More
    KreuLetërsiShënime mbi libraMikel Gojani: Universi poetik i Halil Matoshit: botë e pasur poetike dhe...

    Mikel Gojani: Universi poetik i Halil Matoshit: botë e pasur poetike dhe me thellësi mendimi

    Sarë Gjergji: Fjala që nuk hesht (Vështrime kritike 2), Akademia Stublla -1584 & Lena Graphic. Stubëll – Prishtinë, 2025

    Dr. Sarë Gjergji është njëri nga personalitetet më të shquara të letërsisë dhe të botës sonë studimore. Opusi i tij letrare është i gjerë i shtrirë në disa zhanre letrare: prozë, poezi, studime, kritika letrare, eseistikë etj.

    Vepra e tij me titull metaforik « Fjala që nuk hesht” (Vështrime kritike,  (Përsiatje poetike për artin e fjalës), botuar më 2025, po zgjon  interesim të madh ndër lexues dhe  studiues të letërsisë sonë; një vlerë studimore, gjegjësisht një mund t’i japim epitetin e një përmendoreje poetike për artin e fjalës. Në këtë libër është i konceptuar opusi letrar I shkrimtarit, gazetarit, eseistit, Halil Matoshi, emër shumë i njohur në botën tonë letrare dhe studimore, por edhe në jetën politike dhe shoqërore.

    Ky interesim lidhet me faktin se nëpërmjet artit të mirëfilltë – poezisë, autori flet për artin e fjalës, për veçantitë dhe qenësitë e tij dhe për mundësitë e jashtëzakonshme të ndikimit në marrësin, pa marrë parasysh disa rrethana nëpër të cilat kalojnë shumë realitete që i jetojnë dhe do t’i tejjetojnë kohërat.

    Prof. dr. Sarë Gjergji: “Poezisë e tij arrin të bashkojë madhështoren me të zakonshmen, historiken me intimen, tragjiken me të përditshmen”.

    Dy librat poetikë të tij – që në këtë vepër studimore trajtohen me vëmendje kritike dhe përkushtim nën titullin e përbashkët Universi poetik i Halil Matoshit – janë dëshmi të kësaj poezie të dhimbjes dhe të mbijetesës, por edhe të dashurisë dhe të filozofisë së shpirtit. Ato janë dy kapituj të një historie më të madhe: historia e poetit që nuk pranon të heshtë, historia e një populli që kërkon ta ruajë kujtesën e vet, dhe historia universale e njeriut që, përmes fjalës, arrin ta mbajë gjallë dritën edhe kur qielli është i mbuluar me tela me gjemba. Matoshi e sheh poezinë si mbijetesë. Në burgjet e Prishtinës, zhurma e zinxhirëve është shndërruar në muzikë të zezë, një simfoni ferri që vetëm poeti mund ta dëgjojë dhe ta përkthejë në fjalë. Në kampet e përqendrimit, terri nuk është thjesht mungesë drite, por gjendje shpirtërore; aty fjala bëhet mjet shpëtimi, një thërrime drite në mes të errësirës së plotë. Ky funksion ekzistencial i poezisë e bën veprën e tij të krahasueshme me poetë si Paul Celan apo Visar Zhiti: teksti nuk është dekorim, por dëshmi; fjala nuk është zbukurim, por akt etik dhe shpirtëror. Megjithatë, Halil Matoshi nuk është vetëm poet i dhimbjes. Ai është edhe poet i dashurisë dhe i përditshmërisë. Gruaja në poezinë e tij nuk është thjesht figurë intime, por prani mitike dhe shpëtuese, ndërmjetëse mes të dukshmes dhe të padukshmes. Dashuria për të nuk është ndjenjë private, por përvojë metafizike që i jep kuptim ekzistencës. Edhe gjërat e vogla të jetës – buka, sytë, drita – shndërrohen në simbole të përhershme, që mbajnë peshën e një filozofie të të jetuarit. Këtu qëndron bukuria e poezisë së tij: ajo arrin të bashkojë madhështoren me të zakonshmen, historiken me intimen, tragjiken me të përditshmen”, shprehet ndër të tjera dr. Gjegji.

    Libri ndahet në dy pjesë. Në pjesën e parë është i konceptuar studimi  me titull: POEMA E LILIT (THE LIL’S POEM): TESTAMENT POETIKO-FILOZOFIK I KOHËS DHE I NJERIUT,  The Lil’s poem,  Letters, Prishtinë, 2023, pra që është një studim kritik  tepër me vlerë dhe qasje përmbajtjesore mbi kontekstin, strukturën, temat qendrore, estetikën gjuhësore dhe dimensionin filozofik të veprës së Halil Matoshit.

    Libri , “Poema e Lilit”, vlera më kulmore e veprës së Matoshit

    Në këtë kuptim, libri me titullin bosht: “Poema e Lilit”, siç e vlerëson edhe autori i këtij libri, dr. Gjergji “është kulmi i krijimtarisë së tij, sepse përmbledh të gjitha dimensionet e përvojës së poetit: intimen, kolektiven, filozofiken dhe historiken. “Libri, pohon dr. Gjergji, i nuk duhet lexuar vetëm si një cikël poetik, por si një testament moral dhe estetik i një njeriu që ka jetuar në kufijtë e ekzistencës dhe që e ka përkthyer atë përvojë në art. Matoshi ndërton një poezi që lind nga përjetimi i dhunës dhe kampit, por që nuk mbetet peng i traumës; ajo e tejkalon traumën duke krijuar një gjuhë të re poetike”, shprehet studiuesi dr. Gjergji.

    Poezia një pohim unik  përtej dilemave

    Halil Matoshi ka rrugëtuar  gjatë në poezi. Poezia e këtij poeti është një proces i brendshëm, një ritendosje, një pohim unik i dilemave. Është lirikë që shpaloset  si një mozaik  që ka zë të brendshëm dhe të jashtëm, plot këlthitës. Matoshi ka tipologjinë krijuese  të atdheut të tij, të popullit të tij. Kjo është saga e tij , arteria e tij intime dhe ekzistenciale. Bota e fantazisë së tij mbërthehet brenda realitetit , ajo është djep – varri i saj, mrekullia e mbijetesës. Poeti Matoshi në vargjet e tij poetikë, sjell vegime  për atdheun e tij, , cep më cep, humanizmin njerëzor, mbijetesën e popullit të tij në kohët më të vështira,  Vargu i tij prek një estetikë të prekshme, larg abstraksionit  shterp.  Ky lirizëm bën pjesë  në botën meditative. Konkretja modelon simboliken, Matoshi, e vlerëson edhe studiuesi dhe kritiku dr. Gjergji,  ka spikatur  si poet lirik i shquar, modern, ky fakt nuk ka dyshim.  Nuk është thjesht një poet, ai është krijues  shumëdimensional me interesa të gjera.

    Me gjuhën poetike dhe mënyrën e të shprehurit poetik, po dhe me format e shtjellimit të «Poema e Lilit”» autori dëshmon vokacionin e lirikut refleksiv, duke u radhitur ndër librat më të realizuar të llojit të vet. Në vargjet e këtij libri shprehet një botë e tërë, përmes të shprehurit dhe imagjinatës poeti ndriçohen zona të padukshme të shpirtit të tij dhe të njeriut.  Është e vërtetë se libri Prushi i bukurisë përçon mesazhe të pasura poetike dhe që kjo bukuri dhe kjo frymë plot gjallëri shprehet, shpërthen dhe thellohet përmes në forma të ndryshme. Pra, në thellësinë e së bukurës poeti arrin përmes arsyes dhe imagjinatës, por dhe të përjetimit të fuqishëm.

    Në Poema e Lilit, që i jep titullin gjithë librit, shpalos një realitet të trishtë  me esencat e saja tepër tragjike, ku përjetimi i kësaj tragjike, përjetues i secilës ishte edhe vetë poeti në Burgun e Prishtinës, të cilit i bie drejtpërdrejt të ndeshet me këtë tragjikë, mirëpo edhe mbijetësë të pashembullt:

    Lilit ia kishin mbyllë dritën,

    ia kishin mshelë qiellin me tela

    ia kishin mshelë frymën

    në kutinë e shkrepëses

    në sytë e sh’pisë së shkatërrueme

    ia kishin mshelë edhe dritën e andrrës.

    Kujtesa dhe trauma kolektive, Figura e gruas dhe dashuria, Kujtesa biblike dhe filozofike, Poezia si shpëtim, Metaforat: ndërthurje e natyrës, trupit, mitit dhe historisë etj.

    Sipas studiuesit dr. Gjergji, Matoshi është mjeshtër i metaforave të fuqishme. “Ato nuk janë zbukurime të jashtme, por struktura mendimi poetik që e transformojnë realitetin dhe traumën në imazh artistik” .

    Pjesa e dytë e këtij libri është i konceptuar me një studim rreth vlerave të librit tjetër poetik me titull: Gdhendje drite,  Qendra Multimedia, Prishtinë, 2021.

    Me këtë vepër, sipas studiuesit dr. Gjergji, shkrimtari Halil Matoshi,  dëshmon se është poet i përkushtuar, mjeshtër i hartimit të vargut dhe i metaforës, i ndjeshmërisë së hollë dhe i të shprehurit poetik.  Këtë fakt e argumentojnë vetë vargjet e tij të strukturuara në këtë libër.

    Përjetimi i dukurive përmes artit të  fjalës

    Më duket me vend që të shkëpus një mendim të studiuesit dr. Gjergjt, rreth vlerave të këtij libri, e cila thotë se vëllimi poetik Gdhendje drite i Halil Matoshit përfaqëson një ndërthurje të veçantë të poetikës bashkëkohore shqiptare me dimensionin filozofik dhe simbolik të përvojës njerëzore. “Teksti poetik nuk e shfrytëzon figuracionin vetëm si mjet estetik, por si strukturë mendimi ku realiteti historik dhe personal përthithet në një rrjet metaforash, simbolesh dhe arketipash universale. Në këtë mënyrë, poezia e Matoshit e tejkalon nivelin e përjetimit individual dhe bëhet hapësirë refleksioni mbi jetën, vdekjen, kujtesën dhe identitetin kolektiv. Ky studim synon të shqyrtojë dimensionet stilistike dhe filozofike të librit, duke u përqendruar te përdorimi i tropeve, simbolikës dhe mitit si mekanizma për ndërtimin e një gjuhe poetike që e shndërron dhimbjen dhe përvojën historike në univers estetik e etik”, pohon dr. Gjergji.  Dr. Gjergji në librin e tij Gdhendje drite, shpalos shumë çështje dhe fenomene që ngërthejnë vlera esteto-artistike, por po ashtu edhe të mesazheve poetike. Studiuesi dr. Gjergji i qaset çështjeve,  si: Figuracioni dhe tropet; Metafora dhe metonimia si shtyllë e gjuhës poetike; Tropet e groteskut dhe ironisë; Shkrirjes së  figuracionit me mendimin filozofik; Simbolet; Nâna si simbol i jetës dhe vdekjes; Baba si simbol i qëndresës dhe i kujtesës historike; Drita si simbol i artit dhe i rezistencës shpirtërore; Mitologjia biblike dhe apokaliptike; Grotesku dhe satira politike; Dimensioni filozofik; Ndërthurja e stilit liriko-narrativ; Poezia Jasharët. Krismat etj.

    Halil Matoshi me veprën e tij  Gdhendje drite, është dëshmuar poet me botë sa më të pasur aq dhe të veçantë poetike, ku përdor një sistem të shprehurit modern poetik që si i tillë nuk e gjejmë te poetët tanë të tjerë. Përmes veprës së tij, ai dëshmon se ka prirje  dhe aftësi t’u qaset dukurive dhe t’i bëjë ato objekt vështrimi poetik, duke  krijuar vlera me cilësi të tilla  shprehëse komunikuese që do të shtegtojë e do të komunikojë  edhe me kohët e ardhshme.

    Dhe krejt në mbyllje them me plot bindje se veprat e tij poetike, Fjala që nuk hesht dhe Gdhendje drite, janë vepra që pasurojnë poezinë shqipe në përgjithësi dhe sjellin risi në ndërtimin dhe avancimin e vargut poetik dhe në traditën tonë letrare poetike.

    Shtator, 2025

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË