More
    KreuLetërsiBibliotekëMo Yan: Duke dëgjuar “Kuakjen e bretkosave”

    Mo Yan: Duke dëgjuar “Kuakjen e bretkosave”

    Titulli i romanit “Bretkosa” është shkëputur nga një poemë në Xin Qizi, e titulluar “Udhëtim nate në Huansha”. Kjo ishte një pjesë që unë e dija që nga fëmijëria. E dija dhe nuk e harroja, pikërisht ngaqë “Duke dëgjuar kuakjen e bretkosave” nga kjo poemë ishte e lidhur fort me kujtimet e mia të fëmijërisë. Njerëzve që kanë lexuar romanet e mia, duhet t’u kujtohet që unë dikur kam përshkruar kuakjen e bretkosave, por me siguri që nuk e dinin fobinë time ndaj bretkosave. Është normale dhe e arsyeshme që njerëzit të kenë fobi nga gjarpri apo kafshët e egra, por që të kenë frikë nga bretkosat, të cilat janë të dobishme për njerëzit dhe, madje, shërbejnë edhe si ushqim për ta, kjo duket krejt e pazakontë dhe e pajustifikuar. Sapo sjell nëpër mend sytë e tyre të zgurdulluar dhe lëkurën e qullët, më rrëqethet mishi e më çohet mishi kokërr. Përse kam frikë? As vetë nuk e di. Ndoshta është pikërisht kjo një ndër arsyet që unë e kam titulluar “Bretkosa” këtë roman.

    Ashtu siç shkruhet edhe në roman, unë me të vërtetë kam një hallë, është mjeke gjinekologe që ka shërbyer për shumë e shumë vite. Mijëra fëmijë në Gaomi Dongbei Xiang kanë ardhur në jetë me ndihmën e saj. Por po ashtu kanë qenë jo pak fëmijë, që kanë vdekur në duart e saj pa e parë dritën e diellit. Halla e romanit natyrisht që ka shumë ndryshim me hallën reale. Halla reale është vetëm prototipi që më ka frymëzuar në krijimtarinë time. Ajo tani jeton në fshat, ka një tufë nipërish e mbesash dhe bën një jetë të qetë e të paqtë.

    Në vitin 2002, kur mora penën e fillova të shkruaja këtë roman, titullin ia kisha vënë “Pilula e larvës”. Frymëzimi për këtë titull më kishte ardhur nga një lajm i botuar në një gazetë në vitin 1956: Burri dhe gruaja, para se të bëjnë dashuri, mjafton të hanë katërmbëdhjetë copë larva dhe gruaja nuk mbetet shtatzënë. Njerëzit që kanë njohuri minimale, do ta kuptojnë se sa absurde është kjo metodë, megjithatë, në atë kohë, kjo u përhap e mori dhenë. Panorama ishte shumë e ngjashme me disa metoda që lulëzuan më vonë si “pirja e gjakut të pulës”, “pirja e baktereve të çajit të kuq” etj. Në këtë linjë, shkrova më shumë se njëqind e pesëdhjetë mijë hieroglife libër, por befas ndjeva se me këtë mënyrë të shkruari, pa dashur kisha rënë në rrugën e vjetër të ekzagjerimit të disa gjërave absurde, aq më shumë edhe metoda e konstruktit kishte pasur një lidhje të sforcuar e të tepruar. Kështu që e lashë mënjanë këtë dorëshkrim dhe fillova të ideoj dhe të krijoj “Lodhja për jetë a vdekje”. Vetëm në vitin 2007 rifillova shkrimin e këtij libri, strukturën e ndryshova në formën e një letërkëmbimi dhe e titullova “Bretkosa”. Sigurisht që unë nuk mund të isha i kënaqur vetëm nga një rrëfim i thjeshtë dhe i drejtpërdrejtë, prandaj pjesa e pestë e romanit u shndërrua në një dramë plot ngjyra magjike që, së bashku me kapitujt e romanit, kompensojnë njëra-tjetrën. Shpresoj që lexuesit nga këto dy mënyra të shkruari të arrijnë të kuptojnë qëllimin tim të mirë.
    Është e vërtetë që Planifikimi Familjar, i cili në Kinë është zbatuar mbi tridhjetë vjet, ka ngadalësuar ritmet e rritjes së popullsisë, por po ashtu është e vërtetë se, gjatë procesit të zbatimit të kësaj “Politike shtetërore të rëndësishme”, kanë ndodhur shumë e shumë ngjarje rrëqethëse. Problemet e Kinës janë jashtëzakonisht të komplikuara, dhe problemi i Planifikimit Familjar është edhe më shumë i komplikuar. Ai ka të bëjë me politikën, ekonominë, marrëdhëniet njerëzore, moralin dhe shumë e shumë çështje të tjera. Megjithëse nuk guxoj të them se ai që e ka kuptuar Planifikimin Familjar të Kinës, do të thotë që ka kuptuar edhe vetë Kinën, por nëse nuk arrin të kuptosh problemin e Planifikimit Familjar të Kinës, atëherë është e kotë të mburresh se e ke kuptuar Kinën.

    Vitet e fundit ka pasur debate të forta rreth çështjes së vazhdimit ose jo të zbatimit të politikës së një fëmije të vetëm. Autorët e artikujve debatues, shumica janë personazhe serioze e me bagazh, po ashtu këto shkrime botohen nga mediat krye-sore. Akoma më tej, diskutimet në internet rreth këtij problemi janë bërë mbisunduese dhe të zjarrta. Nga të gjitha këto, shihet se reflektimi dhe studimi i politikës së Planifikimit Familjar është bërë tashmë një problem i nxehtë në vëmendje të masave të gjera. Me thellimin e reformave dhe të hapjes me botën, me kalimin e ekonomisë kolektive drejt ekonomisë private, në kushtet kur qindra milionë fshatarë kanë fituar të drejtën e lëvizjes dhe të punësimit, politika e një fëmije të vetëm sa vjen e bëhet më e vështirë për t’u zbatuar. Fshatarët mund të lindin fshehurazi ose duke lëvizur nga një vend në tjetrin, ndërsa të pasurit dhe zyrtarët e korruptuar duke pranuar me qejf të gjobiten ose duke “mbajtur një grua të dytë”, kryejnë lindje jashtë planit kur të duan dhe si të duan, duke realizuar kështu edhe dëshirat e tyre për trashëgiminë e brezave apo për të trashëguar pasuritë e familjes. Me sa duket, të vetmit që e zbatojnë këtë politikë janë nëpunësit e vegjël të shtetit, të cilët marrin edhe rroga të papërfillshme. Ata, së pari, nuk guxojnë të luajnë me bukën e gojës dhe, së dyti, nuk përballojnë dot shpenzimet për arsimim, të cilat sa vijnë e rriten çdo ditë. Kështu, edhe sikur të lejohen të kenë një fëmijë të dytë, ata nuk guxojnë ta bëjnë këtë.

    Romani im “Bretkosa”, duke përshkruar jetën e hallës, nga njëra anë pasqyron historinë dhjetëravjeçare të lindjeve në fshat, nga ana tjetër demaskon pa doreza situatën kaotike në problemin e Planifikimit Familjar të Kinës së sotme. Përballja e drejtpërdrejtë me problemet delikate të shoqërisë, ka qenë dhe mbetet qëndrim konstant imi në krijimtari, sepse, sipas meje, letërsia duhet të ketë në fokus edhe problemet e njerëzve, vuajtjet e tyre, fatin e tyre. Dhe problemet delikate, më mirë se çfarëdo tjetër, tregojnë në një mënyrë të koncentruar karakterin e njeriut.

    Duke pasur si orientim qëllimin e mirë, zgjodha temën që frymëzon shpirtin krijues, ndërsa orientimi i mendimit estetik të romanit tim përcaktoi formën e tij. Ndërkohë, duke u udhëhequr nga një vetëdije e fortë e analizës së vetvetes dhe duke denoncuar gjendjen e brendshme të personazheve, unë zbuloj para lexuesve vetë zemrën time. Ky është një nga tri parimet bazë, nga të cilat jam udhëhequr unë gjatë shkrimit të “Bretkosës” dhe që do të ndjek edhe në të ardhmen gjatë veprimtarisë krijuese.

    Pasi përfundova së shkruari këtë libër, tetë hieroglife vazhdonin të më peshonin rëndë në zemër: 他人有罪,我亦有罪 (Nëse dikush është fajtor, edhe unë gjithashtu jam me faj).

    Pekin, 22 nëntor 2009
    Përktheu nga kinezishtja: Iljaz Spahiu

    Shënim: Këtë shkrim autori e ka shkruar si parathënie për botimin e romanit në Tajvan, në vitin 2009.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË