More
    KreuLetërsiShënime mbi libraNga Irena te Madalena, historia e vajzave dhe virgjëreshave të...

    Nga Irena te Madalena, historia e vajzave dhe virgjëreshave të Ridvan Dibrës

    Nga Andreas Dushi

    Ishte viti 1993 kur ndër radhët e intelektualëve shkodranë u shpërnda me të shpejtë, herë mbi dorë e herë nën të, një libër i vogël me titull, për kohën, mjaft provokues. “Prostituta e Virgjër” erdhi si një burim vlere mes shkretëtirës së letërsisë që, duke u çliruar nga kufijtë e vendosur prej diktaturës komuniste, nxori në dritë vepra, vlera e të cilave ishte vetëm kostoja e letrës së harxhuar për to.
    Në të, autori kërkon të përshkruajë Irena B., vajzën e qytetit të tij, nëpërmjet syve të “atij”, personazhit i cili jo domosdoshmërisht personifikohet me vetë autorin. Motivi i një prostitute të virgjër erdhi ndër letrat shqipe si zëri i parë kritik karshi pjesës moraliste të letërsisë së realizmit socialist.
    Vetë termi “realizëm socialist” nuk shpreh asgjë, për sa kohë që letërsia e cila përfaqësonte këtë rrymë, tregonte për jetesën e frytshme gjatë socializmit, i binte ndesh realizmit, pasi jetesa e frytshme vetëm reale nuk ishte. Edhe personazhet të cilët ndaheshin me hendek njëri prej tjetrit, i pari pozitiv (i bardhë) dhe i dyti negativ (i zi), nuk përfaqësonin asgjë që mund të ishte reale.
    Por për të mos u ndalur këtu, pasi këtë temë ndoshta do të lexoni ndonjë herë tjetër, le t’u rikthehemi sërish virgjëreshave të Ridvan Dibrës. Libri i tij i fundit, botuar nga “Onufri”, mban titullin “Dashuritë e virgjëreshës Madalenë”, për të cilën virgjëria ishte problem kur ishte dhe kur nuk ishte. Në të trajtohen problemet një vajze në raport me shoqërinë dhe të shoqërisë karshi saj.
    Në kontekstin biblik, fiku është fruta e vetëmjaftueshmërisë dhe Madalena duket sikur e ka këtë frutë të preferuarën e saj. Përkundër dashurive të pakta dhe të pavlera, vetëmjaftueshmëria është për Madalenën çelësi praktik që zgjidh çdo problem patetik. Ndryshe nga sa shfaqet zakonisht në letërsinë e Dibrës, Madalena nuk jepet nga optika e një burri që u druhet grave e vajzave, por nga subkoshienca e një gruaje që i druhet koshiencës së saj.
    Nga Irena deri te Madalena, pena e shkrimtarit Dibra ka flirtuar me shumë vajza e gra, duke çelur gjithnjë një shteg nëpër të cilin kalojnë emocionet, ndjenjat dhe epshet e personazheve djem e burra. Pas “Prostitutës”, do të ishte romani “Nudo” ai që me subjektin e tij do të krijonte një hendek të madh mes letërsisë si art dhe letërsisë si dëshirë për t’u shprehur. Në këtë roman, dy sy vocërrakë shfaqin epsh për një mijë vajza. Në filtrin e faktorëve të jashtëm nëpër të cilin epshi kthehet në pushtim, vetëm njëri syresh kalon.
    Në një vit në krye të një konvikti, plani fillestar i pushtimit të madh që Alfred Boka bën, kthehet në një pushtim papërfillshmërisht të vogël e kështu, në vend të të tjerëve, Boka push[t]on vetveten.
    Rasti i “Nudo” paraqet burrin ëndërrimtar e njëherazi defiçent përballë vajzave të reja me synime të sinqerta që defiçenca mashkullore i kamuflon në manifestime të ëndrrave që pjell vetë.
    Shpesh, sikurse edhe në romanin e fundit, Dibra përfshihet vetë si personazh duke vënë përballë vetes ngjarje të stisura apo reale. Kështu ndodh me tregimin “Unë, Franc Kafka dhe Karta e Bolonjës”, pjesë e librit me të njëjtin titull. Aty personazhi Ridvan Dibra përballet me një kolege të re, doktore shkencash, e cila njëkohësisht ishte “alamet femre”. Kur personazhi i flet personazhes për Kafkën, personazhja i flet atij për Kartën e Bolonjës e kështu, si dy kolegë, të ngjashëm në profesion dhe rrjedhimisht, edhe në shijen e bisedave, ata ndahen të kuptuar aq mirë sa hë për hë, për një kafe të dytë, as që mund të mendohej.

    Kur Dibra rreket të kërkojë në të shkuarën fëmijën e humbur me dëshirën për ta sjellë në të tashmen, shohim se si personazhi dhe vajzat pleksen herë pas here, por gjithnjë në mënyrë platonike. Falë vogëlsisë moshore e ndoshta edhe trupore, personazhi i librit gjithnjë kompleksohet para në vajze, ndihet inferior dhe mendon se asnjëherë nuk do ia dalë me to. Sikurse të gjithë në një moshë të hershme, me shokët e tij i sheh fshehtas në banjat e shkollës. Zotëron të gjithë sekretet femërore të atyre vajzave dhe pavarësisht kësaj, nëpër shkallë e korridore nuk u flet. Duket sikur ka frikë nga diçka, por nga çfarë, për sa kohë njeh sekretin e tyre më të madh?
    Figura e vajzës këtu jepet në mënyrë tangjente, duke e prekur realitetin mashkullor të djalit vetëm në një pikë, atë të gjenezës së epsheve, por pa vijuar më tej, pasi bëhet fjalë për moshën rreth së cilës djemtë i shohin vajzat si “armike”.
    Me librin “Kanuni i Lekës së Vogël”, Dibra sqaron pozicionin e vajzës dhe të gruas në familje, shoqëri dhe punë. Duke qenë se ky kanun ka vlerë juridike në Egobokë, vendin ku gjallojnë shumica e personazheve të tij, autori tregon se çfarë letërsia e tij quan të ligjshme dhe çfarë jo. Nderi, pastërtia dhe virgjëria e vajzës, ndonëse duket sikur është në dorë të burrit, në të vërtetë, është në dorë të saj dhe ajo është aq e zonja, sa ia del të bëjë të duket sikur nuk është kështu. Në këtë skutë që ajo krijon, gjen folenë e vet vuajtja që ngjall feminizmin e të tjera gjëra për të cilat gjithashtu, nëse do të flasim ndonjëherë për Simone de Beauvoir, do i trajtojmë.
    “Legjenda e vetmisë”, libri i njohur i Dibrës, përkthyer në frëngjisht dhe së fundi kandidat për çmimin ballkanik të letërsisë, e jep gruan si atë që “t’birin ka qorrue, me gjaks t’burrit me u martue” dhe vajzën në funksion të mashtrimit të përgjithshëm familjar. Personazhi, i pamësuar me elokuencën e fjalëve dhe lëvizjeve të vajzave, bie lehtësisht pre e tyre dhe kur kupton se qe mashtruar, është vonë.
    Në këtë roman, figura e vajzës dhe tërësia e karakterit të saj është themeli mbi të cilin ngrihet fabula dhe merr udhë subjekti.
    “Gjumi mbi borë” na shfaq momentet kur Dibra u formua si njeri dhe si shkrimtar, duke u kthyer nga ai kush ishte në atë kush është. Me tone herë-herë frojdiste, autori tregon se si kaloi vitet në një fshat të largët malor ku qe emëruar mësues letërsie. Gruaja që ka më afër është mësuesja e muzikës, ndërsa ajo që ndien më afër është e fejuara e tij, letrat e së cilës i konsideron më të rëndësishme se disa nga librat më të rëndësishëm botërorë.
    Në romanin “Treni i muzgut”, gruaja shfaqet si gjysma, pa të cilën burri përjetësisht do të jetë i paplotë. Duket sikur shpjegohet konkretisht ideja e dikurshme e Platonit se Perëndia pati krijuar njeriun me katër duar, katër këmbë dhe dy koka e kur pa se ky po evoluonte aq shumë sa po i afrohej Atij, vendosi ta ndajë duke iu dhënë vetëm një thirrje: të gjenin njëri-tjetrin.
    Gruaja dhe vajza te Dibra shfaqen kryesisht dominuese të fshehta të personazheve kryesorë të romanit, duke u kthyer vërtet në virgjëresha të përjetshme të cilat as pena e autorit nuk ia del t’i zhvirgjërojë!

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË