Nga Profesor Tim Wilson, Oksford
Lidhja ime me Shqipërinë daton që nga fillimi i viteve ’90, kur u ftova që të merrja pjesë në një pagëzim në Tiranë. Ceremonia u braktis, megjithatë u bëra me një famull dhe që prej asaj kohe kam shijuar plot udhëtime drejt Shqipërisë, qëkur eksplorova vendet që lidheshin me poetin, muzikantin, aventurierin dhe artistin e shquar, heroin tim, Edward Lear, me të cilin ndoshta ndaj të njëjtën ditëlindje, 12 majin.
Lear është një prej dy udhëtarëve të mëdhenj të cilët kanë lënë gjurmë të identitetit të tyre në kulturën shqiptare, gjatë kohës kur perandoria osmane po tërhiqej dhe idetë e identitetit kombëtar po shfaqeshin në të gjithë Ballkanin. Lord Byron e vizitoi Shqipërinë në vitin 1809, ku pozoi për Thomas Phillips-it me veshjen tradicionale, “një fustanellë e bardhë dhe e gjatë, një mantel të punuar me ar dhe një xhaketë kadife ngjyrë vishnje, me dantella prej ari”, kostum të cilin ai e quajti “më të mahnitshmin në botë”. Në jug, në qytetin e Tepelenës, ai takoi Ali Pashën, një kryekomandant i përkushtuar për fituar pavarësinë, që e mbrojti Byron-in dhe gjatë turit të tij të madh e furnizoi me bajame dhe sherbet.
Edhe sot, e sidomos në veri, Shqipëria ka mbetur ashtu siç Byron e quajti, “një nënë e ashpër”, një tokë me male dhe surpriza. Siç kam zbuluar, është një vend i mbushur me mikpritje dhe histori.
Ndihem thellësisht krenar për lidhjen që mbaj me Shqipërinë. Gjatë 20 vjetëve të fundit, kam udhëtuar prej Stambollit përgjatë rrugës Egnatia, përmes Shqipërisë e deri në Adriatik, duke ndjekur gjurmët e Edward Lear-it, i cili botoi ditarin e mirënjohur kur u kthye në Angli në vitin 1851. Në udhëtimet e tij që fillojnë në shtator 1848, ai krijoi mbi 500 tablo, shumë prej të cilave sot gjenden në Bibliotekën Gennadius në Athinë, dhe fatkeqësisht në Shqipëri nuk ndodhet asnjë. Kam vizituar të njëjtat vende dhe kam vizatuar atë çfarë sheh sot. Është një punë e bërë me dashuri, por ka qenë një pretekst i lehtë për t’u kthyer vazhdimisht në tokën e shqiponjave.
U gëzova shumë kur takova profesor Ferid Hudhrin – kisha punuar me projektin tim për Edward Lear-in dhe po ndiqja aventurat e tij në Tiranë dhe në Elbasan, ndaj ishte kënaqësi të pinim çaj bashkë në një restorant të dekoruar me kopje të “topografive” të Lear-it. Tani, dhjetë vite më pas, po punoj ende me të njëjtin projekt, duke vijuar udhëtimin e Lear-it të vitit 1848, me shpresën për ta kthyer këtë projekt në një film dokumentar ku të përfshihen jo vetëm vizatimet e frymëzuara prej skicave të tij, por edhe animime dhe muzikë të krijuara posaçërisht për t’i sjellë në jetë në shekullin e 21-të rromet e tij pesëvargëshe. Megjithatë, edhe pse në mendjen time jam i sigurt se nuk do të gjej kurrë ndonjë justifikim kushedi, bufi dhe macja, kafshët e tij më të famshme dhe çifti më i pagjasë në letërsinë botërore, të pëlqyer prej fëmijëve të të gjitha moshave, do të kërcejnë gjithmonë nën yjet e Adriatikut në një plazh pranë Durrësit dhe do t’i martojë një gjel deti që banon aty pranë. Për mua, poezia dhe arti i Edward Lear-it vijnë më fuqishëm në jetë në Shqipëri dhe ndihem thellësisht mirënjohës ndaj profesor Hudhrit që më ndihmoi të çmoja lidhjen e jashtëzakonshme që ekziston ndërmjet Edward Lear-it dhe vendit tuaj.
Ashtu si Byron, edhe Lear është një personalitet që ka kontribuar në Shqipëri dhe në Britani, vepra e të cilit është jo vetëm e cilësisë më të lartë dhe një dëshmi personale, por në raste të veçanta, ashtu si piktura e akuaduktit në Gjirokastër, Lear na ofron të vetmet dokumente të ndërtimeve që kanë humbur prej kohësh. Si rrjedhojë, për të krahasuar atë që Lear ka vizatuar dhe atë çfarë gjendet sot, siç kam vepruar unë, duhet të shënojmë ngjarjet e gati dy shekuj ndryshimesh rrënjësore.
E megjithatë, edhe sot ruhen ende traditat e së shkuarës: në një shteg të vështirë shkëmbor në vargmalin që ndan Tiranën nga Elbasani, takova rastësisht një bari dhish që mbante veshur një qeleshe të bardhë dhe një xhaketë të leshtë. Edhe unë dikur jam kujdesur për një tufë dhish të të tilla në malet Tayegetos pranë Spartës në Greqi, ndaj e mora me mend se mund të kishim diçka të përbashkët për të folur, por famulli im, i cili në atë kohë ishte një adoleshent, më këshilloi të bëja kujdes. Mu pas tufës së dhive ishin fshehur dy këlyshë ariu të cilët m’u dukën si qen dhe shkova t’i përkëdhelja. Edhe sot, kujtimet e mia nga ai vargmal janë të mbushura me djathë shtëpie dhe raki të fortë me bollëk, bashkë me ndjenjën se për një fije do ta kisha humbur krahun prej versionit shqiptar të personazhit vizatimor Winnie the Pooh (dhe motrës së tij). Bariu i dhive doli nga konteksti i historisë dhe më shpëtoi në momentin e duhur. I jam shumë mirënjohës. Ishte momenti kur e dija se Shqipëria që gjeta ishte po e njëjta Shqipëri që Lear-i zbuloi! Kjo është Shqipëria e arteve dhe traditave folklorike, sigurisht brenda muzeve dhe galerive të artit në Berat dhe Tiranë, por gjithashtu mund të gjendet në vendet e parrahura. Kam ndjekur pasionin e Lear-it për të dokumentuar shumëllojshmërinë e veshjeve kombëtare dhe kulturën plot gjallëri që përqafon jo vetëm islamizmin dhe judaizmin, por edhe katolicizmin, ortodoksinë dhe ateizmin e përkushtuar, një kolazh ngjyrash ku çdo gjë ka një kuptim i cili është gjithmonë përtej të përfytyrimit tim. Nëse dëshironi të mrekulloheni dhe të magjepseni, Shqipëria është vendi i duhur.
Në udhëtimet e tij Lear-in e shoqëronte bashkudhëtari i përkushtuar me emrin Georgio, përmes Ohrit, Strugës, Elbasanit, Tiranës, Krujës, Shkodrës dhe Lezhës, vendlindjes së Gjergj Skënderbeut, më pas drejt jugut në Berat, Ardenicë, Apoloni, Vlorë, Tepelenë, Gjirokastër dhe në fund Janinë, një qytet tani në Greqinë e veriut. Jam i kënaqur që ashtu si Lear-i, udhëtimi im i parë për në Shqipëri ishte rastësor, dhe ashtu si Lear-i, jam magjepsur nga ky vend. Nuk e kuptoj dhe as nuk pretendoj ta kuptoj – vetë Lear-i e ka thënë më mirë se unë. “Shqipëria është një enigmë e madhe”, por është një enigmë që ia vlen.
Njësoj si Lear-i, edhe unë u gjenda duke bërë skicime të shpejta të cilat më pas i përpunoja në shtëpi. Por ndryshe nga Lear-i, nuk kam justifikim për këtë kujdes. Megjithatë, Lear-i tregon një histori tejet argëtuese nga fillimi i ditarit të tij, kur banorët vendas e qortuan dhe e quajtën djall sepse i skiconte. Ata e larguan nga vendi që kishte zgjedhur duke i thënë “Shporru shejtan! Shejtan”! Zbulova se edhe unë vizatoja turmat, por njerëzit kryesisht dëshironin t’u skicoja portretin, ose, së fundmi, të pozonin për një selfie. Vizatimet e mia të xhamisë Et’hem Bej në Tiranë dhe të kalasë së Durrësit jehojnë emrin e Lear-it. Ata janë bërë që përpara dhjetë vitesh, ndërkohë që kanë ndodhur shumë ndryshime, sidomos në Tiranë.
Lear udhëtoi nga Durrësi për në Korfuz, ku jetoi për shumë vite me macen e tij Foss, në një shtëpi që vështron mbi portin e Korfuzit, të cilën e njoh mirë. Ai u largua për në San Remo në Itali, ku edhe ndërroi jetë. Në atë kohë, për të po kujdesej djali i Georgio-s.
Megjithëse arti shqiptar mbeti në vend nën sundimin osman dhe luftoi me censurën gjatë epokës së pasluftës të Enver Hoxhës, në fillim të shekullit të 19-të dhe së fundmi prej viteve ’80, ka pasur një zhvillim të shpejtë. Arti bashkëkohor nxitet nga një komunitet entuziast i diasporës, në Kosovë, si edhe në Europë e Amerikë. Por do të ishte e gabuar ta mendojmë artin shqiptar si një fenomen të vetëm 200 viteve të fundit – një udhëtim i shpejtë për në Butrint duhet ta bindë çdo udhëtar se ky është një vend me një të kaluar të mahnitshme. Atje gjeta një teatër të përsosur grek dhe rrënoja të cilat me siguri mund të datojnë që nga rënia e vetë Trojës. Në fjalë të tjera, historia e artit shqiptar është e një vendi me të shkuar dhe të ardhme shumë të shëndetshme.
E dua Shqipërinë!
E përktheu nga anglishtja: David Hudhri