“Kulturat flasin falë përkthyesve – heronjve të letërsisë”.
Pol Oster
Tekstin e kemi quajtur parafrazë të një parafraze. Titulli i filmit të mirënjohur E humbur në përkthim në emër të Takimeve të Katërta Letrare në Gdańsk 2019 (që do të jetë një informacion domethënës për ne, sepse do t’i referohemi në këtë tekst një folësi nga ato takime) është shndërruar në Zbuluar në përkthim, kurse neve referenca zbuluar në përkthim na u duk e përshtatshme për tekstin për çmimin ndërkombëtar për përkthimet e vitit.
Në një ceremoni të organizuar në fillim të gushtit në QKI “Budo Tomoviq”, Dimitrov Popoviqit, poet, përkthyes, një njeriu të përkushtuar kulturor, iu dorëzua çmimi ndërkombëtar për përkthimet Tekstet e Orfeut për vitin 2024. Emri i artistit mitik grek, i cili zbuti bishat me këngë, ndaloi lumenjtë, lëvizi pemë e gurë dhe krijoi një harmoni dhe paqe të përsosur në natyrë në emrin e këtij çmimi, është rezonatori simbolik i kësaj njohjeje.
Çmimi ndahet nga Mundus Artium Press nga Teksasi, ndërsa Dimitrov Popoviqit në Podgoricë ia dorëzoi Gjekë Marinaj, profesor në Universitetin e Teksasit në Dallas. Marinaj, i cili është vetë përkthyes dhe kritik letrar, i nominuar disa herë për çmimin Nobel, theksoi se kjo është një mirënjohje për një punë të jashtëzakonshme në përkthim. “Është nder dhe privilegj i madh të qëndroj para jush dhe të nderojmë një person të jashtëzakonshëm, kontributet e të cilit në botën e përkthimit letrar janë lidhje kulturore që pasurojnë peizazhet letrare të Malit të Zi dhe Shqipërisë. Sot nderojmë Dimitrov Popoviqin, përkthyesin e vitit për çmimin e teksteve të Orfeut për vitin 2024. Popoviq është një fener në fushën e përkthimit letrar, një dritë që ndezi rrugën për shkëmbimin kulturor dhe mirëkuptimin reciprok. Përkthimet e tij shërbyen si një urë e rëndësishme kulturore, sepse thelluan lidhjen dhe dialogun midis Malit të Zi dhe Shqipërisë. Përmes përpjekjeve të palodhura, Popoviq përmirësoi ndjeshëm dialogun ndërkulturor, duke sjellë pasurinë e letërsisë malazeze te lexuesit shqiptarë dhe shqipen te lexuesit malazezë”, – theksoi profesor Marinaj.
Në sqarimin e Komisionit për çmimin tekstet e Orfeut, thuhet se Dimitrov Popoviq është “një person i përkushtuar që me veprën e tij përfaqëson një urë jetike kulturore midis Malit të Zi dhe Shqipërisë si dhe kontribut shembullor në letërsi dhe arsim. Përkthimet e tij mbulojnë një spektër të gjerë diskursiv, duke përfshirë poezi, prozë dhe tekste akademike, duke rritur ndjeshëm dialogun ndërkulturor midis këtyre vendeve fqinje”. Është një njohje e kontributit të jashtëzakonshëm të Popoviqit në përkthimin letrar, kapërcimin e ndarjeve kulturore dhe nxitjen e shkëmbimeve arsimore dhe letrare midis Malit të Zi dhe Shqipërisë. Vepra e tij ilustron idealet më të larta të të kuptuarit kulturor dhe të përsosmërisë letrare.
Dimitrov Popoviq ka lindur në Kamicë-Koplik (Shkodër). Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa të mesmen në Durrës. Është diplomuar në Institutin e Lartë Pedagogjik, Fakulteti i Gjuhës dhe Letërsisë në Shkodër. Është diplomuar në Universitetin Shtetëror në Tiranë, dega gjuhë-letërsi.
Shkruan poezi dhe studion letërsinë. Përmbledhjen me poezi “Përtej shpresës” e botoi në shqip në vitin 2008, kurse në gjuhën malazeze në vitin 2016 me titullin «Amfora”, si dhe një libër me ese “Një shtrëngim dore”. Në vitin 2019, Qendra për Mbrojtjen e Kulturës së Pakicave në Podgoricë do të publikojë vëllimin e ri të poezive në gjuhën shqipe, “Biseda e brezave”.
Mori pjesë në punën për antologjinë e gjerë në dy vëllime të popullit shqiptar dhe malazez “Një libër – dy gjuhë” – “Dy gjuhë – një libër” në poezi dhe prozë, në gjuhën shqipe dhe malazeze, ku dha kontribut në përkthimet nga gjuha malazeze.
Ka përkthyer romanin “Svi moji” (“Të gjithë të mitë”, të njërit nga shkrimtarët më të rëndësishëm malazezë Zuvdija Hoxhiq-Berisha.
Dimitrov Popoviq është redaktori i “Antologjisë së Poezisë Malazeze”, 40 poetëve më të njohur të Malit të Zi nga Jelena Balshiq deri te Dragana Tripkoviq dhe e ka përkthyer në gjuhën shqipe. Me këto përkthime ai arriti të përcjellë në gjuhën shqipe individualitetin artistik të poetëve malazezë, me finesë dhe frymëzim, me virtuozitet stilistik mahnitës.
Ai përktheu librin me poezi të Pavle Goranoviqit “Stinët e humbura”, dramën e Natasha Neleviqit “Vezët”, vëllimin me tregime të Zuvdija Hoxhiqit “Dikush thërret”, Vladimir Vojinoviqin me “Tregimet e Montanarit”, redaktoi librin me poezi të Mlladen Llomparit dhe romanin “Dita e fundit e Eskilit” të Mirash Martinoviqit. “, etj. Shumica e librave të përmendur janë botuar nga shtëpia e njohur botuese ONUFRI në Tiranë.
Përktheu shumë tregime dhe poezi nga shqiptarët për revistën KOD-i të CEKUM-it.
Libri “Ardhësit – Këngët e Ali Binakut” dhe përkthimi në shqip prej tij, është vlerësuar si libri më mirë i përgatitur në Panairin e 13-të Ndërkombëtar të Librit në Podgoricë. Ka përkthyer shumë tekste për shkollat me mësim në gjuhën shqipe, si dhe lëndët me zgjedhje për shkollat e mesme si: Etika, Logjika, Sociologjia e Kulturës, Arti dhe Komunikimi viziv, Muzika – Gjuha ime, Sociologjia për shkollat e mesme profesionale etj.
Gjithashtu duhet shtuar afërsia që ka Dimitrovi me shkrimtarët shqiptarë dhe përkushtimi për botimin dhe promovimin e librave të tyre në Entin e Teksteve dhe të Mjeteve Mësimore, të cilët edhe janë prezantuar dhe promovuar në panairet e librit në Podgoricë, Tiranë, Ulqin, Prizren, Gjakovë, Shkodër. etj., ku edhe ka marrë mirënjohjet përkatëse.
Në vitin 2022 është shpallur Qytetar Nderi në Koplik të Malësisë së Madhe.
Punon në Entin e Teksteve dhe Mjeteve Mësimore – Podgoricë si përkthyes dhe redaktor i librave në gjuhën shqipe.
Çmimi “Orfeus Texts” ka nisur në vitin 1967 dhe për të aplikojnë përkthyes nga vende të ndryshme të botës, ndërsa për laureatin vendos një komision prej 24 anëtarësh, profesorë universitetesh. Çmimi ndahet çdo vit për disa kategori: poeti i vitit, përkthyesi letrar i vitit, gazetari i vitit, shkrimtari i vitit dhe piktori i vitit. Procesi i përzgjedhjes për këto çmime është i menduar dhe i përpiktë. Rekomandimet për kandidatë nga personalitete të respektuara, institucione letrare dhe akademike janë të nevojshme.
Ky çmim i vyer për kolegun tim Dimitrov Popoviq mund të jetë një nxitje që ne të flasim për rëndësinë e përkthimit, si një segment i kulturës që duhet të zhvillohet dhe kultivohet më me kujdes në Mal të Zi. Kjo është veçanërisht e rëndësishme në epokën e zhvillimit të shpejtë të krijimeve humanoide (lexo: inteligjencës artificiale), “falë” së cilës disa tashmë parashikojnë zhdukjen e nevojës për potencialin njerëzor në përkthim. Vetëkuptohet se sa të rëndësishëm janë përkthyesit për gjuhët e vogla, sepse i bëjnë të dukshme kulturat e atyre vendeve.
Qytetërimi duhet t’u jetë mirënjohës përkthyesve për zhvillimin, pasurinë dhe identitetin e tij. Në fjalimin e saj të famshëm “Vepra e Hermesit ose si përkthyesit e shpëtojnë botën çdo ditë” (e përkthyer më vonë në një ese), në Takimin e Katërt Letrar të lartpërmendur në Gdańsk, nobelistja Ollga Tokarçuk kërkon nderim dhe përulje para përkthyesve “nëpërmjet mendjes së të cilëve kalojnë kufijtë e botëve të ndryshme (…) që prodhojnë gurin e urtësisë së kohës sonë – universalitetin”. Duke e parë përkthimin si një shpëtim, Tokarçuku do të përmendë historinë që “përkthyesit janë të detyruar ta mbajnë në dosjen e tyre mitologjike” në lidhje me shpëtimin e trashëgimisë intelektuale pas rënies së Perandorisë Romake dhe meritat e sundimtarëve arabë, themeluesit e një lloji të veçantë akademie në Bagdad, e cila ishte e specializuar në përkthimin e veprave nga gjuha greke, por edhe veprave nga Egjipti, India dhe Persia. Historia di ta kthejë lojën, kështu që pas shekullit të 12-të dhe dëbimit të arabëve nga Evropa, dhe pasi një kulturë shumë e zhvilluar mbeti pas, nevojiteshin përkthyes nga gjuha arabe në të krishterë. Për shembull, shkolla e përkthimit në Toledo është e famshme. Kështu, përkthimet e përkthimeve na pasuruan me rrjetëzimin e botës.
Duhen përmendur edhe cilësitë që duhet të zotërojë një përkthyes i mirë në kulturën bashkëkohore. E para, në fakt, ka ekzistuar gjithmonë në historinë e përkthimit dhe ka natyrë përzgjedhëse – përzgjedhja e tekstit letrar. Me këtë masë, përkthyesi mbron veten. Një përkthyes i mirë zgjedh ata shkrimtarë dhe tekste, shprehja gjuhësore e të cilëve i ndihet e afërt. Nëse themi se Dimitrov Popoviq provoi përkthimin e Natës më të shtrenjtë të jetës të Njegoshit, e cila shkaktoi emocione të forta te publiku në leximin në Shqipëri, do të na duket qartë se ai e përmbushi kriterin e parë. “Kur nisa me përkthime, kuptova sa larg jam nga gjërat e fshehura të botës… Konkretisht, duke parë Njegoshin, qëndrimi përballë portretit apo statujës së tij – është nder; ta lexosh ky nder është edhe më i madh; tua dorëzosh popujve të tjerë në gjuhën e tyre – është obligim; ta botosh të përkthyer në vende të ndryshme të botës – është mirënjohje dhe nderim ndaj tij si thellësia e mendimit tonë”, – thotë Popoviq.
Një përkthyes i mirë, pasi zgjedh një vepër për të përkthyer, bëhet kritik letrar, i cili vendos një shkallë të caktuar vlerash në tekstin që përkthen, gjë që kërkon heqje dorë dhe shmangie nga një zgjidhje që është larg së vërtetës estetike të autorit. Gjatë gjithë kohës, siç theksoi poeti dhe përkthyesi Stevan Raiçkoviq, ai ecën gjithmonë mbi një tel “midis dy humnerave – humnerës së origjinalit dhe humnerës së gjuhës së tij”. Përkthyesi duhet të ketë ndjeshmërinë për të zgjeruar dhe ngushtuar identitetin e vet, sidomos nëse është edhe vetë shkrimtar, për t’u bërë dikush tjetër apo diçka tjetër pa trauma, atëherë kur vepra ia kërkon.
Mirëpo, puna e një përkthyesi në botën moderne nuk përfundon kurrë me punën krijuese në përkthim, por ai shpesh e gjen veten në rolin e promotorit letrar, agjentit të veprave letrare.
Laureati Dimitrov Popoviq i posedon të gjitha cilësitë e përmendura, dhe siç e njoh mirë, sepse jemi kolegë pune prej shumë vitesh, e di edhe se si përkthyes e ëndërron librin që përkthen, jeton ngushtë me “rritjen” e përkthimit dhe në të njëjtën kohë kultivon stilin e një “njeriu nga hieja”.
Kolegu ynë Popoviq punon me përkushtim, dëgjon me kujdes, flet sipas masës, respekton kolegët, është modest. Ai është një njeri i besueshëm, gjë që nuk është pak në një botë me një paqëndrueshmëri të përgjithshme. Në shpejtësinë e kohës që jetojmë dhe pjesës së jetës që i kushtojmë punës sonë të përditshme, do të thosha se njeriu për njeriun është koleg, sidomos në një shtëpi botuese. Një koleg i mirë është një njeri i mirë dhe kolegu Dimitrov është ky njeri i mirë. Përmasat e punës që ai bën çdo ditë janë më të qarta nëse themi se botimi i të gjitha teksteve mësimore në gjuhën malazeze është i përkthyer në shqip dhe ai e koordinon tërë këtë punë duke përkthyer edhe vetë.
Në fjalën e tij në ceremoninë e organizuar me këtë rast në Podgoricë, Popoviq theksoi se ishte i nderuar që mori këtë mirënjohje: “Çmimi më jep forcë për të parë dhe vlerësuar të kaluarën, por edhe të ardhmen e mbetur”.
Fituesi i vitit të kaluar i çmimit të teksteve Orfeu për përkthimet, Chien Jui-ling nga Tajvani, i dërgoi një dhuratë simbolike laureatit të sivjetshëm, Popoviq, me idenë për të lidhur vendet nga vijnë fituesit e këtij çmimi prestigjioz. Ajo theksoi se përkthyesit e mirë “zgjedhin libra që u afrohen shpirtërisht, por janë edhe në nivelin gjuhësor të personit që është i interesuar të përkthejë”.
Le të festojmë sot përkthyesit e mirë – “ruajtësit e fenomenit impozant të qytetërimit njerëzor”!
(Autorja është profesoreshë e letërsisë dhe këshilltare për botimet në Entin e Teksteve dhe të Mjeteve Mësimore – Podgoricë)
Shkrimi është botuar në gazetën Vijesti (faqja ART) date 31.8.2024.
Përktheu: D. Popoviq