Antologjia “Lule e vjedhur” plotësoi një boshllëk, e pse jo, plotësoi edhe një nevojë. Realisht mungonte nga fondi i botimeve shqipe një përmbledhje e këtij lloji. Ishte një domosdoshmëri sepse me këtë botim, lexuesit shqiptar, por edhe studjuesit, i ofrohet një libër antologjik i një letërsie, që nuk shkruhet në gjuhën e tij, por në gjuhën e pakicës kombëtare greke në Shqipëri. Nga ana tjetër, autorëve që shkruajnë e botojnë në gjuhën greke, brenda dhe jashtë vendit, u krijohet mundësia e komunikimit me lexuesin shqiptar. Vetëm disa prej tyre deri tani kanë botuar apo përkthyer vetë një pjesë të krijimtarisë së tyre në gjuhën shqipe.
Përzgjedhësi dhe përgatitësi i këtij libri, Vangjel Zafirati nuk është një emër i panjohur sa për lexuesin shqiptar aq edhe për atë grek. Poet, prozator dhe përkthyes me përvojë Zafirati është i njohur në Shqipëri për pëkthimin nga greqishtja të antologjive “Dritë në det”, një përmbledhje prej 73 tregimesh të 28 autorëve grekë dhe “Bajame e hidhur”, një përmbledhje me tregime të 19 autorëve qipriotë, i disa romane e vëllime poetikë dhe jo më pak në Greqi pasi ka përkthyer në gjuhën greke poetë të njohur shqiptarë si psh Frederik Rreshpja, Xhehevahir Spahiu, Luljeta Lleshanaku etj.
Antologjia “Lulja e vjedhur”, përmbledh tregime dhe fragmente nga proza e 23 autorëve të Minoritetit Etnik Grek në Shqipëri dhe përbën një përpjekje për të dhënë klimën, pasurinë tematike dhe fizionominë estetike të kësaj letërsie. Lexuesi shqiptar do të njihet me përfaqësues të krijimit letrar të kohëve të fundit, do të udhëtojë me veprat e autorëve më të vjetër dhe do të njihet me zërat e prozatorëve më të rinj. Titulli i antologjisë është marrë nga një tregim i njërit prej autorëve më të rinj, të Kristos Armando Gezos dhe nga përmbledhja e tij me tregime “Shilarës”. Përmes faqeve të antologjisë dalin në pah ngjarjet më të rëndësishme historike që lanë gjurmët e tyre te minoriteti, kushtet pozitive dhe negative me të cilat u përball, kujtimet historike traumatike, fryma paqedashëse, reflektimet dhe problematikat e tij socio-politike. Realiteti i jetës së minoritarit, marrëdhëniet si me anëtarët e komunitetit të tij ashtu edhe me anëtarët e shumicës, dalin në pah përmes një ligjërimi që nuk është aspak konfrontues apo agresiv, por synon te miqësia dhe te bukuria e bashkëjetesës. Shkrimtarët që veprojnë si tregues të ndjeshëm të vendit dhe të kohës, zakonisht shohin përpara epokës së tyre dhe na paraqesin ndjeshmërinë dhe shqetësimet e tyre për problemet lokale dhe ndërkombëtare, për njeriun diakronik, që sprovohet rëndë nga lojërat e historisë dhe nga vështirësitë e përditshme të jetës.
Letërsia e Minoritetit Etnik Grek në Shqipëri mbulon një periudhë të gjatë, që nga fillimi i shekullit XVII e deri më sot, dhe nuk e kemi fjalën vetëm për traditën folklorike, mitet e legjendat, por për autorë të identifikuar, e që përfaqësohen me vepra të plota, si Stavrianos Vistiaris, i cili lindi në fshatin Malçan të Sarandës (Bashkia Finiq) e na la si trashëgimi letrare poemën për Mihail Voivodën, shkruar në vitin 1601. Nuk është rasti për t’u zgjeruar në historinë e letërsisë së këtij komuniteti para fillimeve të shekullit XX e deri tek tradita letrare. Në këtë udhëtim të gjatë, ndryshuan kushtet historike, ekonomike, sociale, politike dhe kulturore, stili, teknikat dhe përmbajtja e kësaj letërsie. Shkëputja e saj nga trungu kombëtar dhe izolimi i Shqipërisë në periudhën 1945-1990 e ngadalësoi zhvillimin e saj.
Pas Luftës së Dytë Botërore letërsia e MEG ndahet në letërsi që prodhohet nga krijuesit brenda kufijve të Shqipërisë me tiparet e njohura të realizmit socialist dhe në letërsinë që krijohet nga diaspora, e lirë nga ideologjizmat e kufizimet e tjera. Me rënien e kufijve dhe lëvizjen e lirë u rivendosën kontaktet midis letërsisë së krijuesve të MEG edhe asaj panhelenike ndërsa lidhjet me letërsinë shqipe nuk janë aq të ngushta si në periudhën e mëparshme. Tani letërsia pasqyron ngjarjet dhe shqetësimet e reja për fatin e MEG në Shqipëri dhe të anëtarëve të tij në Greqi. Zhvillohen të gjitha llojet e krijimtarisë letrare: poezia, romani, tregimi, novela, monografi etj. Jam dakord me z. Zafiratis me pikpamjen se kjo krijimtari nuk është “minoritare”, por letërsi greke e krijuar jashtë kufijve shtetërorë të Greqisë, por që komunikon me letërsinë që zhvillohet në shtetin ku bën pjesë. Termi “letërsi minoritare” ka një kuptim të përgjithshëm dhe mund të përdoret edhe për krijimtarinë e komuniteteve dhe pakicave të tjera. Akoma ky term nuk korrespondon me realitetin historik.
Botimi i antologjisë nuk ka si qëllim e objekt historinë e kësaj letërsie dhe botimin e një antologjie gjithëpërfshirëse. Përzgjedhja e autorëve dhe e tregimeve të tyre është bërë në mënyrë përfaqësuese. Antologu ka ditur të përzgjedhë autorët më përfaqësues të kësaj letërsie si dhe botimet e tyre më cilësorë. Sigurisht, që kuptohet se i është dashur një punë këmbëngulëse e voluminoze, kërkimore, hulumtuese, për të siguruar botime të rralla, të cilat nuk gjenden sot nëpër biblioteka, por vetëm nëpër arkiva. Përzgjedhja e autorëve dhe tregimeve të përkthyera, besoj se është realizuar me sukses pavarësisht vështirësive që paraqet përgatitja dhe botimi i një antologjie të kësaj natyre.
23 autorët i përkasin periudhave të ndryshme kohore dhe kanë prejardhje dhe drejtime të ndryshme. Janë autorë me origjinë e kombësi greke, pavarësisht vendit se ku jetojnë e krijojnë. Disa prej tyre në pamundësi për t’u shkolluar në gjuhën e tyre amtare, kanë shkruar në gjuhën shqipe apo të tjerë janë dygjuhësh, për shkak të rrethanave individuale ku janë ndodhur. Në përfshirjen e tyre antologu nuk ka zbatuar asnjë lloj diferencimi. Antologjia fillon me shkrimtarin më të vjetër, Athanasios Ikonomidhis që i takon shekullit XIX dhe mbaron me më të riun, Kristos Armando Gezos i cili ka lindur më 1988.
Autorët u përkasin periudhave të ndryshme. Kështu Miltiadhis Ikonomidhis, Tasos Vidhuris, Katina Papa, Janis Lilis e disa të tjerë i përkasin letërsisë së periudhës që nga krijimi i shtetit shqiptar deri në Luftën e Dytë Botërore. Karakteristikë e kësaj periudhe është zhvillimi i saj nën statusin e minoritetit brenda shtetit shqiptar. Megjithatë, ekziston komunikimi me trungun kombëtar dhe marrëdhëniet me letërsinë shqipe janë thuajse inekzistente. Disa autorë i përkasin periudhës së diktaturës, si psh Spiro Xhai që shkruan njëkohësisht në të dy gjuhët, por që janë përzgjedhur vepra që janë të çliruar nga elemente ideologjikë.
Disa vepra i takojnë “letërsisë së burgut”. Janë autorë që kanë vuajtur burgime, kampe përqendrimi ose internime dhe në veprat e tyre pasqyrohet jeta në burg dhe jashtë tij në periudhën e monizmit. Në këtë kategori mund të përmendim Foto Qiriazatin. Kësaj klime i takon dhe romani “Histori nga Spaçi” të shkrimtarit të ri Aqilea Sirmo, nga i cili janë përzgjedhur tre fragmente. Aqilea në të rrëfen me stilin e tij personal histori nga jeta e babait të tij Irakli Sirmo, i cili kaloi 17 vite në burgun më të tmershëm të diktaturës, në atë të Spaçit, si i dënuar politik. Disa autorë i takojnë periudhës së mëparshme dhe me rrënien e diktaturës emigruan jashtë ku vazhdojnë krijimtarinë e tyre letrare me sukses si psh. Niko Kacalidha, Telemak Koça, Petro Çerkezi, etj. Një pjesë e madhe e autorëve si Vangjel Papakristo, Thanas Dino, Jani Malo, Thoma Sterjopullo, Kleo Lati, Odhise Çerkezi, Panajot Boli jetojnë në Shqipëri, vazhdojnë të shkruajnë dhe marrin pjesë aktive në jetën kulturore të minoritetit. Do të më lejoni të mos flas hollësisht për çdo autor dhe veprën e tij, për shkak të kufizimit kohor por edhe sepse nuk dua të jem e padrejtë me asnjërin prej tyre. Mendoj se çdo vepër e përzgjedhur ka vlerën e saj.
Tematika e tregimeve është e larmishme. Pasqyron periudhat e ndryshme të prozës si edhe të rrethanave historike që e përcaktojnë atë. Në antologji gjejmë dëshmi nga epoka e pushtimit otoman, nga vendosja e kufijve, luftërat ballkanike, nga lufta italogreke dhe eposin e lavdishëm të vitit 1940 dhe sigurisht drama e izolimit për gjysmë shekulli nga trungu kombëtar por edhe tema nga realiteti i sotëm brenda dhe jashtë Shqipërisë, problemet dhe vështirësitë e jetës së emigrantit, dashuria për vendlindjen etj.
Përsa i përket përkthimit mendoj se është bërë një punë e mirë dhe dinjitoze. Vlerësoj përkthimin cilësor të tyre, një përkthim i denjë dhe me tingëllim të bukur në gjuhën shqipe. Si pedagoge e letërsisë, njoh mirë vështirësitë e përkthimit dhe sidomos e përkthimit të botimeve të vjetra, si psh të shkrimtarit Athanasios Ikonomidhis. Tregimet e tij janë bartës të elementeve të forta kulturore dhe përfaqësojnë fshatin grek të shekullit XIX, duke krijuar një hendek kulturor dhe kohor, të cilin përkthyesi duhet ta kapërcejë. Fjalë dhe shprehje dialektore, fjalë të katharevusas, objekte dhe produkte të përdorimit të përditshëm, rite dhe zakone, përbëjnë elementë të vështirë për t’u menaxhuar nga ana e përkthyesit. Për ta bërë më të qartë këtë do të marr një shembull nga përkthimi i këngës popullore të Ikonomidhit. Përkthimi i këngës popullore greke përbën një përkthim shumë të vështirë. Të paktat janë përkthimet e saj në gjuhën shqipe. Mund të përmendim këtu disa këngë akritike të përkthyera nga shkrimtari i madh Ismail Kadare që gjenden në “Antologjinë e poezisë greke”, zgjedhur e përgatitur nga Piro Misha në vitin 1986. Arsyet për këtë mungesë mund të jenë të shumta dhe lidhen me vështirësinë e kësaj tentative. Vështirësia e parë qëndron te forma e këngëve, konkretisht te vargu pesëmbëdhjetërrokësh, i cili nuk funksionon në mënyrën përkatëse në gjuhën shqipe. Le të shohim një shembull dhe fillimisht origjinalin grek:
Εις στο σκαμνί που κάθισες, ξηρά ήτανε τα φύλλα,
κι από την ομορφάδα σου ανθούν και βγάζουν φύλλα.
Όταν σ’ εγέννα η μάνα σου, είχαν τα ελάφια σκόλη,
σου έδωσαν την ομορφιά οι δώδεκα αποστόλοι.
Απ’ όλα τα’ άστρα τ’ ουρανού ένα είναι που σου μοιάζει,
ένα που βγαίνει την αυγή όταν γλυκοχαράζει.
Αγγέλοι από τους ουρανούς με προσταγή Κυρίου
κατέβηκαν και σου ‘δωσαν τη λάμψη του ηλίου.
Dhe përkthimin në shqip:
Në stolin ku u ule, të thatë drurin e gjete
e nga bukuria jote çeli dhe nxori gjethe.
Kur të lindi nëna, drerët qenë pushim
e dymbëdhjetë Apostujt ta dhanë bukurinë.
Veç njëri të ngjan nga gjithë yjet në qiell,
ai që del në mëngjes, kur agimi çel.
Me bekimin e Zotit ëngjëjt prej qiellit
zbritën e të dhanë shkëlqimin e diellit.
Siç e shohim përkthyesi ka arritur të përkthejë bukur në shqip pesëmbëdhjetërrokëshin tipik jambik grek, pa humbur stilin dhe tingëllimin e tij.
Përmenda shkallën e lartë të vështirësisë së përkthimit nga autorët e fazës së parë, por mendoj se në tërësi libri të përcjell emocionin që lexuesi shqiptar të përjetojë të njëjtën ndjenjë, që përjeton edhe lexuesi kur e lexon në origjinal. ashtu si shënohet në parathënien e librit dhe tek shënimet.
Padyshim suksesi i antologjisë “Lulja e vjedhur” është njëherësh meritë e shkrimtarëve që marrin pjesë në të, – disa nga autorët, njohës të dy gjuhëve, i sollën të përkthyera pjesët e tyre, – e antologut dhe përkthyesit, por edhe botuesit. Kemi të bëjmë me një punë cilësore, pa gabime dhe e kujdesur, ashtu siç jemi mësuar me të gjitha botimet e “Neraidas”.
Mirela Karanxha-Koça është pedagoge në Departamentin e Gjuhës, Letërsisë dhe Qytetërimit Grek në Universitetin e Gjirokastrës