More
    KreuLetërsiShënime mbi libraMirela Papuçiu: Vështrim i romanit “Gega i Motit” të Ernest Markut

    Mirela Papuçiu: Vështrim i romanit “Gega i Motit” të Ernest Markut

    Romani Gega i Motit i Ernest Markut është romani i krizës së thellë të identitetit të njeriut dhe të burrit që përballet me transformimet dramatike në Shqipërinë totalitare dhe post-komuniste.

    Përmbledhja e veprës

    Romani përqendrohet tek Adami Liburni, një ish-i burgosur politik që kthehet në një Shqipëri të transformuar, por ende të dominuar nga hija e së shkuarës. Ai përjeton humbjen e identitetit në një botë ku vlerat janë përmbysur dhe ku traditat ende dominojnë marrëdhëniet shoqërore. Përplasja e tij me të kaluarën dhe përpjekjet për t’u integruar në një realitet të ri, krijojnë një narrativë që shpalos tensionin midis së vjetrës dhe së resë, mes fatit të shkruar dhe vullnetit të lirë.

    Pjesa e dytë e romanit sjell thellimin e konfliktit të Adamit me komunitetin dhe të kaluarën e tij. Përmes një qasjeje retrospektive, lexuesi zbërthen mekanizmat e një shoqërie të mbyllur, ku nderi dhe gjakmarrja vazhdojnë të mbijetojnë, pavarësisht ndryshimeve politike e social-kulturore. Figura e Adamit bëhet një simbol i njeriut që përpiqet të thyejë prangat e së shkuarës, por që përballet me një mur të padepërtueshëm të normave të pashkruara. Në këtë luftë të brendshme, ai ndodhet mes ndjenjës dhe detyrës, mes humanizmit të tij si individ dhe detyrimit ndaj kodit të pashkruar të gjakmarrjes.

    Në këtë vepër autori eksperimenton me strukturën narrative dhe ndërtimin stilistikor në një mënyrë sfiduese për prozën tonë. Por, ajo që i jep më shumë denduri dhe kompaktësi veprës janë temat dhe diskutimet që ngre njëherazi me to. Temat nuk janë të ngurta por brenda secilës prej tyre çelen sythe nënçështjesh disa prej të cilave lulëzojnë përmes ngjarjeve.

    Temat dhe nëntemat e romanit

    •     Pesha e së kaluarës – Romani tregon se e kaluara nuk është diçka që mund të fshihet; ajo është gjithnjë e pranishme dhe formëson të tashmen.

    •      Identiteti dhe rrënjët – Protagonisti përpiqet të kuptojë nëse mund ta rifitojë identitetin e tij të humbur apo nëse duhet të krijojë një identitet të ri. Kjo krizë identiteti vihet re edhe te mënyra si Syblerta përballet me fundin e Adamit. Po ashtu reflektimi mbi marrëdhënien e saj me Albanin tregojnë një personazh në kërkim të vetvetes, të ndarë mes të kaluarës dhe të ardhmes.

    •      Drejtësia dhe relativiteti i saj – Romani sugjeron që drejtësia nuk është një koncept absolut, por varet nga këndvështrimi dhe rrethanat. Autori trajton çështjen e gjakmarrjes dhe  përpjekjet për t i këputur zinxhirët e saj, duke ngritur pyetjen nëse është e mundur që një shoqëri të çlirohet nga hija e së kaluarës.

    •    Përplasja e individit me kolektiven – Adami përfaqëson individin që kërkon të çlirohet nga prangat e së shkuarës, ndërsa shoqëria përpiqet ta mbajë brenda normave të saj. Kjo përplasje e brendshme e bën atë një figurë tragjike, një njeri që nuk mund të shpëtojë dot nga rrjeta e fatit të tij. Por vendimi që merr në fund duket se i jep atij lirinë e aspiruar. Ai nuk mundi të zgjedhë si të jetojë por zgjodhi si të vdesë. Pra, Adami i vetëm përballë fatit të tij por një vetmi në dy kohë. Në këtë të dytën si zgjedhje dhe akt lirie. Ai zgjedh të largohet në një mënyrë që e refuzon dramën e ekzistencës dhe që e pranon vdekjen si një proces natyral, duke u shkëputur në mënyrë të heshtur dhe pothuajse metafizike.

    •    Tragjedia e njeriut që nuk mund të zgjedhë – Romani na tregon sesi një individ mund të mbetet i burgosur midis ndjenjës dhe normës sociale, një konflikt që shpesh nuk ka zgjidhje. Kjo jepet te figura e Adamit, por mishërohet te Albani.

    Struktura narrative dhe ndërtimi stilistikor

    Ernest Marku eksperimenton me strukturën narrative të romanit duke i dhënë lexuesit një rrëfim në spirale, ku e kaluara zbulohet nëpërmjet kujtimeve, reflektimeve dhe monologut të brendshëm të protagonistit dhe ndërthuret në mënyrë të natyrshme me të tashmen. Ai shmang rrëfimin linear tradicional duke kaluar nga përshkrimet intensive të realitetit në introspeksionet e protagonistëve, pa shkëputje të dukshme stilistike. 

    •       “Përroi i ndërgjegjes” ku rrjedha e mendimeve dhe ndjenjave të personazheve pasqyrohet në mënyrë të pandërprerë dhe të papërpunuar, është teknikë që e gjejmë në narracionin e Ernestit.

    •      Një teknikë tjetër është ajo e zbulimit të ngjarjes gradualisht.  Në roman nuk na jepet menjëherë një pamje e qartë e fatit të Adamit, por ajo na ravijëzohet hap pas hapi, përmes gjurmëve të mbetura pas zhdukjes së tij.

    •       Ndërlidhja e kujtesës me realitetin – Në fund, kujtimet e Syblertës për aromën e mishit të djegur dhe referencat ndaj të shkuarës janë përdorur si elemente të një narrative rrethore, që lidhin fillimin dhe fundin e historisë së Adamit.

    •       Përdorimi i një perspektive të shumëfishtë – Narratori nuk kufizohet vetëm në përjetimet e Syblertës, por përfshin në mënyrë indirekte edhe realitetin e Albanit, duke e bërë të ndjehet si një figurë qendrore që ndikon dhe ndikohet.

    •      Rrëfimi i ndërfutur si te mesazhet e postës elektronike apo te “Ndërkallje” i japin një tjetër frymëmarrje romanit. Këto thyerje nuk janë dalje nga tema, por një cekje e saj nga një kënd tjetër. Aty gjuha bëhet poetike dhe meditative, mbushur me imazhe të fuqishme simbolike, si “bedenat” e gruas, “kafkat e thyera të burrave” dhe “gjurmët e ujkut”, që ftojnë për një lexim të shtresëzuar.

    •     Një tjetër element që e veçon romanin është ekonomia e gjuhës. Autori përqafon një stil «lakonik», me fjali të shkurtra, të thukëta, që përcjellin ngarkesë emocionale apo tension dhe krijojnë ritëm. Ky stil i afrohet prozës moderniste të Folknerit me një gjuhë të gjallë dhe të thellë, ku çdo fjalë ka peshën e vet, por ruan një lidhje të fortë me traditën tonë të rrëfimit epik.

    •     Një nga risitë kryesore të veprës është mënyra se si Marku përdor gegërishten si një mjet të plotfuqishëm artistik. Ai krijon një variant të pastër dhe të kultivuar të gegërishtes, duke i dhënë gjuhës një tingëllim të natyrshëm dhe poetik. Kjo nuk është një zgjedhje thjesht gjuhësore, por një manifest artistik që kërkon të ringjallë një traditë letrare të lënë pas.

    •        Në këtë roman psikologjik sfidohet koncepti i  protagonistit heroik. Adam Liburni nuk është një figurë e pozicionuar moralisht sipas kodeve shoqërore por një njeri i shpalosur në brishtësinë dhe dyshimet e tij, i munduar nga zgjedhjet që bën. Kështu ndodh edhe me personazhe të tjerë si Albani apo Syblerta.

    Qasja me ekzistencializmin

     Gega i Motit është një roman që shkon përtej rrëfimit të një kohe a njeriu, ai është reflektim i dhimbshëm mbi natyrën e njeriut dhe fuqinë e tij për të mbijetuar në mes të dhunës dhe tragjedisë por edhe mes dilemave të tij etike dhe morale. Epilogu i romanit ka një simbolikë të thellë ekzistenciale. Ai përmbledh të gjitha temat e tij kryesore me një fokus te vetmia dhe liria e fituar përmes humbjes. Tema këto që për nga optika e trajtimit të thellë e qasin këtë roman me prozën filozofike të Hesse apo Camus. Çështja nëse ekzistenca e dikujt është dhuratë apo barrë për të tjerët, shkrirja fizike e Adam Liburnit e cila është po aq edhe simbolike, shishja me hirin e trupit të tij si metaforë e ekzistencës së përkohshme dhe ikjes së pashmangshme, janë të gjithë elementë të një optike ekzistencialiste.

    Një figurë e pazgjidhur

    Albani, ndonëse në sfond, mbart një peshë të madhe simbolike në roman. Ai përfaqëson një figurë që qëndron në mes të dy realiteteve, as të përfshirë plotësisht, as të shkëputur plotësisht. Pavarësisht se është i pranishëm, Albani nuk ka një ndikim të drejtpërdrejtë në dramën e Adamit apo në përjetimin e Syblertës. Ai është një vëzhgues pasiv, i cili as nuk shfaq ndonjë shqetësim të thellë, as nuk përpiqet të kuptojë plotësisht atë që ndodhi. Ky mosangazhimi emocional na çon tek Merso i Camus. Në kontrast me Adamin, i cili ka marrë kontrollin mbi jetën dhe vdekjen e tij, dhe Syblertën, e cila është në një proces reflektimi dhe ndryshimi, Albani duket se është i mbërthyer në një ekzistencë pa ndryshim, një figurë që nuk zhvillohet apo transformohet. Albani ka dekonstruktuar rolin tradicional të burrit, por i duket e kotë të luftojë sepse e do lirinë e vet më shumë se lojën e jetës që për të nuk është tjetër përveç se kurth, ndaj pranon të jetë një “i huaj”. Ai analizon gjithçka, por nuk merr vendime. Në këtë mënyrë, portreti i tij është ai i një burri të zhgënjyer, të pashpresë dhe të bllokuar mes idealizmit dhe realitetit. Shkurt, një antihero në kërkim të autenticitetit.

    Gega i Motit ka një fund të hapur, që nuk ofron një zgjidhje përfundimtare, por lë lexuesin të reflektojë mbi kuptimin e jetës, vdekjes dhe marrëdhënieve njerëzore.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË