Middle East online, e datës 9 mars 2025, i bën një paraqitje të gjerë librit.
Përktheu nga arabishtja dhe përgatiti për botim: Fatrit Beqiri
Libri “Midis krimeve dhe mirazheve… mbi Pranverën Shqiptare dhe rënien e diktaturës” është një vepër e veçantë, unike në llojin e vet. Është një libër që, përmes penës së një poeti, shkrin vizionin filozofik me ngjarjet politike në një gjuhë krijuese, e cila për lexuesin e papërgatitur mund të tingëllojë më tepër si një roman historik sesa si një vepër historiografike.
Ky libër i sapobotuar nga “Alaan Publishers and distributors” në Aman të Jordanisë, është shkruar nga autori shqiptar Besnik Mustafaj dhe përkthyer në arabisht nga Dr. Muhamad Mufaku El-Arnaut. Ai përbëhet nga 212 faqe, gjashtë kapituj, një hyrje nga përkthyesi, një parathënie e një përmbyllje nga vetë autori.
Përkthyesi, dr. El-Arnauti, thotë për autorin, i cili ka përshkruar ngjarje që jo vetëm i ka jetuar, por edhe ka ndikuar në rrjedhën e tyre: “E njoha Besnikun si poet, ashtu siç ishte në prag të përballjes me diktaturën. Në vitin 1990 i botova disa poezi. Më pas, e njoha edhe si romancier dhe si njeri, mes Kosovës dhe Shqipërisë, gjatë viteve 2011–2020.”
El-Arnaut shton se përpara këtij libri kishte botuar në mediat arabe një paraqitje për romanin “Një sagë e vogël”, duke i hapur kështu rrugën përkthimit të tij si romani i parë i Besnikut në gjuhën arabe (2022). Më pas botoi një artikull për librin “Midis krimeve dhe mirazheve” së bashku me përkthimin e hyrjes së tij, dhe vazhdoi ta përkthente pjesë-pjesë për një kohë të gjatë, derisa vendosi ta përmbyllë e ta përgatisë për botim. Ai thekson: “Ky libër paraqet një përvojë të pasur në luftën kundër diktaturës dhe një vizion për periudhën pas saj.”
Duke vënë në dukje një prej mendimeve kyçe të autorit, El-Arnaout shkruan: “Pas përvojës së Evropës Lindore, është bërë një truizëm të thuhet se kalimi nga regjimet demokratike në diktaturë është më i lehtë sesa nga diktatura në demokraci. Kjo e bën titullin e këtij libri thellësisht kuptimplotë: ‘Midis krimeve dhe mirazheve’”.
Ai shton: “Autori, në epilogun e zgjeruar të titulluar ‘Ëndrra për parajsën’ — botuar për herë të parë më 2019 — guxon të vërë pikat mbi “i” mbi çështjet më të ndjeshme lidhur me Pranverën Shqiptare dhe rënien e diktaturës, duke bërë të qartë distancën e dhimbshme midis ëndrrës për parajsën dhe “parajsës që mund të ndërtohet në tokë”.
Kapitulli i parë: Qëndrimi i Enver Hoxhës ndaj stalinizmit dhe komunizmit
Në këtë kapitull, Mustafaj shkruan:
“Në vjeshtën e vitit 1960, Enver Hoxha nuk pranoi de-stalinizimin që ndërmori Hrushovi dhe ndërpreu çdo marrëdhënie me Bashkimin Sovjetik. Me këtë akt u mbyllën të gjitha dritaret për frymëmarrjen liberale që po ndjehej në vendet sovjetike dhe në gjithë kampin komunist. Shqipërisë së prapambetur nuk i mbeti tjetër aleat veç Kinës, e cila po përgatitej për revolucionin e saj kulturor famëkeq.”
Dhe vijon:
“Kështu, Shqipëria që ende nuk e kishte zhdukur analfabetizmin, u zhyt në vërshimin e përbindshëm të revolucionit kulturor. Për njëzet vjet me radhë u zhdukën nga teatrot dhe librat shkollorë veprat e Beethovenit, Mozartit, Shekspirit dhe Çehovit. Në të gjitha nivelet shkollore, nxënësit mësonin vetëm filozofinë e teksteve të Marksit, Engelsit, Leninit, Stalinit, Maos… dhe, natyrisht, të Enver Hoxhës. Të gjitha veprat klasike dhe moderne cilësoheshin reaksionare. Kontakti me to, qoftë edhe personal, konsiderohej veprim armiqësor kundër pushtetit popullor, e pasonte me një dënim dhjetëvjeçar burg. Ndërkohë, u ndërpre dërgimi i studentëve për studime jashtë vendit, me qëllim që të formohej një inteligjenci e kalbur brenda kësaj atmosfere të mbytshme.”
Kapitulli i dytë: Deri ku izolimi mbyllja e Shqipërisë
Autori shprehet:
“Përgjithësisht, intelektualët shqiptarë besonin se kalimi drejt një shoqërie pasdiktatoriale do të ishte i lehtë, për të mos thënë i natyrshëm. Në mendjet tona, të mbushura me pikëpyetje për realitetin e zymtë të kohës, nuk ishte e mundur të imagjinohej e ardhmja. Ishte njësoj si t’i kërkosh një njeriu të uritur të mendojë për ëmbëlsira.”
Ai shton:
“Por kishte edhe një arsye tjetër. Shqipëria ishte e mbyllur për shtypin e huaj. Kishte pengesa teknike për të ndjekur kanalet televizive të fqinjëve. Shtypi vendas filloi të raportonte për krizën që përjetonin vendet socialiste në Evropën Lindore pas rënies së partive të vetme. Por këto raportime përzgjidheshin me qëllim edukativ: t’i trembnin njerëzit me pasojat e kaosit. Kjo gjeneroi mosbesim të thellë, edhe ndaj lajmeve të sakta. Rënia e shpejtë e shpresave të disa intelektualëve, sidomos të rinisë, pas disa javëve nga fitorja e pluralizmit, ishte dëshmia më e mirë e iluzionit të tyre.”
Shpërbërja e plotë e popullit shqiptar
Mustafaj, për të theksuar kufijtë e asaj që arriti Shqipëria në praktikimin e stalinizmi, me një ironi të thellë dhe therëse, shkruan:
“Shqipëria, në ndërtimin e shoqërisë staliniste, i dha botës mësimin që i mungonte. Pa gabuar mund të thuhet se, po të ishte vetë Stalini në krye të Shqipërisë në atë periudhë, nuk do të kishte arritur të formulonte më mirë parimet e politikës së tij të brendshme: përçarja e plotë e popullit nëpërmjet luftës së klasave dhe vendosja e barazisë në varfëri (jo për elitën sunduese, natyrisht) përmes zhdukjes së çdo forme të ekonomisë private. Burgu politik u bë institucioni më i fortë i vendit.”
Kapitulli i gjashtë: Një “enciklopedi e vogël shqiptare”
Në kapitullin e fundit, autori paraqet një përmbledhje termash dhe figurash të kohës, siç përkufizoheshin në diskursin zyrtar. Ai citon nga “Fjalori enciklopedik shqiptar” për Enver Hoxhën:
“Një ndër figurat e rralla në të cilën u mishërua mendimtari marksist, udhëheqësi revolucionar, komandanti ushtarak, shtetari, diplomati, botuesi, intelektuali i dijes, edukatori i masave, oratori i zjarrtë dhe miku i njerëzve të thjeshtë… veprat e tij do të mbeten të gjalla për shekuj.”
Po ashtu, për Ramiz Alinë:
“Nga udhëheqësit më të njohur të Partisë dhe shtetit… ndikoi në shmangien e përgjakjes në fillim të protestave studentore — me apo pa qëllim — por vetëm dy ditë pas shpalljes së pluralizmit politik mblodhi drejtuesit e Komitetit Qendror dhe tha se studentët po manipuloheshin nga shërbimet e huaja, sidomos CIA. Pa përmendur emra, aludoi se fjala ishte për ne — intelektualët — që e kishim ndihmuar këtë lëvizje. Nuk e kishte pritur krijimin e Partisë Demokratike me kaq shpejtësi.”
Përfundim: Shqipëria – ç’ishte, ç’është, dhe ç’mund të bëhet?
Në vend të një epilogu tradicional, Mustafaj shkruan një reflektim të thellë:
“Ekonomia kishte rënë në kolaps. Moraliteti popullor kishte marrë goditje fatale. Ishte e kuptueshme trauma e rëndë që do të ndiqte popullin në kalimin nga diktatura në demokraci. Një popull që ëndërron për bukë dhe lutet çdo ditë të mos sëmuret sepse mungojnë barnat e spitalet, që nuk e çon fëmijën në shkollë jo vetëm për mungesë ngrohjeje, por edhe pse dritaret janë pa xhama, nuk mund të krijojë lehtësisht psikologjinë e jetës demokratike. E megjithatë, ky popull e do demokracinë më shumë se çdo gjë tjetër. Ai ende mban në mendje ëndrrën e rilindasit Sami Frashëri për ta parë Shqipërinë si pjesë të Evropës — pse jo si Zvicra e Ballkanit!”