More
    KreuLetërsiShënime mbi libraMimoza Hasani Pllana: Ndriçime mbi tregimet e Thoma Kacorit

    Mimoza Hasani Pllana: Ndriçime mbi tregimet e Thoma Kacorit

    Në koloninë dhe komunitetin shqiptar të Sofjes, Thoma Kacori shquhet si kultivuesi më i njohur i prozës (tregime dhe roman) shqipe. Tregimet janë zhanri më voluminoz i krijimtarisë së tij i shkruar për një gjysmë shekulli dhe i përmbledhur në katër libra: Jetë me brenga (1957), Ditë që s’harrohen (1958), Tregime të Jugut (1971), Tregime të moçme shqiptare (2005).

    Tregimet e Kacorit janë të realizuara në forma të shkurtra, me tema nga realiteti shqiptar i pjesës jugore të Shqipërisë dhe realiteti shqiptar në Bullgari, përfshirë kryeqytetin Sofje dhe vendbanimet shqiptare, fshatrat e njohura Mandrica dhe Arbanasi. Gjuha tregimtare është një mjet promovues i traditës shqiptare në Ballkan, por edhe një mjet me efekt emocional te lexuesi vendës dhe i huaj. Tregimet karakterizohen nga ngjarjet dinamike të zhvilluara brenda disa ditësh dhe personazhet aktive të vëna në funksion të dinamikës së jetës brenda tregimit. Personazhet funksionojnë për të prezantuar tema nacionale, përfshirë të kaluarën historike të shqiptarëve dhe kryesisht tema sociale, si jeta e përditshme në fshatrat dhe qytet shqiptare, tradita, zakonet, gjendjet ekonomike, pabarazitë gjinore, arsimi jo i mjaftueshëm i gruas shqiptare. Pastaj shtohen çështje për kodet morale, si ndershmëria, bujaria, hakmarrja e besa shqiptare, që mund të konsiderohen si motivet që ndriçojnë identitetin shqiptar në Ballkan përmes tregimeve të prozatorit shqiptar në Sofje, Thoma Kacori.

    Përmbledhja Tregime të Jugut jep shenja personale që në titull, duke bërë me dije saktësisht se rrëfimet i përkasin regjionit të vendlindjes së vet, Jugut të Shqipërisë. Ndaj edhe temat e tregimeve janë të lidhura me të mirën-të keqen, jetën-vdekjen, besnikërinë-tradhtinë, dashurinë, të bukurën dhe familjen në atdheun e shkrimtarit. 

    Tregimet e Jugut

    Tregimet e Jugut (1971) është një përmbledhje me tregime të shkurtra me temë qendrore jetën shqiptare në Jugun e Shqipërisë. Titulli Tregimet e Jugut përcakton se elementet themelore të tregimeve, siç janë tema, personazhet, ngjarja dhe gjuha tregimtare, gjeografikisht dhe kulturalisht u përkasin vendbanimeve shqiptare të Jugut, zonës në të cilën u lind dhe kaloi vitet e fëmijërisë shkrimtari Thoma Kacori. Specifikisht shenjat kulturore të regjionit nisin e dalin në secilin titull tregimi, si: Kau, Dordoleci, Shpresa e lakrave, Guri Ulkonja, Maroja i le shëndet fshatit, Kanira, Republika e babai, Cfrati, Etje për tokë, Pramatari, Zisua e hoqi këmbën zvarrë, Nëna, Brenga djaloshare, Brenga pranverore, Pandoja, Kontrata, Traktatet, Statuja e magjistarit, Dy beteja, Mitreja dhe i biri, Nuse e bukur, Hakmarrje.

    Njëzet e dy tregimet e përmbledhjes janë të ndërtuara me tema, ngjarje dhe personazhe tipike të kulturës shqiptare. Ndonëse tregimet janë shkruar në mjedise bullgare, autori mban afër lidhjen kulturore me Shqipërinë, ndaj, përveç përfshirjes së kulturës shqiptare në secilin tregim, kujdeset që libri të botohet edhe në Prishtinë.

    Tregimet janë të realizuara si me një frymë. Secili realizim përshkohet si një rrahje zemre si rezultat i lidhjes kronologjike të ngjarjeve dhe zgjidhjes së konfliktit. Në çdo tregim dallohet harmonizimi i ngjarjes me mjedisin, me zhvillimin e intrigës për krijimin e komplotit dhe zgjidhjen e konfliktit brenda një kohe të shkurtër, siç e përcakton teoria e zhanrit prozaik.

    Komploti

    Në këtë përmbledhje veçohet mënyra si autori me rrëfimin e ngjarjeve krijon komplotin. Në vazhdim shkëpusim një fragment nga tregimi Hakmarrje[1] kur komploti zhvillohet në sekuenca të shkurtra kohore si lidhje shkak-pasojë:

    Limbia vinte pakëz e gjatë, por nuk ishte e hollë. Vetëm fytyrën e kishte të hequr e të munduar, por kjo i jepte hijeshi edhe më të madhe. S’kishte djalë në fshat të mos e pëlqente. Disa e kishin kërkuar edhe për nuse. Por Sofa priste të zgjidhte. Donte t’i jepte burrë hem të pasur, hem të mirë. Më në fund, e zuri çupën me Vasilin e Laçollarëve. Derë e dëgjuar në fshat.

    Vasili ishte djalë i pashëm, por çapkën i madh. Këtë e dinin të gjithë, por asnjë nuk pandehte që edhe pas fejesës të vazhdonte si më parë. Dhe me të vërtetë për ca kohë ndenji urtë. Kur shkonte rrugës, nuk u fliste çupave të botës, sikur i kishte harruar romuzet dhe shakatë e mëparshme.

    Kur e shikonte njerëzia, mblidhte buzët dhe tundte kryet. Çuditeshin me të, se ndryshoi përnjëherësh si nata me ditën. Nuk shikonin të vinte gjetkë përveçse në shtëpi të Sofës. Dhe fliste e shëtiste vetëm me Limbinë.

    Por, një mbrëmje, papritur e papandehur, Vasili gjeti në krua Marigonë që kishte dashur aq shumë dhe s’iu durua dot, ktheu kokën një herë poshtë, një herë përpjetë dhe si e pa që ishin vetëm filli, e mbërtheu me të dyja duart çupën e botës dhe e puthi. 

    Marigoja u tremb dhe klithi sa mundi.

    Vasili, në vend që ta lëshonte, vazhdonte ta puthte e ta trazonte.

    Sofa u hodh në kopsht, zgjati kokën nga çezma, po ç’të shohë. Vasili, i fejuari i Limbisë, po kacafytej me Marigonë.

    U mblodhën në krua sakaq burra e gra. Ca qeshnin, ca talleshin. Marigoja qante. Vasili rrinte kokëvarur mënjanë.

    Cen më të madh as që mund të kishte si për çupën, ashtu edhe për djalin. Çështja vajti gjer në gjyq. I këshilluan të martohen. Vasili këtë sikur priste dhe u martua me Marigonë.

    Limbia mbeti për turp të dynjasë në derë të s’ëmës.

    Veprimet e kryera nga Vasili prekin kodet morale të jetës shoqërore në fshat: 1. humbja e nderit për Marigonë dhe 2. braktisja e pabazë dhe zhvlerësimi për Limbinë. Në të dyja situatat, turpi bie mbi gratë, Marigonë dhe Limbinë. Thyerja e kodeve morale për të dyja familjet tradicionale është e mjaftueshme për të çuar më tej intrigën në tregim. Në rastin e parë intriga zgjidhet me martesën e Vasilit me Marigonë, ndërsa në rastin e dytë krijohen kushtet për një komplot të ri, hakmarrjen e Sofës ndaj burrit që ia turpëroi botërisht të bijën.

    I vetëdijshëm për ndeshjet kulturore ndërbrezore, rrëfimi i Kacorit shkon drejt zgjidhjes së problemeve në favor të gjeneratave që tentojnë të shkëputen nga kodet tradicionale të jetës në fshat. Kjo tendencë bëhet e dukshme në situatat e marrëdhënies ndërmjet nënës dhe të birit, që prishin modelin tradicional të komunikimit dhe veprimit. Djali tradicional në traditën familjare të kohës, jo gjithmonë është “i nënshtruari” i zakonit, kodit shoqëror e presionit psikologjik të krijuar nga nëna autoritare si “pronare” e ruajtjes së moralit familjar.

    Limbia, vajza e Sofës, motra e Vanit, është braktisur nga i fejuari Vasili në prag të martesës. Prishja e fejesës nuk ka ndodhur për shkaqe që lejonte tradita. Ndaj, si pasojë e kësaj historie, nëna Sofë detyrohet të gjejë një burrë për vajzën dhjetëra fshatra larg, meqë në fshatin e saj të gjithë ishin të turpëruar për atë çfarë kishte ndodhur dhe askush nuk pranon Limbinë për grua.  

    U radhitën pastaj javë, muaj, po Limbinë e Sofës asnjeri nuk e kërkonte më. E shkreta grua, tani qe kail t’ia jepte kujtdo, edhe më të humburit, por djemtë e fshatit nuk e bënin kabull të marrin çupë të lënë. Më në fund, mezi e martuan me miq te një çoban mali dhe një ditë Limbia u zhduk nga fshati.

    Si pasojë e kësaj situate, Sofa nuk harron hakmarrjen:

    – Ajo që na e bëri ay qëni i Laçollarëve, s’më del nga mëndja! Turpi i tij as që do të na lahet! 

    Vani heshtte. Nuk i kthente fjalë s’ëmës, po rrinte i menduar.

    Në një situatë të tillë, Vani duhet të zgjedhë të vazhdojë traditën e hakmarrjes ose të këpusë zinxhirin e saj. Situata tensionohet nga këmbëngulësia e Sofës.

    – Ay që na prishi shtëpinë! Turp, turp! Çupën na e syrgjynosi prapa diellit! Tani ty të bie barra të vësh nderin në vënd. Bëju edhe ti një çikë si ata qëmoti! Haku është hak dhe do marrë!

    Djali shtrëngonte dhëmbët, ulte kokën, dukej që një dhemkë e mundonte përbrenda.

    Pas situatave të përsëritura Vani lëviz përpara sipas këshillave të nënës. Ndërton planin e hakmarrjes, që e nis me vëzhgimin e ish-dhëndrit, Vasilit. Duke vëzhguar Vasilin, për të çuar në fund përgjigjen për çnderimin e motrës, bie në dashuri me Mitron, motrën e Vasilit. Lajmi për këtë dashuri merr dhenë, por nëna Sofa nuk e beson, gjersa një ditë e konfirmon se dashuria mes tyre ishte e vërtetë. Konflikti u thellua jo vetëm me lindjen e dashurisë mes dy të rinjve të familjeve hasmëtare, por edhe me këmbëngulësinë e nënës për prishjen e lidhjes dhe këmbëngulësinë për marrjen e hakut të motrës.

    – Po s’vajte tani t’ia marrësh hakun atij qënit, nuk je më djali im! Nuk je më djali im! Të ikësh që këtu dhe mos të të shoh më përpara syve. Dëgjon, apo jo? Uh! Uh! –  thërriste ajo duke tundur kokën.

    – Dale të mirremi vesh! – ia bënte Vani.

    Po Sofa u fut në qilar duke u sulur dhe doli pas një çike që andej me një latë në dorë.

    – Na, merre dhe po s’ia bëre kokën çeçe të mos vish në shtëpi.

    Vani niset për të përmbushur misionin e shumëpërfolur, për të mbrojtur nderin e motrës dhe familjes.

    Vani rrëmbeu latën dhe doli përjashta.

    Ishte ndaj të ngrysur. Kupa e qiellit po mbushej me roje-roje yj. Fshati gumëzhinte akoma nga zërat e njerëzve dhe blegërimat e bagëtive. Aty-këtu mbyllej ndonjë portë. Errësira po binte dalëngadalë si me përtim.

    Vani ecte prapa shtëpive dhe hijeve. Asnjeri nuk e vuri re të birin e Sofës, kur u gjend përpara shtëpisë së Laçollarëve me latën në dorë.

    Në çastin kur afrohet pranë shtëpisë së ish-dhëndrit ku jetonte edhe e dashura e Vanit, rrëfimi merr një kah të ri dhe të papritur. Ndërhyrja e narratorit, përveçse prish rendin e zhvillimit të rrëfimit duke i dhënë një kthesë të kundërt rrugës së përfundimit, jep edhe një mesazh të fuqishëm lidhur me shkëputjen e brezit të ri nga tradita e dëmshme e konfliktuoze dhe interesimin e tyre drejt së ardhmes pa konflikte. Djemtë e rinj këpusin hallkën e zinxhirit se burrat e familjes duhet të marrin hak sa herë që preket nderi i saj dhe të hyjnë në konflikte ndërfamiljare:

    Mitoja në këtë hop kishte hapur kanatat e dritares dhe po dëgjonte zhurmën që po bëhej përposh te soba e tyre. …Një e vërshëllyer e lehtë e shtyri të ngrejë kryet. Kur pa Vanin me latë me dorë, u lebetit fare. Që poshtë ai i bënte shenjë me dorë për të dalë. Ajo i tundi dy-tri herë kokën për t’u larguar. Por as që luante vendi. Pa ç’pa Mitroja dhe kërceu nga dritarja.

    Në mes të rrugës të dy të rinjtë u pushtuan me afsh. Kishin më tepër se dy javë që nuk ishin parë. Pastaj këmbyen me nxitim dy-tri fjalë. Dhe në vend të ndahen, si gjithnjë, morën udhën e Korçës. Si dolën nga fshati e u larguan, Vani e hodhi latën para ca ferrave.

    Përballja me një sërë ngjarjesh dramatike të personazhit femër, Kanira, si rrjedhojë e një kulture dhe ideologjie patriarkale, ndodh edhe në tregimin tragjik titulluar sipas emrit të protagonistes, Kanira.[2] Ideologjia patriarkale dhe mënyra konservatore e jetesës në fshatin ku zhvillohet ngjarja e çojnë Kanirën në çmenduri. Në një fshat në jug të Shqipërisë, Kanira jeton e lumtur me bashkëshortin e saj Dulen dhe dy fëmijët e vegjël, Shegën tre vjeç dhe Metin dy vjeç. Dulja dhe Kanira ishin një çift i dashuruar, që u admiruan nga i gjithë fshati. Dashuria e tyre është një lajtmotiv që ndez një alarm, duke ngjallur ankth për vazhdimin e asaj historie të dashurisë familjare: burrë, grua e fëmijë.

    Për ta nuk kishte gëzim më të madh sesa të rrinin pranë njëri-tjetrit dhe të harroheshin pas fjalëve që këmbenin pa ndier kohën dhe gjërat që i rrethonin. Me këtë rrëfim nis tregimi ku fillimisht janë dy personazhe: burri/ Dulja dhe gruaja/ Kanira. Rrëfimi zhvillohet në një kohë të shkurtër, në një vend të vetëm, në një fshat të varfër.

    Elemente nga jeta e vështirë rurale përgjithësisht identifikojnë jetën e varfër që bëhej në Shqipëri. Varfëria e mbijetesa janë motive të përsëritura në tregimet e Kacorit, ndërsa ekstremisht janë të pranishme tek tregimi në fjalë.

    Kanira u kishte bërë natën një byrek dhe në mëngjes herët i përcolli burrat gjer te çezma. Kur u ndanë, ajo i tha të shoqit:

    – Ruaju, Dule, mos pritesh!

    – Mos ki qeder, – iu përgjigj ai, – nuk vete për herë të parë për dru!

    Megjithëkëtë, Kanira atë ditë nuk ishte e qetë. Bënte ç’bënte dhe dilte te dera, hidhte sytë nga mali dhe vështronte se mos ktheheshin burrat, por rruga gjarpëronte nëpër të përpjeta e të tatëpjeta dhe nuk dukej gjë. Shqetësimi i saj u shtua edhe më tepër kur u ngrys dhe burrat nuk po dukeshin…

    Nuk kaloi shumë kohë dhe një e trokitur u dëgjua në portë. Gratë u derdhën përjashta të hapnin derën. Por ç’të shohin. Sekoja (vëllai i Dules), në vend të trarëve, kishte sjellë Dulen e vdekur.

    Një situatë dramatike si kjo domosdoshmërisht kërkon përfshirjen empatike të lexuesit, zhvillon ndjeshmërinë ndaj gjendjes së tyre të vështirë, përmes një personi imagjinar – Kanirës dhe një historie letrare – historia e dashurisë dhe jetës familjare Dule-Kanira që imiton një realitet.

    Kanirës, kur e pa, i ra të fikët. Hafizeja mezi e shpuri gjer brenda. E la te soba dhe e lebetitur u kthye t’i ndihmojë të shoqit për të ngritur të kunatin. Kur erdhi Kanira në vete, ishte si e shastisur. Dulen e kishin shtruar në një dyshek mënjanë dhe pranë tij rrinin Sekoja me Hafizenë dhe ca plaka të mëhallës. Kanira s’dinte ç’të bënte. Vdekja e papritur e Dules e kishte tronditur aq shumë, saqë, megjithëse kishte ardhur në vete, mendimet nuk i kishte të qarta. I dukej sikur ishte në ndonjë ëndërr të ligë dhe rrinte si e mpirë nga frika.

    Efekti i vdekjes së një personazhi siç ishte Dulja dhe goditja e Kanirës nga përshkrimi kuptimplotë i skenës së vdekjes vazhdon e mban lexuesin pranë personazhit duke mos e lënë ta braktisë atë pa ecur mbi zhvillimet e tjera të goditura nga vdekja deri diku e parashikueshme e Dules. Vdekja e personazhit tek tregimi Kanira është fundi i një historie të dhembshme familjare dhe fillimi i një rrëfimi të ri të përfshirë nga ideologjia patriarkale. Rrëfimi vazhdon në mënyrë kronologjike, tani rreth Kanirës dhe patriarkut. Zbardhja e patriarkut del të jetë arsyeja pse shkrimtari vendosi të vrasë protagonistin e tij në një mënyrë aksidentale gjatë një lufte për mbijetesë sociale. Në këtë rast, personazhi vdes dhe nga vdekja e tij autori arrin në pikën që të mbajë pezull lexuesin, derisa secili të gjejë një pjesë të vetën brenda tregimit dhe madje të ndiejë pikëllim. Pas vdekjes së Dules dhe përhumbjes së Kanirës, pjesa tjetër e tregimit  rrjedh si një epilog për atë që ka ndodhur.

    Lajmi i vdekjes së Dules u përhap në fshat si vetëtimë. Sekoja u dërgoi fjalë edhe krushqve në Qatrom për mandatën e zezë.

    Tërë fshati ishte si në ethe. Të gjithëve u vinte keq për Dulen që shkoi i ri, por edhe më tepër mendonin për Kanirën që mbeti e ve kaq e vogël. Përveç kësaj, sipas zakonit, vëllezërit do ta merrnin prapë në shtëpi dhe do ta martonin me ndonjë tjetër, kurse fëmijët do t’ia linin Sekos, se ishin nga gjaku i Dules.

    Shtëpia e Sekos u mbush plot njerëz. Fshatarët vinin ta ngushëllonin për vdekjen e papritur të të vëllait.

    – Ç’të mirë më doni ju! Doni të më ndani nga shtëpia ime, nga fëmijët! Jo! Nuk vij!

    Rrëmbeu fëmijët dhe u mbyll në dhomën tjetër.

    Aty ajo i pushtoi me të dyja duart në gji dhe me vete thoshte: “Jo, unë më mirë vdes, sesa të ndahem nga ju!”

    Vëllezërit e Kanirës nuk u nisën edhe atë ditë. Të nesërmen në mëngjes ata hoqën mënjanë Sekon dhe i thanë atij të vente t’i mbushte mendjen së kunatës, se ata në asnjë mënyrë nuk do të niseshin pa të motrën, të prishnin zakonin e vendit.

    Sekoja ishte burrë i mençur dhe i matur. Ai u përgjigj:

    Ju me të vërtetë tani e keni merakun e Kanirës, por unë them ta lini edhe pak këtu, sa të qetësohet, pastaj bëni si të doni.

    – Jo, – tha vëllai i madh, – hekuri duhet rrahur sa është i nxehtë!

    – Bëni si të doni, – tha prapë Sekoja dhe shtoi: – Unë fëmijët e Dules i kam si të mitë dhe ku pesë lugë dhe dy lugë më tepër nuk prishin punë.

    Kanira e gdhiu natën atje ku kishte rënë me fëmijët. Dukej sikur mendonte, por në të vërtetë mendjen e kishte të humbur dhe mendimet nuk i përqendronte dot si më parë. Përpiqej të kujtonte të atin, të ëmën, Dulen, por të gjithë i dilnin si në mjegull dhe nuk ishte në gjendje t’i dallonte njërin nga tjetri. Tërë natën nuk i mbylli dot sytë.

    Kur hyri Sekoja për të folur me të, mbeti si i ngrirë në këmbë. Ajo shikonte me sy të çakërritur e të turbullt. Leshrat nuk i kishte ndrequr fare dhe i binin të shpërndara nëpër supe. Rrobat i kishte të shkopsitura.

    – Kanirë, – i tha ai me ngadalë, – krushku i madh më tha të të them edhe unë nga ana ime të bëhesh gati që të shkosh me ta, se ata pa ty nuk do të nisen.

    Kanira u zbyth prapa e trembur, zuri piqinjtë me dorë dhe as fliste, as kuvendonte.

    – Kanirë, – ia bëri prapë Sekoja, – krushku i madh…

    Kanira nuk e la të mbaronte fjalën, por klithi:

    – Jo! Jo! – dhe u mbyt në ngashërime.

    Nga zëri i saj pllakosën te dhoma e Dules Hafizja, ca që ishin akoma aty dhe vëllezërit e Kanirës. Por të gjithë qëndruan të tromaksur prapa derës.

    Kanira kishte marrë në dorë një misur të madhe dhe po e përkëdhelte. Disa fjalë i merreshin vesh, disa jo, se i përtypte nëpër dhëmbë dhe nuk dëgjoheshin fare.

    – Dule… dhe tani… ne prapë do të dalim nga selishtat. Lëri ti ata të flasin… Le të thonë ç’të duan… Unë tani jam mbretëreshë… Unë tani jam mbretëreshë… – përsëriste ajo.

    Gratë iu derdhën për ta qetësuar. Po ajo nuk i qaste pranë. Sekoja dhe të vëllezërit e saj s’dinin se ç’të bënin dhe dolën jashtë.

    Pasdreke të vëllezërit e Kanirës u nisën për në Qatrom. Bashkë me ta ishte edhe e motra e tyre. Kur dolën te dera e madhe, fëmijët e Kanirës qanin, po Shega i shpëtoi nga duart Hafizesë dhe u turr nga kali i s’ëmës duke thërritur:

    –  Nënockë! Nënockë! Merrmë dhe mua!

    Po Kanira as që e dëgjoi, atë e kishin mbështjellë në një gunë të madhe dhe çajkën ia kishin lëshuar gjer përmbi sytë. Përveç kësaj, i vëllai i madh e mbante për krahu që të mos binte.

    Hafizeja mezi mblodhi Shegën brenda. Meti qante edhe ai, por ishte i vogël dhe s’kuptonte. Kurse fshatarët, me t’i parë të vëllezërit e Kanirës me të motrën, fshiheshin prapa portave se nuk duronin dot lotët.

    Tërë fshati qau atë ditë.

    Çështjet sociale të veprës së Kacorit për lexuesin ballkanik sjellin jetën fshatare të Shqipërisë në një variacion real të kohës së izolimit, varfërisë së skajshme dhe pabarazisë gjinore.

    Tregime të Jugut përgjithësisht shpërfaqin tema mbi kulturën dhe zakonet e shqiptarëve përmes jetës së jugorëve të cilat trajtohen nga disa perspektiva dhe kryesisht mbi karakteristika të dukshme që ndajnë nivelin e shoqërisë në tradicionale dhe shoqëri me elemente përparimtare, moderne. Temat e tregimeve të shkurtra të Jugut janë zgjerim i ideve themelore në funksion të promovimit të kulturës dhe traditës shqiptare te lexuesi i huaj. Prandaj, vepra përshkohet nga temat lokale, si hakmarrja, kokëfortësia, morali dhe sigurisht temat universale, dashuria dhe vdekja. 


    [1]  Thoma Kacori, Tregime të Jugut, Rilindja, Prishtinë, 1971, f. 160.

    [2]  Po aty, f. 43.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË