nga Joseph Bottum
Për gati 300 vjet, romani ishte një nga format më të rëndësishme të artit, mbase më e rëndësishmja, kurse në botën moderne, mjeti me të cilin u përpoqëm t’ia shpjegonim veten pikërisht vetes tonë. Diçka e re hyri në art gjatë kalimit nga Mesjeta, nëpërmjet Rilindjes dhe lëvizjes së Reformacionit tek epoka moderne. Mund ta quajmë “kthim nga e brendshmja”, pranimi gjithnjë e më shumë se jeta dhe drama e brendshme janë të vërteta, jo thjesht veprimtari të parëndësishme, të domosdoshme për të mbajtur bashkë trupin dhe shpirtin ndërsa luajmë jetën tonë të vërtetë në skenën e botës. Mendoni se sa e rrallë ishte drama e brendshme më parë për romanin. Penelopa tjerr pak detaje nga jeta private krahasuar me gjendjen politike në mjedisin shtëpiak tek “Odisea”, mbretëresha Dido nuk rrëfen për veten por për protagonistët e historisë tek “Eneida” kurse perëndesha e zemëruar Ishtar shpjegon teogoninë tek “Gilgameshi”.
Jo më kot romani modern ngjante kaq i ri për lexuesit në shekujt 18-të dhe 19-të. Tek përmendja delikate që bën Floberi për dhimbjen vaginale që e gjora dhe e marra Ema Bovari ndjen pas takimeve të shpeshta me të dashurin e saj Rudolfin, ne nuk vërejmë thjesht përshkrim të ri të detajuar seksual (sado i tërthortë) dhe vëzhgim të imët të realitetit i cili do të përbënte thuajse përkufizimin e rrëfimit realist. Vërejmë gjithashtu se romanet moderne depërtojnë në botën vetiake dhe të fshehtë në mënyra të papërfytyruara nga ndonjë art i mëparshëm.
Kjo rëndësi moderne e vetes mund të gjurmohet tek filozofët e shquar duke nisur nga Dekarti, Rusoi dhe deri tek Kanti. Ose tek ekonomia e kapitalizmit, analizuar nga Marksi dhe Ruskini. Mund të kërkohet edhe tek teologjia themelore protestante, nga Martin Luteri tek Jonathan Edvard, ku gjemë rrënjët e unit modern tek përqendrimi i vëmendjes fetare të lëvizjes së Reformaconit tek shpirti individual.
Romanet luajtën rol themelor për kulturën pjesërisht sepse ishin e vetmja formë e arritshme arti me gjerësinë e mjaftueshme për të përfshirë të gjitha detajet që ju duheshin autorëve në vizatimet e portreteve gjithnjë e më realiste të personazheve të tyre. Por, para së gjithash, romanet përshkruan atë që dukej se ishte krizë e unit modern. Dhe në nivelin më të lartë dhe më serioz artistik, ato ofruan zgjidhje.
E vërteta e trishtueshme është se romani tani nuk ka të njëjtin terren të gjerë kulturor, dhe lexuesit nuk para kanë përshtypjen se romani është mënyrë praktike e shtjellimit të problemeve. Rënia e autoritetit të tij pasqyron një krizë të re e cila ka lindur si pasojë e mossuksesit në rritje të guximit intelektual të kulturës sonë dhe dyshimit për zhvillimin e mëtejshëm të vetë romanit.
Rrallë ndjehet mungesa e prozës në këtë epokë të internetit. Përveç mundësive zbavitëse digjitale, letërsia masive në gjuhën angleze ka lulëzuar duke shfaqur pjekuri të befasuese. Gjinia e biografisë përcjell mësimet që jepte romani dikur, ashtu si edhe sociologjia e paraqitur në mënyrë masive dhe “Gazetaria e Re”, e cila përdor teknikat e shkrimit romanor për reportazhe të gjata. Prapëseprapë, romani është në agoni. Dështimi i tij paralajmëron fundin e besimit tek vlerat e të kaluarës dhe qëllimet e ardhshme të asaj që e konceptoi veten si kultura perëndimore. Shenjat e një kulture të dobësuar, të pasigurt dhe ngurruese shkruhen në pluhurin e librave të palexuar të rafteve të bibliotekave tona.
Ndryshimi më i madh sociologjik (ende jo i vlerësuar sa duhet) në Amerikë gjatë 50 viteve të fundit është rënia e jashëzakonshme e përqindjes së anëtarëve të kishave protestante nga afërsisht 50 përqind në vitin 1965 në më pak se 10 përqind sot. Ky kolaps hoqi një kolonë qendrore të identitetit amerikan. Megjithëse të tjerët ishin të mirëpritur, brenda dhe jashtë, ne kuptuam se në thelb jetonim si një komb protestant. Kishat mbizotëruese ishin ato të Misisipit kulturor që përshkonin vatrën e të kuptuarit të vetes nga kombi. Kur ky pus ushqyes shteroi, kultura e vjetër vdiq në plloçat e ngurta të baltës. Themelet teologjike u rrënuan, dhe kështu ndodhi edhe me institucionet kulturore të ndërtuara mbi ato themele, duke përfshirë edhe romanin.
Me zhdukjen e një horizonti kohor, historia duket se nuk ka qëllim të dallueshëm, dhe kultura nuk ka qëllim të dukshëm. Pa qëllimet dhe arsyet e dikurshme, gjithçka mbetet janë krimet e së kaluarës që kultura ka bërë për të arritur atje ku është tani. Të pa dëmshpërblyera nga arritjet, të pashpjeguara nga qëllimi, këto mëkate të pazhbëra ka gjasë të ngjajnë tronditëse: ta përkufizojnë kulturën. Dhe pa një kuptim për qëllimet dhe arsyet e dikurshme, pse duhet të përpiqemi për të ardhmen? Pse duhet të shkruajmë, apo edhe të lexojmë, krijime letrare sa një libër për të kuptuar veten?
Pra, sot nuk shqetësohemi shumë më për këto libra. Nuk i japim mësim rregullisht në kolegje. Nuk presim që madje as të arsimuarit të kenë njohuri për këtë formë arti. Bibliotekat e lagjeve kanë hequr dorë nga të qenët depo të historisë letrare, duke zhvendosur disa kopje të romaneve të Dikensit dhe Heminguejt në sektorin e librave për të rinjtë dhe duke shpërndarë botimet e dobëta. Pavarësisht nga pozitat e tyre në universitete të cilat rëndësinë e marrin nga autoriteti që letërsia kishte dikur, studiuesit e letërsisë studiojnë tani pornografinë e kartolinave të turpshme franceze me të njëjtat mjete dhe ngazëllim që kishin dikur për romanin.
Kjo nënkupton një lloj laicizmi pavetor, çrrënjosje të elementëve të fundit të pandërgjegjshëm të një lloj krishtërimi kulturor. Romani më serioz synoi ri-magjepsjen. I kishte dëshirën e zjarrtë për t’u dhënë një lloj shkëlqimi objekteve të botës, duke qëndruar përballë kthesave moderne të shkencës teknologjike, qeverive burokratike dhe ekonomisë tregtare.
Nga shekulli 18 deri në shekullin e 20-të, autorët krijuan letërsi të pangjashme me asgjë që bota kishte lexuar më parë. Ata e bënë këtë sepse ishte e nevojë e civilizimit. Dhe ai i shpërbleu për këtë. Nga autorët që kanë botuar romane që nga fillimi i viteve 1990-të, asnjëri prej tyre nuk është kthyer në lexim të detyrueshëm. Kjo mungesë e rëndësisë kulturore nuk është domosdoshmërisht faji i autorëve, thjesht ne s’lexojmë romane siç lexonim më parë. Ambiciet e mëdha janë zvogëluar dhe motori i artit zhumëron duke nxjerrë shtëllungat e fundit të karburantit të vjetër. Kriza metafizike e modernizmit nuk u zgjidh as nga romani dhe as nga ndonjë gjë tjetër. Si pasojë, po përjetojmë një krizë të dytë, atë të dobësimit të artit, pasi kultura po humbet horizontet dhe domethënien e qëllimit.
Kjo s’do të thotë se nuk është krijuar letërsi e rëndësishme gjatë gjysmës së shekullit të kaluar. Kjo ka ndodhur duke nisu nga V.S. Naipaul, Mario Vargas Llosa, Thomas Pynchon, Philip Roth and Don DeLillo (të pestë të lindur në vitin 1930) tek J.M. Coetzee dhe John Irving (të dy të lindur në fillim të viteve 1940-të), ashtu si dhe autorë më të hershëm, të gjithë kanë jetësuar ambiciet e romanit. Për dekada me radhë, lexuesit serioz kanë rrëmbyer për lexim çdo botim të ri nga Martin Amis, Salman Rushdie dhe Cormac McCarthy. Nuk jam ndonjë admirues i madh i veprës së Ian McEwan-it dhe Jonathan Franzen-it siç jam për çdo krijim letrar të Marilynne Robinson-it, A.S. Byatt-it dhe Michael Chabon-it, por të gjithë është e nevojshme të lexohen nëse ndjekim zhvillimin e letërsisë bashkëkohore. Zadie Smith, Haruki Murakami, Orhan Pamuk, Arundhati Roy, Jeffrey Eugenides dhe shumë të tjerë përbëjnë listën e e shkëlqyer të shkrimtarëve serioz bashkëkohorë.
Pavarësisht sa të talentuar janë, asnjë prej tyre s’na bën ta përjetojmë romanin ashtu siç na bëjnë autorët themelorë anglezë, nga Daniel Defoe e deri tek Jane Austen. Ose siç na bëjnë ta përjetojmë autorët e shquar të periudhës Viktoriane, nga Dickens-i dhe Thackeray tek Henry James. Ose siç na bëjnë modernistët, nga Proust-i dhe Joyce tek Thomas Mann-i dhe Ralph Ellison-i. Apo edhe siç bëjnë romancierët e mesit të shekullit të 20-të, nga Fitzgerald, Faulkner dhe Hemingway tek Sinclair Lewis dhe John Steinbeck.
Mund të parashtrojmë të njëjtin argument po të përsiasim për epokën në të cilën po jetojmë e cila është e artë për romancat, letërsinë fantastiko–shkencore, romanet detektiv, të krimeve, misterit dhe tmerrit. Neil Gaiman është një gjeni i llojit të tij, i cili po hulumton letërsinë për fëmijë, fantazitë urbane dhe romanet me vizatime. Dean Koontz përdor tmerrin në mënyrë të maskuar për të bërë pyetje metafizike në lidhje me zhgënjimin e botës. “Game of Thrones” (Froni i shpatave) e George R. R. Martin-it është një model i krijimeve me imagjinatë të fuqishme i botëve në epokën e pas-Tolkien-it, ndërsa Gene Wolfe përdori letërsinë fantastiko-shkencore për të një projekt letrar me ngjyrime katolike për më shumë se 30 vjet.
Kini parasysh dy autorët më të shitur që nga Agatha Christie janë Stephen King dhe J.K. Rowling. Pas tyre vijnë të gjithë autorët dhe artistët e përfshirë në zhvillimin e plotë të librave komik në romane me vizatime: heroi botëndryshues i Alan Moore-it dhe Frank Miller-it “Jimmy Corrigan” i Chris Ware, Maus i Art Spiegelman-it, “Persepolis” e Marjane Satrapi-t. Talenti i tyre shtron pyetjen se pse i lëvrojnë këto gjini. Kur sheh dikë të ngrejë një libër të përsosur në aspektin teknik apo një libër komik në nivelin më të lartë të artit, kjo të bën të pyesësh veten se pse këta autorë nuk shkruajnë romane ambicioze, pse nuk punojnë me formën artistike të romanit që kultura jonë ka punuar për ta zhvilluar në një mjet me finesë, hapësirë dhe fuqi të jashtëzakonshme për gati tre shekuj. Në druajtjen tonë për arrogancën e pyetjes, pyetja gjen përgjigjen e saj.
Robert Heinlein me letërsinë fatanstiko–shkencore, P.G. Wodehouse me komeditë romantike dhe Rex Stout me romanet e misterit, asnjëri nga këta mjeshtër s’do ta kishte problem po t’i thuhej se s’bënte letërsi që ishte në nivelin e një Nobelisti bashkëkohor si Mann-i. Kur kemi përshtypjen e diçkaje elitare e cila shpërfill dallimin midis “letërsisë serioze” dhe “letërsisë masive”, jemi ne që zbulojmë se nuk besojmë më në fuqinë e formave të vjetra të letërsisë serioze, mosbesim që nuk do të ishte pranuar nga shkrimtarët më të mirë të lloji të dytë të letërsisë në brezat e mëparshëm, nga Arthur Conan Doyle deri tek Dr Seuss.
Ideja e rënies së romanit nuk është pohim se ka pasur më shumë gjeni krijuese në shekujt e mëparshëm ose se kjo gjeni krijuese po e harxhon vetveten duke lëvruar artin masiv. Përkundrazi, është pohim se qëllimi i madh i romanit modern ishte të ri-magjepste kuptimin tonë për botën me rrëfime të trilluara që vendosin në mënyrë paralele udhëtimin shenjtërues të shpirtit me udhëtimin fizik dhe shoqëror të trupit. Qëllimi ishte që të ndërthurte sërish së bashku realitetet e brendshme dhe të jashtme të cilat epoka moderne i kishte ndarë. Dhe ndërsa kultura perëndimore has në pengesa, pa qenë më e sigurt se problemet e modernizimit mund të zgjidhen, projekti i vjetër duket pak joreal.
Nuk është romani shkaku pse ne dështuam. Ne jemi shkaku pse dështoi romani.
The Spectator, shkurt 2020.
Përktheu: Granit Zela
Photo by Fabiola Peñalba on Unsplash