Ai vështroi përreth si ta kish përpirë në kuptim me një vështrim të vetëm, atë hapësirë ku gjithçka aty, iu pikturua qartë aq sa u lodh e u bezdis nga kjo.
Apo ta kish shijuar sa të kish mundur, apo sa të kish dashur?
Një portret njeriu!
I bukur apo artist?
Të njohësh sadopak tjetrin, të hysh aty të qëmtosh, të kuptosh!
Dhe gjithçka tjetër të varet nga kjo!
Çfarë pikture do të ishte!
Për të mos qenë, kjo botë që është!
Koha rëshqiste, si një rrjedhë pa kthim duke marrë me vete gjithë këtë botë të cilën e rikrijonte çast pas çasti, për një çast më pas. Nuk mbaron kurrë.
Pa kthyer asnjëherë kryet, prej peshës së gjithçkaje që mbartëte, prej asaj titanie ngjarjesh, historish, që e kish detyruar të lindte, “Kohën e shkuar” si një abort të saj. E që lindte, e lindte më pas, për të jetuar çastin.
Iu shmang syve që po e vështronin, si për të mos dashur të kuptojë, sepse arsyetimi as që hynte në atë vorbull të pyetjes. Madje u nxitua të mendonte se kuptimi nuk hynte në asgjë që thoshte apo bënte.
A nuk janë fjala dhe bëma produkt i çastit, i asaj që thuhet apo asaj se çfarë ndodh? Ka kohë për ta ndryshuar?
E pse duhet ta bësh këtë?
A pret koha që ti të reagosh, veprosh? Askurrë!
Pastaj të pyesësh pse si, çfarë?
Pa përgjigje, pa kuptim!
Ah! Qëmtimi aty!
Kujt i vleu, kush u kthye mbrapsh?
Pse, mund të kthehesh mbrapsh e të ndryshosh, sikur diçka?
Kush e bëri?
Ego? Reagimi menjëherë pas çdo fjale, pas çdo bëme?
Për të mbrojtur veten, nga tjetri?
– Mu duke i lodhur…me hap të avashët… nga valixhja që mbaje…
Vështroi kohën. Kishte mbetur në vend.
Jo, aty ku ai e kish lënë. E braktisur, e pashënjuar, hera herës me kryet ulur prej peshës që mbartëte.
Nuk donte të mendonte se çfarë kish ngjarë, si kish ndodhur dhe pse ai kish qenë asaj ndodhie, përfshirë asaj vorbulle, atij përjetimi!
A kish pasur kuptim?
Prapë ti dreq kuptimi, kush të ftoi ty, këtu?
Si mund të hysh ti, asaj ndjenje Perëndije?
Po! Të përballesh me veten!
Të mund të kuptosh pse-në, kur nuk ka pse, dhe nëse ka, atëhere ti nuk je i vërtetë!
I vërtetë unë? Deri në palcë, deri në ashtë!
Po të vërtetët nuk i do askush, dhe pse bota prej tyre merr frymë!
Jo, bota është bërë nga artistët, nga ndjenja, nga shpirti njerëzor!
E çfarë fituan ata ? Mos muarrën gjë me vete, katedralet, muzetë e famshëm, Kullën Ejfel ?
Flejnë të qetë, gjumin e fundit!
Ah, sa do të doja të mos flija i qetë, në atë gjumë, por i qetë në këtë botë!
Të gjithë përrenjtë e mendimit iu derdhën aty ku paditur dëshironte, qetësisë.
As nuk e kuptoi se kur, por vetëm se u ndje mirë, u preh gjërë e gjatë aty si të ishte një shtrati, kur shtrihesh i lodhur dhe ata çarçafë të bardhë të duken vetë shpëtimi nga ai stërmundim mendimi, ndërgjegje e mjerë që zvarritet së koti, që vret për së gjalli, që të mbyll sytë dhe shpirtin, edhe një dite të bukur ylberi!
O fëmijëri ku je? Sa e pafajshme, sa e dlirë dhe ne tani mbajmë pas vetes një bagazh fajësie, se mendohemi kur flasim, se mendohemi kur diçka bëjmë!
Për çfarë mendohemi nëse jemi të drejtë, të ndershëm?
Njeriu, thotë Frojdi, është në fjalën e parë të tij, pa mendim!
Pakuptuar, po ngrohej një zjarri, diku mes një rrethi njerëzish. Natë yjesh që vështronin, derdhur dritën e tyre, dy syve përballë!
U shpërfaq asaj drite, u lëkund aty si të qe foshnje e t’i gëzohej gjirit të mëmës, u përkund atij vështrimi, si asnjëherë.
Sytë përballë, shigjetuan sytë e tij dhe mbetën aty si një ëndërr, e jetuar e lumtur, e gëzuar, që nuk harrohet kurrë.
Pa kuptuar vrapoi pa ndal, asaj drite agu që fekste, gjithçka ai zotëronte, gjithçka ai prekte, adhuronte, shijonte vdiste dehjes… aromës së buzëve, drithërimës së dorës që e prekte, shkrirjes në një, të trupave.
– O Zot, të falem!
Si e paskam harruar, si mundet? A nuk është endrra ime, vetë frymëmarrja, vetë dashuria që më mban pezull, bukur, gjallë, flatruar? Më jep krahë, të endem frymëmarrjes së malit, aromës së detit, enigmës së liqenit, mes natyrës, së vërtetës që nuk të braktis kurrë! E atij arti që derdhet aty, asaj bukurije të pafund, që nuk njeh asgjë, dhe sundon gjithçka, që është vetë natyra?
-Qëndrrojmë këtu!
Vështroi sytë e ngrohtë prej zjarri, të mallit, afërinë aty, që po e bënte të dridhej me gjithsej dhe dëshiroi me marri, që ky çast të mbetej i përjetshëm.
I mblodhi ata sy, syve të tij dhe i afroi kraharorit, ndjeu qerpikët një, me rrahjet e zemrës.
“O fuqi mbi fuqitë, që më sundon tani mua, oh ndjenjë që më bën zap, përpara teje nuk mundem as të flas!”
– Valixhen… mos e harro valixhen!
Nuk desh të prishte atë oaz lumturie, qetësie shpirti, që e paskish harruar. Nuk do ta lëshonte më, nuk do ta humbiste më, për asgjë kësaj bote!
Unë jam ëndrra ime, tani!
Dhe kujtoi Niçen.
“Unë jam gjëja që duhet të përmirësojë vetveten vazhdimisht!”
Ajo valixhe ishte e rëndë, përmbante peshë, gurrë të mëdhenj kohe, mbledhur racës njerëzore, për të goditur çdo kush i kësaj bote, veten, ashpër, aq sa ajo të përpëlitej vdekshëm, peshës së saj, e të humbej aty.
-Jo nuk do ta marr më …atë valixhe…do ta le aty… dhe pas një çasti, si për të dashur ta jetojë bukur, atë çlirim të përjetshëm, shtoi:
– Do t’ia le, kohës!