More
    KreuOpinionMinella Aleksi: Shkrimtari e fillon një libër, lexuesi e përfundon atë.

    Minella Aleksi: Shkrimtari e fillon një libër, lexuesi e përfundon atë.

    Shkrimtari fillon të tregoj një histori të cilën e ndërton sa më intriguese për mëndjen e lexuesit. Shkrimtar i njohur ishte ai që thoshte: “Nuk mund të shkruaj pa një lexues. Është saktësisht si një puthje – nuk mund ta bësh vetëm”.  

    Njerëzit takohen me librat njëlloj siç takohen me njërit tjetrin. Ndërtojnë raporte miqësore ose jo. Disa miqësira janë më të forta e disa më pak ose aspak. Ka raste kur takimi me një libër krijon miqësi aq shumë të rëndësishme për lexuesin sa ai i thotë vetes dhe të tjerëve që ky takim më ndryshoi jetën. Zakonisht ndodh që nga takimi me një libër lexuesi e merr historinë e librit në jetën e tij dhe shpesh mëndja e tij nënkupton diçka tjetër nga ajo që ka dashur të jap të nënkuptuar shkrimtari. Në këtë mënyrë teksti trillues lëviz në të dyja drejtimet. Natyrshëm, me të njëjtat fjalë në dispozicion janë shumë njerëz që shkruajnë por, janë shumë të paktë ata që krijojnë letërsi të mrekullueshme. Shumë pyesin se si ndodh “magjia që vuan” lexuesi gjatë proçesit të leximit? Si ndodh që lexuesit takohen dhe bëjnë miqësi të forta me disa libra, lumturohen nga ritakimet me ta e, prej tyre mbeten të pa zhgënjyer nga prova e kohës ? Shpesh shkrimtarët përsërisin se:

    Në raportet miqësore njerëzit te miku ose te mikja shikojnë një njeri që mendon ngjashëm në aspektin botëkuptimor, social, psikologjik dhe shpirtëror. Ashtu si një miqësi e fortë zgjat dhe të bën të lumtur deri në fund, njëlloj është shkrimtari i mirë, që nuk të zhgënjen deri në fund. Lexuesit e mirë apo ata më pak të tillë, sidoqoftë ndërtojnë një ndjenjë të të kuptuarit përmes përvojave të tyre të njohurive të mëparshme, qasjeve ndaj leximit, vizualizimit ose imagjinimit të tekstit si një performancë reale, etj,etj.  Marsel Prust vëren se: “Ndërsa lexon, çdo lexues, është në të vërtetë lexues i vetvetes. Vepra artistike e shkrimtarit është thjeshtë një lloj instrumenti optik që ai ia ofron lexuesit, në mënyrë që lexuesi të dallojë atë që, pa këtë libër mund të mos e kishte parë kurrë te vetja. Njohja dhe identifikimi te vetja i atyre që thuhen në libër është prova e së vërtetës së librit.”

    Kritiku psikoanalitik Norman Holland beson se motivet e lexuesve në jetë ndikojnë fuqishëm në mënyrën se si ata lexojnë letërsi dhe se si e interpretojnë atë që lexojnë. Prandaj është me shumë interes të kuptohet se mbi ç’bazë bëhen apo ku mbështeten këto interpretime të cilat indirekt zbulojnë shumë për vet lexuesit, jo për tekstin.

    Holland beson se ne reagojmë ndaj teksteve letrare me të njëjtat përgjigje psikologjike që çfaqim brenda vetes ndaj ngjarjeve në jetën tonë të përditshme. Një individ reagon ndaj situatave jetësore të shumëllojta me qëndrime larguese ose pranuese, adhurimi ose injorimi në jetën e tij ndërpersonale. Te lexuesi ndodh është një proçes psikologjik i pavetëdijshëm, instiktiv që funksionon si filtër mbrojtje nga mendimet dhe ndjenjat e konflikteve të brendëshme apo tensioneve psikologjike të jashtëme të cilat prodhojnë ankth.

    Një shëmbull i thjeshtë reagimi ndaj një teksti. Nëse dikujt nuk do i pëlqej një i njohur i ri / e re që i sjell imazhin e babait ose të nënës së vet, dhunues fizik ose psikologjik, ofendues dhe përçmues në prani të të tjerëve, i/e dhënë pas alkolit, dhe që në më të shumtën e kohës nuk është në familje për shkak të veseve, etj, atëherë ka shumë mundësi që, reagimi më i shpejtë të jetë mospëlqimi i çdo personazhi imagjinar që ia kujton atë.

    Në këto raste subkoshienca e lexuesit reagon automatikisht  në vetmbrojtje instiktive me mospëlqimin e tekstit, keqinterpretimin emocional të tij ose e ndalon leximin fare. Gjatë gjithë ekzistencës së vet qënia njerëzore ka luftuar gjithmonë, me temat e dashurisë, dhimbjes, urrejtjes, hipokrizisë, zilisë, pasionit, krimit dhe gëzimit ndër të tjera,. Duke qenë se shumë prej teksteve trillime, mundësojnë të ngjallin ndonjë frikë të pavetëdijshme ose dëshirë të ndaluar, vërshime emocionale me ndjenjë faji të shoqëruar me turp, gërryerje ndërgjegjeje e vuajtje shpirtërore me pendime për episode të pafundme në jetë, atëhere lexuesi që kërkon t’i shkojë deri në fund tekstit krijon vetvetiu një filtër përballues që të ketë mundësi vazhdimin e leximit.

    Sipas kritikut psikanalist ky proçes filtri përballues, “interpretimi ose diskutimi me veten” është veçanërisht i vlefshëm sepse thellon të kuptuarit midis reagimit emocional dhe gjykimit etik duke bërë të mundur rivendosjen e ekuilibrit shpirtëror. Holland e quan modelin e konflikteve tona psikologjike dhe strategjitë e përballimit të këtyre tensioneve si temë e identitetit tonë që përfshin kujtimet, inteligjencën emocionale, përvojat, marrëdhëniet dhe vlerat që krijojnë ndjenjën e vetvetes. Ai beson se në jetën tonë të përditshme ne e projektojmë atë temë identiteti në çdo situatë që hasim dhe kështu e perceptojmë botën përmes lenteve të përvojës sonë psikologjike. Në mënyrë analoge, kur lexojmë letërsi, ne projektojmë në tekst temën ose thelbin e identiteti tonët, e në mënyrë të pandërgjegjshme rikrijojmë paralelisht botën që ekziston në mendjen tonë. Pra, interpretimi është kryesisht një proces psikologjik dhe jo intelektual. Themi interpretim psikologjik sepse përfshin aftësitë e përballimit të sfidave psikologjike, si akt i të kuptuarit të brendshëm, si një lundrim nëpër tallazet emocionale përpara marrjes së vendime për gjëra të cilat na bëjnë të vuajmë. Ky dialogu i brendshëm i fokusuar në aftësitë njohëse të individit është “Peshorja”  që tregon nëse ka diçka që më pas duhet të ndryshoj sipas interpretimit intelektual.

    E vërteta është se për lexuesin një interpretim letrar mund të zbulojë ose jo kuptimin e tekstit, por pa asnjë dyshim, për një sy të mprehtë ai zbulon gjithmonë psikologjinë e lexuesit. Prandaj thuhet se një libër i vërtetë nuk është ai që lexohet, por ai që na lexon ne.

    Sepse struktura e tregimit rezonon te lexuesi sepse e bën lexuesin të identifikojë në mënyrë të pandërgjegjshme momentet më shënjuese në harkun e jetës së vet. E ngarkon atë emocionalisht për atë se si është jetuar jeta e vet, ose si do të donte të kishte qenë, ose si mund të ridhte ajo në të ardhmen. Me fjalë të tjera, në mënyrë të pandërgjegjshme lexuesi “e var” jetën e tij në strukturën e tregimit. Ose thënë ndryshe çfarë është brenda lexuesit që ndihet e afërt ose që identifikohet me strukturën letrare, aty qëndron bërthama e jehonës brenda tij dhe rezonimi me imagjinatën e autorit. Prandaj librin e nisur nga shkrimtari e bën të gjallë lexuesi. Kjo bën që marrëdhënia mes lexuesit dhe shkrimtarit ka në një farë mënyre karakter reciproke. Ata bashkë-krijojnë njëri-tjetrin. Në këtë mënyrë lexuesi fillon largohet nga një autor me të cilin nuk rezonon, për të qënë në mardhënie më të ngushtë me shkrimtarin historitë e të cilit e pasurojnë botën shpirtërore të tij me vlera estetike të madhërishme.

    Lidhur me sa më sipër po sjell shëmbuj nga autorë shqiptarë të mbas viteve 50 të shek. të kaluar.

    Imagjinoni, për shembull, disa lexues të romanit “Dimri i vetmisë së madhe”, një prej romaneve më të anatemuar e më të vlerësuarin në të njëjtën kohë.

    Vazhdoj të mendoj se shoqëria shqiptare e viteve 60-90 tronditej thellë në sferën e saj shpirtërore nga dy ngjarje ekstreme në llojin e tyre. Zbulimet e radhës të grupeve armiqësore që shpallte diktatori E. Hoxha me përfundime fatale për fatkeqët dhe në anën tjetër botimet e romaneve të shkrimtarit I. Kadare. Me romanet e këtij shkrimtari ndodhi ajo që normalisht bën letërsia e madhe. Lexuesit  filluan të shikojnë dhe të mendojmë gjëra që nuk i kishin përjetuar më parë.

    Me atë roman shoqëria shqiptare u kthye në një skenë teatri ku diskutohej në ambjentet publike, në radhën e qumështit e në atë të vajgurit, në ambjentet e familjeve shqiptare si edhe në zyrat e zymta të shtetit. Çdonjëri i kushtëzuar nga modeli i konflikteve psikologjike identitare. Arsyeje ishte e thjeshtë: Në zemër të romanit lexuesit gjetën veten, ashtu siç ishin në të vërtetë dhe shpesh dukej se shkrimtari i njihte më mirë sesa e njihnin veten,  me të mirat, virtutet  dhe të këqiat, veset e tyre. Ofronte një lente në botën tonë dhe ishte i sinqertë për atë që jemi ne. Personazhet ishin karaktere të ndryshëm nga ata të deri atëhershëm dhe krijues, mendonin në një nivel tjetër. Veprimet, sjellja dhe ajo që fshihej brenda tyre ngrinin shumë pyetje që mbeteshin pa përgjigje.Në faqet e librit lexuan për njeërzit e klasës së përmbysur, N/punësit e lartë të shtetit, për zuzarët, vetmohuesit, servilët, n/punësit e policisë sekrete, tradhëtarët, dashnorët dhe shumë të tjerë. Në një moment të jetës së tyre, ish të përsekutuarit e regjimit, këta personazhe të romanit, dikur si njerëz real kanë përjetuar viktimizimin, çpronësimet dhe ndjekjet kafshërore nga banesat e tyre, pushkatimin, refuzimin nga të afërmit e miqtë familjar dhe rënien në humnerat e burgjeve apo internimet në zonat më të vështira për të jetuar. Të gjitha për arsye përtej kontrollit të tyre.

    Kjo kategori lexuesish  që e sheh veten personazh, ndjehet e kërcënuar psikologjikisht nga stimulimi i kujtimeve tepër të dhimbëshme dhe u përballën me këto tensione tronditëse  në përputhje të plotë me atë që përbënte identitetin e vet njerëzor. Diskutimet “mbrojtëse” të këtyre lexuesve do të “alarmoheshin dhe mobilizoheshin” duke e përballuar imazhin tekstual të librit sipas asaj mënyre që realisht ngërtheu diskutime dhe debateve kundërthënëse. Anatemuan romanin, autorin dhe sigurisht, regjimin diktatorial. Por janë edhe një kategori lexuesish që e gjetën veten të përfaqësuar në personazhet e ish nëpunësve që kishin shërbyer e shërbenin në ish ministrinë e brendëshme. Modeli i konflikteve të tyre psikologjike në përballjen me romanin u shprehën në mënyrë emblematike në përshtypjen që dha ish ministri i brendshëm Kadri Hazbiu:“dyzet faqe lexova dhe dyzet herë pështyva”. Cinizëm që mohonte dhimbjen e të tjerve për të mohuar dhimbjen e vet shpirtërore. Një kategori tjetër lexuesish u ndjenë afër  ose u njehsuan me personazhet në Rrugën e Dibrës, Broduejsit. Te personazhet e “Broduejit” njohën konfliktet e veta psikologjike të etur për progres shoqëror. E pëlqyen romanin si shenjë emancipuese në shoqëri.

     Shkrimtari kish guxuar gjithashtu që përkundër normave të regjimit që dënonte divorcin, personazhin e Besnikut e zhvillonte në sensin e kundërt me moralin komunist, drejt divorcit. Të indoktrinuarit me ideologjinë komuniste u ndjenë solidarë me qëndrimin përçmues të personazhit, përputhshëm me qëndrimin e Partisë, mosaprovimin e divorcit.

    Libri u quajt i pamoralshëm nga shtresa shoqërore e lidhur me sistemin komunist, i pamoralshëm nga krahu kundërshtar i klasave të përmbysura gjithashtu. Nuk analizohej fenomeni, të shikuarit e së vërtetës në sy. Shkrimtari i kish vendosur të gjithë përpara pasqyrës së historisë. Nëse nuk u pëlqente pamja që shikonin kjo ishte punë e tyre, jo e shkrimtarit.  Pra paradoksalisht për të dy krahët roman i pamoralshëm sepse i tregoi botës “turpin e vet”. Në këtë mënyrë, për të mirën e shoqërisë, vepra letrare u bë “qënie e gjallë përgjatë përvojës së leximit”. Përkundër atyre që e mallkonin librin dhe atyre që e admironin ishte Enveri, Diktatori, nga i cili pritej pëlqimi ose e kundërta. Me krimet mbi kurriz të projektuara te ish zëvendësi i tij me emrin si “kryqëzim thikash”, personazhi Enver Hoxha, gjeti si lexues një ekuilibër shpirtëror. Si shtetar, aktin e shkëputjes së vendit të tij nga Lindja komuniste edhe pse Ai e ndërmori thellësisht për mbijetesën e vet, si lexues e shijoi plotësisht. Mendoi se ky imazh që po shihte në pasqyrën e vendosur përballë e nderonte në histori. Personazhet të mbeten në mëndje. Teatri i debateve u mbyll. Karakteret në libër fituan   të drejtën artistike dhe historike. Realizmi socialist u harrua. Përbënte parim atëhere kur u duhej si justifikim për ndëshkime artistësh.

    Para shumë kohësh kam lexuar vëllimin me tregime të shkrimtarit Dritëro Agolli, botimin e  parë të pandryshuar nga çensura, “Zhurma e erërave të dikurshme”.  Libër që edhe pse me tema dhe karaktere shumë interesant, për lexuesit u ndalua. Shkrimtari në një tekst intrigues, të trajtuar  mjeshtërisht me ambiguitete dhe metafora, me karaktere të skalitur mirë, e ka vënë klasën politike të kohës në përballje me idenë se ka të paktën dy anë të vlefshme për çdo çështje madhore – jo vetëm një e drejtë dhe një e gabuar e thjeshtë, zyrtare. Fitimtarët, ish komandantët dhe komisarët, nëpunës me funksione të larta,  nëpërmjet tekstit zbulojnë se paska edhe disa të vërteta të tjera që bien ndesh me të vërtetat e tyre zyrtare. Me karakteret që nuk harrohen lehtë shkrimtari i ka futur në dramën e së vërtetës brenda vetes. Nënvetëdija ua sjell dramën para syve, por ndërgjegjja nuk ua pranon, e largojnë  ngaqë e kanë të pamundur që të pranojnë fajin. E humbin betejën me veten, nuk u ngritën dot mbi egoizmin dhe vetëdijen mohuese të fituesit, pranuan që të zhduknin librin nga skena  për të mbijetuar vet. Arsyeja zyrtare e ndalimit- libri binte ndesh me parimet e realizmit socialist.

    Në këtë rrjedhë është ndalimi i romaneve të shkrimtarit Petro Marko, “Tuneli” të Dhimitër Xhuvanit, etj.

    Letërsi trill botohet pamasë në vendin tonë. Mendoj se mardhënia libër-lexues është jo funksional për arsye se edhe pse ka tek tuk ndonjë roman interesant, proçesi mbetet i pa përfunduar, ngaqë lexohet shumë pak. Lexuesi reagon fare pak ose aspak gjithashtu. “Helmi i konformizmit” është shumë i fortë. Të lexuarit mendoj se është çështje pasioni për të kuptuar veten dhe shoqërinë ku jetn.  Por standarti ose modeli mendonjës i shoqërisë sonë në masë të madhe është “bardhë ose zi”, duke i përcaktuar njerëzit, ndodhitë dhe veprimet brenda këtyre dy kategorive, të mira ose të këqija. Gjatë leximit të një teksti psikologjikisht tronditës çdo lexues fut në tekst një fantazi, më pas me filtra mbrojtës instiktiv e modifikon atë në një interpretim të mirë ose të keq.Prandaj mendoj se ne shqiptarët vuajmë nivelin e ulët të interpretimit psikologjik të një teksti letrar në dëm pastaj të interpretimit intelektual. Vuajmë standartin e ulët të nivelit kulturor që kushtëzohet edhe nga lertërsia. Nuk thonë kot: “Nuk është e nevojshme të digjni libra për të shkatërruar një kulturë. Thjesht bëjini njerëzit të ndalojnë së lexuari ato.” Përvoja jonë ka dëshmuar vërtetësinë e thënies se: “Aty ku djegin libra, në fund do të djegin edhe qëniet njerëzore”.

    Gjithmonë më ka intriguar pritja admiruese e lexuesit të huaj, neutral, për letërsinë e shkrimtarit Kadare. Edhe pse nga zyrat e shtetit pëshpëritej shprehja: “është shkrimtar i mirë por çe do, shkruan për të huajt”, një pjesë lexuesish shqiptarë e lexuan dhe e adhuruan.

    Identiteti kulturor i lexuesit të huaj nxiti një kuptim dhe interpretim intelektual ndaj tekstit shumë vlerësues e admirues, pa komplekset e mendësisë shoqërore që e ndikuan lexuesin me identitet kulturor shqiptar për mirë, për keq ose me msolexim fare.

    Po sjell shëmbullin e Biblës,  që është një përmbledhje tekstesh të shenjta drejtuar popullit të krishterë ose atyre që e përqafojnë atë fe’. Kur lexohet nga një laik, pra një person neutral, mund të interpretohet sipas një këndvështrimi shumë më kompleks që në fund të fundit do mbetet si i tillë, i ndryshëm nga ai i praktikantit të fesë. Mendoj se përpara një romani trillim, lexuesit nuk janë në një konkurs shijesh estetike dhe interpretimesh intelektuale por, sipas kritikut harold Bloom “ajo që ka rëndësi  në letërsi është padyshim veçoria unike, individuale, shija apo ngjyra e një vuajtjeje të veçantë njerëzore”. Sigurisht njerëzit kënaqen me atë që kuptojnë dhe vlerësojnë…

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË