Kur miku im Niko Kacalidha, poeti i shquar i letërsisë shqipe dhe asaj greke, më foli për të botuar disa poezi që i kishte përkthyer nga greqishtja, nuk do ta kisha menduar kurrë se bëhej fjalë për ish atasheun e shtypit të ambasadës së Geqisë, Niko Vlahakisin, që e kisha njohur vite të shkuara në Tiranë.
Isha botues i ri atëherë dhe problemet me viza për të udhëtuar në vendet e BE për panairet ndërkombëtare të librit apo për çështje pune, ishte, pak të thuash, një vuajtje e madhe. Sidomos, interesi ishte për fqinjin tonë jugor, ku na lidhnin përveç kulturës së pasur, por edhe biznesi i shtypshkronjës.
Ajo që më ka mbetur në mendje sot e kësaj dite, ka qenë sikleti im, se si pas gjitha atyre bisedave të çmuara me atasheun e ri të shtypit në ambasadën greke, për letërsinë dhe botimet, për Homerin, Elitisin, Seferisin, dhe sidomos Kadarenë (unë sapo e kisha nëshkruar kontratën me gjeniun tonë), do të vinte ai moment kur më duhej të zbrisja nga Olimpi i artit dhe të kërkoja … një vizë për të hyrë në Greqi. Sidomos, kur shihja nga dritarja e zyrës së tij, radhën e pafund të bashkatdhetarëve të mi, që rrinin të heshtur me ditë të tëra përballë sportelit të ambasadës.
Kjo vizë më nevojitej atëhere sepse doja të shtypja me cilësi të lartë (megjithëse Onufri kishte shtypshkronjën e vet) një vëllim poetik të Kavafisit, që e kishte përkthyer miku im Luan Zyka, një njohës i shkëlqyer i greqishtes. Por ç’kishte bërë Nikos, ndërkohë që ne bisedonim? E gjithë procedura për marrjen e vizës ishte kryer. Edhe sot që po i shkruaj këto radhë e ndiej lehtësimin dhe sjelljen e tij elegante dhe i jam përjetë mirënjohës!
Duke përkthyer këtë intervistë të tij të para pesë vjetëve, mesova se ishte një poet i rëndësishëm i kulturës greke dhe Kavafis kishte ndikuar në krijimtarinë e tij. Ja që Kavafis, me siguri, kishte ndikuar tërthorazi edhe për mua për t’i shtypur poezitë e tij në Greqi.
Letërsia dhe arti nuk kanë kufij, por atëhere isha me fat që nëpunësi i ambasadës ishte poet dhe me siguri, kishte respekt për botuesit.
S’euxaristo polu agapite Nikos!
Bujar Hudhri
Nikolaos Vlahakis është një poet grek, veprat e të cilit janë përkthyer në anglisht, spanjisht, frëngjisht, bullgarisht dhe gjermanisht. Ai ka shkruar gjithashtu artikuj mbi letërsinë, politikën ndërkombëtare dhe teorinë sociale, të cilët janë botuar në gazeta dhe revista, në Greqi dhe jashtë saj. Ka qenë poet i ftuar në Festivalin e 27-të Ndërkombëtar të Poezisë në Medellín, Kolumbi; pjesë nga përmbledhja e tij e parë poetike janë përkthyer në anglisht dhe bullgarisht dhe janë botuar në revistën “Literaturni Balkani”, ndërsa disa nga poezitë e tij janë botuar së fundmi në revistën franko-kanadeze “Le Crachoir de Flaubert” dhe në “Variations”, revistën letrare të Universitetit të Cyrihut.
Vlahakis ka lindur në Kretë në vitin 1967 dhe ka studiuar filozofi në Universitetin e Sofjes, Bullgari. Ai ka studiuar gjithashtu administratë publike në Shkollën Kombëtare të Administratës Publike në Athinë dhe ka marrë një diplomë master në marrëdhënie ndërkombëtare dhe studime strategjike në Qendrën Evropiane për Kërkime Ndërkombëtare dhe Strategjike në Bruksel. Ka shërbyer si Këshilltar për Shtypin dhe Komunikimin në disa ambasada greke, mes të cilave edhe në Tiranë.
Ju keni botuar tashmë tre përmbledhje poetike dhe shumë nga poezitë tuaja konsiderohen si të ndikuara nga poeti i madh grek Kavafis. A keni burime të tjera frymëzimi?
Zakonisht kemi ndikime të ndryshme, madje edhe ata që nuk shkruajnë, por janë thjesht lexues të poezisë. Është e vërtetë që disa kritikë kanë vërejtur një ndikim të Kavafit, kryesisht në përmbledhjen time të dytë poetike “Ura e Shqiponjave”. Të tjerë kanë dalluar ndikimin e Odiseas Elitisit ose, në përgjithësi, të të ashtuquajturës “brezi i viteve ’30”. Kjo është pjesërisht e saktë, megjithatë mund të them se shqetësimi im është të shoh përtej këndvështrimit të këtij brezi.
Shpesh jam kthyer te autorët klasikë të poezisë moderne greke, nga Solomos te Palamas, Kavafis, Seferis, Elitis, Ricos etj. Kjo ishte e pashmangshme në përpjekjen time për të krijuar një stil më personal. Në këtë përpjekje kam pasur edhe dëshirën për të hyrë në një dialog me këta poetë të mëdhenj. Megjithatë, gjatë këtij procesi, njeriu duhet të zbulojë shprehjen e vet.
E njëjta gjë ndodh edhe sa i përket ndikimeve të huaja, veçanërisht në gjuhët që përmendët: Pablo Neruda dhe Lorka ishin ata që më tërhoqën më shumë në poezinë spanjolle, ndërsa simbolizmi francez është, sipas mendimit tim, një model i pakapërcyeshëm i poezisë. Dikur kam qenë i apasionuar pas Mallarmé-së, Paul-Marie Verlaine-it, si dhe Arthur Rimbaud-it.
Sa i përket poetëve anglishtfolës, mund të pranoj se kur zbulova Allen Ginsberg-un, kjo ishte arsyeja që fillova të shkruaj sërish poezi pas një periudhe të gjatë ndërprerjeje. Poezia e tij më dha shtysën për të rifilluar, duke bërë disa ushtrime përkthimi. Më vonë u mahnita edhe nga William Butler Yeats. Megjithatë, takimi me shumë poetë të tjerë nga vende të ndryshme e pasuroi rrugëtimin tim poetik. Thelbi, sigurisht, është që të gjitha këto ndikime të ndryshme t’i shndërrosh në “idiomën” tënde poetike, dhe kjo mund të bëhet vetëm në “punishten” tënde poetike.
Cili ishte kontakti juaj i parë me poezinë? Cila nevojë e brendshme ju shtyu të shpreheni në mënyrë poetike dhe cilat janë burimet e frymëzimit tuaj?
Prirja ime për të shkruar, veçanërisht poezi, u zhvillua që në moshë të hershme. Tradita familjare tregon se xhaxhai im, vëllai i nënës sime, botoi disa përmbledhje poetike shumë të spikatura, të cilat na i dhuronte. Në ishullin e Kretës, ku jetoja në atë kohë, mora pjesë në disa konkurse letrare lokale në moshën 16–17 vjeç, ku u vlerësova me çmime dhe veprat e mia u botuan. Kjo ishte një shtysë e fortë që e mbajti gjallë interesin tim për poezinë.
Fillova të shkruaj sërish poezi pas një periudhe të gjatë ndërprerjeje, kryesisht pas viteve të studimeve, megjithëse gjatë kohës së studimeve lexoja shumë prozë dhe romane. Në Kretë, megjithatë, ku jam rritur, tradita e gjallë popullore që buron nga “Erotokritos” dhe vazhdon me vargjet e rimuar në formë rrëfimi ose dialogu (mantinada), na bën të gjithëve të mendojmë si poetë! Frymëzimi im buron nga përpjekja për të shprehur reflektimin filozofik në formë poetike. Një përpjekje për të ndërthurur filozofinë me formën e përqendruar dhe të dendur të poezisë.
Për shkak të detyrës suaj si Këshilltar për Shtypin dhe Komunikimin në Sekretariatin e Përgjithshëm për Media dhe Komunikim, keni jetuar për shumë vite jashtë vendit. A ju ka munguar Greqia gjatë gjithë këtyre viteve?
Po dhe jo. Meqenëse rutina ime e përditshme dhe puna ime ishin drejtpërdrejt të ndërthurura me aktualitetin politik dhe zhvillimet e tjera në vend, si edhe si pjesë e administratës publike të Greqisë jashtë saj, nuk do të thosha se më ka munguar Greqia. Ajo ishte vazhdimisht e pranishme në mendjen time. Ajo që më ka munguar ndoshta ishte peizazhi, njerëzit e mi dhe kujtimet e mia. Megjithatë, kjo nostalgji është një shtysë krijuese për poezinë.
Cili është fokusi kryesor i përmbledhjeve tuaja poetike?
E konsideroj veprën time poetike, të botuar nga Gavrielides Publications, si një trilogji, një reflektim i përsëritur mbi historinë greke, brenda hapësirës dhe kohës, si edhe mbi historinë e Ballkanit dhe të Evropës në përgjithësi. Për më tepër, librat e mi janë të lidhur me qytetet ku i kam shkruar, gjatë kohës kur shërbeja si Këshilltar për Shtypin dhe Komunikimin në disa ambasada të Greqisë: përmbledhjen e parë e nisa në Tiranë dhe e përfundova në Bruksel; të dytën në Sofje dhe të tretën në Budapest. Në njëfarë mënyre, ato janë kronika poetike të këtyre qyteteve, ose të paktën kështu do të doja t’i karakterizoja.
Përmbledhja e parë (Traktate të një Force Shumëkombëshe ose Terra Incognita) i referohet një konceptimi të Ballkanit si një terren i ashpër historik, i cili e përvetëson ose madje e burgos objektivitetin në sferën e brendshme të idesë së një toke të panjohur (Terra incognita është nëntitulli).
Përmbledhja e dytë është një metaforë e rikthimit të përjetshëm në Kohë, përmes portave të një ure të ruajtur nga katër shqiponja imagjinare (Ura e Shqiponjave), të cilat përbëjnë korin, ndërsa në qendër gjendet një kalendar digresiv i jetës së përditshme. Mund të them se është një këndvështrim metafizik i historisë.
Në përpjekjen e tretë, bëj një anatomi poetike të stereotipeve tona atavike, atë që filozofi anglez Francis Bacon e quajti “Idola tribus”. Në mënyrë të pashmangshme, kjo më çon në një marrëdhënie të vetëdijshme me Greqinë dhe atdheun tim, Kretën. Në këtë kuptim, e shoh veprën time si një lloj poezie politike, megjithëse jo e dukshme në shikim të parë.
A mendoni se revolucioni digjital ka ndikuar në krijimin poetik dhe, nëse po, në ç’drejtim?
Jo në mënyrë kaq vendimtare, por besoj se ai do të ndikojë çdo aspekt të artit dhe të shprehjes. Dhe nuk kam parasysh vetëm mënyrën e qarkullimit, botimit dhe shpërndarjes së krijimtarisë poetike. Ai do të ndikojë në mënyrë strukturore.
Le të jap një shembull: haiku-ja ka filluar të bëhet një formë poezie me të cilën po merren gjithnjë e më shumë poetë në mbarë botën, duke shkuar përtej traditës japoneze që e krijoi atë. Kjo ndodh sepse sot, me një “tweet” të thjeshtë, mund të shpërndash haikun tënd të përditshëm. Nga ana tjetër, ky fakt përcakton edhe mënyrën se si po shkruhet sot poezia, me çfarëdo ndikimi që kjo mund të ketë, negativ apo pozitiv.
Poezia rikthehet në plan të parë, pasi interneti kërkon komunikim të shkurtër dhe të përmbledhur, një lloj sinteze, si një formë arti bashkëkohor. Vitin e kaluar mora pjesë në Festivalin e 27-të Ndërkombëtar në Medellín, Kolumbi, ku kuptova se prirjet moderne në poezinë ndërkombëtare po ndërthurin multimedia-n, video-artin dhe artet performuese në përgjithësi.
A mendoni se kriza e fundit ekonomike ka ndikuar në poezinë greke?
Mendoj se po. Brezi i ri ka filluar të krijojë artin e kësaj periudhe në çdo fushë. Është një përvojë kolektive që përcakton fuqishëm mënyrën se si sot i perceptojmë horizontet tona. Është karakteristike se, kur po largohesha nga Berlini, ku shërbeja së fundmi, një poet gjerman më propozoi të përgatisnim së bashku një “Antologji të Poezisë Greko-Gjermane të Krizës”.
Për më tepër, ajo do të jetë shenja që ndan dy periudha të historisë së fundit të Greqisë: periudhën e krizës nga periudha pas saj.


