More
    KreuLetërsiShënime mbi libraMinella Aleksi: Heshtja ndihmon shtypësin, asnjëherë viktimën

    Minella Aleksi: Heshtja ndihmon shtypësin, asnjëherë viktimën

    Mbi librin “Kartela të realizmit të dënuar” të Visar Zhitit

    Të dëshmosh me shkrim pavarësisht nëse je një vajzë e vogël e fshehur në papafingon e një shtëpie apo je një institucion si “Amnesty international” që shkruan letra në emër të të burgosurve politikë, fuqia e tregimit të ndodhive dhe e kontekstit historik të kohës kur ndodhën, është ajo që zakonisht trondit dhe që shkakton ndryshime. Libri “Kartela të realizmit të dënuar” i shkrimtarit Visar Zhiti identifikon dhe analizon argumenta, reflekton e godet fortë, drejtë në ndërgjegjen e lexuesit, si një kujtesë e zymtë, keqardhëse për vlerat e humbura historike kombëtare, për koston e rëndë njerëzore të inteligjencës shqiptare, raportin me të vërtetën gjatë dhe pas regjimit komunist.

    Përmban një bilanc tragjik të atyre që u quajtën “armik”, në një kohë që fjala “armik” nuk kishte një përcaktim të saktë, por përfaqësonte një diapazon abuziv akuzash të pa limit, të imponuara me dhunën e ligjit nga pushteti komunist. “Armik” mund të ishte kundërshtari politik, mund të ishte një gazetar, intelektualë “borgjezë”, artistë, profesorë, shkrimtar, muzikant, poet, shkencëtarë, ish pronar. Klasa dhe arsimi ishin shpesh kriteret kryesore për tu identifikuar si armik. Lexon tekstin dhe imagjinata të sjell përpara syve akuzatorët shqiptarë të stilit sovjetik, atyre të cilëve Partia u jepte porosinë: “Pyetjet e para duhet të jenë; cila është klasa e tij, cila është origjina, arsimi dhe edukimi i tij. Këto janë pyetjet që përcaktojnë fatin e të akuzuarit”. Instikti i shkrimtarit e ka motivuar autorin Visar Zhiti, ish i dënuar i ndërgjegjes që të trajtojë në një libër “konfliktin shoqëror post komunist, konflikt  për të cilin tre vite më parë, më 2017, dy studjues, Grigore Pop-Eleches (Princeton Univ.) dhe Joshua Tucker (Nevv York Univ.),  kishin botuar studimin e tyre me titull “Hija e komunizmit”. “Kartela të realizmit të dënuar” vjen si, apo përbën anën tjetër të medaljes e cila si një e vetme ndihmon për të kuptuar dhe thelluar arsyetimin mbi ecuritë post komuniste. Përgjatë tranzicionit shoqëria u ndesh me aspekte të dhimbëshme të karakterit kulturor të cilat përfshijnë qëndrime, besime, njohuri të ngulitura gjatë periudhës komuniste e që si kulturë shoqërore dhe kulturë politike shqiptare përbënin një “geto” të mjerimit shoqëror shqiptar. Analizohet fenomeni shoqëror në disa këndvështrime, e shtyn lexuesin drejt shtegut të meditimeve dhe gjykimeve individuale. Një libër që ngre më shumë pyetje sesa përgjigje të lehta.

    P.sh., nuk mund të evitohet një pyetje: Përse ndodhën krimet mbi njerëz që kishin sakrifikuar dhe e kishin pasuruar kulturën shqiptare, çfarë krusje fatale pësoi shoqëria, tek e fundit ç’është kjo “dhimbje” e pashërueshme, përse atëhere, dhe akoma sot pas 30 vjetësh, kategoria e të persekutuarve politikë nuk u mirëseardhë në shoqërinë shqiptare?. Përse kur “armiku” i partisë binte në burg, siç bihet në një humnerë, edhe pse njerëzit ishin të vetëdijshëm për sa evazivë ishte termi “armik i partisë dhe i popullit” prapëseprapë, për fat të keq automatikisht te një pjesë e mirë e popullatës,  krijohej një ndjenjë urrejtjeje ndaj këtij “armiku”, e barazvlefshme në valencë me urrejtjen armiqësore që mbartëte etiketimi armik, sipas diktatorit dhe Partisë?. Nuk vihej në diskutim se për fajin që i ishte kundërvënë normave të partisë i dënuari jo vetëm konsiderohej armik, por familjarët dhe të afërmit e tij, në gjëndje ankthi dhe paniku bëlbëzonim me njëri tjetrin; mirë për vete që nuk mendoi por na mori në qafë edhe ne të tjerëve. Para rënies në burg këta intelektualë e artistë ishin të vlerësuar për punën që bënin, nderoheshin me “Çmim Republike”, “Hero i punës”, “Urdhëri Naim Frashëri”, etj., ndërsa pas pak ditësh ata ishin “leprozët” të cilëve njerëzit u qëndronin sa më larg. Kreu i komunistëve shqiptarë vrau mbështetësit e tij më besnikë sepse ata nuk arritën të kuptonin se revolucioni nuk kërkonte më revolucionarë, por shërbëtorë të bindur.

    Kjo psikozë frike, ankthi, pasigurie, tmerri, paranoje dhe realiteti i përndjekjeve, keqkuptime dhe kontradikta klasore, ishte si një re e plumbtë mbi kokat e shqiptarëve. Parulla e ditës ishte: O me ne o me armikun.  Disa njerëz kishin keqardhje, dhimbje njerëzore, ndërsa shumë më shumë se këta ishin të tjerët, turma e indoktrinuar, ata që e mbajtën gjallë urrejtjen ndaj tyre. Edhe kur para vitit 1990 këta “armiq” dilnin nga burgu, te një pjesë e mirë e turmës së njerëzve vazhdonte të përjetohej urretja ndaj “armikut të partisë”. Koha vërtetoi se sa më e madhe injoranca aq më i thellë indoktrinimi. Për fat të keq nuk u arrit të shmangej urrejtja që vazhdoi edhe në post komunizëm.  Përse? Indoktrinimi komunist si strukturë edukate familjare dhe shoqërore nuk “pastrohet” me dekret, ashtu si me dekret mund të shpallet pluralizmi politik. Sa më i thellë indoktrinimi- injoranca, aq më tepër kërkon kohë emancipimi, çrrënjosja, dezintoksikimi ideologjik shtresë pas shtrese. Aksioma “Sapo të mësoni të lexoni, do të jeni përgjithmonë të lirë”, çuditërisht nuk e bën të lirë turmën. Si fara e mirë që mbillet në tokë kripore.

    Lenini, udhëheqsi i bolshevikëve, ideatori i revolucionit të tetorit, deklaronte dhe u përmbahej dy parimeve shumë të rëndësishme të ideologjisë së pushtetit komunist: “Na jepni fëmijën për tetë vjet dhe ai do të jetë një bolshevik përgjithmonë”. Dhe parimi i dytë: “Ateizmi është pjesa e natyrshme dhe e pandashme e komunizmit”. Në librin “Kartela të realizmit të dënuar” dëshmohen pasojat shkatërruese të këtyre parimeve leniniste në shoqërinë shqiptare. Në vitin 1967, i cilësuar prej ish të dënuarit të ndërgjegjes Spartak Ngjela si viti “i hordhive të revolucionit kulturor”, u manifestuan qartësisht në shoqërinë shqiptare dy mësimet leniniste. Prej tridhjetë vjetësh shqiptarët në shumicë nën udhëheqjen e Partisë komuniste e kishin përqafuar bolshevizmin dhe e përjetonin përditë në formën e tij më të egër. Shkalla e indoktrinimit bolshevik ishte aq solide sa turmat e revolucionarizuara ateiste u gjëndën të gatëshme që menjëherë, pa asnjë hezitim, me thirrjen e Partisë u turrën dhe shkatërruan kultet fetare. Sa herë e mendoj atë periudhë aq më me vend më duket shprehja: “Një njeri i ndriçuar merr vendimet e tij; injorantët shkojnë me turmën”. Partia i përcaktonte artistët e intelektualët armiq, turma i urrente si të tillë. Njëlloj si në Gjermani, Hitleri u vinte hebrenjve Yllin e Davidit në gjoks, turma tru shpëlarë i masakronte në mënyrë të përbindëshme. Raporti midis misionarve predikues (priftërinj e hoxhallarë) dhe pushtetit komunist ishte një raport toksik që e kishte manifestuar shijen e helmët që në ditët e para të pushtetit të diktaturës komuniste, sidomos me çfarosjen në bllok të klerikëve katolik. Eksperienca bolshevike dëshmon se në shoqëritë komuniste shkalla e “shpirtit revolucionarizues proletar komunist” e pranishme në një individ të veçantë ose në të gjithë kombin është drejtpërdrejt proporcionale me shkallën e devijimit nga Feja.

    “Fryma e zjarrtë revolucionarizuese” si një infeksion shpirtëror, zë dhe e dëbon nga zemra e nga mendja e njeriut të thjeshtë shpirtin e besimit, dashurinë dhe dhëmbshurinë, i kundërvihet efektit amortizues që e ushqen dhe e çfaq feja.

    Ndodh ajo që edhe njerëzit më të ndershëm të cilët i përkushtohen idesë për t’i shërbyer “ shtetit të klasës punëtore” nën ideologjinë bolshevike e që janë gati të rrezikojnë vdekjen duke luftuar për idealet e komunizmit, pashmangshëm do të duhet dhe pranojnë në zemrat e tyre frymën e urrejtjes, bëhen të pamëshirshëm, të gatshëm për të zbuluar armikun brenda familjes, për të kërkuar armiq të brendshëm dhe të jashtëm, për të derdhur “gjakun në emër të interesave të Partisë”.

    U zhduk kisha dhe feja por turma ka nevojë për Kishën. I dorëzohet Kishës, Xhamisë, Teqesë, etj.. Turma s’ka vizion, nuk gjeneron ide, do udhëheqës. Turma i shkatërroi kishat e xhamitë nën udhëheqjen e Partisë. Individualitetet janë ata që e kapërcejnë Kishën, janë bartësit e ideve dhe vizioneve reformuese që shikojnë në thellësi të horizonteve. Rasti i Martin Lutherit brenda fesë është ilustrimi më i qartë.

    Në shoqërinë komuniste që përpiqet të standartizojë të menduarit, individualiteti nënçmohet. “Zilia” për pasurinë e të tjerëve, për qëndrimin vlerësues të individit në shoqëri, për suksesin dhe talentet e të tjerëve, etj., në masat revolucionare me vetëdijen e paqartë të tyre ngrihet në rangun e një virtyti. “Frika e krahasimit” si tipar njerëzor ka shërbyer gjithmonë si karburant i xhelozisë. Ka një pasazh në libër ku zilia, cinizmi dhe xhelozia përmblidhen në mënyrën se si shprehet një shkrimtari i njohur pas lirimit të të burgosurve politikë: “Tani erdhën këta që të na zëvendësojnë”.

    Në librin “Kartela të realizmit të dënuar” lexuesi njihet me listën e gjatë të intelektualëve dhe të artistëve të burgosur e të zhdukur gjatë regjimit komunist. Të vjen në mend thënia e historianit të njohur britanik Martin Gilbert, biografi zyrtar i VVinston Churchill kur thoshte: “Hitleri dhe Çurçilli i para shkruan fundet e tyre, të katastrofës dhe të triumfit. Në fillim të L2B Hitleri grumbulloi mëndjet më inteligjente të Gjermanisë dhe i zhduku në kampet e çfarosjes, ndërsa Çurçilli grumbulloi mëndjet më inteligjente të Anglisë dhe i vuri që të punonin për dekodimin e makinës “Enigma”. Njëlloj në Shqipëri. Diktatori E. Hoxha grumbulloi të arsimuarit dhe i mbylli nëpër burgje, ndërsa mjelëset dhe mekanikët i vuri në udhëheqje të turmave. Me fillimin e Tranzicionit shqiptar “Realizmi i dënuar” ishte e pamundur që të çlirohej. Lidershipi i Partisë që erdhi në pushtet e në vazhdim ishte dhe mbeti një strukturë partiake që zbatoi besnikërisht metoda që në dukje ishin demokratike por ne thelb bolshevike. Të kujtonte thënien e politikanit gjermanolindor Walter Ulbricht: “Duhet të duken demokratike, por ne duhet të kemi gjithëçka në duart tona”.

    Mendoj se raporti Pushtet “demokratik “ / ish të dënuar politik ishte i intoksikuar me urrejtje deri në atë masë sa ish të burgosurit politikë nuk e gjetën asnjëherë veten realisht dhe natyrshëm të njehsuar në radhët e PDsë dhe as si përfaqësues të së Djathtës politike në të. Paradoksalisht më mendje hapur ndaj të dënuarve të ndërgjegjes qoftë në mbështetjen institucionale financiare ashtu edhe moralisht u tregua forca tjetër politike, PS, nga e cila pritej më pak. Roli përcaktues i udhëheqsit të turmës!!

     Kategoria e ish të burgosurve politikë u urryen kur u burgosën,  urreheshin pas daljes nga burgu dhe në post komunizëm institucionalisht u mbajt e gjallë mungesa e dëshirës për rikonsiderimin e tyre në shoqëri. Shërbimi sekret shtetëror pas viteve 90tëishte një shëmbëlltyrë e shëmtuar e policisë sekrete të E. Hoxhës. Në mënyrën më djallëzore imazhi i kategorisë së të burgosurve të ndërgjegjes u kompromentua dhe u dëmtua rëndë me të gjitha format shantazhuese, dezinformuese, shpifëse, diskredituese etiketuese si bashkëpunëtorë, përzierje të qëllimshme me ish të burgosurit ordinerë, etj, etj. Jo pa qëllim shprehja” i rekrutuar nga sigurimi” i nënkuptonte të gjithë si spiunë të Sigurimit pa u marrë në analizë elementi bazë i rekrutimit, “Tortura”. George Orvvell nënvizon se: “përballë dhimbjes në tortura nuk ka heronj”. Pas rënies së diktaturës, në liri është e lehtë të flasësh dhe të akuzosh. Umberto Echo vinte në dukje:“Nën tortura ju jeni si nën sundimin e atyre ilaçeve që prodhojnë vizione. Gjithçka që keni dëgjuar të tregohet, gjithçka që keni lexuar kthehet në mendjen tuaj, sikur të transportoheni, jo drejt parajsës, por drejt ferrit. Nën tortura ju thoni jo vetëm atë që dëshiron inkuizitori, por edhe atë që imagjinoni se mund ta kënaqë atë, sepse midis jush dhe tij krijohet një lidhje vërtet djallëzore” .

    Çfarë e bën lexuesin që të ndjekë leximin me interes dhe hap pas hapi të filloj që të identifikohet me mëndjen e autorit që e konceptoi dhe e kompozoi këtë libër. Subjekti i shkruar me stil, e drejton vëmëndjen e lexuesit në mënyrë të qëndrueshme. Dhe gjatë leximit ndjen sikur bashkëbisedon me mëndjet e holla të atyre individualiteteve të kohës së kaluar. Sikur edhe vetëm për këtë pasurim shpirtëror të lexuesit ia vlen që të lexohet. Gjuha figurative e kuptueshme, zgjedhja e fjalëve që përputhen me tonin dhe rëndësinë e subjektit të marrë në interpretim, struktura e fjalive të shkurtëra, teknika përshkruese, herë herë alegoria dhe ironia dramatike si shprehje e nënshtresës me deduksione filozofike, në tërësi shija e mirë artistike, krijojnë përmes tekstit “zërin autentik” të autorit, riafirmojnë stilin si vulën e origjinalitetit të tij. Stil letrar që e ka ngritur performancën artistike në nivelin admirues të një krijimi artistik të mirëfilltë që, “hyn” në mëndjen e lexuesit, e zgjeron vetëdijen e tij, e bën të kuptojë konfliktin shoqëror që e ka motivuar autorin. Mendoj se teksti është projektuar dhe inxhinjeruar si një mënyrë edukimi që stimulon te lexuesi vet studimin. Nëse e kaluara ishte një pengesë dhe një barrë, njohja e së kaluarës është emancipimi më i sigurtë. Me këtë libër shkrimtari vendos përballë lexuesit një pasqyrë. Lexuesi shikon në pasqyrë atë çka tashmë ai ka dhe ndjen brenda vetes së vet. Turma mund ta refuzojë e ta thyej pasqyrën. Shkrimtari i drejtohet pjesës së përgjegjëshme të shoqërisë, njerëzve të dijes, të kulturës dhe arteve. I drejtohet Individualiteteve jo Turmës. Jetojmë në sistem demokratik për të cilin Të Diturit na tërheqin vëmendjen se demokracia është një besim patetik në mençurinë kolektive të injorancës individuale. Autori nuk synon që “Ishët” të zëvendësojnë  apo që “të fitojnë” mbi krijimtarinë egzistuese të arteve dhe të kulturës në diktaturë. Qartësisht, vjen me vullnetin që të ftojë lexuesit për të konsideruar “realizmin e dënuar” në një hapsirë shoqërore të vëmendjes dhe eksplorimit reciprok. Ai e ka kapërcyer post komunizmin komunist duke e sfiduar atë, duke refuzuar të heqë dorë nga njerëzorja dhe e vërteta. Dëshmia e  tij për “Realizmin e dënuar”, ka thyer brenda tij mbytjen e dëshpërimit mbi të, duke  mbetur vet  njerëzor. Libri “Kartela të realizmit të dënuar” i shkrimtarit Visar Zhiti është një kujtesë kurajoze e artistit qytetar, protestë e qëndrueshme kundër indiferencës, jo thjesht e bukur por domethënëse në këndvështrimin etik.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË