More
    KreuLetërsiBibliotekë"Njëra prej ditëve të çuditshme të Krishtlindjes", tregim nga Syd Moore

    “Njëra prej ditëve të çuditshme të Krishtlindjes”, tregim nga Syd Moore

    “Të kërkoj falje për atë që ndodhi. Mami është shumë e vjetër dhe shpeshherë kalon atakë paniku.”

    “Po, për britmat. Kërkoj falje. Ilaçet tanimë e kanë qetësuar. Nuk do të na shqetësojë më. Emocionohet tepër kur një udhëtar ndalon këtu te ne. Besoj i duket pak të pazakontë, pasi rutina rrallëherë po na favorizon këto ditë. Fatkeqësia që të ndodhi duke t’u prishur motori në këtë rrugicë, për ne përkundrazi, është një fat i mirë.”

    “Çfarë ishte ajo që the? Oh jo! Shumë e sjellshme nga ana jote, por më pas dua të ha. Nuk do të doja të prish oreksin. Megjithatë ti vazhdo, të lutem! Unë po marr një pije. Do të të pëlqente të pije një gotë nga vera ime e veçantë e ngrohtë? Ja, lejomë të ta mbush gotën.”

    “Të mjafton besoj? Druaj se mos e kam tepruar pak me kanellën. Kjo është, vazhdo ta pish. Oh jo, ka sa të duash.”

    “Tani, je i sigurtë që do ta dëgjosh historinë? Pothuajse të gjithë i shqetëson nga pak. Disa janë larguar të tmerruar nga shtëpia, sapo e kanë dëgjuar rrëfenjën. Rri i qetë, sepse në shumë raste kam arritur t’i kthej përsëri në ambjentin tonë të ngrohtë dhe të thjeshtë.”

    “Po ke të drejtë. Po tregohem pak modest – në fakt është një shtëpi e mrekullueshme. Jemi me fat.”

    “Atëherë historia… Ti dëshiron ta dëgjosh? Epo, nëse je plotësisht i sigurtë… Shumë mirë! Afrohu pak dhe hidh një cung tjetër në zjarr, nëse mundesh. Sonte është natë e ftohtë. Duhet të shtoj edhe pak qymyr.”

    “Tani kjo do të marrë pak kohë, kështu që rehatohu. Në rregull? Atëherë, unë po filloj!”

    ***

    “Gjithçka zuri fill me zonjushën Kordelia Dorkroft. Më e vogla prej pesë fëmijëve dhe e vetmja vajzë. Qysh në fillim, prindërit e saj mundën ta kuptonin që diçka e veçantë e karakterizonte Kordelian. Qysh e vogël, ajo shfaqi një natyrë tejet të ëmbël, qante shumë rrallë dhe qeshte pothuajse tërë kohën. Ndërsa vitet kaluan, u bë e dukshme se ky fëmijë kaq i adhurueshëm po kthehej në një zonjushë të hijshme. Bukuria e saj nuk përcaktohej vetëm nga tiparet, pasi dallohej edhe nga një karakter i këndshëm dhe fytyrë rrezatuese. Dukej sikur kishte një dritë të brendshme që shndrinte nga Kordelia e cila vihej re prej kujtdo, përfshirë edhe personin që kujdesej për të i cili edhe e drejtoi drejt veprave të Zotit.

    Në këtë mënyrë, Kordelia, u kthye në një grua të devotshme, shpeshherë shihej duke shëruar të sëmurët dhe duke iu siguruar rehati të varfërve. Disa thonin që ajo do t’i bashkohej Kishës, siç ndodhte shpesh, por babai i saj, Majori Dorkrofti, ishte burrë i zgjuar dhe mund ta shihte qartë potencialin e një martese të mire përmes së cilës, nëse planifikohej saktë, mund edhe t’i siguronte vetes rritjen e statusit në shoqëri.

    Sikurse tanimë e dimë, aty ku drita ndriçon më së shumti, bie edhe hija. Në atë kohë, në anën tjetër të fshatit, jetonte një familje tjetër me emrin Barren – Barton. Një familje e vjetër, e suksesshme me shekuj dhe e trajtuar me respekt nga fshati dhe nga e gjithë shoqëria.

    Në familjen Barren – Barton lindën tre djem. Më i madhi ishte vendosur në Londër, i martuar me vajzën e një burri fisnik dhe kishte rritur dy fëmijë të mrekullueshëm që gjyshërit i adhuronin. Edhe më i vogli kishte treguar prirje për studimet dhe kishte arritur një pozicion të rëndësishëm në Observatorin Mbretëror. Mirëpo djali i mesëm, Tomasi, nuk arriti t’i plotësonte pritshmëritë e familjes. Ai ishte njeri gjaknxehtë dhe me prirje të dhunshme. I njohur nga të gjithë si kumarxhi, kishte sjellë një turp të madh tek i ati, të cilit në shumë raste i ishte kërkuar të paguante borxhet e të birit. Dhe Tomasi kishte atë që ju do ta quanit një pasion për vajzat, disa prej të cilave ishin më se të gatshme të shoqëroheshin me të. Përveç pamjes së tij joshëse, djalin e karakterizonte edhe një anë egërsie, me një entuziasëm të tepërt, prekur nga një pasion i rrezikshëm, që pa asnjë dyshim, tërhiqte interesin e shumë vajzave të shkujdesura, të cilat mbase në mendjen e tyre mund të krijonin idenë e një martese të sigurtë.

    Sidoqoftë, shpresat e tyre nuk u plotësuan kurrë. Tomasi nuk dëshironte që një grua ta kufizonte lirinë e tij dhe kryefamiljari i Barren – Barton ishte i detyruar që në disa raste t’u jepte ar si formë dëmshpërblimi.

    Kjo ishte, pranuar prej gjithkujt, një arrogancë e papërshkrueshme nga djali i mesëm, një siguri me të cilën ai e kishte bindur veten se paratë e të atit mund të zgjidhnin çdo problem të shkaktuar prej tij. Dhe kështu, deri në një pikë të caktuar, ai ishte mësuar me këtë mënyrë jetese.

    Tani, dëshirat e Tomasit zakonisht ishin të rënda, mënyrat e sjelljes ishin të pamatura dhe të shkujdesura, por kur ai dehej nga pija, çka ndodhte shpesh, ato rriteshin në mënyrë të pakontrolluar dhe nxirrnin në pah anën e tij të tmerrshme dhe të pakontrolluar në të cilin i ishte shndërruar shpirti i zi. Tanimë, ishte Kordelia, ajo të cilën Fati e drejtoi në rrugën e tij. Tomasi nuk i kishte mbajtur kurrë të fshehta dëshirat dhe klientët e hotelit të zonës ishin të vetëdijshëm për suksesin e tij si joshës dhe për ambicjet e tij të korruptonte dëlirësinë. Emri i Kordelias, padyshim, që ishte përmendur në shumë raste, sidomos për faktin se ai përfaqësonte një vajzë me virtyte, të kthyer në një legjendë të vendit ku jetonte.

    Kur Tomasi po kthehej nga hoteli, në një natë të errët dhe të zymtë, u takua me Kordelian. Ajo kishte qenë duke u kujdesur për një familje të prekur nga temperatura e lartë dhe kishte qëndruar më gjatë seç duhej.

    Çdokush mund ta imagjinojë çfarë ndodhi atë natë të tmerrshme dhe unë nuk do të ndalem te detajet, por mjafton të them se një nga dëshirat e mëdha të Tomasit ishte plotësuar.

    Ditën tjetër, ndërkohë që ai mburrej te hoteli, mjekët kujdeseshin për Kordelian. Plagët e saj ishin të rënda dhe shqetësoheshin se nuk do të ishte në gjendje të mbijetonte. Por, pas dy javësh të gjata, vajza e gjorë hapi sytë. Kujtimet e krimit pothuajse i ishin fshirë nga mendja dhe mbase me kalimin e kohës, ajo do të ishte në gjendje t’i kthehej një jete në dukje normale, vetëm se Fati kishte një tjetër goditje për të: shpejt ajo mori vesh që priste fëmijë.

    Kjo qe një tragjedi mjaft e madhe, jo vetëm për vajzën, por edhe për prindërit e saj, të cilët kishin pasur pritshmëri shumë të larta për bijën e tyre të vetme. Njerëzit thonin se fajtori qe dënuar, por pas takimit të shpejtë të Zotit Barren – Barton dhe Majorit Dorkroft u arrit në një përfundim të përbashkët: Kordelia duhet të martohej me Tomasin. Ishte një ashtu bashkimi që në rrethana të tjera mund të kishte pasur një celebrim. Sidoqoftë, për Kordelian ky ishte një ndëshkim i rëndë.

    Me farën e dhunuesit që po rritej brenda saj, ajo ia arriti të ecte drejt altarit, i ra të fikët, dhe më pas u përmend. Dëshmitarët ishin vetëm prindërit e çiftit dhe çdo gjë mbaroi brenda pak minutash. Më pas, Kordelia u izolua në një vilë të mbyllur.

    Ishte vjeshtë, një natë me stuhi, kur Kordelia solli në jetë dy djem pas një lindjeje të gjatë dhe rraskapitëse. Fëmija i parë ishte djalë i shëndetshëm, i bekuar me tiparet e bukura të së ëmës, i përkryer në çdo anë. Binjaku i dytë që erdhi në jetë ishte krejtësisht e kundërta. Një qenie pothuajse jonjerëzore, qaraman dhe i zi, i mbuluar me qime të zeza dhe të trasha, i dobët dhe i rrudhur si një i moshuar. Lëkura e këtij këlyshi ishte e paformuar dhe e kuqe, dhe kishte një kurriz të çrregullt.

    Sikurse gjithmonë ndodh me nënat, dashuria e Kordelias ishte e verbër. Ajo nuk i dallonte fëmijët nga njëri – tjetri dhe i dukeshin si dy pëllumba. Kështu, ajo iu përkushtua rritjes së tyre me një përkujdesje të pamasë. Çdo shërbëtore që e shikonte me druajtje, e largonin menjëherë. Kështu, qysh në vitin e parë, mbajtën vetëm një shërbëtore të vjetër, Idën dhe një pastruese.

    Gjithsesi, për babain dashuria nuk erdhi lehtë. Tomasi nuk mund ta duronte paraqitjen e gruas së tij. E shkatërruar nga pikëllimi dhe lindja, e shpërfytyruar nga përdhunimi i tij, Kordelias i ishte zbehur bukuria e jashtme. Gjithashtu, krijesa e tyre e revoltoi atë më shumë, prandaj e kalonte gjithë kohën larg shtëpisë dhe shumë shpejt iu rikthye jetës së tij të shthurur.

    Vitet e para të jetës së tyre, mamaja dhe fëmijët jetuan të lumtur. Ishte koha kur fëmijët mbushën pesë vjeç dhe kishin pak më shumë liri, kur Kordelia kuptoi që krijesa të ndryshme filluan të shfaqeshin në dhomën e djalit: një laraskë pa kokë, pjesërisht e dekompozuar; një lepur i vogël, me organet e brendshme të hapura dhe këmbë të shqyera; një ketër pa sy, pothuajse i ngordhur.

    Ishte krejtësisht e qartë për të dyja, shërbëtoren dhe nënën e tij, që mëkatet dhe perversitetet e të atit ishin rrënjosur brenda njërit prej fëmijëve. Padyshim që fëmija nuk kishte faj dhe ishte thjesht një veprim i pafat i natyrës. Kordelia dhe Ida kishin rënë dakord që të ishin vigjilente dhe të fshihnin me kujdes çdo gjë që do të gjenin.

    Me rritjen e fëmijëve, gjërat që zbuluan filluan të bëheshin edhe më groteske. Megjithëse tani dukej sikur një tjetër dorë iu ishte bashkuar t’i ndihmonte – kurdoherë që shfaqej ndonjë krijesë tjetër e copëtuar, do ta gjenin të mbështjellë me fashë, sikur djali me natyrën e Kordelias, kishte tentuar të riparonte punët e pista të djalit tjetër.

    Pa asnjë dyshim, as engjëlli dhe as djalli nuk do ta zbulonte së kush kishte bërë çfarë. Një pakt sekret ishte formuar mes tyre, për të mbajtur të fshehtë atë që i mundonte – njëri që donte vetëm të kafshonte dhe të vriste, dhe tjetri që detyrohej të shëronte; megjithatë Kordelia i njihte mirë të dy fëmijët e saj, e ishte e vetëdijshme se cili kishte marrë karakterin e saj dhe e kuptonte, pa gjykuar se tjetri ishte i njollosur nga ana e errët e të atit. Por prapëseprapë, ajo me natyrën e saj aq të ëmbël dhe të dashur, nuk e favorizoi kurrë njërin më shumë se tjetrin.

    Ndërkohë që vitet kalonin, thelbi i njërit bëhej plot me dritë, ndërsa tjetri ishte më shumë i tërhequr drejt errësirës. Gjatë viteve pasardhëse, ky i fundit po kthehej edhe më shumë drejt dhunës dhe forcës. Kur binjakët mbushën trembëdhjetë vjeç, ishte krijuar një sistem në mënyrë që, herë pas here, të ndaloheshin episodet që ndodhnin kur dëshirat e tij të frikshme dilnin në pah. Me këtë mënyrë, nëna e tij e durueshme, kishte arritur pak sukses, duke kuptuar se ishte një instikt i cili nuk mund të fshihej, vetëm mund të menaxhohej dhe të drejtohej.

    Por Kordelia nuk mund të ishte gjithnjë vigjilente.

    Duke pasur vetëm një pastruese dhe një shërbëtore, ajo detyrohej të shkonte në qytet për të blerë rroba, ilaçe dhe zahire të pagjendshme në fshat.

    Ishte kthimi i njërit prej këtyre udhëtimeve, kur Kordelia bëri zbulimin e tmerrshëm i cili më në fund e bëri të ndërrojë mendje.

    Një mbrëmje të vonë, pastruesja ishte larguar tashmë, por shërbëtorja nuk po shihej gjëkundi. Kujdestarja e tyre kërkoi në çdo vend derisa arriti në dhomën e djemve në katin e fundit të shtëpisë.

    Terrori që mund të ketë përjetuar gjatë asaj skene është i paimagjinueshëm. Në një qoshe ishte njëri nga binjakët i kërrusur si një top, i cili dridhej dhe rënkonte. Në mes të dhomës ndodhej djali i babait. Dhëmbët e tij pikonin lëng të zi dhe ca copëza lëkure e rrobash i valëviteshin përreth gojës. Ndërsa ajo u afrua, Kordelia pa që djali po kafshonte atë çfarë kishte mbetur nga nofulla e shërbëtores.

    Duke mbledhur forcat, Kordelia urdhëroi djalin e saj vrasës të shkonte të pastrohej, pastaj u kthye tek djali tjetër dhe me shumë këmbëngulje ia doli ta qetësonte sadopak, edhe pse ishte shumë i frikësuar.

    Të humbur në këtë moment përkujdesjeje, as djali i mirë dhe as e ëma nuk arritën të dëgjonin trazirat që po ndodhnin një kat më poshtë, derisa dera u hap papritur dhe ato panë Tomas Barren – Barton të xhindosur. Duke parë këtë skenë të tmerrshme, ai u tërbua dhe në pak sekonda tërhoqi fëmijën e deformuar nga krahët e nënës dhe menjëherë e përplasi aq fort në mur, sa kafka e djalit të shkretë u ça. Fëmija engjëll, qimetrashë dhe lëkurëkuq vdiq në krahët e Kordelias. Kjo nuk la zgjidhje tjetër për djalin vrasës, i cili pavarësisht dëshirës së tij drithëruese për mishin dhe errësirën që e kishin tmerruar binjakun e tij të kërrusur, prapë e donte aq shumë. Kur u kthye në dhomë krejtësisht i pastruar, iu hodh të atit.

    Mëngjesin tjetër, kur pastruesja u kthye, gjeti tri kufoma të copëtuara – shërbëtoren, Idën e moshuar, binjakun e kërrusur dhe mbetjet e kafshuara të babait.

    Kordelian e gjorë e gjetën në kopshtet rrotull duke u endur si somnambul, krejtësisht e çmendur. Dhe kush ishte ai që do të dyshonte fjalën e të mbijetuarit, djalit me fytyrë engjëllore, i cili rrëfeu se ishte një grabitës që i kishte sulmuar gjatë natës?

    Pas kësaj, herë pas here, fshatarët do të zhdukeshin, por ato ishin njërëz të pavlerë dhe mund të asgjësoheshin pa shkaktuar ndonjë dëm të madh në shoqëri. 

    Kaluan dekada dhe një rrugë e re u ndërtua. Fatmirësisht kjo solli njerëz të rinj. Edhe pse vendasit do të shmangnin shtëpinë me çdo kusht, kishte rrëfime, dhe akoma ka, që në netë të errëta si kjo mund të dëgjohen britmat e të vdekurve rrugës nga shkohet për në atë shtëpi.

    ***

    “Kërkoj ndjesë mik– a mund ta përsërisësh edhe një herë? Aha, ke ftohtë? Nuk habitem. Tani është errësuar, është e vërtetë.”

    “Po të pyes, a ndihesh mirë? Dukesh tmerrësisht i zbehtë. Çfarë the edhe një herë? Ku ndodhet kjo shtëpi?”

    “Mendova që ta thashë një herë – pse është këtu. Kjo shtëpi. Ke shumë të drejtë.”

    “Kordelia? Po, më në fund e kuptove. Ajo është nëna ime. Jo, të lutem mos lëviz, nuk do të kesh mundësi ta bësh gjithsesi. Tani, besoj se do të më bashkohesh për darkë.”

    Përktheu: Marinela Mundija

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË