Shihemi në gusht, romani i rizbuluar i një prej paraardhësve të bumit të Amerikës Latine të viteve 1960, do të botohet në të gjithë botën në të njëjtën ditë: 6 mars 2024. Mund ta porosisni këtu.
Në Shihemi në gusht tregohet historia e një gruaje, Ana Magdalena Bach-ut, e cila bën shtegtimin e përvitshëm në një ishull për të përkujtuar përvjetorin e vdekjes së nënës, një udhëtim që kthehet në zbulim të lirisë dhe keqardhjes, si dhe i mistereve të dashurisë.
Shkrimtari legjendar kolumbian Gabriel García Márquez – romani i rizbuluar i të cilit Shihemi në gusht do të botohet pas vdekjes, pavarësisht nga dëshira e tij e shprehur qartë për të kundërtën – mbështetet te kujtesa; ishte instrumenti që ai përdorte, si shumë shkrimtarë të tjerë para dhe pas tij. I njohur për ndërthurjen e ndërlikuar të kujtesës me kohën, dhe reales me fantastiken, në romanet Njëqind vjet vetmi, Dashuria në kohën e kolerës dhe Kronikë e një vdekjeje të paralajmëruar, vitet e muzgut të jetës u shënjuan nga një dukuri mizore dhe ironike: ai, shkrimtari i kujtesës – i kujtesës kolektive të qytezave dhe familjeve – filloi të humbiste të tijën.
Ulja e vazhdueshme e nivelit të aftësive njohëse shkaktoi paaftësinë për të shkruar, një goditje për shkrimtarin i cili së bashku me Jorge Luis Borges-in, Alejo Carpentier-in, Juan Carlos Onetti-in dhe Augusto Roa Bastos-in, ishte një nga shkrimtarët pararojë të bumit të Amerikës Latine në vitet 1960, teknikat moderniste të të cilit si realizmi magjik kishin mahnitur botën. Para se të vdiste në vitin 2014, për shkak të pneumonisë, në moshën 87-vjeçare, García Márquez-i po luftonte me demencian dhe gjithashtu po punonte për një roman të ri, të cilin ai nuk donte që bota ta lexonte.
Duke pasur probleme me kujtesën, Gabo – siç e quanin me dashuri admiruesit në botën spanjolle dhe më gjerë – vendosi që kjo vepër e re të mos botohej pas vdekjes. Djemtë e Márquez-it, Rodrigo (64 vjeç, regjisor) dhe Gonzalo García Barcha (59, dizajner grafik), kanë vendosur ta botojnë librin 10 vjet pas vdekjes së laureatit të Nobelit.
Një rrëfenjë për lirinë dhe dëshirën femërore
I përkthyer në anglisht nga përkthyesja kanadezeAnne McLean Shihemi në gusht është përshkruar si “një rrëfenjë e jashtëzakonshme dhe e thellë e lirisë dhe dëshirës femërore” nga botuesi Viking, një degë e Penguin Random House Britani e Madhe, e cila do të nxjerrë në treg romanin më 6 mars 2024.
Ballina e pasme e romanit dhe data e botimit në gjuhën angleze u zbuluan në Panairin e Librit në Frankfurt të mërkurën (18 tetor). Më herët, në maj të këtij viti, Viking kishte njoftuar se kishte blerë të drejtat e romanit të pabotuar, En Agosto Nos Vemos. Isabel Wall, drejtoresha editoriale e Viking, fitoi të drejtat për në Britani dhe Komonuelth me një ceremoni të posaçme nga Agjencia Letrare “Carmen Balcells” në Barcelonë, e cila përfaqëson Márquez-in.
Botimi i romanit “të humbur” është cilësuar si një “ngjarje letrare historike” dhe një bashkëpunim global midis botuesve, duke përfshirë botuesin Knopf, degë e Penguin Random House SHBA dhe botuesit Random House në Spanjë. Për të shënuar 10-vjetorin e vdekjes së Márquez-it, Penguin Random House Britani e Madhe do të ribotojë 16 tituj nga lista e librave të tij gjatë vitit 2024, duke filluar me gjashtë tituj në datën1 shkurt: Njëqind vjet vetmi; Dashuri në kohën e kolerës; Kolonelit s’ka kusht ti shkruaj; Kronikë e një vdekjeje të paralajmëruar; Për dashurinë dhe demonë të tjerë; dhe Përmbledhje tregimesh.
Hijet e shumta të dashurisë
Sipas një njoftimi nga Viking, fillimisht, Rodrigo dhe Gonzalo García Barcha respektuan dëshirat e babait dhe dorëshkrimi u mbyll me letrat e tij të tjera në një arkiv në Universitetin e Teksasit. Sidoqoftë, dyshja më vonë “rishqyrtoi cilësitë e jashtëzakonshme të librit dhe sa nga gjenialiteti, ngjyra dhe dashuria e babait të tyre jetonin brenda fjalëve të tij”. Botuesi shtoi: “Pas një diskutimi të gjatë ata morën vendimin që romani më në fund të ndahej me miliona lexues të përkushtuar në mbarë botën”.
Rodrigo dhe Gonzalo García Barcha thanë: Shihemi në gusht ishte fryt i përpjekjes së mbrame të babait tonë për të vazhduar të krijojë pavarësisht gjithçkaje. Duke e lexuar edhe një herë gati 10 vjet pas vdekjes së tij, zbuluam se teksti kishte shumë merita që vërtetë të japin kënaqësi dhe asgjë që na pengon të shijojmë dhe kënaqemi me aspektet më të spikatura të veprës së Gabos: aftësinë për të trilluar, gjuhën poetike, rrëfimin magjepsës, botëkuptimin e tij për njerëzimin dhe dhembshurinë për përvojat dhe fatkeqësitë tona, veçanërisht për dashurinë, ndoshta tema kryesore e gjithë veprës së tij”.
Kur Márquez-i i rilexoi librat e vet gjatë pleqërisë, për të kujtuar sadopak jetën dhe arritjet e tij, i dukej sikur po i lexonte për herë të parë. “Nga dreqin kanë dalë këto?” – më pyeti një herë. Kështu, vijoi t’i lexonte veprat e tij deri në fund, duke arritur t’i dallonte si libra të njohur nga kapakët, por duke kuptuar shumë pak nga përmbajtja e tyre. Kishte raste kur, pasi e mbyllte një libër, habitej kur shihte fotografinë e tij në kapakun e pasmë dhe e hapte përsëri, duke u orvatur ta lexonte nga e para,” shkruan Rodrigo García në “Lamtumirë Gabo dhe Mercedes: kujtimet e birit për Gabriel García Márquez dhe Mercedes Barcha” (2021).
Duke qëndruar në këmbët e shtratit të tij gjatë viteve të fundit të Marques-it, Rodrigo García do të vinte re se si truri i të atit, pavarësisht nga demenca (dhe ndoshta i ndihmuar nga morfina), vazhdonte të ishte “kudhra e krijimeve” të tij, siç kishte qenë përherë: “I copëzuar, mbase i paaftë t’u kthehet mendimeve apo të ruajë linjën e historive, por gjithsesi aktiv. Imagjinata e tij kishte qenë përherë mrekullisht pjellore. Gjashtë brezat e familjes Buendía përbëjnë Njëqind vjet vetmi (1967), por ai kishte material të mjaftueshëm edhe për dy breza të tjerë”.
Thelbi i vetmisë së tij
“Pavarësisht nga natyra e shoqërueshme dhe rehatia në dukje që i jepte jeta publike, Marquez-i ishte një njeri privat, ndonjëherë edhe i mbyllur. Me këtë nuk dua të them se nuk i pëlqente fama apo se pas dekadash të tëra lajkatimesh nuk ishte i prekur nga narcizmi, përherë dyshonte në të qenët i famshëm dhe në suksesin letrar. Përpara se të merrte çmimin Nobel në vitin 1982, ai do t’i kujtonte herë pas here familjes dhe vetes, se as Tolstoi, as Proust-i apo Borges-i nuk arritën të merrnin çmimin e lakmuar letrar, sikundër edhe tre shkrimtarët e tij të parapëlqyer: Virginia. Woolf, Juan Rulfo dhe Graham Greene. Shpesh i dukej se suksesi nuk ishte diçka që e kishte arritur, por diçka që i kishte ndodhur”, shkruan Rodrigo García.
“Poetë dhe lypës, muzikantë dhe profetë, luftëtarë dhe mujsharë, të gjitha krijesat e atij realiteti të shfrenuar, lypnin vetëm pak imagjinatë, sepse problemi ynë vendimtar ka qenë mungesa e mjeteve konvencionale për ta bërë jetën tonë të besueshme. Në një ditë si kjo e sotmja, mjeshtri im William Faulkner tha: “Nuk e pranoj fundin e njeriut”. Ky, miqtë e mi, është thelbi i vetmisë sonë”, tha Marquez-i në fjalimin e pranimit të Nobelit. Në vitin 1949, në fjalimin e tij për pranimin e Nobelit, Faulkner-i nuk kishte pranuar fundin e njeriut. “Është e lehtë të thuash se njeriu është i pavdekshëm thjesht sepse do të durojë, se kur të jetë dëgjuar boria e fundit e botëmbarimit dhe të jetë shuar shkundullima e shkëmbit të fundit në rrokullimë në atë mbrëmje të mbrame të përflakur që fiket, edhe atëherë, do të dëgjohet ende një kumbim: ai i zërit të tij të mezindjeshëm, të pashtershëm, që ende flet”.
“Nuk e pranoj këtë. Besoj se njeriu jo vetëm do të durojë, por do të ngadhënjejë. Është i pavdekshëm, jo sepse ndër të gjitha krijesat, vetëm zëri i tij është i pashtershëm, por sepse ka frymë, shpirt të aftë për dhembshuri, sakrificë dhe durim. Detyra e poetit, e shkrimtarit, është të shkruajë për to. Është e drejta e tij e veçantë ta ndihmojë njeriun të durojë duke ia çuar zemrën peshë, duke i kujtuar guximin, nderin, shpresën, krenarinë, dhembshurinë, mëshirën dhe sakrificën, të cilat kanë qenë lavdia e së shkuarës së tij. Zëri i poetit nuk duhet të jetë thjesht dëshmi e njeriut, sepse mundet me qenë gur themeli, kolonë kua ai mbështetet që të durojë dhe të ngadhënjejë”, kishte theksuar Faulkner-i.
Deri vonë në jetë, ndërsa kujtesa e Markezit po venitej, ai kurrë nuk i rilexonte librat e vet (ndonëse shumë më vonë në jetë, kur kujtesa po e linte, filloi t’i lexonte), nga frika se mos gjente të meta që do t’a bënin t’i vinte turp dhe se mos ia shternin krijimtarinë. Pavarësisht nga mohimi këmbëngulës se në shkrimet e tij nuk ka asgjë qëllimisht simbolike në shkrimet e tij dhe pavarësisht nga përbuzja që tregon për të gjitha teoritë akademike apo intelektuale që mund të hedhin dritë mbi ndonjë imazh në rrëfimet e tij, e dinte se, ai ishte skllav i pavetëdijes. Ai e dinte se disa gjëra janë aty si zëvendësuese të gjërave të tjera. Si shumë shkrimtarë, edhe ai ishte i fiksuar pas humbjes dhe vdekjes, shfaqjes më të madhe të saj. Vdekja si rregullsi dhe parregullsi, si e logjikshme dhe e pakuptimtë, si e pashmangshme dhe e papranueshme”.
Rodrigo García kujton vuajtjen tepër të madhe kur shihte të atin në një gjendje të atillë ankthi, duke i përsëritur vazhdimisht vetes gjatë fazës së hershme të demencës: “Unë me kujtesën punoj. Kujtesa është instrumenti dhe lënda ime e parë. Nuk mund të punoj dot pa të. Më ndihmoni”. Kur më në fund rifitonte njëfarë qetësie, ndonjëherë thoshte: “Po më lë kujtesa, por, fatmirësisht, harroj se po më lë”.
Përktheu: Granit Zela