More
    KreuLetërsiShënime mbi libraMigena Kapllani: Si ta kthejmë kohën pas për Jakov Milaj me “Kujtime...

    Migena Kapllani: Si ta kthejmë kohën pas për Jakov Milaj me “Kujtime për Shkodrën e viteve 1926-1931”?

    Jakov Milaj lindi në vitin 1912 në Fier dhe e mbylli jetën po aty në 1997-ën, si një atdhetar i denjë, i guximshëm për t’u përballur me të keqen edhe kur ajo i “shpërblehej” me burgosje e internime. Një “udhëtim” i vështirë i një jete me ulje-ngritje dhe me sfida, si natyrë antikonformiste që ishte. Disa prej tyre i ka “zgjedhur” e disa të tjera i ka përjetuar prej kohës së errët të monizmit. Nëse Zogu e dënonte për revoltën e tij të hapur, komunizmi si sistem e xhelozonte për formimin e tij kulturor, përgatitjen e tij profesionale dhe e urrente për mendjen e tij perëndimore. Jakov Milaj, gjimnazisti i talentuar, aktivisti dhe qytetari antikonformist, studiuesi perëndimor i përket atij brezi intelektualësh që “eklipsoheshin dhunshëm” siç e përkufizon prof. A. Ndreca në parathënien e librit.

    Dëshira e tij dhe e familjes për t’u shkolluar e nisi drejt Shkodrës, qytetit që do t’i jepte mundësinë të njihej me profesorë të nderuar dhe të bëhej pjesë e kulturës, traditës, zhvillimit të asaj kohe. Pikërisht është kjo periudhë e jetës së tij që na fton ta rikthejmë edhe një herë vëmendjen te ky personalitet i një “brezi të humbur”, përmes librit “Kujtime për Shkodrën e viteve 1926-1931”, nga Botimet Shkodra 2023, si pjesë e kolanës “Rradhonjtë e Shejzave”. Botimi i këtyre shënimeve i sjell lexuesit “një periudhë të largët” e cila “mund të vlejë për të plotësuar një kuadër më të plotë të viteve njëzet” siç nënvizon vetë autori në hyrje të librit.

    Kujtimet e viteve të gjimmazit janë shkruar nga autori vite më pas (në vitet 80), në një tjetër kohë e moshë. Tashmë shumë gjëra kanë ndodhur me jetën e tij e të familjes. Komunizmi e burgosi, internoi, e largoi nga Tirana, e etiketoi si borgjez e kontrolloi si kundërshtar të sistemit dhe pse asgjë nuk tregonte në sjelljen e jetën e tij se kishte diçka të gabuar tek ai.

    Dorëshkrimi “kujtimet e një gjimnazisti”, me një shkrim dore që reflekton durimin e një studiuesi, nis me rrugën për në Shkodër, në një fillim shtatori të vitit 1926. Në ato kohëra, rrugët nuk mateshin me orë apo kilometra, por me stinë, me shira, me llojin e mjetit të transportit, me makinë, me qerre, kalë, karrocë apo më këmbë. Për t’u sosur në vendin e duhur duheshin disa ditë. Plot dy ditë zgjat udhëtimi i parë Fier-Shkodër e nëse do kishte reshje e lumenjtë të fryheshin si det, më shumë mund të zgjaste.

    Fillon me këtë libër një udhëtim historik e gjeografik nëpër lumin Seman në fshatin Mujalli, rrëzë kodrave jug-perëndimore të Ardenicës drejt Libofshës, nëpër kënetat e thara nga moti të Tërbufit, afër Divjakës nëpër një pyll madhështor me pisha, nëpër urën e drunjtë të Kularit mbi Shkumbin dalur në Bashtovë e me hyrje në Kavajë duke ndjekur më pas “afërngjat drejtimin e Egnatia-s antike” për të kaluar Durrësin e sosur në Tiranë. Udhëtimin e shoqëron e pabukura e rrugëve, qyteteve (sidomos të Tiranës).  Për ata që janë nostalgjikë, flitet për një kohë kur “bulevardi i madh dhe godinat qeveritare, as nuk ishin planifikuar”. Nga Tirana për në Fushë-Krujë, nëpër pyje lisash të gjatë e të harlisur… Laç, Milot, lumi Mat, nëpër cektinën e tij, faqeve të kodrave të Zejmenit, në Lezhë e deri te arritja në Shkodër. Për secilin qytet, fshat, zonë bën përshkrime tipike të një njeriu me sy të stërvitur nga koha e nga puna që kishte bërë (veteriner nga viti 1955-1967).

    Fillon shkollën në Gjimnazin shtetëror, një gjimnaz që ishte hapur më 1922-in. Në ato vite ky gjimnaz konkurronte dhe ishte “në luftë” me klerin katolik nga njëra anë dhe me injorancën e myslimanëve nga ana tjetër (f.23, 25). Historiku i gjimnazit jepet në 2-3 faqe duke shpjeguar natyrën e tij (me degët shkencore, klasike dhe degën e normales), rritjen sasiore e cilësore si dhe “triumfin” mbi shkollat e klerikëve si një sukses i shkollës laike që i “dedikohet më shumë ngjalljes së ndjenjave patriotike në dy komunitetet fetare kryesore” (f.24). Gjimnazi ndiqte programin e liceve franceze dhe pse me problematikat e mungesave të teksteve në gjuhën shqipe apo mosnjohjen e frëngjishtes nga mësuesit. Milaj rankon në ato vite gjimnazin shtetëror me nxënës “nga e gjithë Shqipëria etnike” (f. 35) si më të mirë se dy shkollat e klerikëve (franceskane e jezuite), por jo aq të fortë sa liceu i Korçës.

    Një përshkrim i bërë për mësuesit, tregon rrugën e vështirë që ka pasur shkolla shtetërore, me mungesën e librave dhe mësuesve të lëndëve specifike. Përmend disa emra mësuesish si: drejtori Mirash Ivanaj (i njohur përveç të tjerash edhe për reformën në arsim të vitit 1934), Paul Goujon (pedagog francez), Daniel Mozali, Gabriel Meksi e Taip Shkodra si mësues që u qëndronin afër studentëve, Kolë Kraja si njohës i shkëlqyer i frëngjishtes madje dhe si mësues i gjuhës shqipe në vitin 1914 i mbretëreshës Sofi, e për më tepër një nga përhapësit e shkrimit të gjuhës shqipe në kohët e errëta për vendin.

    Marrëdhënien me qytetin e shtrin në disa fusha. Shpjegon me syrin e djaloshit e mendjen plakut tërë dashurinë e ngrohtësinë e formimin që ai qytet i ofroi për disa vite rresht. Më 1926-ën, Shkodra e Jakovit ishte qyteti më i madh i Shqipërisë. Ia kalonte Korçës dhe kishte dy herë më tepër popullsi se Tirana, Elbasani, Berati ose Gjirokastra. E vendosur mes tre lumenjsh dhe liqenit të bukur, formonte një farë gadishulli (f. 113). Shkodra ishte shumë e përhapur: shtëpi me oborre të gjera, rrethuar me mure të larta që dukeshin si murnaja kështjellash dhe aty mes pemëve, fshiheshin shtëpi karakteritike me vlera etnografike. Rrugët dhe rrugicat të çonin të gjitha në “Rrugën e madhe”, që për ato vite ishte rruga më e bukur në Shqipëri (f. 114) dhe pse në vija të përgjithshme Shkodra paraqitej si një qytet oriental në rënie me disa ndërtesa moderne të rralla, përzier me godina të vjetra e të zymta. Vlerësohen me sy artisti edhe varret e Ermajit për trajtat e bukura e të stolisura të skulpturave apo epitafeve të ndryshme në to (f. 116). Ndryshe nga shumë banorë të qyteteve të tjera, shkodrani në syrin e autorit, i kishte mbetur besnik veshjes popullore, e mburrej me xhamadanin e arit, me petkat shumëngjyrëshe që i mbanin gjithë krenari e dukeshin plot hijeshi. Dallonte për pastërti shtëpia shkodrane, e për gatimet e mira.  Oborret binin në sy për lulet e bukura, e për grykat e puseve gdhendur me art; po ashtu dhe tavanet dollapët e sergjenët e skalitur, koleksionet e armëve, enët prej bakri, pikturat e rralla, bibliotekat e disa familjeve intelektuale etj. Shkodranët kishin shpirt artisti, visheshin me shije e madje “visheshin diçka më mirë se banuesit e qyteteve të tjera”, dhe këtë gjë Jakovi e lidh me kulturën e vërtetë, shoqëruar me tradita të lashta e me dije të reja fituar nëpër shkolla të qytetarëve të Shkodrës (f. 85).

    Problematika të shoqërisë së kohës

    Vetë vitet që autori i tregon ngjarjet kanë një ngarkesë historike, një arsye më shumë kjo për t’i mbajtur këto shënime e për t’i sjellë mes nesh. Kështu p.sh. mund të kujtoj këtu Kryengritjen e Dukagjinit kundër regjimit të Ahmet Zogut, në nëntor të 1926-ës. Gjuha që përdor duket që është e avantazhuar për kohën që e shkruan (vitet 80) kur thotë: “Mercenarët e Zogut që shtruan Malsinë nuk patën mëshirë. Vranë e prenë, therën bagtitë, dogjën jo vetëm kullat e kasollet, por edhe zgjojt e bletëve” (f. 64). Përshkrimet që u bën familjeve të zbritura nga mali në këtë periudhë, japin pamjen e “Legjendës së misrit” të Migjenit. Në libër Milaj e përmend shpesh Migjenin gjatë rrëfimit. Urdhërin e qeverisë për heqjen e çarçafit të grave myslimane e shoqëron me thirrjen e tij “të çilen arkapijat” (f. 52). Po në lidhje me urdhërat e qeverisë së Zogut autori tregon heqjen e kësulave apo fesit në shkollë në shtator të 27-ës, heqjen e pushimit të së premtes për besimtarët myslimanë në shtator të 28-ës, masa këto që u pranuan nga populli dhe nuk e penguan asnjë nxënës të regjistrohej në shkollën shtetërore (f. 51). Për botën fanatike myslimane rëndësi pati heqja e festeve e zëvendësimi i tyre me kapela duke ironizuar me këtë rast mbretin Zog si “mbret reformator” se “vetëm festja e kishte lënë prapa dynjasë vendin tonë të varfër” (f.139).

    Pa shumë euforira për veten, tregon se si bëhet pjesë e lëvizjeve të të rinjve të gjimnazit; siç është rasti i revoltës së 28 nëntorit 1927, apo dhe krijimi i një shoqate për aktivizimin e të rinjve në sport e kulturë një shoqëri “vëllazërimi midis myslimanëve, katolikëve e ortodoksëve, midis gegëve, toskëve e kosovarëve” (f. 35). Ai bëhet pjesë e lëvizjeve të kohës dhe shpreh ndjeshmërinë e të rinjve që e duan vendin. Lëvizja shpjegohet si një sukses i të rinjve që me nxitjen e tyre i dhanë një mesazh qeverisë.

    Si “rastësisht” trajton probleme të kohës, që një i ri nuk i ka dhënë dhe aq rëndësi, por tani shkruesi i pas shumë viteve, mund t’i analizojë. P.sh. rasti i Konferencës së Versajës që kërkonte dëmshpërblime nga shteti teuton që humbi Luftën e Parë Botërore (f. 17), apo vrasjet për pushtet monopolesh të naftës (f. 17) etj. Po ashtu analizon rënien ekonomike të Shkodrës pas vendimeve të Londrës që i mbylli rrugët e tregtisë me krahinat më të afërta që kishin si treg natyror Shkodrën: “Ky qytet mbeti si një njeri që e kanë kapur për fyti e po i marrin frymën” (f.122).

    Disa probleme në shoqërinë tone, libri të bën me dije se i trashëgojmë edhe më herët. Kështu tregon se si “Nxitëse të … intrigave ishin dy konsullatat kryesore të vendit, ajo italiane dhe ajo jugosllave…” që secila bënte propagandën e vet dhe “shpërndante të holla në parinë e vendit”, duke u dhënë bursa për shkollim jashtë vendit fëmijëve të të pasurve, apo duke i përfolur për rrogat e majme që merrnin “disa të parë” nga konsullatat të cilave u shërbenin (f. 73).

    Në kapitullin “Gjendja shoqërore në Shkodër” interes ka analiza që i bën ndarjes klasore të qytetit nga më të pasurit a të privilegjuarit e deri te më të vafërit, një ndarje e cila vihej re më mirë ditën e përcjelljes mortore.

    Marrëdhëniet me njerëzit, pjesa më e bukur e vëzhgimeve të udhëtarit tonë

    Autori gjen fjalët më të mira për të përcaktuar natyrën e qytetarisë shkodrane; të gatshëm me sakrifica jete për ata që i shkelnin në shtëpi a bajrak. Edhe pse i huaj në qytet, shpesh e gjen veten të ftuar në shtëpitë e shokëve të Salo Halilit, Abdyl Begteshit etj. “Mâni i jabanxhinjve” është një histori më vete për të treguar mikpritjen e familjeve shkodrane. Ftesa në shtëpinë e Sadik Milotit, (shtëpi e madhe me një kopësht të gjerë e të mbushur me pemë e lule), si thotë autori të “kujton mikpritjen e rrallë të shokëve shkodranë” dhe “mâni i jabanxhinjve” është simbol i kësaj mikpritjeje (f. 60). Me vlerësim tregon se si midis një shkodrani e një jabanxhiu, shkodranët mbanin anën e këtij të fundit se ai kishte rënë “ndore” të gjithë atyre që e kishin njohur (f. 61). Mikpritja mendon Jakovi është karakteristikë për gjithë Shqipërinë, por në krahinat e Shkodrës është më e theksuar.

    Shkodra dhe humori shkodran bëhet si përcaktuesi i parë i natyrës se tyre, “gaztorë e hokatarë” që edhe “mjerimin, kafshatën që s’kapërdihet” përpiqeshin t’a kapërdinin me të qeshura e humor. Ky u ngjallte shpresën se shpejt do të vinin ditë më të lumtura (f. 108) dhe shpreh idenë se jetëgjatësia e shkodranëve kishte lidhje “me shikimin e jetës me sy optimist”. Vlerëson shkathtësinë e tyre për të dalë nga vështirësitë (Boll me thânë shkidran, se gjithçka e bân” (f. 124).

    Marrëdhëniet me njerëzit, pjesa më e bukur e vëzhgimeve të udhëtarit tonë. Gjeloshi, një kamarier në Mamurras me natyrën e tij, të hiqte gjysmën e lodhjes. Po ashtu Kolë Tivari përmes antonomazisë quhej Nastradini i Shkodrës, një rrobaqepës duarartë që përfaqësonte mençurinë e popullit e mendjemprehtësinë e shkodranëve. Kolë Shiroka me shumë të tjerë që i përngjanin, ishte artist në shpirt, por dhe fshikullues i problemeve të kohës me poezinë e tij satirike. Gjatë udhëtimit të gjatë të një djaloshi drejt të rejave që po e prisnin, mësimet më të vyera i lidh me njerëzit që njohu.

