Çmimi “Martin Camaj” vlerëson kontributet e rëndësishme kulturore që forcojnë bashkëpunimin kulturor mes Shqipërisë dhe Gjermanisë dhe shoqërohet gjithashtu, me një shpërblim monetar.
Ai u është akorduar më parë personaliteteve të shquara si Zef Zorba dhe të tjerave figura shumë të rëndësishme të letersisë dhe të kulturës.
Në vitin 1996, një komision, i përbërë nga albanologu Hans Joachim Lanksch, prof. dr. Walter Breu (Universiteti i Kostancës), prof. dr. Elvira Glaser (Universiteti i Zurihut), dhe prof. dr. Wilfrich Fiedler (Universiteti i Munihut), i dha Zorbës çmimin Martin Camaj me një motivacion të lartë.
Synimi i Shoqatës Martin, Camaj, pra, është përkrahja e shkëmbimit kulturor dhe ndërmjetësimi mes kulturave shqiptare dhe gjermane.
Prandaj, prej disa vitesh ofrohet ky çmim “Martin Camaj”, duke nderuar tashmë talentet e reja në fushë të shkencës dhe të kulturës.
Vitet e fundit janë ftuar të aplikojnë studuiesit, përkthyesit e letërsisë (nga gjermanishtja), e, për këtë vit autoret e letërsise për fëmijë.
Me çmimin “Martin Camaj 2024”, Shoqata Martin Camaj dëshiron, pra, të tregojë vlerësimin e saj për letërsinë shqiptare për fëmijë, e cila vendos themelet kulturore për më të rinjtë. Janë ftuar të aplikojnë të gjithë autorët nga Shqipëria, Kosova, Mali i zi dhe Maqedonia e Veriut të cilët në dy vitet e fundit kanë botuar libër për fëmijë.
Juria ndërkombëtare e ndërdisiplinare e Çmimit “Martin Camaj” si çdo vit, bën një përzgjedhje dhe njofton fituesin e çmimit nga fundi i qershorit, e më pas bëhet prezantimi në mbledhjen vjetore të shoqatës në shtëpinë e Erika Camajt në Lenggries, në “festen e verës”-që organizohet çdo korrik.
Sot Presidenca e Shoqatës “Martin Camaj”, në Lenggries, Gjermani, drejtohet nga Prof.dr. Christian Voss dhe përkthyesja e përkushtuar, me kontribut te pandërprerë në marrëdhënien mes dy kulturave, znj. Zuzana Finger.
Profesor Voss është drejtuesi i departamentit të studimeve sllave jugore pranë Universitetit të Humboldtit në Berlin. Ai është shkolluar në Cologne dhe Freiburg dhe është habilituar me vlerësimin Venia legendi për filologji sllave. Interesat e Profesor Voss shtrihen edhe në Albanologji, fushë për të cilën ka organizuar konferenca, ka mbajtur kumtesa dhe boton vazhdimisht në “Shoqatën e Europës Juglindore”, një shoqatë gjermane shumë e rëndësishme për studimet lidhur me Europën Juglindore. Në 2021 ai u zgjodh president i shoqatës “Martin Camaj” dhe vizioni i tij është zgjerimi i shoqatës, si dhe vazhdimi i promovimit të veprës së Martin Camajt në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni të Veriut, diasporë e sigurisht në Gjermani.
Zonja Finger prej vitesh mbante statusin e presidentes së shoqatës dhe në mbledhjen e vitit 2021 ia dorëzoi këtë detyrë Profesor Voss që u zgjodh president i ri i shoqatës. Zonja Finger ka një kontribut të jashtëzakonshëm në përkthimin e letërsisë shqipe në gjermanisht dhe promovimin e saj në vendet gjermanishtfolëse. Ajo përkthen me shumë dëshirë poezi, dhe parapëlqen poetë e prozatorë bashkëkohorë. Në cilësinë e zv. Presidentes ajo merret me organizimin e mbledhjeve, konferencave, konkurseve dhe aktiviteteve të shoqatës.
Këtë vit u paraqiten kontribute të shkëlqyera nga autorë tashmë klasikë te letërsise për fëmijë, e fitues të çmimeve te meparshme për letërsinë për fëmijë e të rinj si: Viktor Canosinaj, Shkelzen Zalli e Natasha Shuteriqi; po ashtu, u paraqit njohësi i meekullueshëm i zhanrit, Astrit Bisqemi dhe profesoresha Klara Kodra, një personalitet ne fushë të studimeve letrare, dalluar në krijimtarinë për fëmijë, sidomos për gjuhën e kulluar.
Tërhoqën vëmendjen e jurisë dhe u vlerësuan shumë në diskutimet e vazhdueshme, kandidatë si Rovena Rrozhani, Ana Tisi po edhe Vjollca Myftari, Aleksandra Pano e Hysen Kobellari.
Dallohen edhe tekstet e Jamarber Hoxhes, të cilat meritojnë vëmendje, përkujdesje e inkurajim të veçantë.
***
Fitues u shpall libri per fëmijë “Përrallat e Ana Tisit”. Ky është një libër i bukur me përralla dhe ilustrime botuar me Shtëpinë Botuese “Dituria”- me autore Ana Tisin.
Ana Tisi është autore e dy vëllimeve me poezi që titullohen: “Të gjitha dashuritë”, si dhe e “Fyellit magjik”, një tjetër libër me përralla për fëmijë. Gjithashtu, parapelqen levrimin e tregimit per femije, tekste, te cilat, kjo shkrimtare i ka tashme ne proces botimi në shtëpinë botuese Dituria.
Libri fitues përmban përralla klasike dhe ilustrime, të cilat janë autentike, është shumë i këndshëm në tekst dhe figurë dhënë në një shqipe shumë të pastër dhe përcjellës i dashurisë njerëzore dhe universale.
Disa nga mendimet dhe kritikat mbi këtë libër po renditen më poshtë:
“Në këtë libërth të bukur janë fshehur një tufëz përrallëzash të cilatpresin për t’u zbuluar nga secili prej jush. Rrëfimi herë-herë I kapërcen rregullat “morfologjike të përrallës”; në ndonjë rast I respekton “mot-a-mot” ato, – por rrëfimtarja e përdor alegorinë si shkopin magjik për të ndërtuar botë këndjellëse imagjinare, duke mbajtur të gjallë karremin e misterit deri në rreshtin e fundit, përmes një gjuhe të latuar dhe të kuptueshme nga lexuesit e vegjël dhe me mesazhe të
fuqishme didaktike që dalin natyrshëm nga nënteksti. Duke i lexuar këto përralla, secili prej nesh zbret nga përmasa imagjinare e tekstit në realen e përditshme, duke reflektuar për disa konstante universal njerëzore si fuqia e dashurisë, falja, xhelozia, egoizmi i papërmbajtur,
smira apo babëzia.
Prandaj, unë do të rekomandoja patjetër që këto pjesëza magjike të lexohen çdo mbrëmje jo vetëm nga lexuesit e vegjël, por edhe nga prindërit, të cilët kanë shumëçka për të mësuar prej tyre, – përpara se vogëlushët të mbyllin syçkat, për t’u nisur më tej në botët fantastike të gjumit. Ky shtegtim, me siguri, do të jetë më i lehtë dhe më i bukur, duke e përndezur dhe vaditur mendjen e fëmijës tuaj me të tilla përrallëza kaq të bukura”. (Dr. Albert Gjoka)
Përmes librit të saj, Ana Tisi na dhuron një tokë magjike, në të cilën bukuria dhe pastërtia janë ende të mundshme. Sepse, nga të gjitha gjërat që kalojmë në jetë, mbijeton vetëm ajo që transformohet në përrallë. Dhe përrallat e Ana Tisit, që pata rastin t’i lexoja para Krishtlindjeve, janë si një dimër i freskët, që më shumë ngroh se sa ftoh, që më shumë shkrin se sa ngrin, sepse gjithë kjo e bardhë e pastër që e ndieva, më ka mbështjellë si një përrallë dashurie, siç di të krijojë vetëm kjo autore e mrekullueshme. Dashurinë e mësojmë në familje dhe ky libër është një ilustrim i jashtëzakonshëm dhe prandaj, unë e lexova edhe si libër apo mësim pedagogjie.
(Oana Anca Mihaela Glasu, studiuese nga Rumania, albanologe)
Përralla dhe mistiçizmi është gërshetuar mrekullisht në këtë libër sa për një çast të duket vetja i katapultuar në një botë onirike ku çdo gjë frymon sipas një dizenjoje të gjetur në baulen e kujtimeve të pa kohë. Të jepet përshtypja se autorja është gjendur dhe ka folur vetë me personazhet para se t’i mblidhte e fuste në libër ku mjeshtri ka ditur t’i japë formë edhe ngjyrë.
Besoj se mbas leximit të këtyre përrallave lexuesi i vogël do të mbledhë lule mirësie për njërëzit e dashur në ëndrrat e veta. (Fatmir Gjata, shkrimtar)
Në këtë libër përfshihen pesë rrëfenja, shkruar me fantazi dhe intuitë, për të depërtuar jo vetëm në botën e lexuesit të vogël, por edhe te më të mëdhenjtë, janë si disa lëndina të gjelbëra çlodhjeje e pushimi, apo si disa kroje me ujë të qelibartë ku çdokush prej nesh freskon trupin dhe mendimet. Por mund ti krahasojmë rrëfenjat edhe si pesë valltarë të vegjël, që paraqesin me harmoninë e tyre të gjestikulacioneve e lëvizjes ,madhështinë e pakundërshtueshme të jetës.
Të pesë valltarët e përzgjedhur me sqimë nga Ana Tisi janë; “ Përralla e vogëlushes Lea” që trajton shkaktimin e mërzisë dhe gjendjes depresive tek më të vegjëlit, kur midis prindërve ka zënka dhe mungesë dashurie. Valltarët e tjerë janë; “ Përroi i vogël”, “ Princi i humbur”, “ “ Legjenda e thesarit”, kur njerëzit bien pre e lakmisë, dhe i fundit, “ Vajza e liqenit të dritës” që vjen tek lexuesi si një nimfë e qenie e dritësuar, por që për dashurinë pranon të humbë gjithë atributet e shenjta dhe përjetësinë.
Per librin, nuk kam fjalë, ilustrime të bukura, nga piktori Kujtim Murati, letër e kapakë të mrekullueshëm, një botim impenjativ dhe luksoz, që mban vulën e Shtëpisë Botuese “ Dituria”. Një gjini që, autorja në fjalë, duhet ta vazhdojë edhe në të ardhmen. Për aftësitë e saj të dukshme, për të qenë pjesë e sojit të shkrimtarëve për fëmijë.
Të pesë përrallat e përfshira, kanë një rrjedhje të natyrshme, fantazia ndërthuret më së miri me elementet e rrëfimit, fabula dhe gjetja artistike përforcojnë mesazhet që ato përcjellin, secila në vetvete.
Ndjen në çdo pasazh kënaqësinë e të shkruarit, përfshirjen emocionale të autores, futjes në një botë paralele me botën ku jetojmë, në një botë magjie, ku mrekullia, dashuria, mirësia, sundojnë universin, dhe bëhen shtysë dhe nxitje që gjithsecili prej nesh të përsosë vetveten, duke luftuar të keqen , urrejtjen, lakminë e padrejtësinë.
Në laboratorin e fshehtë krijues të Ana Tisit, kanë mbirë përsëri dhjetëra fidanë të rinj rrëfenjash, të cilët ajo po i kuron me dashuri , për tia dhuruar lexuesit të vogël, në botimet e saj të ardhshme. Përveç poezisë së saj, e përfshirë mes dashurive njerëzore dhe mistikes, ajo ndan me lexuesin edhe këtë pasion të hershëm për përrallën. E kush prej nesh në vegjëlinë e tij nuk u mahnit prej bëmave të çuditshme të heronjve të përrallave? E kush nuk ndjeu neveri për shtrigat e këqija që u shkaktonin fatkeqësi njerëzve? Secili prej nesh do kishte dashur të ishte një luftëtar i së mirës, të shprangoste bukuroshen e burgosur në kullë, të vriste ujqërit që vjellin zjarr nga goja, dhe u pengojnë udhën heronjve,të sfidonin bishat mitologjike si Cerberi e Minotauri, e t’iu jepnin njerëzve lirinë. Tek njëra prej përrallave të Ana Tisit, titulluar, “ Princi i humbur”gjejmë pak a shumë diçka të tillë. Një princ i rrëmbyer që në lindje nga shtriga, por dashuria e motrave të tij dhe vendosmëria e tyre për ta kërkuar ,bënë të mundur kthimin e tij në shtëpi.
Por kemi dhe përrallën e përroit të vogël, që donte të bëhej lumë, dhe nuk e kuptonte, se në jetën e fshatit të vogël ai ishte më shumë i rëndësishëm dhe jetik ashtu si ishte, dhe jo si lumë i madh.
Pra, ashtu si pesë gishtat e një dore, këto rrëfenja, kanë unitet dhe së bashku formojnë një mozaik të larmishëm vlerash artistike. (Rifat Ismaili)
***
Ana Tisi eshte fituese e dhe e nominuar për disa çmime ne gjinine e poezise; veprimtaria e Ana Tisit eshte gjithashtu, promovuese e vlerave me te çmuara identitare shqiptare, pjese te pasurise kombetare, siç eshte ajo e autoreve te tradites.
Përrallat e shkruara nga kjo autore duket se udhëtojnë nga shtresat e vjetra të kulturave të popujve, prej gjirit të kohërave që s’mbahen mend deri te modeli i letersisë së shkruar në zemër të botës moderne ku jetojmë.
E veçantë dhe e vyer mbetet prirja për t’u takuar me fuqinë tonë të humbur e të harruar, esencialen e hershme, – e gjithë kjo duke përnaltësuar pafajësinë, nën një ndriçim të pafundmë metafizik.
Duke lexuar përrallat e Ana Tisit, ndodh përfshirja në një përvojë njohëse, shpirtërore e shpëtuese në shprehjen e aspekteve më të thella e misterioze të ndjeshmërisë së natyrës njerëzore për të kuptuar më mirë qenien tonë në botë, marrëdhënien me Krijuesin e për të mbetur deri në fund të rrugëtimit të virtytshëm e punëmirë.