Borhes ishte i etur të shihte fytyrat e njëqind lexuesve të tij të parë. Padurimi im është ndryshe. A nuk qëndrojmë dhe ne përpara sfidës për të shikuar fytyrat e njëqind lexuesve të fundit, ose, të jemi më pak patetikë, fytyrat e njëqind lexuesve të fundit të romanit?
Pasi t’i përgjigjemi kësaj, le të shtrojmë pyetjen kur dhe ku, në cilën pjesë të tekstit leximi i romanit fillon dhe kur dhe ku leximi i romanit përfundon. Si është fillimi dhe fundi i romanit, fillimi dhe fundi i leximit, i kushtëzuar nga ajo që Jasmina Mihajlloviç quan “lexim dhe seks”? Duhet të ketë romani një fund? Dhe çfarë është në fakt fundi i romanit, i një vepre letrare? Dhe pashmangshmërisht duhet të jetë vetëm një? Sa funde mund të ketë një roman apo një pjesë teatrale?
I kam gjetur disa përgjigje për këto pyetje, ndërsa shkruaja librat e mi. Shumë kohë më përpara kam ardhur në përfundimin se arti është “i kthyeshëm” dhe “jo i kthyeshëm”. Ka disa arte që ia mundësojnë shikuesit që t’i afrohet nga anë të ndryshme, të ketë një pamje më të mire kur ndërron vendin, perspektivën dhe drejtimin e shikimit të tij, siç do ta pëlqente, sikundër është rasti me arkitekturën, skulpturën apo me pikturën, të cilat janë arte të kthyeshme. Artet e tjera jo të kthyeshme, si muzika dhe letërsia, të duken si rrugë njëkalimshme në të cilën gjithçka lëviz nga fillimi në fund, nga lindja në vdekje. Gjithmonë kam dashur ta bëj letërsinë, e cila është një art i pakthyeshëm, në një art të kthyeshëm. Prandaj romanet e mi nuk kanë as fillim dhe as fund, në kuptimin klasik të fjalës.
Për shembull, Fjalori Khazar është “një roman leksikon në 100.000 fjalë”, dhe në varësi të gjuhëve të ndryshme, romani përfundon ndryshe. Versioni original i “Fjalorit Kazar”, i shtypur në alfabet cirilik, përfundon me shprehjen latine “sed venit ut illa impleam et confirmem, Mattheus“. Romani im në greqishte përfundon me fjalinë:”Befas vërejta se kisha tri frikëra, dhe jo një”. Versionet anglisht, idish, spanjisht dhe danisht të “Fjalorit Kazar” mbarojnë kështu:”Pastaj, kur lexuesi u kthye, i gjithë procesi ishte kthyer përmbys dhe Tibonit i duhej të ndryshonte përkthimin sipas përshtypjeve të fituara në këtë udhëtim”. Versioni serb, i shtypur me alfabet latin, version suedez, i botuar nga Nordsteds, version hollandisht, çekisht dhe gjermanisht mbarojnë me këtë fjali: ”Ky shikim e shkruajti emrin e Koen-it në ajër, ndezi fitilin dhe i ndriçoi rrugën për në shtëpi”. Versioni hungarez i “Fjalorit Kazar”, mbaron me fjalinë: ”Ai thjesht donte të tërhiqte vëmendjen se cila është natyra jote”. Versioni italisht dhe katalon mbaron kështu:”Në të vërtetë vazoja kazare shërben sot e kësaj dite, megjithëse prej shumë kohësh nuk ekziston më.”
Romani im i dytë, “Peizazh i pikturuar me çaj” (i cili mund të krahasohet me fjalëkryqin), i nxjerr portretet e personazheve të librit në plan të parë, nëse lexohet vertikalisht. Në qoftë se po të njëjtët kapituj lexohen horizontalisht (në “mënyrën klasike”) ato nxjerrin në plan të parë subjektin e romanit dhe zhvillimin e tij. Le të diskutojmë për fillimin dhe fundin e romanit në këtë rast. Para së gjithash, ky roman përfundon në varësi të lexuesit femër apo mashkull. Dhe, natyrisht, fillimi dhe fundi i këtij romani gjithashtu dallohen edhe nga mundësia e leximit vertikal apo horizontal të tij. “Peizazhi i pikturuar me çaj”, nëse lexohet horizontalisht ka këtë fillim: ”As edhe një dackë e padhënë, nuk duhet të shtihet në varr”. Në këtë rast, romani përfundon me fjalinë: “Lexuesi s’ka si të harrojë se çfarë ndodhi me Atanasije Svilarin, emri i të cilit, për ca kohë, ishte Razin”. “Peizazhi i pikturuar me çaj”, nëse do të lexohej vertikalisht, do të fillonte me fjalinë: “Në përgatitjen e kësaj reference për mikun tonë, shokun e shkollës dhe bamirësin, arkitekt Atanas Fjodoroviç Razin, alias Atanas Svilar, i cili e shkruajti një herë emrin e tij me gjuhë në shpinat e grave më të bukura të brezit tonë…” Po ta lexosh po në këtë mënyrë, romani do të përfundojë me fjalinë: ”Hyra në kishë me vrap.”
Pas romanit-fjalor dhe romanit-fjalëkryq u orvata edhe një here të rendisja romanin në radhën e arteve “të kthyeshme”. E kam fjalën për “Ana e brendshme e erës”. Një roman klepsidër. Romani ka dy faqe titulli dhe e mira është ta lexosh një herë e gjysmë, sikundër ka thënë dikur arkeologu i famshëm Dragoslav Srejovic. Fundi është në mes, aty ku dy të dashuruarit e këtij rrëfimi mitik, Leander dhe Hero, takohen. Nëse e nisni leximin nga ana e Leander-it, fillimi i romanit do të jetë: “E ardhmja ka vetëm një virtyt të padyshimtë: ajo nuk ngjan kurrë ashtu siç e përfytyron…” Në këtë anë të librit fundi i romanit do të jetë si vijon: “Ishte ora dymbëdhjetë e pesë kur kullat, nga një shpërthim i përbindshëm fluturuan në ajër, duke marrë me vete flakën që mbështillte trupin e djegur të Leander-it”. Në qoftë se do ta lexoni “Ana e brendshme e erës” nga ana e vajzës, Hero-s, fillimi i librit do të dukej i tillë: “Në pjesën e parë të jetës gruaja lind jetë, në të dytën, ajo vret dhe shtie në dhé ose veten, ose ata që e rrethojnë atë”. Në qoftë se ju e lexuat nga kjo anë, fundi i romanit do të jetë i tillë: ”Nëse i beson leitnantit të hutuar, nuk kishin kaluar as tri ditë deri atë mbrëmje kur koka e Hero-s, klithi me një zë të ashpër e të thellë si të ishte prej burri”.
Libri im “Dashuria e fundit në Konstandinopojë” është, në fakt, një roman-tarot, që përbëhet nga 22 kapituj që i korrespondojnë numrit të letrave tarot. Siç dihet, me ndihmën e letrave tarot mund të parathuhet e ardhmja dhe romani “Dashuria e fundit në Kostandinopojë” ka disa çelësa po ashtu si edhe letrat në vetvete. Me fjalë të tjera, ky roman është një guidë për fat-thënien tarot dhe mund të “përdoret” në mënyra të ndryshme.
Por romani nuk parathotë të ardhmen e herojve të tij, por të lexuesve të tij. Mund të lexohen kapitujt në përputhje me kuptimin e letrave tarot. Mund të përdorësh kapituj të romanit gjatë seancave ku shpjegohen letrat që të bien. Romani mund të lexohet pavarësisht letrave. Gjithashtu, në përputhje me udhëzimin, që është në libër, ju mund të hidhni gjithë letrat, dhe pastaj lexoni kapitujt e romanit në rendin e treguar nga letrat që bien në tavolinë.
Në këtë mënyrë, ju do të shikoni, që nga librat e mi mund të dilni jo vetëm nga një dalje, por prej disave, që ndodhen në një distanë të madhe nga njera tjetra.
Gradualisht po më fshihet dallimi midis shtëpisë dhe romanit, dhe kjo është, mbase, gjëja më e rëndësishme që kam për të thënë në këtë tekst. Por le t’i thehemi një çështjeje më të rëndësishme, që është ngritur në kohën tonë. A mos po afrohet fundi i romanit? Ku është ai, fundi i romanit, përpara? Apo tashmë është pas nesh? Mos po jetojmë në kohën post historike? Apo një kohë post romaneske, gjithashtu? Mos e kemi kaluar vijën e finishit, madje pa e vënë e, dhe tani të gjithë ne po vrapojmë së bashku në një garë që tashmë ka përfunduar? Besoj, është herët të thuhet jo, megjithëse kërcënohemi prej disa kataklizmave bërthamore të përpjesëtimeve kozmike. Jam më tepër i prirur të them se ne jemi në mbarim të një mënyre leximi. Është kriza e mënyrës sonë të leximit të romanit, dhe jo e romanit në vetvete. Romani- rrugë njëkalimshme, është në krizë. Diçka tjetër është në krizë gjithashtu. Është pamja grafike e romanit. Kjo do të thotë: libri është në krizë. Hiperletërsia na mëson se një roman mund të lëvizë ashtu sikundër mendja jonë lëviz, në të gjitha drejtimet njëkohësisht. Dhe të jetë interaktiv.
U përpoqa të ndryshoja mënyrën e zakonshme të leximit duke rritur rolin dhe përgjegjësinë e lexuesit në procesin e krijimit të romanit (të mos harrojmë se në botë ka më shumë lexues të talentuar se sa autorë dhe kritikë letrarë të talentuar). Ua kam lënë në dorë atyre, lexuesve, marrjen e vendimeve për momentet thelbësore të romanit dhe zhvillimit të subjektit: ku do të fillojë leximi dhe kur ai do të përfundojë, madje edhe vendimi për fatin e personazheve kryesore. Por duke u përpjekur për ndryshimin e mënyrës së leximit, më duhej të ndryshoja mënyrën e të shkruarit. Prandaj këto rreshta nuk duhet të merren thjesht si një gjykim mbi formën e romanit. Njëkohësisht, është edhe një gjykim mbi përmbajtjen e romanit. Sepse, në fakt, përmbajtja e romanit ka qenë, të themi, në shtratin e Prokustit për dymijë vjet përherë i kushtëzuar pamëshirshëm nga modeli i formës. Mendoj që tashmë, kësaj i ka ardhur fundi. Çdo roman duhet të zgjedhë formën e tij specifike, çdo rrëfim duhet të kërkojë dhe të gjejë, vetë trupin e tij… Kompjuterat po na mësojnë se kjo është e mundur. Por në qoftë se nuk i pëlqeni kompjuterat, vështroni se çfarë na mëson arkitektura.
Arkitektura ndryshon mënyrën tonë të jetesës. Letërsia, nëse e shohim si vepër arkitekturore, gjithashtu mund të na ndryshojë jetën. Romani mund të jetë një shtëpi, po ashtu. Të paktën, për njëfarë kohe.
Përktheu B. Hudhri