    Censurimi

    Gjuha e përdorur gjatë librit, tregon që autori ka pasur gjithmonë idenë se edhe mund t’ia lexonte dikush ato fletë me shënime që koha ia favorizonte ose jo. Kur flitej për besimin, shkollat fetare, kohën e Zogut etj., ai nuk e kursen gjuhën, ndërsa në raste kur kishte vështirësi për t’u shprehur lirshëm, përdorte shprehje zbutëse. E mendoj si pjesë të censurës së kohës kur i ka shkruar shënimet-kujtesë në vitet 80, reflektimin jo dhe aq vlerësues për rastin e shkollave të franceskanëve e të jezuitëve. Ato janë dy shkolla që kanë një historik për t’u vlerësuar e për t’u shënuar në fushën e arsimit shqiptar. Këtë e gjykoj edhe kur Milaj thotë se shkollat fetare u mbyllën nga shteti, pra jo se nuk kishin nivelin e duhur siç aludon kur përmend rënien e numrit të nxënësve. Ai thotë: “Sikur regjimi i asaj kohe të ishte më i vendosur për zbatimin e laicizmit në shkollat e veta, licetë e fretërve e të jezuitëve do të ishin të mbyllur me kohë, pa ndërhyrje shtetërore, disa vite përpara reformës së vitit 1933”. Gjimnazin shtetëror e sheh si simbol bashkimi në ato kohë të errëta, duke e parë besimin fetar si përçarës të popullit (f. 27). 

    Kur i drejtohet klerikëve katolikë e myslimanë, përdor epitete si: barkmëdhenj; të veshur me salltanete; i thatë si saraga; hanin në një çanak; në një kazan zienin dhe i shihte si bashkëpunëtorë me regjimin e Zogut dhe nxitës të fanatizmit. Tregon me hollësi dasitë fetare e “përçarjen” që sillte midis popullatës, duke rënë në kontradiktë me rastet e shembujt e mirë të secilit në faqe të tjera. Nga njëra anë flet për procesione që ndiqeshin nga shumë rregulltarë, nga besimtarë a spektatorë nga njerëz që me shpirt ia falnin edhe shtëpitë rregulltarëve e nga ana tjetër flet për festa fetare pompoze si ajo e fluturimit të Zojës së Shkodrës në Gjenacan të Italisë pas pushtimit osman. Nën rreshta lexohet vlerësimi përmes vlerave etnografike të kësaj feste, për veshjet e larmishme si një rast shumë i mirë për Marubin për t’i fotografuar e për t’i pasur në fototekën e tij si trashëgimi. Kur flet për Kuvendin e jezuitëve e përmend si vend që linte më tepër mbresa; disa godina të mira dy katëshe të gjitha “të falura me shpirt nga familjet e pasura shkodrane” (f. 116) dhe po aty e përmend seminarin jezuit “që ishte në rang fakulteti” dhe përgatiste klerin shekullor për gjithë Shqipërinë.

    Librat që Gjimnazi shtetëror përdorte nga shkollat fetare (botimet e franceskanëve dhe jezuitëve), i sheh me sy kritik si me mangësi në përmbajtje. Duket që kritika i drejtohet atyre që regjimi i ndalonte. Gjuhën shqipe të Justin Rrotaj e përmend si të vetmin libër që ishte për gjimnazet e kohës dhe pse e kritikon për tekstet, që merreshin vetëm nga vepra e Fishtës dhe nuk kishte larmi autorësh; kritikon Koliqin që i ndryshoi librin e historisë meqë kishte “frymë laike”. Por nga ana tjetër libri “Gjenovefa e Brabantit” që lexonte në ato ditët me borë të vitit 1927, ishte përkthim i shoqatës së jezuitëve.

    Si gjuhë “shpëtimi” të shënimeve, shoh te f. 49 shënimet për Salo Halilin që i fillon me: “Kam lexuar me interes “Yjet e pashuar”. Janë shkruar bukur…”, e duke i “justifikuar” thotë: “Më duket se disa nga penat që kanë përgatitur biografitë nuk i kanë njohur së afërmi “Yjet” që kanë përshkruar dhe prandaj shumë nga këta paraqiten më të zbehtë nga ç’kanë qenë me të vërtetë” (f. 49). Po ashtu, kur tregon historinë e një shoku besnik e të përparuar, pretendon që ndikimin marksist e ka nga Skënder Luarasi që ka qenë mësues në gjimnas në vitet kur Jakovi ishte larguar. E mbyll këtë shënim përsëri me një “kujdes” në të folur duke thënë se “nuk është e përshtatshme të flas unë për këto gjëra pse, sa më ka zënë veshi janë sigurisht shumë të gjymta dhe nuk japin pasqyrë të plotë të viteve të fundit të jetës së tij heroike” (f. 54).

    Si për mbyllje

    Autori akoma “pret” që lexuesit që e marrin këtë libër “t’a plotësojnë me mungesat”, të cilat mund të kenë rrjedhur gjatë rrëfimit të kujtimeve të një 15-20 vjeçari ruajtur e përpunuar nga truri i një të moshuari që i sjell pas 50 vitesh.

    Shënimet të organizuara në 19 pika mbyllen në ditën e diplomimit 14 korrik 1931, me një foto te Kel Marubit e një shkrim në gazetë për maturantët e atij viti. Përmbushet një cikël jetësor për të rifilluar një tjetër e një tjetër. Jetë plot peripeci e një njeriu të shkolluar, dashamirës të dijes, i vetëdijshëm për atë që njeriu lë pas si trashëgim: mirësinë e librat si kujtesë. Studimet në Torino, miqësia me Migjenin, dhe Branko Merxhanin, puna në shumë sektorë, krijuan një intelektual me një formim që spikaste. Nga mësues, në veteriner, kryeredaktor, ministër, deputet, deri në vitin 1943; më pas…burgim 15 vite, internim… puna sërish si veteriner (i respektuar nga ata që ia njihnin punën dhe pse emri i tij figuronte në krye të të ashtuquajturave “lista të zeza” të Degës së Punëve të Brendshme).

    Bashkë me të tjerë bashkënxënës si: Sulo Klosi, Asim Vokshi, Hiqmet Dibra, Sadik Miloti, Enxhëll Kiri, Ibrahim Canga etj., (cit. në pasthënien e veprës) të gjithë përfaqësojnë brezin “e humbur” në dallgët e trazuara të kohës. Njerëzit me formim e ndërgjegje të lartë, me interesa drejt dijes e kuptojnë se çfarë është shërbim e kontribut ndaj vendit.

    Me mbarimin e shënimeve që dalin nga sirtarët e më të vjetërve, më vjen të them “Lum kush mbahet mend për mirë se të gjitha janë të shkruara diku e presin të dalin në dritë”. Për gati 100 vjet më pas, ky libër sjell një realitet që krahasimisht na tregon që vendi ynë diku ndaloi e aty ka rifilluar sërish. Gropat e rrugëve nuk u zhdukën asnjëherë në lëvizjet tutje-tëhu të Jakovit, se fondet për mirëmbajtje kalonin në xhepat e nëpunësve të ngarkuar për këtë punë (f.21). 

    Ardian Ndreca, në parathënien e librit ndër të tjera thotë: “Me sa duket Shkodra në kujtimet e intelektualit fierak Jakov Milaj (1912-1997) ka ngjallë menjiherë kureshtjen e atyne që duen me ndriçue ma mirë nji realitet urban jo të panjohun të viteve ’20-’30. Nji realitet kompleks, apo normalisht kompleks – siç do të shprehej në këtë rast filozofi Edgar Morin. Nji realitet që s’mund të thjeshtëzohet pa ia mohue vlerat, të cilat janë të lira e shkojnë përtej ideologjive dhe modës së momemtit.”

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË