“Fundi i palavdishëm i Igor Bagrickit”, i autorit Veli Karahoda
Në mes një katrahure dhe përpjekjeje për të ndërtuar Evropën pas Luftës së Dytë Botërore, inercia për të ushtruar një rend demokratik e të rëndësishëm për popujt e Evropës e me theks të Ballkanit, ishte përpjekje me plot dyshime. Shtetet, të ndara në dy blloqe, forcuan shërbimet e tyre të spiunazhit në dobi të krijimit të informacioneve sa më të sakta, por edhe për të siguruar e kopjuar prodhimet e rëndësishme industriale që ishin me rëndësi jetike për kohën. Kjo metodë, inkorporoi një strukturë të ngjeshur me njerëz të profileve të ndryshme për të marshuar drejt fitoreve, disa në emër të demokracisë e disa të tjerë në emër të revolucioneve përparimtare socialiste. Kjo torturë zgjati gati gjysmëshekulli që krijoi rrethana te reja jo vetëm politike, por edhe të ideologjisë e të kulturës.
Në krijim të një tabloje sa më të saktë, në romanin “Fundi i palavdishëm i Igor Bagrickit”, Veli Karahoda, me një mjeshtri artistike, rrëfen, përmes prozës romanore, rrëmujën totalitare, zhveshjen dhe tendosjen e sistemeve shoqërore si në vendet demokratike ashtu edhe në vendet ku proletariati kishte zënë vend si ushejëz. I botuar në vitin 2022 nga Shtëpia botuese “Buzuku”, ky është roman me vëllim të madh të faqeve, që kërkon përkushtim për lexim, por të mban me rrëfimin e bukur, të tërheq edhe për mendimet eseistike, edhe për gjuhën e pasur dhe motivet e karakteret e shumta që trajtohen. Karakteristikë e veçantë e romanit janë mënyrat e ndërtimit, njëkohësisht klasike, moderniste dhe postmoderniste, simbiozë kjo që e bën rrëfimin edhe më interesant, edhe sa u përket përdorimit të narratorëve, duke i dhënë kështu një shije të lartë artistike.
Romani fillon me një prolog që autori e vë në funksion të sqarimit duke dëshmuar se ka bërë një hulumtim tejet profesional, investigues, për të dhënë një varg ngjarjesh të zhvilluara brenda kontinentit evropian. Duke e ekspozuar që në fillim motivin e ngjarjes ai thotë se dorëshkrimet e artikuluara do të flasin: për pasionet, për epshin, për ndjenjën e fajit, për zotin, për luftën, për dashurinë (f.9). Ky mishërim i ndjenjave njerëzore fillon me dorëshkrimet e dy agjentëve, njeri është gjerman i infiltruar, pastaj vazhdon me hollësitë sarkastike, përmes së cilave Karahoda paraqet, deri në tallje, kulturën jugosllave, në anën tjetër tregon veprimet e errëta të shërbimit sekret që rekrutonte njerëz famëkeq për t’i shërbyer atij shteti artificial. Në gjithë këtë ecuri strukturohet roli dhe rëndësia e agjenturave të spiunazhit, që është edhe përmbajtja kuptimore e saj gjatë këtyre proceseve jo ekuivalente në dëm të individëve dhe grupeve shoqërore.
Igor Bagricki është kryepersonazh sa “i lavdishëm” në ecejaket e para të jetës së tij, por në rrugëtimin e gjatë do t’i shfaqen pasoja e nevoja imediate që do ta ndryshojnë në formësimin plot makth dhe aventura. Si një fëmijë jetim, ai do të adoptohet nga një familje jugosllave apo më saktë serbe. Kultura e familjes që autori e ironizon vazhdimisht, zhvillohet paralel me proceset “e lavdishme” jugosllave, të cilët krenohen me të bëmat, që mund të jenë gjithçka tjetër, por jo procese njerëzore. Tendenca e Jugosllavisë që në gjirin e saj të shërbimeve informative të rekrutojë persona me të kaluar kriminale dhe kriminelë të jashtëzakonshëm, siç do t’i quante Dostojevski, do të përfshinte edhe fatin e Bagrickit. I zënë në flagrancë së bashku me dy shokët e tij, Vason dhe Pilgrimin, gjatë një tentative për grabitje në një shtet të Evropës, ata do të rikthehen në atdheun e tyre, Jugosllavinë artificiale, për t’u gjykuar. Në vend të një gjykimi korrekt për grabitjen në tentativë në shtetin suedez, atyre do t’u hapet mundësia për një kredi të palavdishme, me kamatë të lartë.
Kthimi në atdhe i Bagrickit dhe shokëve të tij, do të thoshte rekrutim doemos brenda strukturave të sigurimit, për të përgjuar, zhdukur e për të përdorur forma të tjera makabre kundër të gjithë armiqve të jashtëm e të brendshëm. I robëruar pas karakterit të tij, i zënë nga shantazhi dhe vorbulla e proceseve, do të rekrutohet nga shërbimi i fshehtë jugosllav së bashku me Kornelian (Natalian) në misionin drejt Evropës, më saktë Gjermanisë. Ky rrugëtim sa është i mundimshëm e pervers, do të shoqërohet edhe me kulturën jugosllave që shëmton çdo proces të mirëfilltë shoqëror. Grupet jugosllave ishin të mizershme në ushtrimin e autoritetit të spiunazhit. Këtë temë autori e trajton me mjeshtri pasi shihet qartë se posedon dhe ka njohuri të bollshme për fundamentin jugosllav dhe metodat finoke që i zbatonin në të kaluarën. Gjatë këtij misioni, gjermani Ludwig Boreliuss do të udhëhiqte proceset e spiunazhit jugosllav përmes kërmave që servoheshin si burime të informacionit duke mos zgjedhur mjete për realizimin e objektivave. Karahoda e trajton me delikatesë karakterin e funksionarit të fshehtë dhe gjuetinë e egër të UDB-së, aq më shumë perversitetin dhe metodat e tjera për të shtënë në duar sa më shumë informacione ndaj të gjithë atyre që konsideroheshin kundër proletariatit.
E veçanta e kësaj proze romanore, pos ndërthurjes së saj në mes të klasikes, modernes dhe postmodernes, është edhe një gjuhë e pastër, e rrjedhshme, narracioni i ndërlikuar, por që asnjëherë nuk i humb filli, personazhet e shumtë, përshkrimi i situatave shpeshherë me tensione dhe me pasoja. Kjo e bën edhe me të lexueshëm romanin, që ndahet në kapituj dhe nënkapituj. Vendosja e emrave të personazheve të ndryshëm në kapituj përkufizon një ngjarje të veçantë që do të ndodhë, por në këtë kontekst kemi edhe rrëfime të tjera që gjejnë përshtatje dhe përkufizime brenda po të njëjtit kapitull. Në tërë këtë konglomerat rrëfimesh kemi jetë bizare, yshtje, dashuri, erotikë të shkujdesur, përgjime, dehje, luftëra; janë skena të vendosura me aq mjeshtëri që krijojnë vazhdimisht tension gjatë leximit. Por, fundi i palavdishëm në të vërtetë përmban një etapë prej tre dekadash deri në zagushinë e personazhit që do ta dërgojë drejt vetëvrasjes, që konsiderohej normale në shtetet totalitare.
Karahoda me këtë roman ka përmbyllur një histori tejet interesante, të një kulture të huaj që fatkeqësisht ka trajtuar popullin shqiptar si objekt në laboratorët e tyre. Proceset që i quan vogëlsira personazhi i tij (f.14) dinë të manifestohen të egra e brutale në jetën e përditshme. Duke e lexuar këtë roman tejet induktiv, nxirren dhe shpërfaqen luftërat e përgjakshme që popujt sllavë i zhvillonin në emër të miteve e proletariatit, zhvishet shteti artificial i quajtur Jugosllavi që përbuzte dhe dhunonte popujt josllavë me metodat më vrastare, që vazhduan për gati gjysmë shekulli. Fundi i palavdishëm i Bagrickit është fundi i mizorisë jugosllave në përpjekje për të ruajtur territorin dhe sundimin sllav. Këtë shembull produktiv të njohjes përmes personazheve, autori e sjell para lexuesit me një kujdes dhe zgjuarsi në hulumtimin e tij. Autori shtjellon edhe mendime racionale, përmbajtje e kuptime filozofike duke përçuar kulturat dhe normat në mes popujve të ndryshëm. Ky roman është çmuar edhe vlerësuar me Çmimin vjetor letrar për prozë nga Ministria e Kulturës në Kosovë. Është çmim i merituar, meqë, ashtu siç thotë botuesi, është: Një roman klasi, ndërtimi, rrëfimi. Zbërthim detajues plotëni karakteresh. Shkurt e shqip: letërsi botërore.