Për mua ishte menduar dhe u realizua një ceremoni që në ditët e sotme quhen Promovim libri.
Nga praktika e zakonshme e promovimeve të mëparshme mendova një ndryshim. Duke qënë se të tjerët e promovojnë librin fillimisht në vend dhe pastaj kapërcejnë nëpër diasporë, unë do bëja të kundërtën.
Përpara se të nisesha kisha mundësi që të shihja edhe një kopje të librit pothuaj të mbaruar dhe përcaktuam edhe datën e promovimit, duke lënë kohë të mjaftueshme rezervë për transportin e librave e të sigurtë për datën e promovimit.
Kur më njoftuan për ceremoninë dy muaj më parë u përfshiva nga një ndjenjë e veçantë ngazëllimi që, herë pas here më sillte një lëmsh në lukth sa herë kujtoja momentin kur më dhanë çekun me shumën e destinuar për shpenzimet e botimit të librit.
Aq ishte puna dhe gjumi i natës mori të krisurën e parë e cila u pasua nga degëzime të tjera gjumëprishëse. Më rrihte si çekan pyetja –vërtetë është fjala për një vlerë apo thjeshtë një ritual ceremonie rutinë që, në kohën e sotme është bërë modë? Unë mund ta kisha shkruar librin në gjëndje dehjeje gjithëfarëlloje i entuziazmuar nga vetkënaqsia, por organizatorët e promovimit duhej të gjykonin dhe ta lexonin atë duke qënë esëll. Kisha marrë pjesë në disa promovime të njohurish dhe qetësohesha kur mendoja se ishte një rikthim mirënjohjeje. Po qe se e organizojnë si rikthim mirënjohjeje atëhere … dhe këtu më thumbonte një shkrim që e kisha lexuar pak kohë më parë me titull “Shkrimtarët, fiziologjia e suksesit”. Vetëm fakti se në këtë titull ishte fjala “Fiziologji” turbullohesha deri në prag vjellje.
Kjo fjalë më kujtonte një proçes i cili kishte një fillim – hyrje, marrje lënde të nevojshme për jetesë, përpunim e absorbim të një pjese të saj dhe përfundonte me nxjerrje erëkeqe nëpërmjet një porte që dikur ngjallte neveri, ndërsa sot është stil jete që ka qënë i pranishëm që në kohët antike.
Mendimi vazhdonte të turbullohej nga një pohim në radio që, e dëgjova para disa ditësh të thënë prej një shkrimtareje promovuese: “Shkrimtarët mediokër shkruajnë ndërsa shkrimtarët e mëdhenj përshkruajnë”. Nuk harroi të theksonte gjithashtu se artistët mediokër admirohen reciprokisht. Ngatërrohesha mes këtyre thënieve dhe ajo që më bënte të mallkoja ditën kur nisa të shkruaj ishte një shprehje që më qëndronte gjithë kohën para syve, njësoj si parrulla leniniste në ekranin televiziv shtetëror rusë “Proletarë të të gjitha vëndeve…….. Na Falni”. Sikur libri im të injorohet si mediokër, bëj dot mbrapa unë e të them – Lexues të shijeve letrare të mira më falni! Mirë rusët me këtë shprehje u vetëgjykuan admirueshëm dhe u tallën deri në madhështi me idealin komunist por shprehja që më shtynte të mallkoja veten ishte vetëmunduese dhe, sa më shumë e kujtoja më shumë më vinte t’a thoja me zë të lartë e ta shkruaja me gërma kapitale. Megjithatë për ata që dinë të lexojnë po e shkruaj si zakonisht: “Suksesi i kaq shumë librave bazohet në marrëveshjen midis mediokritetit të ideve të autorëve dhe mediokritetit të ideve të publikut”.
Në këto ngatërresa mendimesh më gjeti afrimi i ditës së promovimit të librit. Më thanë se deri edhe salla e vënë në dispozicion sëbashku me mezeçkat ishte mbyllur si hesap falë bujarisë së pronarit të saj. Shkurt, gjithçka ishte kurdisur dhe po lëvizte ditë pas nate si në një proçes ku dominonte Fiziologjia e Suksesit.
Në këto e sipër një ditë para promovimit me një kafe përpara, organizatori me shprehje kënaqsie që shfaqej rrjedhshëm së brendëshmi, me një gjysëm buzëqeshje e fjalë të shprehura ngadalë me një zë që merrte nuancë melodie, më thotë: mos harro se ti ke edhe një avantazh tjetër të madh në këtë promovim – librin e ke të sponsorizuar, nuk ke harxhuar asgjë nga xhepi yt. Ndërsa nga ata që do jenë të pranishëm në ceremoni shumica kanë nga 8-9-10 libra të botuar dhe të tëra me shpenzimet e tyre. Dhe këto fjalë i tha duke lëkundur kokën ngadalë sa majtas djathtas në atë mënyrë sikur të isha unë shkaktari i nxitjes ndaj tyre për shpenzimet e librave. Thellë brenda vetes ndjeva që m’u formua dhe më doli jashtë buzëve fjalia: mos jam duke bërë gabim me këtë ceremoni pasi,… unë të vetmin libër këtë kam.
Ditët e fundit para ceremonisë erdhën duke më shtuar edhe ankthin. Hallakatja e mendimeve luhatej në diapazonin si midis dy nofullave të një morse, mediokritetit dhe suksesit. Gjithëçka e mendoja të lidhur me kohën sipas shprehjes se veprat e artit kanë dy anë,njërën të drejtuar kohës së tanishme dhe tjetrën kohës së ardhme. Këtu te koha e ardhme më mundonte kohëzgjatja e interesit, përdorimit dhe dobisë të librit. Me këto turbullira shpirt brejtëse u gjënda ditën e promovimit. Kopjet e librit erdhën një ditë më parë dhe personi që i hapi më bëri të ditur mbërritjen. Kaq. Asnjë fjalë më shumë. Kjo më shtoi ankthin dhe merakun. Përse asnjë përgjigje gëzuese për të nesërmen. Gjumi i natës më iku fare. Më shumë dhimbje koke dhe telash sesa kënaqsi.
Kapaku i librit mbi tavolinë kishte një veprim impresionues. Vështroja të pranishmit dhe ata dukej që diçka i brengoste. Insistova për arsyen. Pas shpjegimit më përfshiu një ndjenjë përqëndrimi të qetë dhe vetëdijeje të shtuar. Sikur më dhanë një çelës me të cilin hapa një derë, ku pasi hyra kisha ndjesinë e të qënit plotësisht i pranishëm dhe i angazhuar në moment me aftësinë për të kuptuar dhe përpunuar lehtësisht informacioni. Menjëherë ndjeva që duhej të përmbaja mendimet që mezi prisnin të rridhnin lehtësisht dhe natyrshëm. Pikëllimi i tyre kishte lidhje me një gabim që ishte bërë gjatë proçesit të shtypjes së librit.
Sponsori i librit ishte farmacist, miku im që prej viteve të shkollës i cili, në kuadrin e fushatës së këshillave në shqip të përdorimit të ilaçeve kishte porositur disa të tilla në të njëjtën shtypshkronjë ku u përgatit libri. Të kuptohemi, gabimi njerëzor asnjëherë nuk mund të jetë zero. Kështu përgjatë proçesit të shtypjes së librit gabimi njerëzor bëri që në kompjuter të kalonte një porosi shpjeguese e farmacistit si pjesë integrale e librit. Tashmë në faqen e parafundit të librit, brenda saj ishte shënuar data e prodhimit dhe afati i skadimit. Njësoj si me ilaçet që kanë datë prodhimi dhe datën e skadimit, apo si një kuti konserve sardelesh. Si afat skadimi të librit shënohej data e promovimit të librit. Kjo ishte ajo ndjenjë pikëllimi që kishte ngërthyer të pranishmit.
Ndërsa unë, porsa e konstatova këtë gabim mendova se isha fatlum. Të gjitha torturat shpirtërore, mendimet kontradiktore të prag promovimit pësuan një pastrim, me çlirim të trurit duke më dhënë në dorë variantin rezervë të titullit ideal – Fiziologjia e suksesit me afat skadimi.
Pas fjalëve përshëndetëse të tre shkrimtarëve me një prodhimtari mbi dhjetë libra, të cilët krahasimet për stilin me disa emra shkrimtarësh klasikë i thanë me zë të lartë kurse ndonjë vërejtje e latuan që të mos shtonte më shumë pikëllimin e autorit, nuk durova dot më dhe plot hare fillova të flas. Ndjehesha në një çlirim energjish si ai që ka kaluar një provim të stërmundueshëm. Ajo që ata i pikëllonte mua më solli çastet më të bukura të asaj jete që kisha harxhuar deri më tani.
Deklarova me pathos: “Jam i lumtur për botimin e librit dhe ndaj lexuesit veçanërisht për një detyrim madhor të cilin mendoj se e kam përmbushur plotësisht. Kënaqësia e madhe që ndiej nga fjalët e të pranishmëve nuk më zbeh dëshirën e papërmbajtur që të them me plot gojën se – në rast se mbas datës së sotme kur është edhe dita e fundit e skadimit të librit pëshpëriten zëra apo shkruhen artikuj për nivelin mediokër të librit atëhere unë rezervoj të drejtën që të hedh përtokë të gjitha opinionet nënvlerësuese ndaj librit. Kam të drejtën e autorit, atë morale dhe ligjore që të deklaroj se nuk është faji i autorit që ju blini, rekomandoni, diskutoni, përgënjeshtroni fjalët e mira të thëna më parë për atë libër tek i cili keni nënshkruar parathënien, komentet lavdëruese në faqet e fundit pasi autori prodhues iu ka dalë borxhit. Ai ka shënuar si datën e prodhimit ashtu edhe datën e skadimit të librit dhe nëse ju kërkoni t’a konsumoni mbas afatit të skadimit, pra mbas promovimit, atëhere nuk shqetësohem, duart i kam larë përpara gjyqit moral të shoqërisë. Vuani atëhere shenjat e konsumit të një produkti të skaduar. Madje me tërë forcën që më jep Fiziologjia e suksesit të librit do u bëj thirrje të gjithë shkrimtarve, publicistëve, poetëve, eseistëve, analistëve, tregimtarëve, pamfletistëve etj, që të fillojnë të vendosin datën e prodhimit dhe atë të skadimit në produktet e tyre letrare, si kërkesa më elementare, si detyrim moral e ligjor që respekton konsumatorin e ndershëm dashamirës të produkteve letrare”.
Kaq dhe pas këtyre fjalëve, pas këtij shtërzimi shpirtëror më mbuloi entuziazmi i të pranishmëve.