Trazime në tërsëllimë.
Më kishte marrë malli për këtë det të trazuar.
Det i dhuruar përjetësi.
Atë që mbajmë brenda vetes mall.
Atë që s’mund të ikë sërish.
Mall për këtë det në trazim.
Si të vërtetat me tërsëllimë.
Ato që prehen brenda vetes heshtur.
Ato që s’duhet t’i lëmë ikje sërish.
Më kishte marrë malli për këtë det trazimesh.
Si mbërrtija të fjeturve pas përjetësisë.
Ata që s’mund të vdesin dy herë.
Ata që mbeten det i tillë sërish.
Në folenë e erës.
Reja ngjan me një levozhgë të një peme
Shekullore.
Sqepi i një shpendi çukit fijet e erës të
Ndërtojë fole pa tundimet e Penelopës pranë.
Në supin e një njeriu mbërriti supi vjeshtës,
gjethja e parë.
Kjo pëllëmbë që kur mbërrin puhizë në
Trupin tim baltë dëgjon cicërima
Puthjesh dikur.
Ngrihet.
Ngrihet dallga në krenarinë e njeriut të ndershëm.
Me muskuj të bardhë flatrash të së drejtës shkulmon
Energji të prekshme ideali.
Grushtèt sikur do thyejë brigje shkëmbore në mbërritje.
E mrekulluar si njeriu më i lumtur.
Kur mendon se qielli mbetet ringjallje.
Nga pas i vjen velë horizonti era.
Është materia që lë pa gjumë të gjitha vdekjet.
I dhuron plagët më të thella në breg dallgëve.
Heroizmi s’mund të jetë prè e vdekjeve.
Krenohet dallga në fjalë magjike.
Fjalë e thënë thellësisht fshehtësisht deti.
Ajo që ne e shqiptojmë më shumë heshtur.
Por që na lumturon pavdekshëm.
Aromë.
Dielli hesht përmes ndriçimit.
Nxehtësia është verbim i tulit të
Lumturisë.
Dita është e qeshura me gjithë shpirt.
Dhe loti një gonxhe luleje që epshon
Të gjitha dashuritë.
Nga gishtërinjtë e degëve bulëzojnë
Mollëza frutesh.
Puhizat e erës afshohen lutje burri
Në dëshira për të mos dhënë vetëm një
Kafshim…
Lutje aromash.
Ajri është ëndërr në pranverë.
Goja ndjehet më shumë frut i kafshuar.
Aromat e luleve janë të gjitha ngjyrat e dashurive.
Puhizë e erës pezullni e puthjes grua.
Sheh mëngjesin dhe ndjen fëminë brenda vetes.
Në trup kur ecën të rëndon pesha e një peme.
I përkëdhelur nga të gjitha çeljet e gjetheve.
Rrezja e diellit që djersin freskinë e hijes tënde.
Pasditja është rrëshirë gjaku në pritje.
Dhe muzgu me yjet e gjinjve që fsheh grua të zhveshur.
Një zog qesh me cicërimat.
Krahët e tij nuk janë përqafime nga ëngjëjt.
Zukatja insekteve tërheq pas vetes të gjitha enigmat.
Dhe atë më të fjeturën, të pandodhurën, të padukshmen,
heshtjen.
Në ëndërr hyj pemë e çelur.
Me hijen nga pas që s’më arrin dot.
Vrapoj aromë trupi të lë puthjen në hoje bletësh.
Brenda djersisë së natës me flokët e mia
Të ndërtoj një fole për zogjtë.
Shije.
Qielli është mundim i madh
Në etje.
Kur vë shputat nëpër yje.
Ndjehesh i kryqëzuar me vesë
Nate.
Heshtja ka shijen e pluhurt
Të hënës.
Kërkon ujë dhe pin lotin
Tënd që zbret si vetmia.
Nga sy i vdekur.
Mërzia.
Është feta e bukës
E lënë prej ditësh në tryezë.
E zbut me gjalpin e puthjes
Dhe të rikthehet shija e qumështit.
Një gotë me lëng frutash
Është gruaja pas dushit.
Thika , burrëria ku mërzia
Ndjen trembje fëmije para teje.
Feta e bukës tretet në thërrmija.
Ngrihesh pa ngrënë
Dhe sheh mërzinë të shkundë
në duart e tua mbulesën
e sofrës pa thërrmija.
Vjeshta, kjo pranverë e së shkuarës.
Qerpikët e pishave,
këto tendina që burrërojnë
me muskuj erën.
Kundërmimi rrëshirës e ngre
Hijen e pemës në frut.
Nga trupi erës verdhimi ndriçon
Netët e rrënjëve.
Fluturimi gjetheve është buzëqeshje.
Vjeshta, pranverë e së shkuarës,
që dhuron shtegtimin dhe jo vdekjen
e gjetheve.
Të gjitha ringjalljet hedhin supeve
Trupin tonë të heshtur.
Të ngrihesh mëngjes.
Dielli është akoma ëndërr qielli.
Malet ngjajnë si varri i madh i të
Gjitha vdekjeve.
Toka fle ende natë pasi nis të fshehë
Nën plisa yjet.
Pemët janë të ngjallurit e vetëm nga ikjet
E njerëzve.
Dielli shfaqet prush i madh në agshlim.
Tani nata është hiri zjarrit
Dhe dita që përgjon vdekjet në kthim.
Kopsë e hënës.
E plotë, e zjarrtë, e kuqe në lumturi.
Nata ndjen se është brenda vetes verë qielli.
E shtypur në një anë.
Është trupi gruas që dhuron ëndrrën.
Por zhveshjen e ruan ikje…
E vogël në dunë erërash me një qiell
Plot beteja.
Sumbull kapote ushtari.
Qielli në vrasje është vdekja.
E ngrënë, hëna është uri e natës.
E mprehtë në tejdukshmëri.
Gjakos të gjitha heshtjet.
Është manshetë këmishe në darka
Koktejesh.
Ku lumturia mbrëmjes
Zbret yjet fruta në pije.
Pa hënën qielli është nudoja shpirtit
Që s’mbërrin te trupi.
E bardhë si pragu i një shtëpie.
Lyer nga një amvisë.
Nata ndjehet mëngjes dhe djersin
Këtë çorape hëne me
Këmbën tjetër zbathur.
E njëjta përjetësi.
Do të doja ta humbisja thinjën
E moshës.
Aty ku dielli mbetet përjetësi
Dhe perëndimi fshehtësi.
Rudhën e ballit do ta doja
Ta shihja gjithnjë horizont.
Gjurmën e saj vetëm dallgë
Të kreshpëruar në breg.
Përjetësia mbërrin sonte
Hëne e plotë.
Ndërsa unë të gjurmoj plagët e saj
Të rëna në tokë.
Dhe ti fashoj si fëmi.
Gruaja e vjeshtës.
Ajo është pemë.
Rrënjët e saj mbështillen nga
Dhèu i gjoksit prej burri.
Gjaku tundohet të joshë për
Frut hënën e muzgut.
Puthja ime është era.
E mbështjell dhe shpejton
Mes gishtërinjve të degëve
Harbuar.
Ajo është pasdite e artë.
Gjethet e saj veshin këmbën time
Të zbathur.
Unë ndjek aromën e rrëshirës
Që të dehem i ngritur hije peme.
Të gjitha frutat.
Të gjitha frutat shkrihen dashuri
Brenda trupit.
Vetë hija tyre nuk zbriste aq fshehur
Nga buzët.
Kur mbrëmja ngriti fshehtësinë e saj
Pa e treguar pemën.
Hëna nuk ishte këputur ende e papjekur.
Dhe nuk ishte e bukur formë gruaje.
E shtypur në një anë.
Pjesa e fshehur ishte pagjumësia e
Rënieve të gjetheve.
Të gjitha frutat shkrihen brenda
Gjetheve marrëzi ere.
Ngjyra.
Vjeshta ka ylber të saj verdhimin
E artë.
Dhe një frut dielli.
Shija e tij është kundërmimi njeriut
Që mbërrin brenda vetes mbrëmje.
Ndërsa hija e tij një rrugë hëne.
Që nuk shkel mbi ylberin e gjetheve.
Mbërritje.
Në molin e muzgut mbërrin kokë e diellit.
Nuk ka pamjen e asnjë filozofi, të asnjë lideri.
Është thjeshtë materie ku mendimet janë kacavierur
Pas mishit dhe gjakut.
Zbresin nga nata të gjithë të rënët.
E dinë që qirinjtë dhe pse ndezur,
por më shumë janë sklepa të gjumit.
Më pas mbërrin etërit.
I dhurojnë thinjat qiellit
Dhe nata mendon se është dëborë
E çmendur.
Më pas arrijmë ne.
Të trembur si pagjumësia.
Në detin e natës nuk pluskon
Asnjë ëndërr si vala në breg.
Toka në terr është vdekje
Me gurin e hënës te këmbët.
Që prekin muzgun vetëm
Brenda këpucëve tona.
Çorapja e hequr, kjo mjegull pylli
Që qëllon yjet me shigjeta hijesh…