More
    KreuMuzikëMuzikanti Florian Vlashi me një fjalorth në gjuhën shqipe me 47 pjesë...

    Muzikanti Florian Vlashi me një fjalorth në gjuhën shqipe me 47 pjesë të violinës

    Violina, pjesët dhe terminologjia

    Kjo është një përpjekje për të njësuar terminologjinë e pjesëve të violinës në shqip. E nisa këtë punë para dy vjetësh dhe në mënyrë më intensive këta muajt e fundit. Prej kohësh kisha vënë re një konfuzion total në emërtimin e tyre në shqip, ku secili i quante në gjuhën që ka lexuar, studiuar apo nga shkolla ku kishin studiuar profesorët tanë.
    Po ashtu mora shkas nga një poezi e mrekullueshme nga Frederik Rreshpja, ku një varg ishte: Kurdisën violinat. Megjithëse poetëve u falet çdo gjë, janë disa fjalë që në muzikë nuk mund të ndërrohen tashmë: vetë fjala muzikë, violinë apo akordoj.
    Që në fillim u gjenda në një fushë të pafund, ku çdo fjalë ishte një botë e madhe me thellësinë dhe hapësirën e oqeanit. Kështu, veç pjesëve të violinës në gjuhë të tjera, duhet të njihja shumë mirë edhe shqipen. Për të parën shfletova librat mbi violinën dhe luterinë që kam në bibliotekë, një koleksion i pasur mbi këtë literaturë të mbledhur përgjatë 30 vjetëve. Nga ana tjetër, kam edhe fatin të punoj në Sinfonica de Galicia, një orkestër ndërkombëtare me instrumentistë nga mbi 20 vende të botës, me të cilët konsultohesha mbi emërtimet, jo vetëm në italisht e frëngjisht, por edhe në finlandisht apo japonisht, në disa raste edhe në… esperanto. Ndërsa për të dytën, pastërtinë e gjuhës dhe saktësimin e terminologjisë, gjithmonë jam këshilluar me Biblën e shqipes – Fjalorin e Gjuhës Shqipe. Por nuk mund të rri pa falënderuar për ndihmën dhe këshillat edhe profesorin e letërsisë Pirro Dollani, gazetarin Gëzim Kabashi, profesorin Kristaq Jorgo, muzikologun Edmond Buharaja dhe të parin e të fundit, tim atë, Gjergj Vlashi.
    Nuk e di se sa vlerë mund të ketë kjo punë që po ju paraqes këtu. Mbase fare pak. Por unë mendoj gjithmonë enciklopedistin e madh francez Diderot i cili shkruan: “On doit exiger de moi que je cherche la vérité, no que je la trouve” (Duhet të më detyroni që të kërkoj të vërtetën, por jo që ta gjej atë). Ju siguroj që brenda këtyre 47 fjalëve ka shumë mund dhe dashuri.

    Florian Vlashi

    Disa nga emërtimet e violinës


    Dredhëz – u nisa nga ideja e vjetër që koka e violinës është një imitim i natyrës, pikërisht i asaj pjese të vreshtit që në shqip quhet loze ose dredhëz. Në gjuhët e tjera kjo pjesë është më pak poetike (kërmill, mbështjellë apo kaçurrel).
    Prekël (tastiera) – është fjalë e rrallë që e kam gjetur te fjalorët e Vedat Kokonës. Sa e bukur aq edhe e brishtë. Mjaft letrare është në portugalisht “espelho” (pasqyrë) apo në rumanisht “limba” (gjuhë). “Kielet” (gjuhë) quajnë telat e violinës në finlandisht. Bukur! A nuk flitet me gishta?
    Qafë – pjesa ndërmjet kokës dhe trupit të violinës. Në shqip, si në folklor ashtu edhe nga shumë instrumentistë profesionistë, quhet bisht. Mendoj se është gabim. Nuk e kuptoj pse duket normal që mund të gjendet koka te bishti.
    “ff” – këto të prera mbi syprinën e violinës më parë kanë pasur formën CC apo të ndonjë shenje tjetër, por mendohet të ketë qenë gjeniu universal Leonardo da Vinci i cili u ka dhënë formën e f-së në nderim të mecenatit të tij, mbretit François I të Francës.
    Telinë (kordiera) – fjalë që e kam krijuar nga rrënja tel. Nuk ekziston. Mund të ishte edhe telmbajtëse, por më pëlqen më shumë e para. Corda/ cordiera. Teli/ telina.
    Fillana (fileto) – filli anësor, rrethues. Fillanë është bashkimi i dy fjalëve: filli + anësor (sipas këshillës së profesor Kristaq Jorgos).
    Shpina – parë nga brenda, kjo pjesë duhet të quhet fundi, si fundi i kutisë, në fund të detit. Ndërsa parë nga prapa është shpinë: jam nisur nga fotografia e famshme e Man Ray-t “Le violon d’Ingres”, ku është shpina e një femre me dy f-të e violinës tek ijët. Po ashtu edhe Chagall e shndërron trupin e njeriut në instrument, si në pikturën “Le violoncelliste”. Megjithatë, kjo ngjashmëri është shumë më e hershme, që në skulpturat e idhujve në mermer të Parosit në Greqinë e lashtë, 5000 vjet më parë.
    Jastëk dhe Supor – në të gjitha gjuhët i ndajnë këto dy emërtime (megjithëse kanë të njëjtin funksion), sepse njëra është në formën e jastëkut dhe tjetra si mbajtëse në sup. Supór/i është fjalë e re nisur nga mbiemri, pra që lidhet me supin.

    Te harku:
    Krifë, fije – më pëlqen më shumë krifë, sepse janë flokë kali. Nuk më tingëllon fare bukur, siç i kemi thënë deri tani, qime.
    Guaska – nëse taloni (themra) është e gjithë pjesa e poshtme e harkut, pjesa lëvizëse e tij duhet të ketë emër të veçantë. Guaskë – kjo fjalë më josh, ndoshta ngaqë ka perlën në mes dhe nga mbulesa e sedefit (nakar, madreperla) që merret nga pjesa e brendshme e guaskës. Shumë harkëtierë e ndërtojnë këtë pjesë nga guaska (zhgualli) e breshkës apo nga fildishi. Sidoqoftë, si fjalë më duket më e bukur se hundë, gungë apo bretkosë, siç emërohet në shumë gjuhë.
    Bulë – te harqet e vjetra, po të shikohet kjo pjesë me kujdes, ka formën e bulës, sythit, gonxhes. (Origjina e fjalës bouton, fr.) Mund të përdoret edhe buton, sepse kjo fjalë është në Fjalorin e Gjuhës Shqipe.
    Lutier – violinëbërës, violinëkrijues, violinëndërtues. Siç e tregon edhe etimologjia e fjalës, ajo vjen nga “luth” fr. instrument i vjetër me origjinë orientale, pra ndërtues i ljutit. Rrënja është “ut” – dru. Pjesa dërrmuese e gjuhëve përdor “luthier” ndërsa “liutaio” është vetëm në italisht.
    Harkëtier – më afër me emërtimin lutier. Harkëtar nuk mund të ishte, sepse ka kuptim tjetër në shqip.
    Sordina (heshtinë) – përkthimi do ishte “shurdhuese”, që merr krejt tjetër kuptim. Apo më keq, shurdhës. Në anglisht është “mute” (memec), jo fort e bukur në shqip. Ndërsa në gjermanisht “dämpfer” (zbutëse, e avullt) më duket më artistike. Pjesa më e madhe e gjuhëve të tjera e quan si në italisht. Pra, sordinë – ajo që e bën tingullin më misterioz, të veshur si me një vel, të largët, ëndërrues, intim, të mjegullt, të pëlhurtë, hipnotizues, jo real… Dy veprat e para në historinë e muzikës ku u përdor sordina janë “Prelud për natën” e Lully-s (nga “Triomphe de l´Amour” 1681) dhe “Natën dhe në gjumë” e Purcell-it (nga “The Fairy Queen” 1692). Për çudi të dyja momentet kanë brenda natën, ëndrrën, zanat, magjinë… Tashmë kanë kaluar 350 vjet dhe vetë tingëllimi i fjalës “sordinë” është njësuar me këtë ngjyrim sugjestionues.
    Kolofon – nëse rrëshirë thotë vetëm lëndën përbërëse, kolofon është origjina e vjetër që vjen nga qyteti grek me këtë emër ku u prodhua për herë të parë nga rrëshira e pyllit të madh me pisha në rrethinat e qytetit. E përmend edhe Plinio Secundus “Plaku” (2000 vjet përpara). Ka studiues që thonë se kolofoni është vendlindja e Homerit. Pra, le ta shikojmë këtë “pluhur të bardhë” që bie mbi violinë si një tis magjik legjendash.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË