More
    KreuLetërsiBotime të rejaMira Meksi: Gurëthemelet historike të një romani

    Mira Meksi: Gurëthemelet historike të një romani

    Përherë kam dëshiruar të shkruaj një roman për Teutën e Ilirisë. Fillesat kanë qenë prej një pasioni të hershëm të fëmijërisë për “mbretëreshën luftëtare”, pasion që sigurisht ishte rritur me kalimin e viteve, duke u bërë më i plotë dhe më i pasur. Pasioni ishte ushqyer nga një mjegullinë misteri që e vishte Teutën: në librat për fëmijë dhe në shkollë mësonim se ishte mbretëresha legjendare e ilirëve që u bë tmerri i Romës dhe krenoheshim me të sepse ishte paraardhësja e ne shqiptarëve me histori përherë të lavdishme. Mirëpo nga bisedat e të rriturve, dikur më zuri veshi se Teuta kish pas qenë edhe pirate. Kjo kundërshti, për mendjen time fëmijërore, mbretëreshë dhe pirate njëherit (sepse domosdo pirateria kishte një kuptim shumë negativ), më ndezi një përfytyrim magjik, i cili krijoi në mendjen time aventura të pafundme: aventurat e amazonës ilire të deteve me kurorë mbretëreshe në flokë, e cila s’kishte të dytë në faqe të dheut.

    Për të realizuar projektin tim letrar, nisa të lexoja viteve të shkuara, gjithçka ishte shkruar për Teutën e Ilirisë, që nga autorët e lashtë,  historianë, arkeologë, antropologë, etnologë, filologë, mitografë apo letrarë dhe gjer tek ata modernë. Zhgënjimi ishte i madh, kur pashë se të gjitha shkrimet për të mblidheshin në një grusht.

    Autori më i famshëm që ka shkruar për Teutën është Polibi, por në traktatet e tij historike, më shumë vend u kushtohet komenteve që historiani dhe politikani grek bën për mbretëreshën ilire, sesa fakteve objektive historike. Në komentet e tij me ngjyresa të forta politike, dallohet qartë një lloj përbuzjeje për të. Edhe arkeologjia doli të ishte shumë e kufizuar në zbulimet e saj në lidhje me Teutën. Madje nuk ekziston asnjë statujë e vërtetë e saj, asnjë monedhë që të ketë të gdhendur portretin e mbretëreshës së Ilirisë. Nga tërë objektet arkeologjike të gjendura në viset ilire, që nga fillimi i gërmimeve në shekullin XIX dhe gjer në ditët tona, nuk ka asgjë që Teuta ta ketë përdorur apo qoftë edhe ta ketë prekur me dorë. Të krijohej përshtypja se shkrimi i një romani historik për Teutën e Ilirisë ishte thjesht i pamundur.

    Viteve që pasuan kuptova se kjo ndërmarrje e madhe kërkonte një moshë të pjekur për t’u realizuar: kur të isha në gjendje të gjurmoja, të peshoja faktet historike dhe të gjeja raportin e duhur midis historikes dhe fiksionit, trillimit dhe fantazisë, për të krijuar një vepër letrare me sfond, ngjarje dhe personazhë historikë.

    Ndonjëherë, lexuesit i shpëton paq e vërteta se historiani nuk mund të sillet tjetër veç si shkrimtar, ndërkohë që shkrimtari mund të sillet edhe si historian, të interpretojë faktet historike të cilat janë në dritë të diellit dhe njohin një shumësi interpretimesh. Se ndryshimi mes tyre është më së tepërmi çështje ndërgjegjeje dhe vetëdijeje: historiani nuk është gjithnjë i vetëdijshëm për këtë tipar të pashmangshëm të “zejes” së tij, ndërkohë që shkrimtari është gjithnjë i vetëdijshëm për zgjedhjen e tij…

    Kuptova se më duhej një kohë e gjatë për t’iu avitur kohës historike, shekullit III para Krishtit, botës ilire të asaj periudhe, që shënon edhe kulmin e lavdisë së shtetit ilir. Mbi të gjitha t’i afrohesha Teutës së Ilirisë, një personazh shumë kompleks dhe figurë emblematike: mbretëreshë, luftëtare, stratege, diplomate, mbi të gjitha, simbol i shpirtit ilir, çka e lidh me religjionin dhe besimin e ilirëve. Më duhej të gjeja një pike takimi me të, që kur të mbyllja sytë, të dy mijë vjetët të kalonin në çast dhe të mund ta përfytyroja të plotë, me gjithçka kishte jeta e saj.

    Kështu nisi rrugëtimi im i gjatë përmes mijëra faqeve të autorëve të lashtë dhe modernë: Polibi, Herodoti, Diodori, Straboni, Apieni, Tit Livi etj., dhe Karl Patsch, Stipçeviç, Pierre Cabanes, Papazoglu, Eqrem Çabej, Shaban Demiraj, Vladimir Orel, Hasan Ceka, Selim Islami, Neritan Ceka etj. Dhe përmes trevave që mbajnë gjurmët e ilirëve, muzeumeve dhe zonave arkeologjike të Shqipërisë dhe të rajonit – Iliria e shekullit III para Krishtit, në mbretërimin e Teutës shtrihej që nga lumi Naro (sot Neretva, Kroaci) në veri, deri në gjirin e Ambrakisë (sot gjiri i Artës, Greqi) në jug.

    Ekzistonte, megjithatë, një fill që e kapërcente kohën e frikshme prej mbi dy mijë vjetësh dhe më lidhte me Teutën, një fill që më mundësonte një lloj komunikimi me të: ishte gjuha shqipe. Përveçse i përkisnim racës njerëzore dhe ishim gra, Teuta dhe unë, kishim jo vetëm zemër, dashuri, urrejtje, frikë e plot ndjenja të tjera kësisoj, por edhe një gjuhë, apo një shëmbëlltyrë gjuhe që na bashkonte.

    Shumë historianë dhe filologë, të huaj dhe shqiptarë, kanë arritur tanimë në përfundimin se shqipja është e vetmja gjuhë e gjallë që rrjedh nga gjuha ilire, nga një degë e ilirishtes, prej të cilës nuk kemi ende asnjë gjurmë të shkruar.

    Me këtë fill në dorë, gërmova thellë në tokën e kohës për të zbuluar rrënjë të gjuhës. Me durim të madh nxora një grumbull fjalësh të vjetra të shqipes, por edhe të greqishtes së vjetër të përziera me rrënjët e shqipes, të cilat do t’i përdorja për të krijuar klimën e ngjarjeve në romanin tim, sigurisht gjer në atë masë sa të mos e lodhja lexuesin tim, duke ia vështirësuar leximin. Do të doja të kujtoja se, një lëndë të vyer arrita ta peshkoj brenda dy veprave të Vladimir Orelit: Rindërtimi i protoshqipes dhe Fjalori etimologjik i gjuhës shqipe.

    Mijëra faqet e historianëve antikë dhe modernë për Ilirinë dhe qindra faqet për shkollat dhe pedagogët e Greqisë së lashtë, për symposionet (banketet), për qytetërimin grek, aq pranë dhe aq i afërt me qytetërimin ilir, për atë romak, për piraterinë e lashtë të Mesdheut dhe, sidomos, atë të Drakontoforonit (deti i gjarpërinjve), siç quhej lashtazi deti i Ilirisë, nuk mjaftonin për ta ndërtuar botën ilire. Atëherë nisa të gjurmoja legjendat, mitet, përrallat, rrëfenjat, gojëdhënat, gjithçka është mish i kujtesës së gjallë të Ballkanit… Labirintet e dijes ishin të pafundme, të errëta dhe të shumëkoklavitura. Me kohë mësova të orientohesha, të lëvizja në to dhe të bëja përpara, duke mbajtur në dorë pishtarin e alkimisë, magjisë, fantazisë dhe trillit romanesk.

    U gjenda kësisoj, më në fund e pas shumë përpjekjeve, brenda kohës së dëshiruar, e cila më ndihmoi për të shkruar romanin, por që rezultoi të ishte një aventurë e rrezikshme për t’u jetuar. Shpesh kohët ngatërroheshin dhe përplaseshin me njëra-tjetrën – herë përjetoja një mrekulli të vërtetë, duke jetuar e strukur në shekullin III para Krishtit, dhe herë më kthehej në një torturë e një mundim të stërmadh dalja në sipërfaqe në këtë kohën tonë.

    Në poçarinë time të krijimit, balta kish zënë të merrte formë për të krijuar ditë pas dite dhe vit pas viti Ilirinë e përbashkuar të gjysmës së dytë të shekullit III para Krishtit, e cila, nën sundimin e mbretit Agron dhe gruas së tij Teutës, u fut në histori krahas fuqive të mëdha të kohës: Greqisë, Egjiptit, Asyrisë, Kartagjenës, Makedonisë dhe Romës. Më tej, pas vdekjes së Agronit, mbretëresha Teutë e ktheu Ilirinë në një nga fuqitë detare dhe tokësore më të mëdha të kohës, duke ndihmuar, me bëmat e saj, – me pushtimet e saj, me kontrollin e porteve më të rëndësishme të Hadrias, dhe me nxitjen që i bëri Romës për të realizuar ëndrrën e saj të kahershme, kontrollin e Mare Nostrum, –  hapjen e një faqeje të re në historinë e botës: perëndimin e Greqisë dhe daljen në skenë të Romës.

    *

    Një nga mitet më të lashta greke që lidhet me simbolin e gjarprit tek ilirët, është ai i shndërrimit në gjarpër të heroit grek, themeluesit të Tebës, Kadmit dhe gruas së tij, Harmonisë, bijës së hyut të luftës, Aresit. Gjurmët e para të këtij miti, në letërsi datojnë në shekullin V para Krishtit, në tragjedinë e Euripidit “Bakantet”, luajtur në Athinë më 405 para Krishtit. Më pas, tek Herodoti, në librin IX të Historitë, te Pseudo-Scylaxi, por edhe tek autorë të tjerë. Apolodori flet për zotin e Tebës, Kadmin, i cili u bë mbreti i popullit barbar (d.m.th., jogrek), lindi një djalë, që ia vuri emrin Ilyrios, nga ku mori emrin edhe populli barbar. Emri Ilyrios është i lidhur ngushtësisht me gjarprin, i cili e mbështolli foshnjën që në lindje me trupin e tij, duke i përçuar tërë vetitë dhe fuqinë e tij hyjnore — kështu gjarpri-hyjni, Ilyrios, u kthye në perëndinë krijuese të ilirëve, mbrojtësin dhe totemin e Ilirisë. Brezi prej argjendi i gjetur në një varr ilir në Selcën e poshtme (pranë liqenit të Ohrit), ka të gdhendur një skenë lufte: dy luftëtarë ilirë dhe hyun gjarpër, Ilyriosin, në plan të parë. Shumë zbukurime të gjetura nga arkeologët nëpër nekropolet ilire, kanë formën dhe simbolikën e gjarprit. Një nga tempujt më të rëndësishëm të Ilirisë së lashtë ka qenë, sipas gojëdhënave, tempulli i Gjarprit hyjni. Miti ilir i gjarprit ka mbërritur gjer në ditët tona: jo vetëm në përrallat e moçme shqiptare (Mimikakliu, Feniçka etj.), në besimin se çdo shtëpi e vjetër ka edhe “mbrojtësin” e saj, që është “gjarpri i shtëpisë”, apo “vitorja e shtëpisë”, por edhe në motivet e veshjeve popullore shqiptare.

    Mite dhe legjenda greke dhe ilire janë shkrirë me njëra-tjetrën, duke fshirë sinorët e tyre. Në gojëdhëna të lashta të Risanit (Rhizoni i lashtë) flitet për një mbretëreshë që kishte fuqinë e gjarprit, që dilte detit me një anije në formën e gjarprit, e cila rrëshqiste në ujë si gjarpër, dhe luftëtarët e zjarrtë që printe i kishin mburojat me emblemën e gjarprit. Nën këtë imazh legjende u formësuan edhe disa tipare të Teutës së romanit tim: ajo u kthye në mishërimin njerëzor të hyut Gjarpër të ilirëve, i cili, njëlloj si në legjendën e famshme greke të Kadmosit, e mëkoi me limfën e tij, duke i dhënë dimensionin hyjnor. Sa për tiparet fizike, mbretëreshën ilire e përfytyrova njëlloj siç përfytyronin grekët e lashtë perënditë e tyre: me flokë ngjyrë mjalti dhe sy prej qelibari. Teuta, e mbrujtur dhe e edukuar me dijet më të përparuara të kohës, së pari bëhet faltarja e madhe e faltores së Gjarprit, institucionit më të lartë shpirtëror dhe mistik, por jo vetëm, të ilirëve, pastaj mbretëresha e Ilirisë shfaq një dykuptimshmëri të jashtëzakonshme, e cila është burim i një force dhe energjie të madhe, por edhe burim konfliktesh tragjike dhe të gjakta: ajo është njeri vdekatar dhe njëkohësisht mban hyjnoren brenda vetes. Shpirti i saj i është përkushtuar Ilirisë, por zemra e saj prej gruaje i jepet pasionit të madh të dashurisë për një burrë. Pathosi dhe detyra sublime përplasen kaherë egrazi dhe dalin në logun e duelit. Nuk jemi shumë larg heronjve të Homerit. Është koha kur perënditë dhe njerëzit janë shumë pranë njëri-tjetrit dhe kufiri mes tyre është fare i brishtë.

    Sipas historianit të lashtësisë Strabonit, dhe atij kroat, Aleksandër Stipçeviç, ilirët ishin mjeshtër të tatuazhit. Simbolet e tyre i vizatonin në lëkurë — nëpër nekropole janë gjetur  vegloret e tatuazhit, paraardhëset e denja të vegloreve të sotme. Në roman Teuta ka të skalitur në trup gjarprin Ilyrios, totemin e vendit të saj.

    Për të shpalosur në gjerësi dhe, njëkohësisht, në detaje të holla jetën, ngjarjet, lavdinë e Ilirisë dhe të Teutës në vetëm tre vitet e sundimit të saj (230-228 para Krishtit, dashurinë pasionante, keqkuptimin tragjik, tradhtinë, robërinë dhe, në fund, vdekjen, më duhej një rrëfim përtej të zakonshmes, një rrëfim mitik. Është kujtesa e hyjnishme e gjarprit të skalitur në trupin e Teutës burimi i rrëfimit të këtij romani.

    Gjithsesi, ngrehina e “Mallkimi i priftëreshave të Ilirisë” është ndërtuar me gurët autentikë të historisë — perso-nazhet, kronologjia e ngjarjeve dhe zhvillimeve historike, betejat, ideali i Teutës për të pushtuar Greqinë, vendin e saj shpirtëror, për të krijuar mbretërinë iliro-greke, si edhe qëllimi i saj i lartë për kultivimin e shpirtit ilir sipas një ideali të përcaktuar humanist. Brendësia e romanit – është histori, por edhe magji, fantazi, mite, gojëdhëna dhe legjenda.

    “Mallkimi i priftëreshave të Ilirisë” mund të quhet edhe romani i dashurisë par excellence: dashuria e Teutës së Ilirisë për gjeneralin Demetër Faros. Është një pasion zhuritës, i ngjizur me lëndë hyjnore, i sprovuar në zjarrin e betejave, por edhe i shenjuar nga tradhtia, nga keqkuptimi vdekjeprurës dhe me një fund tragjik.

    Nuk mëtoj të kem dhënë në këtë roman të vërtetën historike mbi ilirët dhe Teutën e Ilirisë. Jam përpjekur të ndërtoj së brendshmi, siç ka thënë Marguerite Yourcenar-i kur shkroi “Kujtimet e Hadrianit”, atë botë që arkeologët e ndërtojnë së jashtmi.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË