More
    KreuLetërsiShënime mbi libraNiko Kacalidha: Një Elitis brenda meje…

    Niko Kacalidha: Një Elitis brenda meje…

    Vëllimi poetik “Aksion Esti” nga Odiseas Elitis, përkthyer nga Niko Kacalidha, Onufri

    Një Elitis brenda meje dhe rreth meje. Edhe është edhe s’është vegim. Para meje librat e tij që m’i dërgoi kohët e fundit me autografin klasik: “Niko Kacalidhës, përzemërsisht, me dashuri, miqësisht. Odiseas Elitis.” Dhe putha shkrimin e bukur sikur të puthja mermeret greke. Sikur të puthja dorën e tij. Sikur t’i lutesha një perëndie. Elitohyjnisë. Kështu prej asaj dore puth të gjitha perënditë e tjera të grekëve.

    Në shtëpinë prindërore në Leshnicën e Sipërme, nën hijen e malit tim hyjnor, gjithmonë zbriste fantazisë sime nëntogeri i mobilizuar që në ditët e para të luftës italo-greke në brezin e zjarrit të malit, Elitis, i hershëm, i ngjeshur, mjekrosh, me uniformën dhe rripin shtrënguar.

    Në shtëpinë time në Sarandë, disa metra larg detit, prapë një Elitis tjetër më ka rrethuar dhe sikur më thotë: “Në qytetin ku jeton ti, prej kohësh kam kaluar duke ndjekur italianët këmba-këmbës, netëve të pafundme gjer në Akrokeraune. Pikat e gjakut tonë janë ende të njoma nëpër rrugë.”

    Dhe kërkoj vazhdimisht rrugëve të qytetit tim gjurmët e Odiseas Elitisit. Përballë, më zgjojnë mëngjeseve këndesat e Korfuzit. Sipër nga bedenat e kështjellës, Elitis, student i shkollës ushtarake, duke vështruar brigjet tona, përballë. Se mos dallonte Seferisin e madh, më sipër meje, me “gegët dhe toskët”.

    Një Elitis rreth meje dhe një Elitis brenda meje që dua ta deshifroj.

    Para meje, tani: “Kënga heroike…”. Nëntogeri që dergjet mbi kapotën e përzhitur në Malet Akrokeraune dhe ia shërojnë plagët mëmat tona me të zezat si në tragjeditë e moçme. Qielli i mrrolur. Buka kullon gjak. Shekujt e zinj lehin, me skelete qensh. Gjëmojnë kambanat e kristalta për pashkën e perëndive, himnin e heroizmit dhe rezistencën e lirisë.

    “Aksion Esti” dhe “Oi, oi mëma ime”, “Oi, oi mëma ime”. Klithma e vdekjes që jehon ende humnerave tona. Sinteza liriko-filozofike. Himni i helenizmit dhe i shpirtit helen me diej, male dhe dete. Triptiku i ngjyrave greke të përjetësisë.

    Brenda meje Elitis me brigjet gjithëkaltra dhe ullinjtë gjithëgjelbër të mbijetesës. Shpirti dhe trupi i bukurisë. Magjitë e përjetshme të poezisë greke. I lindur prej Egjeut, lindi Egjeun. I lindur prej Greqisë, pjell Greqi. Diçka filozofike buron prej damarëve elitianë.

    “Aksion Esti” (E denjë është) – një kor polifonik profetik. Elitis dëshmitar i gjallë i historisë nuk psal De Profundis. Liturgjitë kishtare, psalmet dhe himnet bizantine, elegjitë greke, janë tradita.

    “Aksion Esti” gjëmon nga triumfi, shpërthen vitaliteti i pjellshmërisë.

    E përndritshme, e ngazëllimit onirik. Me klithmat në kllapi të heronjve që herë çajnë dete dhe herë metamorfozohen në qenie të tjera si në epet homerike. Në thelb është poeti, atdheu dhe vlerat e tij. Me të përgjithshmet: hyjni, male, ishuj, heronj, shenjtorë, pëllumba dhe vajza, kryeengjëj dhe erëra, poetë dhe lule, zëra njëqindvjeçarë dhe statuja të shkëmbinjve. Me të përveçmet: brigjet e Homerit, gjuha greke, fjalë sirenash, Krishti u ngjall, vargu i parë i himnit, lëvduar qoftë. Himara, Delvina, Saranda, Helenat e bardha, Nemesis, dallëndyshja dhe pranvera, zoti kryemjeshtër, heronjtë-shenjtorë, ishujt-tempuj. Dhe përmbi të gjitha, drita greke. Dhe tani dhe përherë dhe Aksion Esti. Kjo bota, e vogla, e madhërishmja.

    Kjo botë brenda meje. Bukuria dhe magjia që burojnë nga kumbimet, tingujt, bashkëtingëlloret, zanoret dhe shndërrohen në poezi, që sjell adhurimin e natyrës, fiziolatri, harmoni gjithkund.

    Sikur parajsën ta ketë ndërtuar Elitis me modelin e hapësirës së tij. Me një verë të perëndishme në një gjithësi virgjine si në ditën e parë të gjenezës. Këtu Zoti krijoi botën. “Në fillim drita./ Dhe ora e parë/ ku buzët ende në baltë/ shijojnë sendet e botës”.

    Drita e pafundme është jeta e pasosur. Drita kalon nga Elitis dhe brenda nesh bën metamorfozën e shpirtit njerëzor. Bën fotosintezën poetike të diellit dhe lind e kaltra e thellë e qiellit dhe e detit.

    Transparenca është ekuilibri i botës. Elitis edhe në çastin më kritik nuk e nxin botën. Erosi dhe dashuria është burim i dritës dhe i atdheut. Këtu parajsa që shtyn ferrin. Këtu Zoti, kryemjeshtër. Këtu Homeri, kryelirari.

    Elitis është figuracion i dukshëm dhe i padukshëm. E ndritshmja dhe e pandritshmja. Është meditacion i vargmaleve, jehonë greke, tragjike, bizantine, demotike. Elitis është realitet dhe s’është. Surrealizmi i tij pjell figura kinematografike. Elitis pjell figura dhe jo fjalë që zvarrisin pas tyre fjalë të tjera rimash shterpe. Në një të tillë moral beson Elitis dhe këtë moral poetik pranon në botë. Kjo poezi i ka me vete të gjitha llojet klasike. Veçse çelësi i parë i brezit të tij është i lirës. Elitis është liriku i madh i mbyllur midis maleve. I mbyllur midis deteve. Mos është vallë murg a eremit? Jo. Është kryemjeshtër.

    Dhe natyra virgjërore, ndrojtur hap gjinjtë e saj, për të rrëfyer të fshehtat e veta.

    Kllapi, përçartje? Se mos ka ligjësi të prera si me thikë natyra? Tani, në qoftë se do të shkëlqejë, shkëlqen. Tani, do që të vrenjtet, vrenjtet.

    Brenda meje në altar “Aksion Esti”, me arkitekturën e tij si një Partenon që ka pak e nga të gjitha. Shtylla dhe ballëzina, shkallë dhe statuja. Simetri e artë në llojin e vet. Prerja e artë aristoteliane e sendeve. Poezi, muzikë, lexime të hedhura atje, psalme, ode, fjalë të prera, ligjërime.

    Në kohën e Babilonisë zoti e privilegjoi Elitisin, gjuhën ia dha greke. Kjo është nga thesaret e tij të para.

    Tek Elitis çdo dukuri merr vlera të reja, mbështjellë mes dy fjalëve: gjuhësore dhe poetike.

    Gjeneza. Vuajtjet. Gloriozja. Janë tri shtylla që mbajnë gjithësinë elitiane. Elitis është një gjithësi e kompletuar, adhuron një hyjni, që duhet të quhet Elitohyjni. Unë i besoj Elitohyjnisë së metaforës, që shkatërron aritmetikën e thjeshtëzimeve vanitoze.

    Këtu, fantazi onirike. Kozmogoni. Jetë e vdekje. Dashuri dhe diell.

    Elitis është edhe plak filozof, edhe fëmijë i fantazisë së “Shegës së çmendur”, edhe mrekulli-vullkan i ishujve, zog motak dhe delfin vajzëror.

    Kur lexon Elitisin, të duket i pambarueshëm. Kur e rilexon, e gjen ndryshe nga hera e parë dhe prapë nuk e ke konsumuar. Rilexon dhe optikë tjetër shfaqet. Ky karrem i Elitohyjnisë është tërheqje si e plakut të Heminguejt. Të tërheq gjithmonë pranë tij. Çdo fjalë është varg. Çdo varg sintezë. Çdo sintezë akullnajë. Është mal që nuk pushtohet lehtë. Nuk mund të ngjitesh nga të njëjtat shtigje që kaloi Elitis, sepse ai nuk mori shtigjet e të tjerëve. Të vështirat zgjodhi.

    Elitis e merr fjalën si mermerin dhe e gdhend në të katër dimensionet. Kështu fjala merr dimensione të reja dhe vlera. (Kush mund të mendonte se do të hynin edhe mushkarët pranë mermereve në poezinë greke?)

    Fjala e Elitisit është e peshuar, e latuar, e bukur, muzikore, e ngrohur në gjirin e tij, e sprovuar në acar dhe në diell. Ajo për-ngjan me kristalet e apokalipsit, lëbyr, në gjuhën e çuditshme të mermerit. Madje, edhe i famshmi “Aksion Esti” bëhet më profetik dhe nga psalmet kishtare.

    Elitis është njohës i maleve dhe i deteve, po si hamall ngre male të reja. Krijon të tjera dete. Rrëzon kufijtë tradicionalë midis tyre.

    Kjo bota e Elitohyjnisë. E ekzistencës dhe mosekzistencës.

    E tokësores dhe fantastikes.

    Elitis nuk është imitues, është krijues i botës së tij elitiane që pjell hapësirën dhe kohën, njërën mbi tjetrën. Bota ideale në Polisin e tij pranon të bashkëbisedojnë perëndi dhe shenjtorë, filozofë dhe engjëj, shegët dhe dritat. Vargu i Elitisit është i vendosur i milimetruar në faqen e bardhë të vegimeve. Në vijën e tij vizuale. Jo në kuptimin klasik. Është i krasitur si me gërshërën diellore të Egjeut, është alkimia e simetrisë së vargjeve e të ngjyrave.

    Greqia është perëndia e Odiseas Elitisit. Kodet e tij poetike janë si perikope germash të moçme. Bukuri, Homer, Odiseas (Elitis). Ç’koincidencë, që të tria fillojnë me omikronin e lashtë kapital grek.

    Bukuria bën botën dhe është mëkat të nxish bukurinë.

    Skenografia e gjithë peizazhit detar grek është e Odiseas Elitisit.

    Rigatimi i miteve në rërat e Homerit është i Odiseas Elitisit. Vallet e bletëve, kuintesenca e kësaj bote, sinteza e melodive të puhizës dhe erës lindore me shkëlqimin dhe klithmat e vetëtimës, të Odiseas Elitisit janë. Paraqitja estetike e vargjeve si në shkallët e amfiteatrove të lashtë përsëri e Elisit është. Bukuria e Odiseas Elitisit është një tempull i bukur së brend-shmi, i bukur edhe nga jashtë, i di të çarat e mureve,  plagët dhe hedh shumë dritë-melhem të grekëve për t’i shëruar. Si me tërfilin detar që bën të vdekshmit të pavdekshëm.

    Ekonomia e figurës së tij është tek atomi që dalëngadalë bën mermerin. Dhe mermeri ngre në këmbë tempullin me dritaret e fshehta si kaleidoskopë, që të të nxjerrin në botën e Odiseas Elitisit.

     Shumë fjalë nuk m’i shpjeguan fjalorët akademike. Ishte drita e “Ungjillit” tënd që ra brenda meje. Kështu, surrealisht, kërcenin dhe bëheshin një botët dhe në “Ungjillin” e përrallave të gjyshes sime.

    Druri elitian është fiziologjik. Nuk është jashtëtokësor. Ai hodhi rrënjë në tokë pjellore dhe u ujit në Olimp me nektarin e perëndive. Dhe nëse ngjitet dhe gjethëron, në monologun dodonik, nuk është hermetik dhe i pakuptueshëm. Me perënditë e lashta bisedon dhe me vdekatarët e botës. Kështu janë profecitë e tij. Edhe në Dodonë, profecitë thikë me dy presa ishin. Si t’i kuptoje? Atje ishte dhe vlera e tyre.

    Aksion Esti! E denjë vlera e tyre!

    Sarandë, 15 janar 1995

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË