More
    KreuLetërsiBibliotekëMimoza Ahmeti dhe Mimoza Kuchly: Më duaj, por jo vonë

    Mimoza Ahmeti dhe Mimoza Kuchly: Më duaj, por jo vonë

    Mimoza Ahmeti

    Armata e Vjetër

    Nuk doja që nuk doja të shkoja në Hartmannswillerkopf. E çfarë mundet të gjejë njeriu të gëzueshme në një varrezë lufte? Nuk kam qenë kurioze për luftërat. Mendoja se duke i shmangur dijet për to, njerëzit nuk do të luftonin më. Dhe ende besoj se njohja e historisë, bashkë me dobitë, është edhe një metodë atavike që e dëmton njeriun. Sepse, në fund të fundit, që është edhe fillimi i fillimit, a nuk është njeriu ajo gjë që ai di?

    Përfundimisht, këmbëngulja e Kokos më bëri të dorëzohem:

    – Erdhe kaq herë tek unë dhe gjithmonë refuzove të shkojmë tek Armata e Vjetër.

    Këtë herë nuk të lë, do të vemi doemos.

    Ndërsa po ngjisnim të përpjetën mes drurëve në Lindjen e Madhe franceze, një inkrement brenda meje pa pushim kërkonte të gjente se përse po ndodhte kjo, përse pranova të shkoja në atë vend.

    Kur mbërritëm në majë, pamja ishte disi zhgënjyese: para syve të mi doli një si qendër betoni, por Koko më tha se nga aty do të hynim poshtë në katakomb dhe se ky ishte vetëm fillimi.

    Te hyrja u zbavita pakëz me rojën.

    Dua të këndoj aty brenda, lejohet?

    Në asnjë mënyrë, më tha ai. Aty nuk është kënduar ndonjëherë.

    Po zbrisja ato shkallë të ftohta në atë gjysmerrësirë të ndriçuar, nëpër mure lexoja shprehje të shkruara në gjuhën latine, por që pak gjë kuptoja. Mbaj mend që më kaluan mornica dhe për të mposhtur ankthin fillova të këndoj njërën prej këngëve të mia:

    Nëna e rriti si yll të rrallë,

    emrin s’ia thoshte, por vetëm djalë, emrin s’ia thoshte, por djali qe

    yll i këputur, o nëpër re…

    Djalë i magjepsur, i magjepsur pas meje aj, ja, ja,

    me dhimbje kreje…

    Ishte një akustikë e përsosur. Mund të dëgjoja veten sikur te isha një tjetër. Kur dolëm, roja më tha:

    – Zonjë, ju paskeni një zë të mrekullueshëm! Nëse merrni leje në Bashkinë e qytetit, mund të jepni një koncert këtu. Do të ishte impresionuese!

    Koko, praktike, më tërhoqi nga dora dhe në pak hapa ne dolëm në një pllajë të madhe-varrezë, që shtrihej përballë Pyllit të Zi.

    Sa fine dukej kjo pllajë e lakuar me ato kryqe të thjeshta ngjyrë kujtimi. Varre nuk kishte fare, vetëm kryqe të mbjella, fusha me kryqe, të cilat dukej sikur fluturonin, edhe pse të ngulura.

    Ju mendoni se është njeriu që e ka evoluar imazhin. Unë besoj se në hapësirë ka evoluime të tilla si ai fushim kryqesh të çngjyruara nga koha që hapnin një pamje imateriale.

    - Qenkan shumë, – i thashë Kokos, – Shumë…

    - Shumë? Kjo është vetëm sa duket. Nuk ka fund vazhdimi! Do të ecim…

    - Jo, nuk dua!

    - Ecim, – tha ajo!

    Një tjetër rrafshinë me kryqe u hap para nesh, por bashkë me të, si një surprizë, sepse ka edhe surprizë, siç thoshte njëra që dinte të këndonte fatin nëpërmjet Kuranit, pra mes kryqeve, jo shumë larg, një grua e madhe dhe e re, me një lirizëm palloi, dhe një burrë i tharë me hundë judaike që qe përkulur në gjunjë përballë saj, më tërhoqën vëmendjen.

    - Me sa duket, burri po i propozon për martesë, – tha Koko, dhe vërtet ai u ul më këmbë; ajo u përkul nga sipër tij dhe pastaj u puthën në buzë.

    Paskan gjetur vendin, mendova me vete dhe nuk e di përse ndjeva një lloj pakënaqësie nëpër kureshtje.

    - Me siguri ai e ka xhepin plot, – ai bëri Koko dhe shkoi buzën në gaz.

    - Hej, ju! Hej! – thirra dhe nuk e kuptova përse thirra.

    - Hej, po! – m’u përgjigj gruaja e re dhe e bukur si pallua.

    - Nuk po kuptoj, – thirra prapë me zë të lartë, – ku janë varret e ushtarëve gjermanë dhe ku të francezëve?

    - Janë të gjithë të përzier, bashkë! – thirri ajo.

    - Si është e mundur! – gati ulërita e habitur.

    - Il faut mourir pour être ensemble![1] – e mbylli ajo.


    Sporteli

    Në sportelin në hyrje të metrosë, u afrova për të pyetur për drejtimin që duhet të merrja për të shkuar në rrugën “Mahatma Gandhi”. Sportelisti parizien ishte një burrë që binte në sy.

    - A mund të më thoni cilën metro duhet të marr për të shkuar në rrugën “Mahatma Gandhi”? – e pyeta lirshëm.

    Ai më zgjati një laps e një letër dhe më tha:

    - Shkruajeni adresën.

    - Nuk është e nevojshme ta shkruaj, – i thashë, – Gandhin e njohin të gjithë.

    - Mund ta njohin të gjithë, por unë jo. Nuk jetova në kohën e tij dhe nuk ishte shoku im.

    Kjo përgjigje më shkundi dhe një tis i ftohtë më kaloi trupin. Pra, ai e dinte për kë ishte fjala, megjithatë refuzonte të bëhej pjesë me historinë.

    Shkrova dhe i zgjata letrën.

    Pasi e rishkroi emrin Mahatma Gandhi në kompjuter, më tregoi linjën që duhej të merrja dhe stacionin ku do të duhej të zbrisja.

    - Qenkeni burrë i zgjuar, – i pëshpërita.

    - Të faleminderit, – tha, me një ngjyrë të lehtë kortezie.


    Hollshëm

    Jam në aeroport. Përballë kam reklamën e Michael Kors. T’ju them të drejtën, kam vite që nuk ndjek dot modën. As i di fare emrat e firmave.

    Është dimër dhe jam veshur trashë.

    Vazhdoj të shikoj reklamën: Një grua e re, e veshur hollshëm, shalët jashtë, me një peliçe të lehtë hedhur sipër.

    Prapë e shikoj. E shikoj. E shikoj…

    Më paska marrë malli të plevitosem për ndonjë mashkull.


    Harmonia

    U zumë keq. Në të vërtetë, ishte ai që shpërtheu furishëm. Unë kisha thënë diçka të tmerrshme.

    Është idiot, kisha thënë për një disident perëndimor që e vlerësonte gjithë bota. Një disident që kish harruar të vdiste, por jo të gjykonte.

    “Si mund ta thuash këtë?” – ulëriti ai. “Ai thotë gjithmonë të vërtetën”, – tha ai për disidentin.

    “Nuk mjafton, – ia ktheva unë, – nuk mjafton e vërteta. Çdokush ka të vërtetën e vet. Duhet gjetur diçka që ndërlidh. E vërteta ndan…”

    Pas kësaj ai ia futi edhe një ulërime dhe më shau me një fjalë aspak të këndshme, por të cilën unë gjithmonë në kontekst të caktuar e kam vlerësuar.

    Kisha hipur në një taksi pas këtij skandali dhe marrë rrugën e aeroportit.

    Taksisti kishte qëlluar një ish-verë testues, i shkolluar. “Më thuaj”, – i thashë papritur.

    “Fol”, – më tha ai.

    “Cila është më e mirë, liria apo harmonia?” “Liria”, – m’u përgjigj ai.

    “Harmonia”, – vazhdova unë. “Përse?” – ma ktheu ai.

    “Liria është bosh, vetëm. Harmonia është raport. Është plot!” “Liria është krim”, – m’u kthye papritur.

    “Shkove shumë larg”, – i thashë, pa mundur ta rrok gjatësinë e domethënies. “Liria është krim”, – përsëriti i vendosur ai.

    Nuk fola. Zbrita nga taksia në Terminal 3. “Si quhesh?” – e pyeta.

    “Maksimilan”, – tha. Pastaj shtoi: “Si Robespieri!” Dhe qeshi. Dhëmbët i kishte të bardhë, faqet e kuqe, flokët e zinj.


    Infiniti

    Ishte i ri sa Krishti, por nuk besonte.

    Megjithatë, një gjë e dinte: Bota ishte e fundme. Të paktën kjo jona. Të pafundme mund ta bënin vetëm dështimet.

    Sigurisht, këtu përmblidheshin edhe shkatërrimet. Por jo për të. Jetonte në një plan dhembjesh nëpër gjithë trupin.

    Një hartë ngërçesh e shoqëronte ngado.

    Ecte kalamendur derisa rrëzohej aty ku dhe ngrihej pastaj. Kjo ishte mënyra si e përjetonte universin.

    Ndodhej në një gjendje transi e gëzimi atë ditë… Ndihej pakëz më mirë. Puthte e përqafonte atë grua, i vdekur për jetë.

    “Ç’të kem bërë që ta meritoj gjithë këtë lumturi!” – i tha asaj. Ajo e dëgjoi, nuk foli, por iu ledhatua shpirti.

    Sakaq, ai e puthi prapë e i pëshpëriti prapë pranë qafës: “Diku po gënjehemi që jemi kaq të lumtur.”


    Shtëpiaku

    Në fillim ajo po habitej, por pastaj mend po çmendej. Kishte filluar nga kureshtja, duke mbaruar te padurimi. Ky hajvan nuk donte që nuk donte të dilte nga shtëpia. Kaq i ri dhe kaq shtëpiak? E pamundur, mendoi.

    - Eja të dalim – iu lut me të mirë. Ai mohoi me krye.

    - Nuk do të dalim? – e pyeti me qortim ajo. Ai përsëri refuzoi.

    - A do të dalim apo jo? – ulëriti papritur ajo.

    - Të thashë, jo! – u përgjigj i qetë ai.

    - Shpirti im, përse nuk do të dalësh nga shtëpia?

    - Sepse kurrë nuk kam pasur shtëpi, – tha me zbavi ai.


    Mimoza Kuchly

    Pse s’më the “nuk të dua”?

    Historia e peshkatarit Nedipso

    Është argëtuese të mendosh se duke flakur një shishe në det të besosh se ajo do të të sjellë përgjigjen.
    J. Dutronc

    Atë mëngjes ndjeva se rashë në dashuri me ty; ulur me miqtë e tu, duke shijuar pushimin pas aventurës suaj të peshkimit. Të shihja dhe nuk kuptoja asnjë fjalë nga ajo gjuhë me të cilën filozofët e vendit tënd më kishin paralajmëruar se “dashuria të verbon”.

    Mbërrita një javë më parë, me një valixhe dhe pa asnjë rezervim, pa blerë asnjë libër me udhëzimet e nevojshme. Sapo zbrita në tokë, ndjeva se perënditë nuk e kishin mbajtur rastësisht me hatër këtë ishull.

    Koha e një birre të freskët më mjaftoi të gjeja hotelin dhe të shihja ç’kishte më të rëndësishme për t’u vizituar, ndonëse qëllimi ishte “të bekohesha” në ujërat termale shumë të njohura të atij vendi.

    Gjithçka më mbante në ajër. Shkëmbinjve të bregut kërkoja gjurmët dhe fantazmat e perëndive, ndërsa uji i nxehtë gjallëronte çdo ind të trupit dhe shpirtit tim; zhytesha duke e lënë veten të notonte në pritje të dy krahëve që do të më shpinin thellë e më thellë magjive të atyre ujërave që përvëlonin gjithçka brenda meje.

    Që nga ai mëngjes të kërkoja me sy, me mendje, me zemër, me shpirt, me afsh, e nuk të gjeja askund. Ishulli ishte aq i vogël, por arrinte të të fshihte ty, peshkatarin misterioz; mbi ballë flokët si shkuma e dallgëve i shpupuriste era, sytë që depërtuan thellë brenda meje kishin ngjyrën e algave fshehur thellësive, buzët e spërkatura nga kripësia e detit fshiheshin nën mjekrën që të shtonte misterin dhe dëshirën për t’i përkëdhelur.

    Dikush të thirri “peshkatar Nedipso i perlave” e që prej asaj dite fillova t’i shoh këta gurë të çmuar me një tjetër ndjesi.

    Kjo ishte si ato njohje që, ose lexohen në libra, ose shihen në filma.

    Sa herë që shëtisja nëpër breg, ndieja mbi vete vështrimin tënd, trupi përkëdhelej nga prania jote e padukshme, zemra gufonte tek ndiente heshtjen e zërin tënd, sytë admironin shpirtin e një aventurieri që netëve kërkonte perlat nën udhëheqjen e sirenave dhe gjithçka lutej të më shfaqeshe sikur vetëm për një çast.

    Koha shkoi duke të pritur dhe ja tani, anija që vjen të më marrë më duket si “Theoria” e Sokratit.

    Pikërisht në atë moment, më tërhoqi vëmendjen një makinë që uli shpejtësinë dhe vura re, në vendin e shoferit, dy sy që më ngulën një vështrim të shoqëruar nga një buzëqeshje të cilën e njihja tashmë, por që, në atë çast, m’u duk sa e ngrohtë, aq edhe e palexueshme.

    Ishe ti, peshkatari im. Ishim parë aq pak dhe kishim përjetuar aq shumë. Doja të vrapoja, por nuk arrija t’i urdhëroja dot gjymtyrët; doja të zgjasja njërën dorë për të të përshëndetur, por të dyja më kishin ngrirë; doja të pëshpëritja diçka, por muskujt e buzëve nuk më bindeshin; edhe ajri u kthye në një pengesë të pakapërcyeshme. Makina rrëshqiti ngadalë tek më kot pres frymëkëputur, që ti të dilje prej saj.

    Imagjinata ime dëgjoi frenimin e fortë të makinës, pa daljen tënde dhe ndjeu përflakjen e puthjeve tona në krahët e njëri-tjetrit.

    Po e përjetoja thellë këtë ngjarje dhe e ndieja që ishte aq e bukur sa edhe e dhembshme kur mendoja ndarjen e gjatë nga ajo njohje e shkurtër. Gjithçka brenda meje ishte mbërthyer nga ankthi jo aq i mbërritjes së anijes sesa pritjes sate.

    Pasi e kuptova se nuk do të vije të më thoshe lamtumirë, m’u duk e pakuptimtë përse kishe ardhur kaq pranë meje. U ngjita në anije shpirtlënduar mes dhjetëra hamendësimesh.

    “Më në fund!” – theu skenarin zëri i një djaloshi që nga uniforma ishte anëtar i ekipit, kur sapo u dëgjuan tri sinjalet e nisjes së anijes. “Është për ju, nga bregu”, – më foli me një buzëqeshje të ëmbël dhe më zgjati një pako të mbështjellë me algat ende të lagura. Me sytë nga bregu, pa e vështruar, u orvata me zor t’i buzëqeshja.

    Thonë se edhe duart e Zotit janë gjetur në rrjetën e peshkatarit; nuk dija se çfarë mund të kishte në atë pako. E hapa, pra, menjëherë, pa mundur ta falënderoja, teksa gishtat u ftohën nga një shishe, ku dikush kishte mbyllur një thirrje të dëshpëruar! Brenda asaj shisheje ndodhej vargu i perlave, të cilin e kisha parë në vitrinën e një dyqani të mbyllur ditën kur ishim takuar rastësisht. Ishte me siguri një mesazh i ardhur nga deti, prej peshkatarit “tim”, por cili prej nesh kishte shpëtuar falë këtij mesazhi?

    “Perlat nuk janë gjë tjetër veçse piklat e vesës që hedh hëna natën në guaska për njeriun. Por jo secila prej atyre piklave mund të shndërrohen në perlë. Fatlum kush e gjen një të tillë!” Një çast ndjeva trupin dhe shpirtin të më drithëroheshin tek m’u kujtua ajo ditë kur zëri yt para vitrinës në fjalë m’i pëshpëriti pas shpine.

    Sa herë kalova ato ditë para atij dyqani duke shpresuar të të shihja sërish, por ai nuk u hap, as ti nuk u duke dhe as perlat nuk munda t’i blej.

    E vura vargun e perlave në qafë si një përqafim të shumëdëshiruar me një rrjetë “përse”-sh dhe ngrita shishen në ajër duke përshëndetur nga bregu “peshkatarin e perlave” që asnjëherë s’më tha: “Nuk të dua!” Përse?!

    Jo çdo “përse” mbart një përgjigje, o peshkatari im Nedipso!


    Banketi

    Dashuria është dëshirë dhe mungesë.
    Platoni

    Asnjëherë nuk e pata menduar se mund të ndodhesha një ditë ballë për ballë me të dhe aq më tepër ta intervistoja. Bënte pjesë tek ato zonja që jo çdo burrë mund t’i ulej përkarshi. Nuk flas për bukurinë fizike, por kishte një tërheqje të çuditshme, e kjo nga të gjitha këndvështrimet.

    Pyetjet që do t’i drejtoja i dija përmendsh. Për t’u treguar korrekte, i shkrova në dy fletë të kaltra, ngjyra e të cilave përkonte me gurët e kristaltë rreth qafës së hollë që me elegancë dukej se ruante ekuilibrin e shpatullave të drejta.

    Hera-herës mbaja shënime, edhe pse po e regjistroja bisedën. Dukej një zonjë e paqtë, e sigurt, kërkuese dhe mbi të gjitha, ndihej e lirë.

    “Prej kohësh nuk ju lexojmë më në krijime të reja pas romaneve tuaja. Siç duket, periudha ‘virale’ ju ka penguar frymëzimin”.

    Ndodhesha aty për ta intervistuar rreth pushimit të saj krijues.

    “Nuk mund të them jo. Natyrisht që kjo situatë prek gjithçka, por mendoj se shkaku kryesor qëndron diku gjetkë. Këtë e kam personale dhe do të doja të mendoja ndoshta se nuk jam e vetmja. Thjesht, nuk kam rënë në dashuri. E vetmja muzë e cila turbullon qenien e çdo shkrimtari”.

    Buzëqeshja aspak e shtirë më bëri të mendoj se cili burrë do të refuzonte hiret e saj? Ishte kaq e drejtpërdrejtë dhe e çiltër, sa të dukej se gjithçka tek ajo shfaqej pa komplekse.

    “Ju jeni e martuar dhe…” – nuk arrita ta çoja vëzhgimin tim deri në fund.

    Ishte pyetje? Nuk e kuptova se si më doli prej buzëve të thara, por në ato momente m’u kujtua hulumtimi i fundit që kisha bërë për të: fotot me bashkëshortin, krejt në infuzion te njëri-tjetri.

    Vështrimi i saj u ngul për një çast mbi pyetësorin, si për të qenë e sigurt që gjithçka ishte e shkruar aty, veç kësaj të fundit…

    Nxori një shami të bardhë, hoqi syzet, fshiu me kujdes skeletin sikur kërkonte të fitonte kohë për t’u përgjigjur.

    Më buzëqeshi si të thoshte se ç’dija unë nga dashuria e martesës, kur ende nuk kisha vënë kurorë. Në duart e mia nuk vetëtinte asnjë diamant dhe mosha e re ndoshta e siguroi, ose edhe ajo pati zhbiruar para se të pranonte intervistën.

    “Po, vërtet e pata harruar këtë fakt… Duket që përgjigjja ime ju befasoi dhe s’mund të kalonte pa një tërheqje vëmendjeje. Ju thoni se kur je e martuar duhet patjetër të jesh e dashuruar me bashkëshortin që të shkruash? Nuk e keni gabim! Ndërsa fotot… Edhe kjo është një mundësi, por jo gjithmonë për të ngacmuar shkrimin. Dashuria është dëshirë dhe mungesë, ka thënë Platoni”.

    Pushoi një çast, mori frymë lehtë duke buzëqeshur sërish, më mbërtheu me vështrimin depërtues e miqësor dhe theu qetësinë:

    “Njeriu eksitohet nga ajo që nuk ka dhe është në kërkim të asaj që i mungon. Nuk jam në kërkim, por nuk i mbyll portat e dashurisë, sido dhe ngado ardhtë ajo. Jeta është një banket. Të shkruash, do të thotë çdoherë të ndihesh shpirt në ekzaltim, i dëshiruar, duke shijuar oksigjenin e momentit i cili mund të zgjasë vetëm një çast apo shumë… Jo të gjithë e kemi këtë fat përballjesh… Jemi në epokën ku njerëzimi ende i vesh Evës mëkatin…”

    Ajo bisedë m’u duk se ishte shtruar në banketin nga ku nuk doja të largohesha pa një kupë dashurie.


    [1] Il faut mourir pour être ensemble! (frëngjisht) – Duhet të vdesësh për të qenë bashkë!

    NJË KOMENT

    1. ,,, Libri me duaj, por jo vonë – Mimoza Ahmeti , Mimoza Kochly vie ,, DHURATË” e duhur për lexuesit . Dy autore tash më me karierë të pasur krijimtarie prezenrohen bashkë në një libër duke dhënë ,, maksimalën” e të bërit mendime , prezentime profesionale në jetëngjarjën e tyre meridianëve udhëimi – perjetimi.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË