More
    KreuLetërsiShënime mbi libraNeosentimentalizmi i Ervin Hatibit

    Neosentimentalizmi i Ervin Hatibit

    Nga Agron Tufa

    Që nga viti 1988, kur 14-vjeçari Ervin Hatibi botoi librin e parë me poezi “Përditë shoh qiellin”, poezia shqipe (edhe pse vazhdon të shkruhet me vargje) nuk është më ajo. Shumëkush që priret të rrëmihë nëpër kadavra (poezi periodikësh: gazetash, antologjish, revistash, etj.), do të gjejë pa farë zori – fare në fund të viteve ’80 – embrione të gjalla të një ligjërimi të ri poetik, i cili në pak vite ia ndryshoi radikalisht fizionominë poezisë shqipe. Ky ligjërim, duke kapërcyer vitin 1990 e më pas, i parë në përqasje me çka qe shkruar pas Luftës së Dytë, duket se s’ka asgjë të përbashkët, a thua se poetët u përkasin civilizimeve skajshmërisht të ndryshme.
    Ndoshta më shtatlarti i poezisë shqipe – profeti flokëverdhë i lirikës metafizike urbane, Ervin Hatibi, me sy gjerësisht të kaltër e mjekër ngjyrë gruri, shumë më i ngjashëm me një ikonë utopike të Jezu Krishtit sesa me një banor të zakontë të Rrugës së Elbasanit – i priste ngjarjet, ndërrimet e kohërave, revolucionet, i kredhur në soditje, i kruspullosur nga malli për gjërat që nguteshin të zhduken, duke e lënë të thyer kruspull nga nostalgjia. Në fakt, gjithë ndjeshmëria e tij, gjithë përrenjtë e harbuar metaforikë dhe pirgjet e imazheve lëvizëse, kapërthyese, që ndërkëmbejnë njëri-tjetrin, janë në thelb elegji për braktisjen e vrazhdë të sendeve dhe realeve – ndarja e vrazhdë me to, pa arritur të shkarkojnë në ne gjithë potencialin elektrik të kuptimësisë së tyre. Sendorësia e poezisë së Ervinit është detaji, lënda që mbrun botërat, si brenda kopshtit të shtëpisë së tij me pak monedha të përndezura dielli pasditeje, hurma dhe mandarina, ashtu edhe polivalenca kuptimore valë-valë e realeve të fëmijërisë me mitet e dykuptimta psikanalitike, ambiguide, ideologjike apo didaktike. Zhaurima e kozmosit të tij derdhet e çoroditur me brohori e krisma nga kreu i Rrugës së Elbasanit, Liceu, e deri te “Asim Vokshi” apo “Q. S; policë e studentë, horra të rëndomtë e pijanecë të sofistikuar, konviktore bukuroshe që ndiqen nga ashikë zamani dhe vajzurina aventuriere”:

    Nën helmetën e kafkës sime
    (ndjej kafkën e popullit (si të gjithë!)…
    Hija e dhunës ma tredh heroin,
    profetin që rrita;
    apo:
    …I hallakatur, i dërrmuar
    mbështjellë nga trupi si Saturni nga unaza
    Në “Përditë shoh qiellin”, siç ndodh rëndom me librat e parë të poetëve me talent të pazakontë, jepet pa ndonjë ngarkesë të tepruar gjenealogjia e figuracionit, imazheve lidhëse, përdorimi estetizant i gjendjeve dhe vizioneve: “Si sy zogu – pikat e vesës mbi bar”, apo: “Vjeshta flokëkuqe/ si princeshë skoceze, endet ngadalë/ pyjeve mbi kalë/ sa dëshirë kam ta takoj/ dorën t’ia shtrëngoj…” Një katërmbëdhjetëvjeçar, me atë libër, thjesht paralajmëroi ardhjen e afërt të një race tjetër në poezinë shqipe, që n’ato kohë ia kishte mbërri me qenë një mërzi jeshile botërore ngado që ta ktheje fletën.
    Poezia që krijoi Ervini pas viteve ’90, është unikale nga shumë pikëpamje të “inxhinierisë së vargut” me të cilat s’ia ka dalë të matet ende asnjë kritik, studiues a tekstolog. Sepse vështirësia e kësaj poetike qëndron stihinë e ligjëratës poetike spontane, befasinë e kombinimit të shumë skeleteve tekstile që dallojnë nga njëri-tjetri veçse në ekzekutimin e ngjyrave, veçse në partiturën e shtysës që prore ndërkëmbehet me sinjalizimin e instrumentit të kësaj ligjërate. Të gjitha poezitë e Ervinit që janë shkruar në fillim të viteve ’90-’92 qëndrojnë si ornamente strofike dhe ruajnë gjurmët e asaj atmosfere, vibrimin dhe mahninë shpirtërore të këtyre viteve. Akoma më e shpirtëzuar dhe më ornamentale realizohet kjo atmosferë në dhjetëra poezi intime, metafiziko-urbane, elegji e balada të nginjura me protestë e vetironi, dëshpërim e sarkazëm të kthjellët.
    Filli i humorit absurd krijon një sfond të përgjithshëm ngërdheshjeje, tablo ireale, parajsa të përçudnuara nga pranëvënia e kontrasteve paradoksale. Një ndër librat më të plotë dhe kyç orientues për gjithë zhvillimin e lirikës bashkëkohore shqipe, pavarësisht thelbit tërësisht avanguardist, është përmbledhja e gjerë me poezi “Gjashta maç” (“Marin Barleti”, 1995).
    Nuk e di se sa të drejta janë fjalët e mia, edhe pse kanë kaluar mbi 10 vjet nga botimi i këtij libri. Seritë e tablove, komeditë apo mikrodramat e vogla lirike, zhanri i bejtes (një variant postmodernist i shumëfishësisë dhe autoironisë) krijojnë një bymim dhe stërfryrje konkave të gjuhës dhe instrumentarit poetik, duke projektuar një gjendje magmatike të ligjëratës; një rrjetë e dendur asociacionesh dhe shkalle semantike, të cilën kurrë nuk e ka pasur poetika shqipe, apo përkthyer në gjuhën e klisheve – asaj lire kurrë s’ia kishte shkepur kush atë dalldi.
    Fjalët ndihen ngushtë dhe nuk “prehen” dot në vetvete. Papërsëritshmëria e kumbit dhe figurës josh të shkrihen tok kuptime të pashtershme shumëzërash. Poezia e Hatibit këtu çliron hapësirën për t’i lënë shteg veprimi fushës së gravitetit të fjalëve, me një vetëbesim mbisintaksor që reglamenton përdorimin leksikor. Këtu qëndron edhe mishërimi poetik i kuptimit në gjuhë, që gjuha nuk e ndryn veten në lidhjet diskursive dhe varësitë lineare-logjike, porse falë polivalencës (sipas Paul Celanit) – secila fjalë i jep poezisë, si të thuash, një dimension të tretë.
    Loja e Ervinit me semantikat dhe polivalencat e fjalëve qe një kërkim intuitiv i stuhishëm, pasi tipologjia e poezisë së Ervinit është, në radhë të parë, tërësisht e ndershme, në atë pikëpamje që kam unë për poezinë që shkruhet me frymë, me eshtra e me gjakun e ngazëllyer apo të pikëlluar, pa dinakërinë e ftohtë të leqeve e grremçave të fjalëve, pa sajuar me bisturi në dorë, por duke e ndier atë njësh me qenien dhe frymën tënde, dhe se shkrimi/ shkarkimi i saj në letër, i ngjan jo gërvimës së penës mbi fletë, por shpimit të gjilpërës me bojë drejt në lëkurën tënde të gjallë.
    E në fakt, ka një sharm të papërsëritshëm poezia e Ervinit dhe ndihet si tatuazhi në lëkurë. Poezitë e librit “Gjashta maç” janë astari i shqipes, rroba e kthyer së prapthi, ligjërim artistik ala-posfuturist në mjetet poetike të shqipes: është një garë perceptimesh që përthithet dhe transliterohet me të gjitha poret e fiziologjisë me begatinë e imagjinatës: “Nëna mjel dhinë ndanë xhadesë për të prodhuar kremin për fytyrën e llërët me vrima… Lotët e mi janë qumësht dhie/ E pi një gjarpër thatim”; “Pikon si kompas djersa e arkitektit mjek mbi atë/ trëndafil të zier/ atë revolucion borgjez francez/ që ndan vithet nga kurrizi – marrje fryme e gocës/ Që kam dëshiruar 11 vjeçe… Bota do të mbushet me krijesat fine të Rodenit/ Që bëjnë punë shpejt e seks si kthetra e harabelit/ në telin me tension të lartë”; apo: “Dashuria hapi këmishën e saj prej nape/ Krisën kopsat përdhe/ Ne u derdhëm të kafshonim gjinjtë e saj prej smalti… Ti pengon dorën që shtyhet deri te sharra e qimeve/, po, aty te fushë-arrëzi i pabraktisur/ aty ku zhurmojnë vatanet e bariut”.
    Truku, stilistika, patosi, bufonada e patetizuar e ndonjëherë citati, janë konvencione hiper-reale të artit postmodernist: edhe maniera e stërfryrjes konkave të detajeve, është një ekzagjerim i qëllimshëm për të prodhuar një dinamikë surreale të objektit të mbingopur me realitet – që të gjitha, teknika postmoderniste. Fiziologjizmi, ose më saktë sensualja, deri në detaje të erotizuara sipas një logjike absurde krijojnë një “orgji” tropesh letrare jashtë çdo modaliteti të përdorur më parë në poezinë shqipe. Futja e fjalës ose shprehjes poetike në marrëdhënie krejt të paparashikuara, kontradiktore, tautologjike, me sensacionin e nonsensit apo ekscentrizmit, na zbulon një anë të panjohur të aftësisë së fjalës. Pol Valeri e ndante fjalën poetike nga e rëndomta, sipas një paravolie të sajuar (fjala në këtë paravoli është për kohërat e vjetra kur paratë ende nuk e kishin fuqinë e floririt): fjala e gjuhës së rëndomtë, shkruan Valeri, është e ngjashme me monedhën e vogël të këmbimit (qindarkat) ose me bankënotat (kartëmonedhat) në atë marrëdhënie që fjala nuk posedon atë vlerë që ka; përkundrazi, fjala poetike, ashtu si floriri i vjetër me nam që qarkullonte deri para Luftës së Parë Botërore, e zotëron vetë vlerën që simbolizon. Pra, fjala poetike është jo vetëm tregues për diçka tjetër, por është edhe vetë ajo çka përfaqëson.
    Fjalëve, leksikut të poezisë së Ervin Hatibit, u mungon moria e jetërave parazitare që kanë bërë në gjuhën shqipe, si shtampa, si klishe, si parulla. Rrathët gjeologjikë, shtresat e kësaj fjale çelen si të reja, të pambarsura me kuptime parazitare, të shkonotizuara nga simbolika tradicionale.
    Leksiku i tij është po ai, por i kulluar në një enë magjike që shpëlan zhulin e kujtesës betere dhe fjala është nebulozë e virgjër, e gjallë, për të hyrë në një komunikim të etur për botëra të reja, por të krijuar valenca të reja kuptimore që të mund ta shprehë sa më të plotë këtë botë kaotike të uritur për emra.
    Paradigma postmoderniste në procedetë e Hatibit nuk është aspak qëllim më vete: ai është produkt i kulturës së tij leximore, filologjike, kulturore – aq më tepër, ne nuk do ta klasifikojmë si një postmodernist (anipse kemi shumë arsye ta mbështesim këtë version). Por, përderisa ndër elementet thelbësore të poezisë së Ervinit janë ekstatizmi, neosentimentalizmi, keqardhja për gjërat dhe realet që ikin dhe malli elegjiak e nostalgjia për realet pa kthim – ne do të mbetemi larg klasifikimeve, së paku për një shkak: arti qëllimshëm postmodernist (me të gjitha rrymat dhe llojet e tij) është shndërruar në një lojë jo më zbavitëse e pa shtegdalje. Si çdo paradigmë arti, postmodernizmi ka lënë trashëgimi teknologjinë e mjeteve të shprehjes, të cilat në fillim i pati huajtur nga avangardat artistike e, natyrisht, indiferencën moskokëçarëse. Hatibi, përkundrazi, është e kundërta e indiferencës postmoderne: patosi neosentimental i tij kërkon ta kthejmë frymën dhe të rigjejmë fillin tonë në gjërat e humbura, si një mënyrë për të përmbledhur pjesët e “unit” në një identitet të pandashëm, si subjekt përjetues, por edhe si formacion i vetëdijes.
    Po të kemi parasysh përvojën avangardiste të viteve ’90 me grupin e sivëllezërve të tij poetë “E për – 7 – shme”, na sqarohet edhe natyra e mjeteve shprehëse autentike e Ervinit. Dhe pleksja e origjinës së mjeteve dhe teknikave poetike të tij na del eklektike, madje nga burime të ndryshme zhanrore, ndër më të spikaturit – piktura (ai ka hapur disa ekspozita si piktor), muzika, kinemaja, kolazhet e ndryshme, stilistika publicistike, citatet, pauzat, variacionet seriale etj., të gjitha truke stilistikore që përshkojnë një nga vëllimet e tij poetike më virtuoze, “Pasqyra e lëndës” (Ora, 2004). Në këtë libër dallohet një sintezë dhe eklektikë e mjeteve avangardiste dhe atyre postmoderniste. Si rezultat i përplasjes së dy modeleve, ka lindur një model i ri – modeli neosentimental. Ervin Hatibi është poeti, tekstet e të cilit, çdo lexues i mirë, mund t’i njihte fare lehtë, në një mori tekstesh të tjera pa autor.

    PËRMBI REVOLUCIONIN
    (Poezi nga Ervin Hatibi)

    Më mbaruan cigaret në stacion të autobusit
    Duke pritur revolucionin tjetër
    Këtu kam mbetur
    Gozhdë e përzhitur, e shtrembëruar
    Nëpër shkrumbin e kishës së djegur.
    Si nëpër pistoleta me mulli
    Të gjithë janë futur kokë me kokë
    Nëpër shtëpi
    Gjithë revolucionet të parafundit janë
    E gjithnjë jeta ime e fundme, e fundit
    Lirë m’i bleve lotët, m’i bletë
    Krejt trupi më dhimbte nga dashuria
    Për popullin e barrikadën.
    Dua të vdes e ta harroj
    Ta vjell. Dua të vdes kot
    Ose hiç të mos vdes nëse duhet
    Të vdes me qëllim
    Do marr një lypës të mitur mulat
    Ta ngroh e ta rris ndyrë
    Ju ftoj të gjithëve në strofkën time
    Të më pështyni në fytyrë
    Veç të mos më provokojë njeri me plagët e veta.
    Por rroftë, rroftë flamuri i ri
    Edhe çdo dashuri e vjetër
    Në ardhtë prapë dita, në rrugë prap’ do jem
    Me gurë do godas patjetër
    Ata që janë grumbull
    Dhe ata që do rrinë vetëm.
    1991, “6 maç” (1995)

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË