh dhe dolëm në oborr.

    Dielli filloi të ngrihej në lindje, ndërsa qielli atë ditë ishte pa asnjë re. Vesa shkëlqente në gjethet e drurëve, të luleve dhe të barit në oborrin e burgut. Dëgjoheshin edhe cicërimat e zogjve.

    Pjesën më të madhe të ditës e kaluam bashkë, pasi kishim nevojë jo vetëm të çmalleshim, por edhe të flisnim për shqetësimet tona, jo për fatin tonë, pasi ishim në duart e shtetit, pastaj ishim edhe nën mbrojtjen e Kryqit të Kuq Ndërkombëtar, por të familjeve tona që ishin jashtë, të cilat mund të kishin fatin e të masakruarve, gjë që kishte ndodhur në disa fshatra të Drenicës një vit më parë. Çfarë kishte ndodhur me to apo çfarë po ndodhte tani? Asgjë nuk dinim. Po atë ditë shfrytëzuam kohën për të ndenjur dhe biseduar edhe me të tjerë. Përveç që njiheshim me të panjohur, takonim edhe të njohur, me të cilët bisedonim dhe prej të cilëve përpiqeshim të merrnim vesh çfarë kishte ndodhur jashtë, pasi disa prej tyre ishin zënë rob gjatë bombardimeve, dhe, ndër të tjera, kishin dëgjuar në radio për familjet të cilat kishin arritur të kalonin kufirin.

    Një ditë më vonë, më 21 maj, duke filluar nga ora 10:00 e mëngjesit e deri në orën 20:00 të mbrëmjes, me një ritëm të pandryshuar, avionët e NATO-s bombarduan burgun e Dubravës. Pasi nga bombardimi ishim të detyruar të ngjiteshim deri në pjesën më të lartë të burgut, ku thuhej se ishte një fushë e sportit, aty edhe vendosëm të kalonim natën. Do të flinim në rrobat tona, të cilat ishin në Pavijonin B. Ora ishte afër 20:00, kur filluam të merrnim ato pak rroba nga pavijoni. Unë shkova dhe i mora rrobat e mia. Prita që edhe Agimi të shkonte t’i merrte rrobat e veta, por ai po hezitonte.

    – Mirë, – i thashë – po shkoj t’i marr edhe tuat.

    U ktheva në pavijon, shkova te shtrati i Agimit dhe e mora valixhen e tij me rroba. U nisa të dal dhe, posa kapërceva pragun, kur dëgjova të vinin edhe dy avionë. Me të shpejtë, sa më larg që arrita të largohesha nga pavijoni, dhe, në momentin që po hidhesha në tokë, u dëgjuan projektilët që i lëshuan avionët. Për një moment mendova se e pati edhe puna ime ,por jo, avionët shkuan dhe unë isha gjallë, kapa valixhen dhe u nisa për atje ku ishin të grumbulluar të burgosurit. Kur arrita aty, Agimi më pyeti:

    – Shpëtove?!

    – Po po, shpëtova.

    Ky ishte pavijoni i fundit që u bombardua dhe me kaq u ndërpre edhe bombardimi, prej të cilit mbetën rreth 15 a 16 të vrarë e shumë të plagosur. Por frika që ky bombardim nuk do të ndalej as natën, ishte e pranishme tek çdo i burgosur.

    Atë natë e kaluam nën qiellin e hapur, dhe me sy drejtuar nga qielli prej të cilit gjatë gjithë ditës mbi kokat tona u hodhën projektilë nga avionët, prej një lartësie mbi dhjetëmijë metrash. Agimin dhe disa të tjerë i kisha afër, po unë më shumë shihja qiellin, prej nga mbi kokat tona kishin rënë projektilë, ushtima e të cilëve, kur niseshin për të goditur caqet, t’i çante veshët. Shihja avionë që kryqëzonin qiellin, por gjatë natës nuk pati as edhe një bombardim.

    Në mëngjes, edhe pse nuk kishim fjetur fare gjatë natës, u zgjuam para se të lindte dielli apo edhe nëse kishte lindur, nuk shihej prej një mjegulle që ishte lëshuar në tokë. Kush kishte ndonjë gjë për të ngrënë, e hante. Të tjerë bisedonin me zë të ulët. Pothuaj gjithë ditën e djeshme, por edhe këtë mëngjes, nuk po shiheshin gardianë. Por, ja, një gardian i bëshëm, me një zë të qetë, thërret të afrohemi që të dëgjonim më mirë atë çfarë do të na thoshte. Ai na tha se më në këtë burg nuk kishte kushte për të jetuar, dhe se do të na çonin në një burg tjetër:

    – Merrni gjësendet tuaja, mblidhuni këtu në katër rreshta paralel me murin!

    Të burgosurit, mbi nëntëqind sa ishin në këtë burg, i mblodhën gjësendet e veta dhe secili po provohej kush po arrinte më parë për t’u bërë rresht. Unë me Agimin dhe me disa shokë, në mesin e të cilëve ishte edhe ai bashkëvuajtësi që ma kujtoi këtë ditë të trishtme, arritëm të vendoseshim në rreshtin e katërt. Në kohën kur edhe rreshti i katërt u rreshtua, në atë hapësirë mbretëroi një qetësi. Gjatë kohës kur Agimi me bashkëvuajtësin i kishin ndërruar vendet, unë as që i kisha dëgjuar çfarë bisedonin, sepse po mendoja për atë që do të na gjente kur të arrinim në burgun tjetër, do të thotë, mendoja për dajakun që do të hanim atje, kur dëgjoj disa krisma që, krahasuar me krismat e një dite më parë, dukeshin si krisma fëmijësh. Për një moment tre rreshtat e parë që ranë mbi mua, më zunë nën vete, po unë ende nuk arrija të kuptoja çfarë po ndodhte, por kur mbi trupat e të burgosurve që kishin rënë si trungjet mbi mua, dëgjova një krismë më të fuqishme, pastaj shtypjen që më bënë këta trupa mbi mua dhe bërtitjen: “Ouuu”, dhe pas një kohe të shkurtër, po në të njëjtin vend, dëgjova edhe një krismë tjetër, dhe prapë shtypjen mbi mua, dhe bërtitjen ”Ouuu”; fillova të kuptoj diçka dhe, duke u zvarritur, dola nga grumbulli i trupave që kisha mbi vete, pa parë asgjë, porsi miu, u çova në këmbë dhe fillova të vrapoj në anën e kundërt prej nga vinin krismat.

    Pasi bëra dhjetë-pesëmbëdhjetë hapa, po sa kohë e gjatë më dukej kjo, u bëra i vetëdijshëm se nuk duhej të vrapoja pipth në këmbë, por të bija përdhe dhe, me këmbë e duar, të largohesha, që të mos më rrokte ndonjë predhë. Në këto mendime, u hodha përtokë, në një vend ku toka përreth një metër zbriste më poshtë, pra aty ku mendoja se nuk do të më kapte ndonjë predhë, por aty i shoh dy gëzhoja të granatave. Edhe këtu do të mund të më vrasin, dhe me këto mendime, u zgjova në këmbë, po tani më i gërmuqur, vazhdova të vrapoj deri te pavijoni i parë, në anën e majtë. Kur arrita aty, nuk hyra brenda po u futa nën shkallët e derës kryesore, si miu. Aty dëgjova edhe zërat e disa të plagosurve. Pas pak dola nga aty dhe mora vrapin deri në fund të oborrit të burgut, ku para meje kishin arritur shumë të burgosurve, përveç atyre që kishin ngelur të vrarë në vend apo që ishin plagosur rëndë e nuk mund të lëviznin.

    Aty i pashë edhe disa të plagosur, të përgjakur, po që kishin mundur të vinin deri këtu.  Njëri ndër ta ishte edhe bashkëvuajtësi që kishte ndërruar vendin me Agimin, i plagosur në të pasmet nga një copë e granatës, ndërsa Agimi, gjatë kohës kur unë po mendoja çfarë na priste në burgun ku po na çonin, i cili kishte ndërruar vendin me të, pasi gjatë gjithë jetës së vet kishte menduar se afër meje do të ishte më i sigurt, kishte mbetur i vrarë në vend nga një granatë që e kishte rrokur në pjesën e prapme të kokës…

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË