More
    KreuHistoriNikollë Mekajshi dhe kontributi madhor i tij në shërbim të kishës katolike...

    Nikollë Mekajshi dhe kontributi madhor i tij në shërbim të kishës katolike shqiptare

    Nga Kujtim Bevapi

    Mekajshi ishte nga Mjekësi i Elbasanit, por për kontributin madhor të tij në shërbim të Kishës Katolike Shqiptare na jep të drejtën që ta radhitim atë si një nga luftëtarët e shquar në shërbim të saj.87) Për jetën dhe veprën e tij pak është folur. Ai citohet në radhën e studiuesve shqiptarë, në studimet e tyre, kur bëhet fjalë për rolin dhe luftën e Kishës Katolike Shqiptare në shërbim të kombit kundër Perandorisë Osmane.

    Të dhënat dokumentare mbi jetën e tij janë të pakta, sidomos për shkollimin dhe veprimtarinë në vitet e hershme të formimit si prelat katolik. Por gjithsesi, letërkëmbimet, pjesëmarrja dhe drejtimi i tij në kuvendet dhe tubimet kombëtare, lidhja e fortë me komunitetin dhe bashkësinë katolike, kudo që ai shkoi, e rrisin figurën e Mekajshit, duke e radhitur atë në radhën e parë të luftëtarëve katolikë në shërbim të atdheut dhe Kishës Katolike Shqiptare. Në kuvendet e organizuara u hartuan një sërë projektesh. Ato iu drejtuan sheteteve evropiane për çlirimin e të gjitha tokave shqiptare. Në promemoriet tregohej gatishmëria e shqiptarëve për luftë. U bënë përpjekje për t’i bindur qeveritë e shteteve evropiane, që të ndërmerrnin një aksion kundër Perandorisë Osmane, aksion i cili do të bashkërendohej me veprimet luftarake të kryengritësve shqiptarë  dhe ballkanikë.88) Në vija të përgjithshme, veprimtaria e tij mund të përmblidhet:  rreth viteve 1585-1590 e gjejmë në qendrën peshkopale të Mamlit. Më vitin 1592 bëhet peshkop i Stefanisë apo, siç njihet nga  studiuesit, Stefaniakës dhe në të gjitha  dokumentet e cituara përmendet shpesh vetëm me këtë titull. Më 1595 bën përpjekje për çlirimin e Krujës dhe më 1599 shkon në Romë, si përfaqësues i Shqipërisë. Më 1601-1602 ishte ndër krerët kryesorë që përfaqësojnë Elbasanin dhe krahinat rreth tij në Kuvendin e Dukagjinit, ku bashkë me Nikollë Bardhin, peshkop i Sapës e i Zadrimës, nënshkruajnë aktet e këtij kuvendi. Qe një nga autorët e promemories, dërguar në Romë, për largimin e klerikëve sllavë nga Shqipëria.89)

    Në Kuvendin e Dukagjinit janë disa delegatë të Elbasanit, si: Ando Dorëza, ndër krerët kryesorë të Shpatit, si dhe Gjon Gindela, Marin Mashi, Dhimitër Protonotari,  po të Shpatit. Ndërsa Leva (Leka) Dukagjini, Petër Skura, Petër Simili (Shmili), përfaqësonin Elbasanin.90) Kuvendi në Dukagjin u mbajt pranë kishës së Shën Lleshit (Aleksandrit). Morën pjesë  rreth 2656 delegatë laikë e fetarë, të ardhur nga 14 krahina të Shqipërisë: Malësia e Shkodrës, Zadrima, Dukagjini, Kosova, Lezha, Kurbini, Mati, Dibra, Petrela, Durrësi, Elbasani, Shpati, Myzeqeja. Kuvendi u drejtua nga Nikollë Mekajshi, Nikollë Bardhi, Gjin Gjergji. Ai mori vendimin që të fillonte luftën për çlirimin e vendit, të cilin e nënshkruan 52 krerë kryesorë, 4 nga çdo krahinë. Ata iu drejtuan Papës së Romës dhe Venedikut për të siguruar aleatë dhe ndihma me armë, por si Papati, ashtu edhe Republika e Shën Markut, i “këshilluan” shqiptarët se ende “nuk kishte ardhur koha për luftë kundër turqve”.

    Përpjekjet e tyre për të siguruar një aleat të jashtëm dhe armë zjarri, nuk dhanë rezultat. Të nisur nga interesat vetjake, për të ruajtur paqën me Perandorinë Osmane, shtetet kryesore katolike nuk u dhanë shqiptarëve ndihmën e kërkuar.91)

    Nikollë Mekajshi ishte nga ata prelatë “rebelë”, i cili me guxim u vu në ballë të kryengritjeve antiosmane, në vitet 1592-1615 dhe punoi pa u lodhur pr organizimin e kryengritjeve apo lëvizjeve antiturke në Shqipërinë e Mesme dhe në atë Veriore. Në letrën që Mekajshi i dërgon Kardinalit Jul Aldobrandini, më 29 korrik 1603, i parashtron gjendjen e vështirë të klerit në Shqipëri dhe e informon për kryengritjen në Dukagjin. Sipas tij, në Shqipëri nuk duhej të kishte më shumë se 130 priftërinj katolikë, kur numri i të krishterëve katolikë shkon në 150 mijë. Krahina, si: Bërzeshta, Polisi dhe Çermenika, me rreth 4000 katolikë kanë vetëm një prift keqbërës, që jep shembull të keq.92)

    Një pjesë e mirë e letërkëmbimit të tij i kushtohet organizimit të një kryengritjeje të fuqishme kundër osmanëve. Duket që Mekajshi me shokë të tjerë punonin seriozisht mbi këtë kryengritje, duke llogaritur e planifikuar forcat e jashtme dhe të brendshme, të udhëhequra nga fuqitë katolike. Në këtë kontekst ai i dërgon Papa Klementit VIII një projektrelacion më 1603 dhe jep një përshkrim të limaneve të Shqipërisë, tregon forcën dhe gjendjen e kryengritësve. Duhet përmendur fakti që raportet e tij me Venedikun qenë prishur, duke shkuar deri aty, sa venedikasit i shkruajnë sulltanit: “Ruajuni nga Peshkopi i Stefanisë, sepse ai do t’ia  lëshojë Shqipërinë Papës dhe spanjollëve”.93) Mekajshi dhe shokët e tij survejoheshin nga Venediku.

    Autori i projektrelacionit e njeh mirë vendin dhe bën një përshkrim topografik të saktë, duke folur për Veriun, Pjesën Qëndrore dhe atë Jugore. Interesant është fakti që Mekajshi e konsideron Shqipërinë mbretëri, me një qendër metropoli dhe këtë e bën me një qëllim të caktuar, siç do të vërejmë më poshtë. Kjo mbretëri ndahet në katër provinca të populluara, ku ka fshatra, qytete, kështjella dhe në secilën krahinë ka selinë sanxhakbeu turk. Provinca  e parë   është vendosur në një vend detar në vijën bregdetare të Shqipërisë me Durrësin, Vlorën, Shëngjinin, Ulqinin etj, ndërsa në provincën e dytë, në brendësi të vendit, vendos Elbasanin (Albasanin), rreth 40 milje larg detit, por si qytet me seli të sanxhakbeut, rrethohet nga një mur  me rreth një milje, pjesërisht të rrënuar nga tërmeti.

    Ka një varosh me 700 shtëpi dhe rreth e rrotull ka shumë fshatra. Në këtë krahinë ka shumë qyteza, qytete e kështjella dhe është provinca më e fortë që gjendet në Shqipëri, sepse mund të armatosë në një kohë të shpejtë, deri në 20.000 luftëtarë myslimanë dhe ortodoksë.

    Ndërkohë survejimi i Venedikut ndaj Mekajshit, takimeve të tij me miq e figura të njohura vazhdojnë. Rektori proveditor i Kotorrit lajmëron Senatin e Venedikut për informacionet që ka mbledhur nga persona të veçantë, mbi veprimet e peshkopit të Stefanisë për të shtruar bisedime për marrëvshje me spanjollët. Letra mban datën 9 mars 1607.

    Kryengritja e projektuar nga Mekajshi dhe katolikë të tjerë të besuar të tij, kish filluar të konturohej dhe se përmasat e saj duket se i kalonin kufijtë e Shqipërisë. Ajo do të rrokte trevat e Ballkanit dhe shkonte deri në qendër të Perandorisë. Mekajshi shpresonte shumë te fuqia katolike e disa vendeve të Perëndimit, në mënyrë të veçantë të Spanjës, për t’i dhënë fund sundimit osman. Në këtë kontekst ai dërgon në Napoli dy besnikë të tij për bisedime lidhur me kryengritjen. Këtë informacion e përcjell përfaqësuesi i Venedikut në Napoli, duke njoftuar sinjorinë se këtë dërgatë e ka nisur për bisedime peshkopi i Stefanisë. Letra është e datës 9 qershor 1608. Madje njëri prej tyre ka ardhur enkas nga Kastelnovosti (Elbasani) i Shqipërisë. Me të dërguarin e Napolit Nikollë Mekajshi është takuar dhe në Kep të Rodonit larg “syve kureshtarë”, duke u cilësuar si një takim me peshkopin e Rodonit, ndonëse një peshkop të Rodonit nuk ka patur në këtë periudhë.

    Por një kryengritje me përmasa të tilla, një survejim i Venedikut dhe një përndjekje e hafijeve turke ndaj peshkopit të Stefanisë, sado e fshehtë që të ishte, nuk mund të futej në një grykë thesi e të mos merrej vesh. Mekajshi kish marrë arratinë në malet e Dukagjinit. Françesk

    Skoroveu, abati nga Budva, e informon sinjorinë e Venedikut për veprimtarinë e peshkopit të Stefanisë për çështjen e kryengritjes shqiptare dhe flet mbi gjendjen në Kelmend e Dukagjin, ku, siç thuhet, prodhohen barut e arkibugja.94) Gjithashtu letërshkruesi informon, për aq sa ka marrë vesh, lidhur me përgatitjen dhe ujdisjen e spanjollëve për të pushtuar Kotorrin, Kastelnovon (Elbasanin).

    Por vlerësimin më të madh Mekajshit ia bëjnë krerët katolikë shqiptarë në një letër dërguar mbretit Filip të Spanjës, duke e zgjedhur atë përfaqësues të tyre, “…të përndriturin imzot Nikollë Mekajshin, peshkop të Stefanisë, si ambasadorin tonë të vërtetë e të saktë”95), shkruar për udhër të mbretërisë nga sekretari Dom Pjetri  I Zi, abat i Shën Palit, 26 mars 1609.

    Ndërkohë, mbas një pauze tremujore, Mekajshi i drejton një letër mbretit të Spanjës, Filipi III, më të cilën i parashtron kushtet e favorshme, që tanimë ishin pjekur për luftën e përgjithshme, duke i paraqitur atij një plan konkret veprimi.96) Ai sugjeron që me hapin e parë të merrët Albasani, metropol i asaj mbretërie. Elbasani, si seli kryesore e mbretërisë, qe zgjedhja e gjetur nga autori, mbasi nuk mund të mendohej mbretëria pa patur një qendër kryesore. Në planin e tij jepen me shifra konkrete dhe radhë veprimi për ndërhyrje që qytetet kryesore e më pas ndërhyrjet e Spanjës në vende, si: Serbia, Greqia, Bullgaria, Traka e, më në fund, Kostandinopoja.

    Pa u vonuar, më 29 gusht 1609 mbreti Filip III i Spanjës i kthen përgjigje Mekajshit dhe e këshillon të mos shkojë pranë tij në Spanjë, siç kishte propozuar vetë peshkopi, por të  mbajë korrespondencë me ambasadorin e tij në Romë, kontin De Kastro.97) Por “rebeli” shqiptar kërkon ta çojë deri në fund inkursionin në të mirë të popullit të tij dhe për të fituar siguri, me këmbëngulje i dërgon një tjetër letër nga Roma, mbas 29 gushtit 1609, mbretit të Spanjës, duke e siguruar se populli shqiptar qëndron në pritje, pa ndërmarrë asnjë veprim, sipas porosisë së tij, derisa çdo gjë të jetë organizuar mirë. Për sa u takon lëvizjeve me armë, malësorët i mbajnë gjithë kohën, pa ngjallur asnjë dyshim tek turqit.98) Mekajshi është gati të derdhë dhe gjakun e tij, nëse është e nevojshme, për zellin ndaj Zotit dhe dashurinë që ushqen për Madhërinë e Shenjtë të Mbretërisë Katolike.

    Si një fuqi e konsiderueshme katolike, Spanja dhe mbreti i saj, Filipi III, e kishte ngritur flamurin në pushtimet e vendeve të ndryshme të botës. Në emër të katolicizmit përpiqej të zëvendësonte pushtimin osman me pushtimin spanjoll edhe në vendet e Ballkanit.

    Mekajshi besonte dhe shpresonte deri në fund se Mbretëria e Spanjës apo  aleanca politiko-fetare ndërmjet Papatit, Mbretërisë së Napolit apo të Spanjës do të realizonte luftën çlirimtare kundër Perandorisë Osmane. Në pritje të sinjalit të fillimit të luftës çlirimtare kundër turqve, Peshkopi i Stefanisë ndien keqardhje apo zhgënjim nga kjo pritje e gjatë dhe më 15 korrik 1610, afërsisht një vit mbas letrës së Mbretit të Spanjës, Filipi III, Mekajshi i prashtron Papës një relacion lidhur me problemet e realizuara, gabimet e bëra deri tani prej princërve të ndryshëm dhe ç’mbetet për t’u bërë për luftën çlirimtare. Me një letër të shkurtër përcjellëse, drejtuar Kardinalit Borgeze, në datën 15 korrik 1610, peshkopi shoqëron parashtresën apo relacionin  caktuar për Papën, duke thënë: “Unë do të qëndroj duke pritur prej Shenjtërisë së Tij (Papës) përgjigjen”. 99)

    Relacioni fillon me fjalët: “Atë i lumtur! Gabimet kryesore të princave të sotëm janë:  guxim i paktë nga frika e madhe, që të vihen të bëjnë punë të denja për ta. Prandaj ndodh që një lumturi e madhe, të cilën mund ta gëzonin, atyre nuk u vlen, sikundër një krevat ari, që nuk do t’i vlente një të sëmuri…”.100) I pezmatuar dhe me pak shpresë, ai edhe një herë parashtron argumentet e tij, duke e parë Papën si shpresën dhe shpëtimtarin e vetëm, duke i kujtuar se tek Ai (Papa) e dërgoi populli, dëshira për t’u çliruar, për t’u dhënë atyre ndihmë, që të çlirohen njëherë e mirë nga ajo zgjedhë mizore.

    Nuk e dimë se ç’përgjigje i ktheu Papa peshkopit, por Mekajshi nuk mund të depërtonte në konjukturat politike të luftës që zhvillohej ndërmjet Perandorisë Osmane dhe vendeve katolike.

    Vdiq në mërgim më 1615.

    ________________

    85) Z. Shkodra: Islami dhe institucioni esnafor në Shqipërinë etnike. Në: Feja, kultura dhe tradita islame ndër shqiptarët. (Simpozium Ndërkombëtar, Prishtinë, 15-17 tetor 1992), Prishtinë, 1995, f. 138

    86) K. Halimi: Dervishët dhe tempujt e tyre në përgjithësi dhe në Kosovë. Në: “Trajtime dhe studime etnologjike”. Prishtinë, “Instituti Albanologjik”, 2000, f. 72

    87) :Fjalori enciklopedik shqiptar, Tiranë, “Akademia e Shkencave e RPSSH, f.688. Zëri hartuar nga I. Zamputi.

    88) Historia e popullit shqiptar, vël. 1, Tiranë, “Toena”, 2002, f. 566

    89) I Zamputi: Dokumente të shek. XVI-XVII për historinë e Shqipërisë, vol. 2. (1593-1602), Tiranë, 1990. Dok. 34, 160, 194

    90) I. Zamputi: Dokumente…., Dok. 183

    91) Historia e popullit shqiptar, vol. 1, Tiranë, “Toena”, 2002, f. 568

    92) Dokumente të shek. XVI-XVII për Historinë e Shqipërisë, vol. 3 (1603-1621), Tiranë. Dok. 5, f.35

    93) I. Zamputi: Dokumente…. vol. 3, dok. 9, f. 44

    94) I. Zamputi: Dokumente…., vol. 3, Dok. 150, f. 221

    95) I. Zamputi: Dokumente…., vol. 3. Dok. 157, f. 231

    96) I. Zamputi: Dokumente…., vol. 3. Dok. 158, f. 232.

    97) I. Zamputi: Dokumente…., vol. 3. Dok. 160, f. 241-242

    98) I. Zamputi: Dokumente…. .vol. 3. Dok. 161, f. 242-243

    99) I. Zamputi: Dokumente…. .vol. 3. Dok. 165, f.247

    100) I. Zamputi: Dokumente… ..vol. 3. dok. 165., f. 248

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË