Përktheu Bujar Hudhri
Njëherë, në një prej dhomave të rezidencës së Jasnjaja Poljanës, u zhvillua një bisedë e çuditshme. Një grua jo fort e bukur, me tipare të forta fytyre, i dorëzonte një vajze të re, simpatike, pako të trasha me para .
“E di që ju e dashuroni atë, por nuk keni para. Ja, kjo është dhurata për martesën tuaj”, – i tha ajo gjithë gëzim.
Shoqëruesja e bukur shtriu dorën me turp. Nuk mund të besonte fatin e saj!
Po kush ishte kjo bamirëse bujare, kjo zonjë misterioze? Ishte princesha Maria Volkonskaja, e cila deri atëherë mbante mbi supe hijen e beqarës së lashtë, një nofkë që ia kishte ngjitur koha dhe shoqëria.
Nëse atë çast, asaj do t’i thoshin se do të bëhej nënë e shumë fëmijëve dhe se njëri prej djemve do të konsiderohej gjeniu i letërsisë ruse, ajo nuk do ta besonte kurrë. Megjithatë, shtatë vjet pas ngjarjeve të përshkruara, Maria do të lindë një djalë që do të bëhet shkrimtari i madh rus, Lev Nikolajeviç Tolstoj.
Pse nuk ekziston asnjë portret i saj?
Në biografinë e Maria Nikolajevna Volkonskajas ka aq shumë pika të errëta, sa herë-herë duket sikur ato nuk janë rastësi. Për shembull, nuk është ruajtur asnjë pamje e plotë e saj. Tolstoj e shpjegonte këtë me faktin se nëna nuk donte të pozonte për portret, sepse nuk dilte mirë në to dhe, në përgjithësi, ishte e pakënaqur me pamjen e saj.
Ky shpjegim duket paksa i çuditshëm. Sepse po vetë Tolstoj e përshkruan nënën si një njeri me mirësi dhe durim engjëllor, për të cilën mbi të gjitha kishte anë shpirtërore. Pse atëherë nuk mund të pranonte me durim pamjen e vet? Sidomos kur nuk bëhej fjalë për ndonjë shëmtim apo defekt fizik, por thjesht për faktin që nuk ishte aq e bukur.
Megjithatë, një imazh i Maria Volkonskajas na ka mbërritur deri sot. Ai është një portret modest, ku shfaqen dy silueta të zeza vajzash. Nën profilin e majtë, Tolstoj shkroi “Nëna ime” dhe e vulosi me firmën e tij. Maria ishte bija e një gjenerali të pasur, megjithatë, gjatë gjithë jetës së saj është ruajtur vetëm kjo pamje fëmijërore e saj, dhe që për më tepër nuk është vetëm, por së bashku me kushërirën e saj.
Pse, edhe pasi u bë grua dhe nënë, nuk bëri të paktën një portret familjar? Mund të ketë shumë shpjegime. Për shembull, ndoshta, sepse nuk ishte aspak ajo vajza e thjeshtë dhe e përulur që mendohet zakonisht, por i jepte më shumë rëndësi pamjes së jashtme sesa ç’mendohet. Një version tjetër, që mund të duket i çuditshëm, por mund të pranohet; princesha Maria që nga rinia mund të ketë pasur një sëmundje nervore, e cila do të ndikonte më vonë gjithashtu në shfaqjen e fobive të ndryshme tek ajo.

Nën profilin e majtë, Tolstoj shkroi “Nëna ime” dhe vulosi me firmën e tij.
Në shtëpinë plot gëzim të familjes Trubeckoj
Hulumtuesit shpesh kalojnë pa u ndalur mbi periudhën e hershme të jetës së Maria Volkonskajas, megjithëse ajo pati një ndikim të madh në formimin e karakterit të saj. Zakonisht shkruhet se ajo u rrit nga një baba i rreptë dhe i ashpër, i cili u kujdes për një edukim të mirë në shtëpi, por e bëri atë një grua të thjeshtë, të përulur dhe të tërhequr nga shoqëria. Megjithatë, shpesh harrohet se në fëmijërinë e hershme Maria u rrit në kushte krejt të tjera.
Maria Volkonskaja lindi më 10 nëntor 1790 në Jasnjaja Poljana. Pas dy vjetësh, nëna e saj solli në jetë një vajzë tjetër, por që nuk jetoi shumë gjatë. Motra e vogël jetoi pak dhe iku gjithashtu pas nënës. Kështu, Maria mbeti vetëm me babanë, gjeneralin autoritar Nikollaj Sergejeviç Volkonskij.
Vitet e para, babai pothuajse nuk e pa vajzën e tij. Ai vazhdonte karrierën ushtarake, ndërsa Mashën e la tek të afërmit e saj nga ana e nënës. Deri në moshën 9-vjeçare, ajo u rrit në shtëpinë e xhaxhait të saj, Ivan Trubeckoj. Shtëpia e famshme e familjes Trubeckoj ishte shumë ndryshe nga rezidenca hijerëndë e gjeneralit. Atje shpesh organizoheshin vallëzime dhe mbrëmje teatrale. Në atë shtëpi vinin muzikantë dhe shkrimtarë të njohur.
Duhet të mendojmë se Masha kishte mall për atmosferën e hareshme të shtëpisë së Trubeckojve, kur babai e mori përsëri me vete në Jasnjaja Poljana. Por vitet e fëmijërisë nuk kalojnë pa lënë shenja. Më vonë, duke jetuar me babanë, ajo u mësua të mbante maskën e një zonje të mbyllur dhe modeste, por brenda vetes mbeti e gjallë dhe një natyrë e zjarrtë.
Një episod i veçantë është karakteristik në këtë kuptim, i përmendur nga Tolstoi në ditarët e tij. Ai shkruan:
“Mamaja tregonte përralla shkëlqyeshëm, por vetëm në errësirë; në dritë kishte turp.”
Maria, e shoqërueshme dhe natyrshëm e talentuar, ishte aq shumë e ndrydhur nga babai, sa edhe pasi ai vdiq, kishte turp t’u tregonte në dritë përralla fëmijëve të saj. Për dhuntinë e saj të mrekullueshme si rrëfimtare flisnin edhe shoqet e ngushta të saj.
Lev Tolstoj, përpiqej në çdo mënyrë të zbukuronte historinë familjare, shpesh duke idealizuar shumë të afërmit e tij. Për shembull, ai kurrë nuk e pa gjallë gjyshin e tij, Nikollaj Volkonskij, por shkruante për të “një njeri jashtëzakonisht i zgjuar dhe i talentuar.”
Sipas shkrimtarit, gjyshi ishte njeri i rreptë, por i drejtë.
“Unë kurrë nuk kam dëgjuar histori për ashpërsinë apo ndëshkimet e tij… Kam dëgjuar vetëm lavdata për zgjuarsinë, drejtimin dhe kujdesin që kishte ndaj fshatarëve.”
Në këto fjalë të shkrimtarit shihet një përpjekje për të justifikuar gjyshin e tij, i cili për shumë të tjerë dukej në një dritë krejt tjetër. Bashkëkohësit e tij vërejtën se Nikollaj Volkonskij ishte njeri sarkastik, nuk duronte aspak kundërshtimin dhe krijonte një përshtypje të pakëndshme tek të tjerët. Thuhej se ishte ai që largoi të gjithë mëtonjësit e mundshëm për vajzën e tij, dhe kështu, gati e la pa martua..
Maria Volkonskaja mbante ditarë
Një pjesë e tyre është ruajtur deri sot. Në to ajo shkruante se ndonjëherë jeta e saj bëhej kaq e padurueshme, sa e kaplonin mendimet për vetëvrasje. Sigurisht, ajo e donte shumë babanë e saj dhe kurrë nuk do të vepronte në atë mënyrë, por jetesa me të ishte një provë e rëndë.
Me moshë, karakteri i babait vetëm përkeqësohej. Ai kërkonte nënshtrim të pakushtëzuar dhe mund të zemërohej për arsye të kota. E vërteta ishte se ai me të vërtetë e donte vajzën e tij, por në këtë dashuri kishte shumë kontroll prej babai, që herë pas here kalonte në despotizëm.
Çfarë karakteri kishte ajo? Lev Tolstoj e adhuronte nënën e tij, por praktikisht nuk e njohu , sepse ishte vetëm dy vjeç kur ajo ndërroi jetë. Nga ditarët, letrat dhe kujtimet e tij përftohet një imazh idealizuar i nënës, i bukur, por që pak ngjan me realitetin – si një statujë mermeri, jo si një njeri i gjallë.
Nipërit e Tolstoit kujtonin se në familjen e tyre kishte një të ashtuquajtur kult të Marias Volkonskajas. Lev Nikolajeviçi e përshkruante atë si një qenie të mbinatyrshme, thjesht një engjëll në mish dhe kocka. Ai shpesh theksonte besimin e saj fetar, përulësinë dhe durimin.
Por, a ishte në të vërtetë nëna e tij kështu? Nga faqet e letrave dhe shënimeve të ditarit të Marias del një imazh pak më ndryshe. Ajo padyshim ishte një njeri i mirë dhe i kujdesshëm, por kishte një mendje të gjallë dhe analitike — herë-herë në fjalët e saj ndjehet edhe një ironi e hollë.
Ajo kishte edhe ambicie të caktuara. Merrej me krijimtari letrare, shkruante poezi, përralla, novela dhe madje edhe shkrime pedagogjike. Maria Nikolajevna hartoi një program edukimi për fëmijët në frymën e mendimtarit të pavarur dhe iluministit Jean-Jacques Rousseau, që padyshim dëshmon për pikëpamjet e saj përparimtare.
Maria mund të ishte edhe kokëfortë; për shembull, në kundërshtim me mendimin e të afërmve, ajo i dha shoqërueses së saj 75 mijë rubla. Kjo ishte një shifër jashtëzakonisht e madhe për kohën! Një akt i tillë i pabesueshëm bujarie ngjalli zhurmë në të gjithë shoqërinë e lartë. Madje filluan të thonin se princeshë Marias i kishte ikur mendja.
Duket se prirja për krijimtarinë letrare, pak ekscentrizëm dhe madje dashuria për Rousseau, Tolstoj i trashëgoi pikërisht nga nëna.
Martesa e pabarabartë
Gati gjithçka që Tolstoj tregonte për nënën e tij e mësonte vetëm nga të afërmit e saj. Ata të gjithë në një zë pohonin se martesa e saj ishte “jashtëzakonisht e lumtur”. Ata madje insistonin fort në këtë version.
Pse ishte kaq e rëndësishme për ta? Sepse ata vetë e kishin organizuar këtë martesë.
E gjitha nisi kështu: kur në hisen e princeshës 31-vjeçare Maria Volkonskaja ra një pasuri e madhe, të afërmit e saj u përfshinë menjëherë. Maria ishte e sigurt se nuk do të martohej kurrë, ndaj ndante bujarisht trashëgiminë e madhe që kishte marrë nga babai.
Veprimet ekscentrike të Marias i trembnin të afërmit, të cilët vendosën ta martonin me nxitim.
Mendoni: një princeshë jo e bukur, që tashmë të gjithë e shikonin si “beqare e lashtë”, martohet me një oficer të bukur dhe të hijshëm. Ajo ishte 32 vjeçe, ai 28.
Në ditët tona kjo diferencë moshe nuk do të shqetësonte askënd, por në shekullin e 19-të kjo martesë dukej e pabarabartë
Nikollaj Tolstoj e kaloi rininë e tij pa e vrarë mendjen, ishte një lojtar i pasionuar dhe një aventurier. Në moshën 28-vjeçare, pothuaj ndodhej në prag të falimentimit. Vetëm një martesë e favorshme mund ta shpëtonte nga turpi.
Martesa me Marian i dukej një zgjidhje shkëlqyer. Nga babai, princesha kishte trashëguar toka të mëdha, qindra bujkrobër dhe shumë para. Ai pothuajse nuk kishte asgjë në dorë. Pasuria familjare e kontit Nikollaj Tolstoj, Nikolskoe-Vjazemskoe, ishte shitur për të shlyer borxhet.
Ata u martuan më 9 korrik 1822 në kishën e fshatit Jasenevë. Ajo kishte mbi 800 bujkrobër, ndërsa për të thuhej se “nuk kishte asnjë”.
Menjëherë pas martesës, gjërat për kont Nikollajin u përmirësuan. Ai filloi të shlyente borxhet dhe më vonë, duke shitur shtëpinë e gruas në Moskë, bleu përsëri pronën e tij që e kishte pasur trashëgim.
A ishte Maria e lumtur në martesë?

babai i Lev Tolstoit
Sipas legjendës familjare, martesa mes Marias Volkonskajas dhe Nikollaj Tolstoit filloi si një marrëveshje interesi, por përfundoi si një idil familjar. Kjo version përsëritet pafundësisht në pothuajse të gjitha biografitë e Tolstoit.
Por, a ishte kjo me të vërtetë kështu?
Ka shumë mundësi që Nikollaj Tolstoj të ndihej tepër mirënjohës ndaj gruas së tij, por a arriti ta donte atë vërtet? Shumë studiues shmangin me kujdes faktin se para martesës, Nikollaj ishte i dashuruar në kushërirën e tij të tretë, Tatjanën. Dhe kjo nuk ishte thjesht një dashuri kalimtare. Ata ishin rritur në të njëjtën shtëpi dhe mes tyre kishte gjithmonë një lidhje të fortë që vetëm forcohej me kalimin e viteve.
Tatjana refuzoi propozimin e Nikolas për martesë. Ajo ishte një vajzë e zgjuar dhe e kuptonte se ai kishte nevojë për një rast më të favorshëm. Pak kohë më vonë, ai u martua me Mari-n.
Por Tatjana gjithmonë ishte aty pranë. Ajo arriti madje të krijonte miqësi me gruan e Nikollajt dhe me kënaqësi merrej me fëmijët e tij. Çfarë ndjente në këto momente Maria? Me fjalë, ajo ishte plot miqësi, por brenda saj e gërryente një xhelozi e fortë.
Një arsye tjetër për brengë ishte se burri shpesh mungonte në shtëpi. Ai nuk u shërua kurrë plotësisht nga prirja për alkool dhe lojëra fati, edhe pse u bë shumë më i matur në pasionet e tij.
Gjatë tetë viteve të martesës, Maria i solli burrit pesë fëmijë, katër djem dhe një vajzë. Fëmija i katërt ishte Lev Tolstoj, i lindur në vitin 1828.
Shtatzanitë e shumta e dëmtuan rëndë shëndetin e saj tashmë të brishtë. Në vitin e fundit të jetës, ajo vuante nga një sëmundje nervore.
Vdekja e parakohshme
Motra e Tolstoit më vonë shkruante se nëna kishte ndërruar jetë nga një inflamacion i trurit. Ajo lexonte libra duke i mbajtur kokëposhtë , thoshte “Zoti di çfarë” dhe në përgjithësi sillej mjaft çuditshëm. Sipas fjalëve të vajzës, kjo ishte pasojë e një lëndimi në kokë që nëna kishte marrë kur e tundnin në lisharës.
Por vajza nuk mund të mbante mend nënën e saj, e cila vdiq pak pas lindjes së saj. Historia me litarët duket mjaft e çuditshme, prandaj shumë të tjerë preferojnë versionin që nëna e Tolstoit vdiq për shkak të pasojave të lindjes së vështirë.
Gjithashtu nuk mund të përjashtohet mundësia që sëmundja nervore e Marisë kishte nisur të zhvillohej shumë më përpara. Atëherë gjithçka bëhet më kuptimplote – frika për t’u parë në portrete, frika për të treguar përralla në dritë, dhe sjellja e çuditshme e saj që vërehej nga shumë njerëz.
Është krejt e mundshme që shpirti i brishtë i Marisë nuk mundi t’i përballojë vuajtjet. Fillimisht, për shumë vite ajo e ndrydhte natyrën e saj të gjallë, për të sakrifikuar veten për babanë. Më pas, ajo duhej t’i përgjigjej rolit të gruas dhe nënës shembullore, duke mbyllur sytë ndaj dashurisë së burrit për një tjetër dhe duke u munduar të mos i kushtonte vëmendje talljeve që thuheshin në shoqëri për shkak të martesës së tyre jo të barabartë.
Në romanin “Lufta dhe paqja”, Tolstoi do të mishërojë imazhin e nënës në figurën e Maria Bolkonskajas. Ndërsa në figurën e Nikollait Rostovit dallohen qartë tiparet e babait të tij. Në roman linjat e këtyre personazheve përfundojnë mirë – ata janë të lumtur në martesë, kanë tre fëmijë dhe presin të katërtin. Nikollai është shndërruar në një pronar të kujdesshëm dhe madje ka arritur të shumëfishojë pasurinë e tij.
Në realitet, historia familjare përfundoi ndryshe — tetë vjet pas martesës, Maria vdiq. Ajo ishte vetëm 39 vjeçe. Babai i Tolstoit i bëri sërish propozim për fejesë kushërirës së tij, Tatjanës. Edhe këtë herë ajo refuzoi të bëhej gruaja e tij, por pranoi të kujdesej për fëmijët e tij deri në fund të jetës.
Kështu ndodhi në fakt. Tatjana Jergolskaja u bë një nënë e dashur për të gjithë fëmijët e tij dhe nuk i la as kur ai ndërroi jetë.
Nikollaj i mbijetoi gruas së tij, Marias, vetëm shtatë vjet. As ai, as ajo nuk e mësuan kurrë se djali i tyre Lev do të bëhej një shkrimtar i madh.
Lev Tolstoj idealizonte nënën, duke e paraqitur atë si një engjëll të gjallë. Por ajo ishte njeri i gjallë; me dobësitë, mangësitë, frikërat dhe dyshimet e veta. Nga kjo, nëna e tij nuk bëhet më pak e vyer, përkundrazi, bëhet më prekëse dhe më njerëzore. Figura e saj e ndritshme e përshkoi shpirtin e shkrimtarit dhe e ndihmoi në momentet më të vështira. Megjithëse ai, pothuaj nuk e njohu nënën gjatë jetës, gjithmonë e ndjente praninë e saj të padukshme.