More
    KreuLetërsiBibliotekë"Një shfaqje nëqytetin e vogël", tregim nga Skënder Karriqi

    “Një shfaqje nëqytetin e vogël”, tregim nga Skënder Karriqi

    Rrugën për në atë qytet të vogël e bëri me tren. Në stacion zbritën edhe dy udhëtarë të tjerë.  (Arriti t’u shquajë shtatin mesatar dhe ndonjë tipar të fytyrës). Nuk ishte aq vonë. Në rrugët mezi të ndriçuara s’ndihej këmbë njeriu. Iu desh të pyeste një nëpunës poste për të gjetur hotelin. Ai i tregoi me gisht, në përgjumje e sipër vezullimin e zbehtë të një drite jo shumë larg ndërtesës së PT.

    Tek  sporteli i hotelit pa dy nga bashkudhëtarët që patën zbritur me të në stacionin e trenit. U mërzit nga mendimi se do t’i duhej të kalonte natën në një dhomë me ta. Por hotelieri që kishte kuptuar mërzinë e tij, kur i kërkoi pasaportën, i tha se nuk e kishte fare të vështirë ta rregullonte në një dhomë teke.

    Hoteli ku ai punonte, kurrë s’qe populluar ndonjëherë, aq sa të qe problem për vende.

    Falenderoi, mori çelësat dhe u ngjit në dhomë. Kur po përgatitej të flinte, dëgjoi shiun. Ngriti perden për të parë. U rrënqeth prej errësirës. Ideja e mungesës së jetës e trembi. Filloi të mendojë për të ardhmen e tij në këtë qytet të vogël, me të cilin për herë të parë u takua këtë mbrëmje të lagur vjeshte.

    Natën shiu qe dendësuar dhe bubullima të gjata e të forta, shoqëruar me vetëtima, e zgjuan. Ngriti përsëri perden, siç kishte bërë orë më parë, kur përgatitej të flinte, por kësaj here me idenë se shumëçka jashtë ishte shkatërruar. Asgjë nuk ishte shkatërruar. Jshtë kishte vetëm errësirë. Për një çast iu bë se ky qytet nuk kishte patur kurrë agime. Atij do t’i duhej të jetonte në një qytet errësirë. Si masë paraprake ushtrimore, u përpoq ta përfytyronte veten qytetar të kësaj errësire. Gjithçka do të ishte ndryshe. Shumë gjëra që kishin kuptim në kushtet e dritës, këtu do të ishin të pakuptimta.Nuk do të kishte stinë, nuk do të kishte vjeshtë, as mbrëmje pranverore. Shkurt, nuk do të kishte kuptim asgjë që  vjen nëpërmjet figurës; as ekspozita, as filma, as libra, (as që mund të bëhej fjalë për to). Njerëzit, në qoftë se do t’i quanim kështu, nuk do të kishin idenë e formave të tyre trupore. Nuk do të bëhej fjalë për vajza të bukura, për sy të kaltër e të zinj, për flokë biondë apo pendë korbi. Gjithçka që kishte lidhje me figurën do të ishte e pakuptimtë në këtë mbretëri të zezë.

    Përveç kësaj zeznaje, i vetmi element  tjetër i pranishëm do të ishte tingulli, i cili do të orientonte qenien njerëzore. Në këto kushte, organi i perceptimit të tij, në mos i njëjtë, së paku do të ishte i ngjashëm me atë të lakuriqëve të natës. Qytetarët e errësirës do t’i kishin veshët pak më të gjatë për perceptimin sa më të plotë të tingujve dhe deshifrimin e tyre sipas kodeve lakuriqiane të errësirës. Kaq shumë u dha pas këtij imazhi, sa filloi të mendojë për përshtatjen e tij. Forma e mbajtjes së flokëve nuk do të ishte tani një çështje parimore. Sytë do t’i reduktoheshin, duke e humbur tërësisht funksionin e të parit. Duke u përshtatur me errësirën, kjo do të ishte një nga ato humbjet pa dhembje fizike. Derisa të përsosej tek ai organi i perceptimit  ngjashëm me atë të lakuriqëve të natës, do ta kishte të vështirë. Në përpjekje për të ecur në rrugët e errëta, do të rrëzohej e do të përplasej me objekte të ndryshme. Përfytyroi veten të përplasej me një shtyllë dhe nga hundët t’i dilte gjak. Në atë gjendje  mendoi se për ndokënd nga banorët e errësirës mund të ishte një kujtim tronditës. Vazhdoi të mendonte për përshtatjen e tij metamorfike. I erdhi keq për veten nga ai shfytyrim monstruoz nën pushtetin e errësirës. Më keq i erdhi për sytë dhe flokët. Prej tyre kishte qenë i lakmuar nga vajzat. A do të kishte vajza ky qytet? Përderisa figura do të ishte e pakuptimtë në këtë mbretëri të zezë, ç’gjë tjetër do t’i bënte joshëse ato, veç tipareve të fytyrës dhe formave trupore feminile? A do të kishte dashuri në këtë qytet? Iu kujtuan dashuritë e tij në qytetet me dritë. Në kujtime të ëmbla e sipër, e zuri gjumi.

    ***

    U zgjua në orën 7 të mëngjesit. Ndjeu kokën e rëndë dhe shijen e keqe të gojës. Kur i ndodhte kështu, i dukej se ishte i rrethuar nga sende në kalbësim e sipër. Këtë përshtypje kishte edhe për trupin e vet. I bëhej se diçka brenda tij ishte kalbur apo po kalbej dhe kundërmimi i dilte nëpërmjet gojës. Duhet të vishej dhe të paraqitej në bankën ku do të fillonte punën e re. Pasi u vesh, u paraqit në sportel ku dorëzoi çelsin e dhomës. Nuk harroi ta porosisë hotelierin të mos ia zinte dhomën. Ai do të rrinte gjatë në atë qytet. Hotelieri përsëri iu përgjigj, si mbrëmjen e kaluar. Në atë hotel s’kishte ndodhur kurrë të ishte problem për vende. Nëse klienti donte të rrinte gjatë, hotelieri s’kishte pse t’ia zinte dhomën.  Pyeti  se ku ndodhej banka. Pasi mori përgjigjen, u nis shpejt andej nga i thanë dhe nuk e dëgjoi hotelierin që foli zëshëm me vete, i habitur se ç’do të bënte ky njeri që do të rrinte gjatë në qytetin e tyre. Atij kurrë s’i kishte qëlluar t’i binte në dorë dy herë e njëjta pasaportë. Kurrë s’kishte parë dy herë të njëjtën fytyrë bujtësi  në hotelin e tij, as në qytetin e tij. Ndërsa ky do të rrika gjatë! 

    Duke ecur për në bankë, vuri re se nuk po këmbehej me njeri. Po të mos kishte parë dy vetë që, nga veshja dhe llampat e karbitit, kuptohej se ishin minatorë, do të mendonte se po shkelte një rregull ndalimqarkullimi. Kishte dëgjuar të flitej për rrugët e zbrazura ditën dhe të pandriçuara natën në qytetet e vogla. Arriti në bankë. Takimi me përgjegjësin nuk qe i gjatë. Në hapësirën e përbashkët pa edhe katër punonjës të tjerë. Secili punonte në heshtje me shifra, kupona, mandate etj.Nga një aneks dëgjohej tastiera e ngadaltë e një makine shkrimi. Kërcitjet e thata i kujtuan procesin e mbërthimit të arkivoleve. Nuk e kuptoi se nga u shfaq aty një punonjëse e re. Në fytyrën e saj nuk mungonin shenjat e bukurisë, por e mundonte një ndjenjë ankthi. Ishte një ankth pritjeje e gjatë. Përgjegjësi i tha se me drejtorin e qendrës kishin vendosur që ai të fillonte nesër punë. Sot mjaftonte paraqitja e tij.

    Doli në rrugë. Mendoi të gjente një mensë ku të hante a të pinte gjësendi. Gjeti një të tillë dhe mbaroi punë. Endja në kërkim të mensës qe e mjaftueshme për t’i rënë kryq e tërthor atij qyteti të vogël. Përshtypje të veçantë i bënë bordurat e trotuareve. Ngjanin me kufizues përtej të cilëve nuk duhet të kalohej. Trotuaret ishin të pashkelura. Arriti në hotel. Mendoi të flinte. Do të zgjohej të hante drekë dhe përsëri do të flinte. Asnjëherë nuk kishte qenë në gjendje të tillë përgjumjeje. E lidhi gjendjen e tij me pamjen gjumëndjellëse të qytetit. Kjo duhet të ishte edhe arsyeja e mungesës së njerëzve. Para se ta zinte gjumi, i shkoi mendja tek e kaluara e tij plot andralla. Në këtë qytet të përgjumur, i dukej se të gjitha i kishin ndodhur në një planet tjetër.

    ***

    Në mesnatë do të bindej për të kundërtën e qytetit të përgjumur. E zgjoi sirena e një autoveture. Doli në dritare për të parë se ç’ndodhte jashtë. Në rrugën e bankës dalloi një grumbull njerëzish. Diçka u bisedua në  grup. Shtatë-tetë prej tyre u shpërndanë në drejtime të ndryshme. Të shpërndarët kishin lajmëruar qytetarët të mblidheshin. Këtë e kuptoi kur njerëzit filluan të mblidhen nga drejtime të ndryshme. Së pari shkonin tek makina që duhej të ishte autovetura me sirenë, duke treguar haptas kureshtjen se ç’kishte në të.  Atje një gjatosh i drejtonte për nga sheshi i kinoklubit. Ky qytet, që ditën ishte i përgjumur, tani në mesnatë, për një moment po i dukej i gjallë, kureshtar. Perdet e autoveturës nuk lejonin të shihej se ç’kishte brenda. Njerëzit ngrisheshin në majat e gishteve. Drita e zbehtë e një neoni bënte që hijet e tyre të stërgjateshin përçudnueshëm. Dukeshin hije njerëzish pa kocka, pa shtyllë kurrizore.  Dëgjoi të trokitura në derë. Ishte hotelieri. Ai  tha se duhet të dilte tek sheshi para kinoklubit. E pyeti hotelierin se ç’po ndodhte. Hotelieri i tha se këtë mesnatë, në sheshin para kinoklubit kishte teatër. Të gjithë qytetaret duhet të dilnin dhe të shikonin. Duhet të dilnin edhe bujtësit e hotelit. Hotelieri i tha se ata asnjëherë nuk kishin ardhur kaq vonë. Duhet të vinin më parë. Përgjigjja e hotelierit iu duk e çuditshme dhe e pavërtetë. Ç’ishte ky teatër në mes të natës?!.  Ç’ishin ata aktorë që pranonin të luanin në këtë orë?! Ç’pjesë do të luanin?!

    U vesh dhe doli. Donte të dijë se ç’qe kjo shfaqje teatrale që e shkuli këtë qytet nga gjumi i natës, (Këtë qytet që edhe ditën ishte  përgjumur, pale natën). Tek sheshi i kinoklubit katër-pesë vetë po improvizonin një piacë me dërrasa parafabrikate, të ngritur rreth një metër. Një tjetër po montonte nje prozhektor. Një mesoburrë fliste dhe bënte shumë xheste. Nga qëndrimi që mbante, dukej se ishte inspektori i skenës. Kërkonte që prozhektori të levizte më në qendër. Drita të binte nga lart-poshtë, pingulthi. Figura të dukej nga të katër anët dhe sa më e zbehtë. Deshi të pyeste se ç’ishte kjo shfaqje, por ata po vinin. Nga makina doli gjatoshi që kishte parë nga dritarja. Tani i shquhej jo vetëm gjatësia e shtatit, por edhe tiparet e fytyrës vrarëlije. Ai pa orën nën dritën e fenerëve të makinës. Ishte i pakënaqur për shkak të vonesës. Një plak i tha se ata nuk i kishin pritur kaq vonë. Pasi kishin pritur deri në orën tetë të mbrëmjes, njerëzit qenë futur në shtëpitë e tyre. Gjatoshi i tha se shfaqje të tilla parashikohen edhe në mesnatë. Efekti i tyre në këtë orë është i jashtëzakonshëm. Urdhëroi të mbaronin rregullimin se do të fillonin.  Bujtësi asgjë nuk po kuptonte. Mendoi se ishte në ëndërr. Por pamjet ishin konkrete, të prekshme, të drejtpërdrejta.

    Turma levizi për t’i hapur rrugë makinës. Ajo u afrua tek pjaca e improvizuar. Njerëzit u pozicionuan për të parë. U bë heshtje. Po fillonte shfaqja. Diçka doli nga makina, por nuk u vu re. Të gjithë i kishin mbërthyer sytë nga pjaca. Pas dy-tri minutash u ndez projektori. Nën dritën e tij qëndronte një gjysmëkufomë si e zënë peng. Para dhe mbrapa i kishin vënë dy beze të bardha dhe të shkruara. Ato fillonin tek koka dhe mbaronin tek këmbët. Mbi atë që i ishte vendosur para shkruhej; “Tradhëtar i Partisë dhe i Atdheut”. Mbi atë që i ishte vendosur mbrapa shkruhej: “Shkelësit e kufirit në litar”. Gjatoshi urdhëroi me gjeste dikë që ta rrotullonte gjysmëkufomën. Në pjacë hipi një bullafiq i devotshëm dhe bëri ç’i thanë. Njerëzit shikonin të përqëndruar si të lexonin ndonjë libër të shenjtë apo të shihnin skena fantastike nga rrëfimet e shenjta ku ndëshkoheshin rrebelët e qiellit.Ishte një shfaqje tragjike. Pas  disa rrotullimeve gjysmëkufoma u rrëzua. U dëgjua një zhurmë e mbytur sendi që bie. U ndie një rënkim nga grumbulli i njerëzve. Bujtësi dalloi  një nënë 60-vjeçare. Nën dritën e zbehtë të prozhektorit ai mundi të dalloje profilin e saj me tipare të rrafshuara, si një pllakë e vjetër, me mbishkrime të fshira nga koha. Gjysmëkufoma nuk mund të ngrihej më. Njëri nga pleqtë në radhët e para hipi në pjacë. Në mënyrë rituale ai thirri me zë të fortë: “Shkelësit e kufirit në litar”. Thirrja u përserit  nga të gjithë shikuesit njëzëri. Vendimi qe marrë. Në fillim ai qe shkruar në zyra të prokurorisë. Pastaj i qe shkruar gjysmekufomës përgjatë shpinës, nga koka tek këmbët. Ishte komunikuar publikisht nga ky plak dhe ishte miratuar nga përsëritja korale e shikuesve. Ky ritual ishte dhe epilogu i atij teatri të çuditshëm.

    Prozhektori mbi pjacë akoma nuk qe fikur. Njerëzit filluan të shpërndahen në heshtje. Dëgjoi nga pas klithma të vjellash. U shtang kur, nën dritën e prozhektorit, që qeshej me njerëzit, dalloi fytyrën e punonjëses që pati parë në bankë dhe që atij atëhere i qe dukur se vuante nga një ndjenjë  ankthi, një ankth pritjeje e gjatë. Pranë saj ishte një mesogrua e cila përpiqej ta justifikonte dobësinë e vajzës. Duhet të ishte e ëma. Ajo tha se vajza e saj e kishte për herë të parë. Iu kujtua se diçka e tillë, e përafërt, thuhej edhe në rastet e shtatzanive të para të nuseve. Ishte i lodhur prej shfaqjes makabre. U kthye në hotel. Atje e priste gjumi i vrarë.

    Stravaj-Prrenjës, 1989.                                                  

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË