Historia shqiptare është plot me keqkuptime që si fakte historike janë trashëguar dhe janë rrënjosur në imagjinatën popullore. Kjo së pari nga njëanshmëria në interpretim prej historianëve. Dhe së dyti, letërsia trilluese e bazuar në të vërteta historike shpesh muk ka qënë një histori e mirë ndriçuese, por një copë e thyer e së vërtetës.
Ndryshe nga çdo roman i shkrimtarit I. Kadare që ka në themel një ndodhi historike, elemente mitologjikë, simbolika shpirtërore shqiptare, gojëdhëna e legjenda, që nëpërmjet shkrimit i bën ato pjesë të përvojës njerëzore universale. Me romanin “Dielli në Mërgim” Ani Wilms në mënyrën e saj origjinale këtë bën. Na kujton se nuk jemi thjesht ata që themi se jemi, përkundrazi jemi të përbërë nga shumë pjesë kontradiktore dhe të panjohura. Ndodh të dëgjoj lexues që thonë se, nuk lexoj romane të trilluara. Preferoj të lexoj gjëra që janë të vërteta.
Rrëfimi i fabrikuar ose trillues, i bazuar në të vërteta historike ndodh shpesh të përjetohet keq, sepse kushtëzohet nga kufizimet e talentit të trilluesit. Të shkruash me talent prozë historike kërkon të zotërosh të gjitha teknikat e zakonshme të rrëfimit të mirë imagjinativ të kombinuara me aftësi të mira kërkimore. Veç këtyre aftësive shkrimtarja dëshmon se zotëron edhe të qënit mjaftueshëm empatike për të kuptuar dhe dramatizuar personazhet, jeta e të cilëve shpesh ishte shumë e komplikuar, deri në kufijtë e mbijetesës. Personazhet i shpalos, u jep dëshira, nevoja, të meta, dyshime, preferenca kundëvënëse të imponuara nga atmosfera dhe morali familjar, që personalitetin e çfaqin përmes veprimeve, reagimeve, emocioneve dhe dialogjeve unike, prapaskenave të qarta e nga më të çuditshmet nga jeta reale, përpunimit të ngjarjeve përmes veprimit, mosveprimit ose vetëvlerësimit të qetë. Fuqia e fjalës, ekonomizimi i fjalisë, muzikaliteti i saj, përshkrimi i reagimeve emocionale të karaktereve sipas parimit, “përshkruaj, mos thuaj”, lexuesin e bën që të ndjej, të dëgjojë, të shikoj imazhe dhe të përjetoj të vërtetën e simuluar emocionalisht më të gjallë sesa e vërteta e realitetit të e epokës që eksploron.
Ka aftësinë imagjinative që të mos “u imponohet” karaktereve, nuk ua “grabit” atyre aftësinë për “Vet-hetim, Autogjykim dhe Reflektim”, këto cilësi përcaktuese që nevojiten për tu bërë interesantë. Ndërsa historia vazhdon shtresa të saj shkëputen dhe kalojnë në skanim të hollësishëm. Karakteret sfidohen me konflikte të brendëshme, kriza, rrethana në ndryshim, kthesa të papritura, të cilat i detyrojnë të bëjnë zgjedhje imponuese, të reagojnë duke zbuluar thellësinë arsyetuese, motivimet, vetëdijen e tyre në zhvillim. Vet-hetimi mundëson tek personazhi zbulimin e diçkaje të papritur, si për lexuesin edhe për veten e vet. Domosdoshmërisht karakteret zhvillohen e rriten mendërisht jo sipas dëshirës së autorit, të kushtëzuara nga zgjedhjet që bëjnë, pavarësisht se disa i pëlqejnë këto zgjedhje e disa të tjerë jo. Rritja nuk ndodh si transformim i menjëhershëm por, si një akumulim gradual kuptimor. Kalendari historik i ndodhive ofron evoluimin e tyre, ndërsa reagimi i personazheve ndaj atyre ngjarjeve përcakton zhvillimin dhe rritjen e tyre. Si përpara një pasqyre lexuesi zhytet emocionalisht, ndalet dhe “bisedon” ose, i flet vetes si pjesë e rëndësishme e intrigës së personazheve. Skenat janë shumë realiste, të japin ndjesinë e ndodhjes përpara një zbulimi: Personazhet së pari e lexuesi pas tyre e rikonceptojnë veten për mirë ose për keq, duam s’duam bashkëmoshatarët që zgjedhim ndikojnë ndjeshëm për të zbuluar personin që bëhemi në të ardhmen. Ashtu si në të vërtetë në jetë ndodh dhe janë.
Mëndja e lexuesit vihet nën presion sepse katalizatori i intrigës, tensioni i ndryshimit dhe rritjes funksionon.
Personazhet nuk i çfajëson nga përgjegjësia, është e pamëshirshme me ta. U kujton se ekziston një ligj mizor por i drejtë i jetës, që thotë se duhet të ndryshojmë. Përndryshe duke mbetur të njëjtët do të paguajmë një kosto gjithnjë në rritje. Do të përsëritim historinë për mirë ose për keq. Shkrimtarja i qëndron besnik “zemrës” së historisë.
Ka kombinuar dhe ruajtur me sukses ritmin historik të ngjarjeve të jetës reale me ritmin e kohës së strukturës artistike. Krahas skrupulozitetit historik, produkti kreativ artistik është një dritare ose udhëtim i thellë emocional i të kuptuarit, të rritjes mendërisht dhe empatisë. Më përforcon bindjen e krijuar nga letërsia e madhe se, një shkrimtar/e i përmbahet një koncepti qëndror të shkencave humane, interpretimit të saktë të historisë. Një nga personazhet pyet: përse britanikët bombardojnë barakat gjermane në Tiranë, por jo hekurudhën gjermane që çon trenat në Aushvic? Të njëjtën pyetje u bëri Presidenti Truman këshilltarve të ish Presidentit Roosvelt, kur pas vdekjes së tij u ndodh përpara hartës me flamuj e shënja orientuese të linjave hekurudhore që drejtoheshin për në kampet e çfarosjes së ebrejve. Pse, Churchill-i dhe Roosvelt-i nuk bombardonin linjat hekurudhore që i shpinin fatkeqët në dhomat e gazit? Cilat ishin ato qëllime gjeo-politike dhe elektorale që i shtynin ata të mbyllnin sytë përballë një kasaphane humanitare mbi ebrejtë? Saktësia historike në një roman të trilluar është thelbësore për autenticitetin dhe besueshmërinë e fakteve që janë të verifikueshme për ngjarje dhe njerëz real. Historia në roman na tregon kush ne jemi dhe pse jemi ashtu siç jemi.! Shkrimtarja si mjaft të tjerë nuk e ka “sakrifikuar” të vërtetën historike, nuk është bërë aleate me të keqen,. Angazhimi i lexuesit me situata emocionalisht intensive në një kontekst vërtetësie të sigurt, ofrojnë çlirim emocional për lexuesin. Nxit efektin katarsis mbi të.
Dy janë karakteret rreth të cilëve lëvizin e pleksen gjithë të tjerët, Jozefi njeri real, i biri i Rafaelit, dhe Profesori Quandt, (Doktor Q) mentori, krijesë e imagjinatës së shkrimtares. Interesi i tij për mendjen dhe sjelljen njerëzore shtrihet në të gjithë spektrin e psikologjisë, duke përfshirë temat që tani i quajmë biopsikologji dhe psikologji sociale, të menduarit dhe inteligjencën, motivimin dhe emocionin, arsyen kundrejt intuitës. Është fakt historik se, në historinë e njerëzimit ebrejtë filozofikisht kanë shërbyer si pasqyrë e popujve. Në vitet e L2B populli shqiptar kaloi testin ose provën morale të ebrejve.
Mënyra se si një shoqëri e trajtonte popullsinë e saj ebraike shërbente si gur prove vlerash për atë shoqëri. Nga ky këndvështrim antisemitizmi, zbulonte shumë më tepër paragjykimet dhe të metat e kombit pritës, sesa të natyrës së brendshme të vetë popullit ebre. Në europën mesjetare të krishterë, “Pasqyra” si metaforë kulturore i portretizonte ebrejtë me tipare demoniake, si personifikim i frikërave të shoqërive të tyre nga korrupsioni moral dhe dështimet fetare. Ata ishin “pasqyra e errët”, ku ebreu përcaktohej si”një tjetër”. Kur shoqëria e ngurtë antisemite “krijon ebreun”, ajo shpik një figurë të lig, përgjegjëse për të shpjeguar e shkarkuar të gjitha dështimet, krizën e brendëshme identitare dhe problemet e veta shoqërore.
Antisemiti shpesh ndihet mediokër ose i kërcënuar shoqërisht. Duke “krijuar” një të huaj të lig, ai automatikisht e distancon,“e ngre veten”. Ndalon të menduarit për Uni-n e tij, nuk ka më nevojë të kërkojë të vërtetën brenda tij, ka një siguri të papendesë, të patundur në urrejtjen që mbart e ushqen.
Profesori Quandt ka një dilemë dhe pyet: Pse ndihem komfort në këtë vënd, si shpjegohet fakti që shqiptarët nuk e njihnin antisemitizmin? Mendon se ka një bërthamë shumë të qëndrueshme brenda këtij kombi, i cili ka njohur nëpër shekuj plot vuajtje, skllavëri dhe humbje. Si shpjegohet thënia në atë kohë lufte se, po të kaloje kufirin shqiptar ishe i shpëtuar? Profesori Quandt mendonte se kishte diçka më të thellë, përtej “Besa, Fjala e dhënë” bazuar në Kanun. Bazohej në faktin historik se, shqiptarët e boshnjakët janë të vetmit popuj të islamizuar në Ballkan, çka i bën armiq të fqinjëve të tyre të krishterë. “Pasardhësit e Skënderbeut që e shpëtoi botën e krishterë nga pushtimi islam, sot janë tradhëtarë të krishtërimit në sytë e popujve të krishterë”. “Popujt e tyre fqinj shpesh flasin keq për shqiptarët, i quajnë primitivë që flenë mbi dyshekë kashte dhe mbulojnë gratë me çarçaf. Por këta popuj fqinj kinse të qytetëruar po më linin të vdisja, ndërsa populli kinse arkaik më shpëtoi jetën”, thotë një vajzë ebreje me flokë të zeza e vështrim të menduar. Fakt është se emocionet kanë formësuar realitetin përkatës të këtyre popujve. Janë si dy njerës që kalojnë nëpër të njëjtën ngjarje, por i rregullojnë përgjigjet e tyre emocionale krejt ndryshe. Ata nuk jetojnë më në të njëjtin realitet. Historia tashmë ka gjetur fajtorin. Edhe nëse ebreu nuk do të ekzistonte, antisemiti do ta shpikte atë. Instiktivisht antisemiti apo antishqiptari e projektojnë fajin jashtë vetes. Edhe nëse “Shqiptari i keq” nuk do egzistonte, fqinjët do e shpiknin. Kërkonin me çdo kusht cjapin fajshlyes,valvulën shkarkuese të stuhive emocionale, dështimeve, komplekseve të inferioritetit, mediokritetit, krizave të brendëshme identitare dhe problemeve të tjera shoqërore. Në këtë rezultat shkencor shumëvjeçar kish arritur Doktor Q. “I ra si pikë në zemër, ebrejtë dhe shqiptarët kishin fatin të ishin dy popuj scapegoat, viktima fajshlyese”. E ndihmon lexuesin të mendojë në mënyrë kritike për të kaluarën historike, e përgatit që të jetë po aq kritkë edhe ndaj të tashmes. Historia nuk fal. Nuk mund të kesh sukses duke fajësuar gjithmonë të tjerët për gabimet ose zgjedhjet e tua të gabuara. Çdonjëri duhet dhe është përgjegjës për veprimet dhe mosveprimet e veta.
Mendoj se autorja brenda një realiteti historik shumë kompleks ka evidentuar përvoja njerëzore të vërteta, që ndihen akoma “më të vërteta” në një nivel të thellë emocional. Të vërteta të shqyrtuara shumë më qartë sesa e lejon natyra e rrëmujshme dhe, qëllimshëm keqinterpretuese e jetës reale. Ka të paktën një shekull që lënda historike ka qënë aty, në mëndjet, bisedat, dhe përvojat mes shqiptarve. Pse mendoj se teksti është i shumë mirë trilluar ose shumë mirë fabrikuar? Sepse autorja me stilin e saj unik, nëpërmjet unifikimit të intutitës së mprehtë kreative me përvojat letrare të akumuluara e ka ngritur historinë në një vlerë estetike mbresëlënëse.
Mendoj se kjo prozë natyrshëm është e denjë për një reagim interpretues. Shkrimtarët e të gjitha niveleve ankohen për mungesën e kritikës serioze. Mendoj se kanë rastin të mos heshtin.


