More
    KreuOpinionMimoza Hasani Pllana: Do të doja që këtë ditë të përuronim shtatoren...

    Mimoza Hasani Pllana: Do të doja që këtë ditë të përuronim shtatoren e shkrimtarit dhe nobelistit Elie Wiesel

    27 janari, Dita Ndërkombëtare Përkujtimore e Holokaustit, shënohet për të përkujtuar 6 milionë hebrenjtë e vrarë nga regjimi nazist dhe bashkëpunëtorët e tij. Këtë datë sivjet e shënojmë duke kujtuar dhe duke nderuar mikun e shqiptarëve, shkrimtarin, aktivistin për të drejtat e njeriut, aktivistin politik, nobelistin dhe të mbijetuarin e Holokaustit, z. Elie Wiesel.  

    Nobelisti Elie Wieselështë luftëtari i indiferencës, shenjë e fatit të përbashkët shqiptaro-hebre.Lidhja e fatit të shqiptarëve dhe hebrenjve është shumëdimensionale, nuk është vetëm dëshira për të jetuar në liri dhe të pavarur, por edhe ndjenja e empatisë për të ndihmuar njerëzit e vuajtur. Siç dihet, roli i shqiptarëve për t’i shpëtuar hebrenjtë nga tmerret e Holokaustit është i njohur botërisht. Kosova ishte bërë strehë e hebrenjve dhe rrugë kalimi për në Shqipëri, e cila u bë një prej vendeve të rralla ku hebrenjtë u strehuan dhe gjetën shpëtim asokohe. Familjet shqiptare, me bujari dhe fisnikëri iu dhanë Besën hebrenjve për t`i shpëtuar, edhe pse rrezikohej jeta e tyre. Në Kosovë janë të njohura dy familje të mëdha që hapën zemrat për familjet hebreje, familja Rezniqi nga Prishtina dhe familja Sharri nga Prizreni. Të dyja këto familje janë dekoruar nga Izraeli për shpëtimin e hebrenjve në Kosovë.

    Fati ynë lidhet me fatin e hebrenjve edhe në historinë e re, atë të fundit të viteve `90 të shekullit XX, kur një Holokaust i ngjashëm kishte ndodhur në zemër të Europës, në Kosovë. Në vitet 1998-1999, brutalisht e tmerrësisht, njësitë ushtarake dhe paramilitare serbe kishin ringjallur përvojat e njerëzimit të provuara gjatë Luftës së Dytë Botërore me rastin e shfarosjes së rreth gjashtë milionë hebrenjve nga nazistët. Qëllimet serbe ishin të ngjashme – vdekje, shkatërrim i pronës dhe deportime masive, me një fjalë asgjësim i shqiptarëve të Kosovës.

    Pikërisht në këto ditë, në krahun tonë doli të jetë i mbijetuari i tmerrit më të madh që njeh njerëzimi, i mbijetuari i Holokaustit, aktivist i të drejtave të njeriut, autor i më shumë se dyzet librave, laureat i çmimit Nobel, z. Elie Wiesel.

     Sytë tanë shkëlqyen, shpresat u ngjallën, kur një mik i Kosovës, një aktivist botëror për paqe, një shkrimtar, autobiografitë e të cilit janë prej dëshmive më të fuqishme letrare për gjenocidin e përjetuar nga populli hebre gjatë Luftës së Dytë Botërore, “qortoi” Perëndimin se “ishte vonuar me rastin e Kosovës, duke thënë se në rastet e tilla, çfarë ishte ky i Kosovës, kur të drejtat e njeriut shkelen në mënyrë brutale dhe masovike, reagimi i Bashkësisë Ndërkombëtare duhet të jetë i menjëhershëm”.Në kulmin e luftës në Kosovë, në qershor 1999, Elie Wiesel ishte caktuar i dërguar i veçantë i Presidentit Klinton për t’i vizituar refugjatët kosovarë në Maqedoni dhe Shqipëri. Në këtë kohë, para shumë mediash kombëtare e ndërkombëtare, si CNN, BBC, CBC e SKY, ai kishte thënë se refugjatët kosovarë dhe dëshmitë e tyre e prekën shumë dhe se “këto dëshmi janë çnjerëzore, janë kriminale”. Ndërsa në një takim me të mbijetuarit e Holokaustit, Wiesel kishte thënë: “Ne duhet të dalim në mbrojtje të viktimave e të pambrojturve … nuk mund t’i lejojnë njerëzit si Millosheviçi të vazhdojnë të vrasin burra, gra dhe fëmijë shqiptarë.” Gjendja jonë e atëhershme i kujtoi atij fëmijërinë e përvuajtshme, andaj dua të veçoj edhe një moment që lidhet me fatin e fëmijërisë së nobelstit Wiesel dhe me fatin e fëmijëve shqiptarë të Kosovës gjatë kohës kur ai nuk e kishte lënë pa paralajmëruar Presidentin Klinton se “kur djalli apo e keqja e tregon fytyrën e tij, ju mos prisni, ju mos e lejoni të forcohet akoma më shumë, ju duhet të ndërhyni menjëherë”. Pra, Wiesel kishte kritikuar Perëndimin për reagimin e vonuar në Bosnjë, por edhe në Kosovë. Tutje, përmes një letre gjatë një komunikimi me Presidentin Klinton, z. Wiesel kërkon prezencë të fuqishme të SHBA-ve në Kosovë, meqë refugjatët të cilët i kishte takuar shpresën më të madhe thoshte se e kishin te lidershipi i SHBA-ve. Në një fragment të kësaj letre ai shënon: “Z. President, më lejoni t’ju falënderoj që ma dhatë mundësinë që të jem dëshmitar i gjallë dhe t’i rikujtoj viktimat e një regjimi të tmerrshëm e të keq se ata nuk janë të harruar. Ata refugjatë, z. President, janë mirënjohës ndaj SHBA-ve, Presidentit të tyre, NATO-s për angazhimin e tyre për ta… Te refugjatët ndjeva shpresë. Ajo shpresë vinte nga Amerika dhe aleatët e saj. Fitorja jonë ndaj krimeve të Millosheviçit mbetet shpresa e tyre” (https://clintonwhitehouse6.archives.gov/1999/06/1999-06-07-report-from-elie-wiesel-on-visits-with-kosovar-refugees.html).

    Z. Elie Wiesel nuk ishte vetëm zëri i shqiptarëve në botë, ai u njoh e u nderua si një pacifist i përjetshëm, si një prej avokuesve më të mëdhenj kundër krimeve ndaj njerëzimit, si një prej përkujtuesve më të përkushtuar të Holokaustit dhe luftës ndaj së keqes.

    Prandaj, dua të shënoj disa nga vlerësimet e personaliteteve botërore për nobelistin dhe mikun e shqiptarëve, z. Elie Wiesel:

    Presidenti i Izraelit, Reuven Rivlin, vlerësoi se Wiesel ishte “Hero i Popullit hebre”.

    Presidenti amerikan, Barack Obama, tha se Elie Wiesel ishte “ndërgjegje e botës”.

    Ministri i Drejtësisë i Gjermanisë,Heiko Maas, shkruan se Wiesel ishte “dëshmitar i Holokaustit dhe kronist i asaj që ishte e papërshkrueshme”.

    Presidenti i Francës, Francois Hollande, konsideron se Wiesel ishte “humanist i madh dhe mbrojtës i palodhshëm i paqes”.

    Ish-Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-moon, kishte thënë: “Bota ka humbur një prej dëshmitarëve më të rëndësishëm dhe njërin prej mbrojtësve më elokuentë të tolerancës dhe paqes. Ai e shndërroi tmerrin që përjetoi në vitet e rinisë në një fushatë për mbrojtjen e barazisë dhe paqes në botë gjatë gjithë jetës së tij.”

     Ndërsa ne, shqiptarët e Kosovës, i kemi borxh përgjithmonë, ndaj do të doja që këtë ditë të përuronim shtatoren e nobelistit Elie Wiesel, në njërën nga qendrat shqiptare.

    Në vend të përfundimit, kam veçuar disa i nga thëniet që shënuan përvojën e tij jetësore:

    Nuk dua që e kaluara ime të bëhet e ardhmja e askujt tjetër.

    Mund të ketë raste kur jemi të pafuqishëm për të parandaluar padrejtësinë, por nuk duhet të dështojmë të protestojmë.

    Ne gjithmonë duhet të marrim një anë. Neutraliteti ndihmon shtypësin, kurrë viktimën. Heshtja inkurajon torturuesin, asnjëherë të torturuarin.

    Të harrosh të vdekurit do të ishte e ngjashme me vrasjen e tyre për herë të dytë.

    Vetëm fajtorët janë fajtorë. Fëmijët e tyre nuk janë.

    Nuk dua që e kaluara ime të bëhet e ardhmja e askujt tjetër.

    Paqja është dhurata jonë për njëri-tjetrin.

    Dhe thënien e tij emblematike se e kundërta e dashurisë nuk është urrejtja, është indiferenca… Ai nuk qëndroi indiferent ndaj nesh, andaj sot me zemrën plot falënderoj përjetësisht luftëtarin e indiferencës e mikun e shqiptarëve të Kosovës, z.Elie Wiesel.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË